Shija e keqe për festa (oreksi universal për lightkulturë)

0
51

Nga Artan Sadiku, saktivista.com

Ështe e paevitueshme ti shpëtosh sot hegjemonisë festive të fundvitit të përcjellë me tërë cirkun e zbukurimeve, maskimeve, dhuratave, ahengjeve. Universaliteti i kësaj kulture është i pamohueshëm mu për faktin se si e tillë ajo është përbrendësuar në kapitalizmin e sotëm neoliberal, si sistem më depërtues në gjithë historinë. Në mënyrë kontradiktore por teleologjike, kjo ideologji thelbësisht depërtuese e shpërndan veten në nivel universal përmes asaj është lightkultur (shpërndarje universale e vlerave sipërfaqësore).

Globalizimi si aparat ideologjik i këtij sistemi siguron përhapjen e kësaj kulture përmes së cilës edhe Japonezët edhe Etiopianët i nënshtrohen propagandes së njejtë të marketingut, ku krishtlindjet janë ngjarje globale festive, ku zbukurimet e qyteteve kaplojnë shuma milionëshe dhe ku histeria e dhuratave, si formë sëmundjeje e re që po të futet në studimet psiko-patologjike, bëri që vetëm për një ditë (Black Friday 2010) në Amerikë të blehen dhurata në vlerë prej 45 miliardë dollarësh (ndërsa për të luftuar varfërinë në Afrikë G8-grupi i shteteve më të zhvilluara që nga 2005 ka premtuar 25 miliardë dollarë që nuk po i realizon dot).

Duhet të pranohet që kapitalizmi ka zhvilluar një perfiditet superior të metodave të funksionalizmit të vetes së vet duke mësuar nga gabimet e veta. Pas secilës krizë, kapitalizmi del më perfid, më i avancuar dhe më depërtues. Ai ka arritur të transformojë kushtet themelore hapësirore (gjeorgafike), njerëzore (psikologjike) dhe shkencore (teknologjike) në favor të vet. Në kondita të tilla, lightkultur-a nuk është ajo që ka nevojë të jetë depërtuese, por janë individët ata që vullnetarisht subjektivizohen në të. Individët, individualisht të globalizuar janë modus operandi për lightkultur-ën.

Festat e fundvitit janë festa të zbrazura nga çfarëdo lloj përmbajtje. Hiq formën, ose të paktën zbukurimet dhe nuk mbetet festë e vitit të ri. Gjithë histeria e festës së vitit të ri është e ndërtuar mbi shtytjen globale për të shënuar festën e festave, si formë kulminante e shtytjes kapitaliste për të bërë diçka, mundësisht për të festuar sa më shumë e sa më shpesh. Në histori viti i ri lidhej me periudha të ngjarjeve të rëndësishme astronomike (hëna e parë e re) apo bujqësore (të korrat) dhe rëndësia e tij ishte se atë ditë/natë bëheshin premtime të caktuara për vitin e ardhëshëm. Mënyra e sotme e festimit është thellësisht ideologjike. Ajo nuk ka asnjë lloj rëndësie, përveç përmbushjes së formës së nevojshme që e kërkon lightkultur-a.

Pasi festat duhet të shënojnë një arritje të caktuar, cila është arritja globale si arsye për festimin botëror pas dy ditësh? Mos valle kriza botërore financiare që më pas u bë ekonomike, humbja e miliona vendeve të punës, tejvarfërimi i klasës më të varfër, rritja e pagesës për studime, luftërat në Irak dhe Afganistan, rrjedhja e naftës së BP, shkatërrimi i Haitit nga tërmeti si pasojë e kolonializmit…? A do të thotë kjo që kapitalizmi neoliberal e ka dëmtuar shijen njerëzore për festa?! Tjetërsimi njerëzor është sot rezultat i veprimit radikal të këtij sistemi, që vazhdimisht i transformon konceptet themelore për atë se çka është për progres dhe zhvillim, duke u promovuar në mënyrë sipërfaqësore si një ide fisnike e lehtë globalizuese përmes lightkultur-ës.

Sfida individuale sot qëndron në subjektivizimin brenda kulturës kolektiviste, përmes së cilës do të universalizoheshin kategoritë e realitetit, kategori si varfëria, eksploatimi dhe lufta si koncept psikologjik themelor i prezencës në botë. Përgjigjja ndaj lightkultur-ës që e mbulon veprimin thelbësor transformues të kapitalizmit, sot duhet të jetë nje kulturë e vlerave të forta dhe të vrazhda që veprojnë në kundërvënie të pothuajsë gjithçkaje siç e shohim dhe e përjetojmë sot. Deri në një të ardhme radikalisht të ndryshme, nuk shoh se si mund të kihet oreks për festa.