“Demonët” e kohës me mandate

0
37

Aleksandër Çipa, 30.12.2010

Ku po e lëmë vitin 2010? Si po e shkelim pragun e kohshëm të Vitit të Ri 2011?
Një përgjigje e parë do të ishte: Pandryshueshmërish 2011-n po e nisim si një zgjatim të vitit politik 2010. Ndërsa në një metaforizim apo rregullim fraze, mund të shtonim, po e lëmë vitin e sapombyllur 2010, “shtatzënë” me krizë.

Është dhurata më e frikshme që politika i bën kohës së ardhme të një shoqërie. Është e frikshme, jo për arsyen e parë të krizës pa fund dhe pa kufizim kohor shtrirjeje, por për faktin se në përvojën e deritanishme të kohës së një mandati politik, edhe pozita, edhe opozita e kanë humbur sensin e përgjegjshmërisë ndaj kohës. Më shkurt e kanë shpërfillur nevojën e pasjes së sensit të masës për kohën. Në këtë shpërfillje po kalojnë pragun e një viti duke hyrë te tjetri, duke mos ndryshuar së pari, formën demoniake të shpërdorimit të kohës së një vendi, të një shoqërie e veçanërisht të individëve të kësaj shoqërie.

Me këtë klasë politike dhe me këta krerë udhëheqësie, po hyjmë në mesin e dytë të moshës së ish-diktaturës komuniste. Në ditë dhe orë të tilla fundviti, biem në prehrin e një refleksioni të natyrshëm vetjak, ku shohim se në sipar të kohës që pruri prijësit e rinj të kohës sonë, ne ishim të rinjtë optimistë e romantikë dhe sot jemi “bijtë e lodhur” jo prej kohës së re që deshëm, por prej prijësve të vjetër të kohës së re. Kjo dialektikë në Shqipëri prizmohet keqas për arsyen e vetme se jemi bërë dëshmitarë të kohës së ndenjur dhe të politikanëve që korrin e korrin në “lëmin e kotësisë” kohën e popullit që i zgjedh, pa i vetëvotuar.

Në këtë mënyrë, koha e mandateve të përcaktuara shndërrohet në një kohë pa krye dhe pa limit. Kjo zhbërje kohore shndërrohet në mentalitet dhe bindje gati demoniake. Vitet e qeverisjes së ardhme nuk konceptohen si kohë fizike, por si besim propagandistik. Kryeministri Berisha po flet për qeverisjen e tij që do të zgjasë edhe diku te 30 vjet të ardhme, sikundër kryetari i opozitës e ka zhytur në harresë të plotë kalendarin e qeverisjes së tij si kryebashkiak i Tiranës. Dy protagonistët antagonistë, po përdorin njëjtësisht logjikën e kohës për mandatet që posedojnë. Kjo është dialektika e stopuar politike e udhëheqësisë politike të këtij vendi.

Në këtë dialektikë të mbetur po mbipeshohet stanjacioni dhe mavijosja e “ngërçit”. Një kohë që mbahet “shtatzënë” me sherr e konflikt, por nuk lind asgjë. Një paradoks apo monstër tipike shqiptare. Një kreaturë e shëmtuar tranzicioni, me përmbajtje demoniake dhe imazh kimerik. Kjo është koha e mandateve pa afate që po konsumojnë udhëheqësit tanë. Në këtë mënyrë, nisin një vit me urimin-mallkim dhe e mbyllin atë me mallkimin-urim. E vetmja dhuratë e mallkuar për shqiptarët e kësaj Shqipërie të lodhur dhe të parë në dy optika, është konflikti dhe mospajtueshmëria e dy korpuseve tona politike.

Kjo “dhuratë” është autoriale. Ajo po parathuhet, si e tillë për vitin 2011, prej vetë autorëve, pra nga dy protagonistët potencialë, përkatësisht Kryeministrit Berisha dhe kryeopozitarit Rama.

Koha e vitit të ri për vendin po shfaqet me një kalendar të paracaktuar, me më shumë dilema se sa shenja horoskopi.

Asnjeri prej dy udhëheqësve nuk u dha qytetarëve idenë për një projekt të afërt dhe real për vendin. Kryeministri, në oratorinë- monolog të 105 minutave para reporterëve, pa të drejtë pyetjeje, foli për pemëtarinë dhe fisnikërinë e ullirit, por më shumë u vetëndie në poltronin e kryeqeverisësit që ka edhe gjithëfuqinë e Kronosit.

Përballë tij, kreu i opozitës, Rama, rikonfirmoi vendosmërinë për beteja pa rezultat, të cilat janë i vetmi kalendar aksionesh për opozitën. Në këtë mënyrë, viti i ri po hyn duke qenë i eklipsuar prej imazhit të ndenjur të politikës përplasëse. Përbaltja dhe akuzat janë arma e vjetër që po shiten si dhuratë e vetme e këtij cikli të ri ditë-netësh të ardhme shqiptare. Një betejë për të mbetur në peizazhin e vjetër të politikës së tranzicionit. Askush nuk merr përsipër të ripërmendë faktin se kemi mbërritur në epilog të tranzicionit, pasi shumëkush e ndien se ky kapitull, i shpresuar si i fundit, paska edhe shumë e shumë kohë për t’u mbyllur. Projektet e përdorura si maska elektorale apo qoftë edhe si fasada elektorale, janë i vetmi mjet për të maskuar përgjegjësinë e “demonëve” tanë politikë. Janë fatkeqësisht “demonë” me mandate që po e mbajnë në këtë gjendje stanjacioni, kohën dhe skepticizmin e shqiptarëve.

Mes kohës së tyre dhe kohës së dëshirueshme europiane të shumicës së qytetarëve të vendit, ekziston diferencë dhe ndryshim i madh. Matanë demagogjisë së saj është koha reale që konsumon njerëzimin, por është edhe mosha që shënjohet në mënyrë të pazhbëshme te vetë politikanët që sensin e kohës e fitojnë vetëm në raportin shtëpiak dhe e humbasin rishtazi në pragdaljen e përditshme nga shtëpia.