Ndreca i shkruan Hillari Klintonit: Vetëflijimi s’është akt dëshpërimi, por akt shprese në një vend të korruptuar

0
55

TemA, 19 Tetor 2012

Gjergj Ndreca, ish- i burgosuri politik, emri i të cilit nisi të bëhet i njohur për reagimet e tij të dhunshme kundër politikanëve dhe arriti kulmin me djegien e tij publike në 8 tetor përpara tendave të grevës së urisë, duket optimist se greva do ia arrijë qëllimit edhe pse kanë kaluar 28 ditë nga lëvizja radikale e bashkëvuajtësve të tij dhe askush nuk po ulet të bisedojë me ta.

Me djegie të shumta në fytyrë dhe në trup, Ndreca zbret shkallët e Repartit të Djegieve dhe Plastikës, pas kthimit të tij dy ditë më parë nga Selaniku. I ashpër si gjithnjë dhe euforik ai shpreson tashmë te faktori ndërkombëtar.

“Me këtë mbështetje, me këtë përkrahje që kemi pasur nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të vendit, nga të gjithë faktori ndërkombëtar, unë sot sikur të vdes para jush këtu, unë jam njeriu më i nderuar,” thotë Ndreca.

Grevisti rebel thotë se i ka nisur një letër edhe Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Në letër ai i shkruan asaj se “Qeveria aktuale ka miratuar një ligj në vitin 2007, mbi dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe e ka pasur detyrim që ta zbatojë atë brenda 8 viteve. Në vitin e pestë të zbatimit, qeveria ka kryer një të tetën e detyrimit dhe me këtë ritëm, i bie që ligji të zbatohet pas 40 vitesh, kur askush nga ne nuk do të jetojë më”.

“Thelbi i kërkesave tona, ka të bëjë me një defekt themelor të shoqërisë ku jetojmë, moszbatimin e ligjit. Kërkesat tona u injoruan dhe në vend të dialogut dhe zgjidhjes u përballëm me një fushatë përbaltjeje, si kriminelë ordinerë. Akti im dhe i mikut tim Lirak Bejko, që shkuam me qetësi drejt vetëflijimit, nuk është akt i njerëzve të dëshpëruar, por i qytetarëve të vendosur që duan të ndezin shpresën e një shoqërie, e cila është lodhur nga zhgënjimet, korrupsioni dhe regjimet autoritare,” thuhet më tej në letër.

Duke iu referuar në letërkKryeministrit Berisha, Gjergj Ndreca i shkruan Sekretares Amerikane të Shtetit, se “në vitin 1997, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton, ky politikan dogji Shqipërinë, vetëm pse nuk pranonte të ulej në dialog me kundërshtarët e tij dhe të dëgjonte këshillat e Shteteve të Bashkuara, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

“Një njeri që ka pranuar të djegë Shqipërinë për karrigen e vet, nuk e ka problem të shikojë si digjen qytetarët e vet për të drejtat e tyre,” shkruan Ndreca.

Optimist nga ajo që e quan mbështetje, që po i jep faktori ndërkombëtar, ai shpreh zhgënjimin e tij edhe me Presidentin e Republikës, i cili, siç thotë, dha shkëndijën e parë, por edhe të fundit për një dialog që nuk nisi kurrë.

“Presidenti, siç themi ne mirditorët, është si një grua e divorcuar, që as nuk e le kush të flasë. Ai po të ketë mundësi na jep në nga një miliard euro të gjithëve, por ai kur s’është i zoti për veten e tij dhe nuk e kupton pse është në detyrë…”, thotë Ndreca.

Në fund Ndreca falenderon bashkëvuajtësit e tij dhe është i sigurt në triumfin e grevës që për dy ditë mbush një muaj prej fillimit të saj.

“Unë ju bëj thirrje të gjithë atyre shqiptarëve që sinqerisht të vdesim të gjithë sa jemi gjithë të burgosurit politik është nder për ne për respektin që na kanë bërë shqiptarët vëllazërisht,” thotë Ndreca. /TCH