“Milionerë” me rrogat e shtetit

0
38


Koha Ditore, në numrin festiv të Vitit të ri ka bërë publike pagat e drejtuesve të institucioneve, të ndërmarrjeve dhe të agjencive publike, të cilët i marrin nga paraja e taksapaguesve kosovarë.

Sipas gazetës, vështirë të ketë ndonjë vend në botë ku gjyqtari dhe pastruesi kanë pagën të njëjtë. Apo se paga mujore e krerëve të ndërmarrjeve publike është sa gjysma e pagës vjetore të kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Por, këto paradokse përbëjnë “normalitet” në shtetin e ri, të Kosovës. Njerëzit që punojnë në gjyqësor kanë paga “fyese”, krahasuar me shumë zyrtarë që drejtojnë institucionet qeveritare, agjencitë e pavarura dhe kompanitë publike dhe që arkëtojnë me dhjetëra mija euro në vit në emër të pagave dhe mëditjeve.

Nëse i referohemi kuizit më të famshëm në botë, “Kush do të bëhet milioner”, në të cilin shuma maksimale në “tregun shqiptar” është 50 mijë euro, atëherë të gjithë këta zyrtarë do të mund të quheshin ‘milionerë’. Ka vite që ky kuiz pret milionerin e parë, mirëpo ai nuk po vjen. E në anën tjetër ka shumë zyrtarë që brenda vitit 2010 kanë arkëtuar të hyra deri në 60 mijë euro, që paguhen vetëm nga mjetet publike, qofshin ato nga buxheti i Kosovës, nga buxheti i ndërmarrjeve publike, apo nga Universiteti i Prishtinës.

Zyrtarët e institucioneve dhe të ndërmarrjeve publike në vazhdimësi kanë refuzuar publikimin e pagave të tyre. Madje për disa vite ato kanë qenë enigmë për qytetarët e Kosovës. Mirëpo, së fundi kanë pasur obligim ligjor që ta plotësojnë formularin e deklarimin e prejardhjes dhe gjendjes së pasurisë. Formularë që janë bërë publikë nga Agjencia kundër Korrupsionit.

Udhëheqësit e Trustit, KOSTT-it, Bankës Qendrore, Postë-Telekomit, KEK-ut, Aeroportit, nëse idenë e shkuarjes në punë e kanë të bazuar vetëm në pagë, atëherë nuk kanë arsye të lakmojnë karrigen e presidentit, edhe më pak të kryeparlamentarit e të kryeministrit. Krerët e këtyre institucioneve kanë paga më të larta, apo të përafërta me udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, të cilët janë në shkuarje në këtë fundvit.

Në bazë të deklarimeve që ata vetë kanë bërë: Gazmend Luboteni, kryetar i Bordit të drejtorëve në Bankën Qendrore të Kosovës, është personi që paguhet më së shumti brenda një viti. Ai arkëton 60 mijë e 20 euro në vit. Luboteni, merr 22 mijë e 220 euro në UP në emër të pagës dhe honorarëve. Paga e tij në kolegjin “Fama” është 16 mijë e 200 euro. Kurse, kompensim nga BQK-ja, si kryetar i bordit të këtij institucioni merr 21 mijë euro.

Ndërsa, ish-guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, që është mbajtur gati tre muaj në paraburgim me dyshimin për keqpërdorim të detyrës, ka pasur pagë prej 4 mijë e 302 euro. Ndërsa, zëvendësguvernatorët Nexhat Kryeziu dhe Gani Gërguri kanë pagë mujore prej 3 mijë e 300 euro.

Zalli dhe Haxha, në krye të top-listës

Ndërsa, sa u përket institucioneve që kanë pagat më të larta në vend, Trusti i Kursimeve Pensionale është në krye të listës. Drejtori menaxhues i këtij institucioni, Adrian Zalli, ka një rrogë vjetore prej 46 mijë e 800 euro, ndërsa merr edhe 19 mijë e 200 euro në vit, shtesë. Paga e tij mujore është 5 mijë e 500 euro. Ndërsa, dy zëvendësit e tij, Agron Krasniqi e Vërshim Hatipi, marrin një pagë mujore prej 3 mijë e 100 euro, apo 37 mijë e 260 euro në vit për kokë.

Në Agjencinë kundër Korrupsionit, kryeshefi i PTK-së, Shyqeri Haxha, pati deklaruar se nga korporata publike e telekomunikimeve paguhet me 4 mijë e 454 euro në muaj.

Hiq më pak nuk paguhet as kreu i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, Fadil Ismajli, i cili ka një pagë prej 3 mijë e 500 euro në muaj. Por, niveli i pagave në KOSTT është shumë më i lartë se mesatarja e pagave në nivel të Kosovës. Paga mesatare në këtë ndërmarrje është rreth 650 euro neto. Mirëpo, në këtë mesatare është marrë parasysh vetëm paga bazë, pra nuk janë përfshirë edhe pagesa për punën shtesë, kompensimi, pagesën e përvojës së punës apo pagesa tjetër për motivimin e punëtorëve.

Por, udhëheqësit e zyrave rregullatore, apo të agjencive të ndryshme paguhen më pak se krerët e ndërmarrjeve publike. Në bazë të formularit që ka plotësuar në AKK, Ekrem Hoxha, kryesues i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, ka një pagë mujore prej 1 mijë e 280 euro, plus 250 euro mëditje. Paga mujore e tij me mëditje shkon në 1 mijë e 530 euro, apo një pagë vjetore prej 18 mijë e 360 euro. Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smaka, paguhet 1 mijë e 270 euro në muaj.

Smaka gjatë vitit 2010 ka arkëtuar 15 mijë e 246 euro në emër të pagave, por pa mëditje. Edhe pse llogaritet se perspektiva e ekonomisë së Kosovës është në pasuritë nëntokësore të saj, udhëheqësit e Komisionit të pavarur për miniera dhe Minerale nuk kanë paga të larta, në krahasim me udhëheqësit e tjerë. Azem Rexhaj, drejtor në KPMM, ka një pagë mujore prej 1 mijë e 130 eurosh.

I krijuar së fundmi, Aviacioni Civil ka një staf të vogël, por që kanë paga të majme. Dritan Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i aviacionit civil, ka një pagë prej 2 mijë e 200 euro, apo 26 mijë e 400 euro në vit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që ka për obligim caktimin e tarifave të energjisë elektrike, caktimin e tarifave për nxehjet qendrore publike dhe lëshimin e licencave për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë nuk qëndron keq në pagesën e udhëheqësve të vet. Ali Hamiti, kryetar i bordit të ZRRE-së, ka një pagë mujore prej 1 mijë e 988 mijë euro, apo vjetore prej 23 mijë e 856 euro. Por, Hamiti merr edhe 1 mijë e 200 euro në vit për angazhimin e universitet.

Kurse, Raif Preteni, drejtor në Zyrën e Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim, ka një pagë prej 1.300 eurosh, apo të ardhura të rregullta vjetore prej 16 mijë e 200 eurosh. Por, Preteni merr edhe 2 mijë e 40 euro si invalid i UÇK-së dhe 2 mijë e 28 euro në emër të pensionit të parakohshëm të TMK-se. Nga mjetet e qytetarëve të Kosovës, Preteni merr 20 mijë e 268 euro në vit.

Kryeministri i Kosovës ka një pagë vjetore prej 17 mijë e 318 euro, apo 1 mijë e 443 euro në muaj. Ndërsa dy zëvendëskryeministrat kanë një pagë prej 1.180 euro, apo 14 mijë e 160 euro në vit. Ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë një pagë prej 1 mijë e 250 euro, duke mos i përfshirë mëditjet dhe beneficionet.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka një pagë mujore prej 2 mijë e 700 euro, apo 32 mijë e 400 euro vjetore. Por, në këtë shumë nuk janë përfshirë edhe paga që merr si ushtrues detyre i presidentit të Kosovës. Para tij, ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka pasur pagën mujore prej 3.400 eurosh. Kurse, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë një pagë mujore prej 1 mijë e 250 euro, duke mos i përfshirë edhe mëditjet dhe honorarët nga angazhimi i tyre në komisionet parlamentare.

Top-dhjetë pagat mujore

1. Adrian Zalli (Trusti) 5.500 euro
2. Shyqeri Haxha (PTK) 4.454 euro
3. Hashim Rexhepi (BQK) 4.300 euro
4. Fadil Ismajli (KOSTT) 3.500 euro
5. Fatmir Sejdiu (Presidenca) 3.400
6. Nexhat Kryeziu (BQK) 3.300 euro
7. Gani Gërguri (BQK) 3.300 euro
8. Agron Krasniqi (Trusti) 3.100 euro
9. Vërshim Hatipi (Trusti) 3.100 euro
10. Agron Mustafa (Aeroport) 3.014 euro
11. Arben Gjuka (KEK) 2.800 euro +/- 25 %
12. Jakup Krasniqi (Kuvend) 2.700 euro.