“Rama alamet çuni – Berisha një gomar”

0
76

Lunch.com
Mira Kazhani, 19 Tetor 2012

Mustafa Nanon e kam takuar për herë të parë para 12 vitesh. E kujtoj si të ishte dje veshjen dhe mënyrën e qëndrimit të tij, i veshur “Vintage”, xhinse bojëqiell dhe një xhaketë po xhins, tymoste shumë dhe fliste me atë zërin karakteristik, gati radiofonik. Isha e emocionuar që po lidhja figurën me njeriun, të cilit i lexoja shkrimet, kur edhe atëherë që s’ia kuptoja mirë, prapë shisja mend me shoqet në fakultet, për të treguar se unë lexoja Mustafa Nanon me një sens mendjemadhësie, gati pordhe, që sot më duket qesharake, por që në atë kohë ishte mjeti për t’u dukur ndryshe nga të tjerët.

Isha në vit të dytë në universitet dhe ndoshta ende si kisha mbushur 20 vite. Muçi nuk më pëlqeu shumë nga afër, sepse sesi fliste, ose ngase më pa vetëm si një vajzë që shkathtësonte në ajër idenë e një gazetareje të re, por që ai, as që donte t’ia dinte. Gjatë bisedës me të, kërkoi të konfirmonte se sa shumë e lexonin të rinjtë, dhe u entuziazmua kur i tregoja fraza shkrimesh të tij. Folëm për ortodoksinë, të rinjtë, gazetarinë dhe psikopatinë (sipas tij) të Berishës, e simpatinë ndaj Edi Ramës (këtu nuk ishte i vetëm).

Gjatë rrugës u miqësuam dhe kam qënë pranë tij kur vendosi të divorcohej, sepse urrente gënjeshtrën. Madje ende kujtoj kur në atë kohë ai bisedonte me mikun e dikurshëm të tij Lubonjën në lidhje me divorcin, ky i fundit edhe pse i martuar për herë të dytë, i thoshte Muçit se ndarja nuk kish kuptim kur në familje je i lumtur dhe nuk ke asnjë konflikt.

I vetmi burrë i lumtur që vendosi të divorcohej ishte Mustafa Nano, i cili thjesht kërkoi që në një moment të jetës së tij të ishte i lirë. Ai urren gënjeshtra të vogla, që të gangrenizojnë jetën, si psh: jam me një mik, kur është në Vlorë; jam duke ardhur, kur në fakt do të ngrihet pas nja dy orësh nga tavolina. Pak njerëz do ta kuptonin, por ai e bëri dhe ja ku është sot. I veshur me një palë atlete dhe një këmishë jeshile ngjyrë bari, xhinse dhe ka ende atë stilin “Vintage”. Nuk tymos më. Nuk është më mik me Lubonjën. Nuk ka më asnjë kompleks ndaj divorcit të tij, pasi prej vitesh ka një shoqe me të cilën (edhe pse nuk flet shumë për të) lë të kuptosh se është gjendur mirë, ndoshta pa nevojën për të gënjyer. Ose sepse me siguri problem i tij nuk janë kapriçot e grave, por “martesa” si konvecion e mërzit mesa duket atë.

Kur i tregoj se do të shkruaja një profil për të, nis të qeshë. Dhe nuk e dini, por Muçi ka një të qeshur që sapo nis ndalon dhe pastaj e shoqëron me disa të tjera. Bëhet vërtetë i këndshëm, sepse e shoqëron me një ndjesi frike.

– “Po ç’kuptim ka të shkruash për mua në lidhje me opinionet e mia. Zakonisht për to paguhem dhe e gjej pak kontradiktore. Çfarë do shkruash Kazhan”, – më drejtohet, duke më kujtuar disa lunch.com, ku sipas tij djalli rrinte në detaje madje nuk kursehet duke më “akuzuar” se ka nga ata që kanë pasur arsye të mërziten.

I them: “Pa merak i dashur Muç, se do të të mërzis edhe ty”, dhe pasi e kupton batutën time, e cila është vetëm në doza humori, bën edhe njëherë atë të qeshurën. Ende nuk jemi ulur askund. Po ecim të dy së bashku, kur papritur i bie telefoni dhe duket se flet me njërin nga djemtë e tij. Biseda është rreth një motori dhe parave për ta blerë atë. Telefonata mbyllet duke thënë se nuk ka aq para dhe se do të mendohet.

Muçi ka dy djem, të cilët janë të rritur tashmë. Njëri prej tyre i është kushtuar Zotit, ndoshta duke e shpëtuar nga frika e një babai për vese të mundshme, sidomos të djemve.

Më kujtohet që para 12 vitesh ai kish frikë se mos do të ishte disi çapkën dhe që do sillte telashe në shtëpi. Është i çuditur nga zgjedhja e të birit. Nuk jam e bindur nëse është dakord apo jo me vullnetin e tij, por një gjë është e sigurt: nuk ka dëshirë të flasë për djemtë dhe familjen. Është diçka që gjithmonë ka dashur ta mbajë larg syve të botës.

– “Mos shkruaj asgjë për djemtë. Nuk dua, sepse e di që edhe ata nuk e dëshirojnë një gjë të tillë”.

Flasim për punën. Pas dy javësh në RTV Ora Neës Muçi do të nisë sërish Dejavy-në, por këtë herë vjen me një emër ndryshe “Jamais vu” dhe në shqip do të thotë “E paparë”.

Ka zgjedhur Adi Krastën si kumbarin e tij.

-“Paske zgjedhur Çelentanon e Shqipërisë, vetëm se ky i joni nuk i bie kitarës”.

Më shikon në sy dhe nuk e mohon, e as nuk e pranon, por më një fjali më ton të ulët më thotë se sigurisht që Krasta është djalë i talentuar dhe se ka frikë se mos një nisje shumë e mirë rrit pritshmërinë duke dashur të më thotë se në Shqipëri nuk ka personazhe sa ka fenomene dhe biseda.

Është i lumtur për studion e re dhe më tregon me ekzaltim investimet e pronarit të Ora News.

“Tek Top Channel”, – tregon ai, – “kisha një beze, ku shfaqeshin fotografitë, ndërsa këtu kam një studio të jashtëzakonshme. Një plazëm gjigande poshtë këmbëve dhe përpara meje gjithashtu. Ke për të parë Kazhani se çfarë është investuar”.

“E sigurt që një vit do të shoh”, – i përgjigjem unë. Ndërsa Muçi më tregon me një sinqeritet mahnitës, duke më sqaruar, se kontratën e ka për 3 vite.

-“Çfarë do të bëni tjetër në Ora news?”

– “Kam një kontratë për të qenë tek Ilva Tare dy herë në muaj, por sigurisht, nëse Ilva do më kërkojë më shpesh, nuk do mungoj, sepse më pëlqen Tonight. Nuk e kisha njohur nga afër Ilvën, por e çmoj për punën dhe karakterin, edhe pse në thelb më duket e brishtë, por me këto femrat e tjera në media nuk krahasohet”, thotë ai, duke e lënë fjalinë në ajër dhe duke e ndërruar sërish temën e bisedës më atë buzëqeshjen e tij me ndalesa të këndshme.

Dikur, i ftuar tek një emision televiziv, më kujtohet se Muçi u shpreh se nga të gjitha emisionet televizive, ai shihte Fevziun, por nuk di ç’ndodhi dhe prej vitesh nuk shkeli më atje. Nuk di pse nuk kam asnjë ngucje për t’ia risjellë në vëmendje, ndoshta sepse më duket se nëse nis të flas për gjëra të cilave u ka dalë tymi tashmë, Muçi do më kritikojë për pyetje boshe.

Muçi ka kohë që televizorin e ka futur në një kuti kartoni.

“Është një tmerr ajo që bëjnë mediat. Si mund të jetë lajm që Jozefina shkoi në Lezhë, apo Ilir Meta shkoi në Skrapar. Nuk shoh më televizor, rrallë e më rrallë e bëj”, – thotë ai me një dorëzim, që i duket që i është ulur mbi thepat e një nervozizmi të brendshëm.

Përfitoj ta pyes për Ramën, për të cilin më përgjigjet i prerë: “Do të flas për të, vetëm pas zgjedhjeve parlamentare. Nëse do të fitojë, do të merrem çdo ditë me çdo akt e lëvizje të tij”.

– “Po nëse humbet?” -“Nëse humbet, nuk besoj se do të merrem me të, sepse Rama është alamet çuni e do dijë të merret me atë ç’ka ka më të fortë në veten e tij, artin dhe publicistikën”.

– “Si e sheh 2013-ën?”

-“Shoh një humor të konsoliduar kundër Sali Berishës. Ai herë më duket një i sëmurë, herë një gomar.”

“Në fakt këto kohë”- e ngacmoj unë, – “flet vetëm me Zotin dhe Oert Bylykbashin. Ka zëra, se nuk thërret në zyrë asnjë nga ministrat e tij. Për momentin i beson vetëm Bylykbashit”.

Muçi më shikon me çudi dhe më thotë: – “Ai nuk ka komunikuar kurrë më ministrat dhe deputetët e tij. Ai ka ditur që në 22 vite të përdorë modelin e frikës dhe të mercenarit. Disa kanë frikë, e të tjerë janë mercenarë. Kazhani po më prish shijen e kësaj kafeje në Tiranë. Mos më pyet për këto gjëra të lutem”.

– “Të të pyes për Tiranën?”

– “Tirana është një qytet i shpifur, i shpifur. Gjithnjë e më shumë mendoj se duhet të shkoj të jetoj më mirë në Çorovodë. Është një katastrofë rrugësh, pallatesh ngjitur. Disa javë nuk kam fjetur gjumë në shtëpi, se na vunë një çerdhe në katin e tretë të pallatit. Tmerr, çerdhe në katin e tretë! Prej dy ditësh nuk është më të paktën. Gjysma e së keqes. Më mungon ajri në këtë qytet nervoz dhe sidomos pallatet, të cilën rrinë ngjitur e dalin ngado papritur”.

– “Në fakt Muçi, pallatet duket sikur puthen ose bëjnë dashuri. Pse nuk e shikon me këtë sy”.

– “Po, mbase, por nuk është një pamje e bukur dhe romantike”. Muç Nano duket i lodhur nga ditë-netët e qytetit, në të cilin ka mundur të jetë dikush. Të futet në jetët e të tjerëve, përmes rreshtave që shkruan dhe debateve e opinioneve televizive. Ai është njëri nga ata që ka respekt për veten e tij. Ndonjëherë më duket se bëhet pak delirant, por në thelb është një burrë i ndershëm. Alamet çuni, e quajti Ramën dhe më vjen për të qeshur që e quajti çun, liderin socialist. Më vjen ama për të qarë, që Tirana i duket e mërzitshme. Apo që televizorin e ka futur në kuti.

Tani nuk flet shumë më si dikur për ortodoksinë dhe ka zbutur tonet me myslimanët, pasi dikur gati ka qenë një ekstrem në çështjet fetare. Duke e parë dhe dëgjuar sesi nuk kish më dëshirë të flitej, nis të mendoj se Shqipëria është pak a shumë si shqetësimi i Muçit për emisionin e tij. Nuk ka shumë personazhe, por ka fenomene, ngjarje të cilat na e bëjnë interesante ose të m ë r z i t s h m e jetën.

Teksa ndahem me të, ai ka ende atë tundimin për të më m b u s h u r mendjen që të mos shkruar asgjë rreth atyre që tha. E shoqëron një vullnet për të heshtur, ndoshta sepse në Tiranë flasin shumë të huajt, flasin politikanët… Dhe ata që i paguajmë për çdo fjalë që nxjerrin nga goja, po i përjashton dalëngadalë qyteti.