Një zinxhir floriri për medien shqiptare

0
44


Mero Baze, 29 dhjetor 2010

Në dy gazeta të përditshme shqiptare, biles në dy gazetat me tirazh më të madh në vend, është shfaqur dje si gazetar, një përfaqësues i botës së nëntokës së biznesit shqiptar i lakuar nga kryeministri shqiptar Sali Berisha, disa vite më parë “si trafikanti më i madh i naftës në Ballkan” dhe i pastruar më pas nga gruaja e tij si bamirës. Nuk dua të personalizoj historinë e shëmtuar të tij ndaj meje dhe dy kolegëve të mi gazetarë, por dua të tërheq vëmendjen për ritmin me të cilin media shqiptare po dorëzohet tërësisht si një ”kone” e vogël nën zinxhirët e florinjtë të mafies shqiptare.

Në verën e këtij viti gruaja e ish kryeministrit britanik Chery Blair, u kryqëzua nga media angleze, si një grua që e kishte “turpëruar Britaninë” vetëm pse ajo kishte pranuar një udhëtim me çarter në Tiranë paguar nga ky biznesmen. Editorialet dhe titujt e rënd të gazetave britanike, e detyruan Chery Blarin të deklaronte se nuk ja njihte të kaluarën e këtij njeriu dhe se ishte përfshirë në këtë udhëtim nga kërkesa e zonjës Liri Berisha, gruaja e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha. Skandali vazhdon ti përmendet sa herë që zonja Blair, bëhet objekt i medies kritike, dhe për fatin e saj të keq, bëhet shumë shpesh.

Por në Shqipëri ku ky spekulant vazhdon të jetë i lirë, media dhe politika pak nga pa u bën partnerë me të. Gruaja e kryeministrit u angazhua në një fushatë të paprecedent publike pro tij, duke pranuar për fondacionin e saj dhurata dhe nga persona që janë të dënuar për vepra penale. Gati një vit më parë ky person ishte armiku më i madh i medies shqiptare, pasi kundër tij pa asnjë komandë u tubuan mbi 400 gazetarë dhe qëlluan me këpucë mbi godinën e kryeministrit, në shenjë mospajtimi me mbrojtjen që policia e komanduar nga kryeministri dhe familja e tij i bën këtij agresori për tri ditë resht duke mos e ndaluar.

Gjykata e Shkallës së parë u desh të merrte në bazë të provave të mbledhura në vendngjarje masën e arrestit me burg, dhe ky agresor të arrestohej. Por më pas pushteti hyri në lojë, duke marr anën e njeriut që kishte bërë gjënë e duhur kundër medies kritike. Gjithçka u përmbys dhe një vit më vonë, një gjykatës batakçi më kapi një ditë mua dhe dy kolegët e mi të agresuar dhe na u lut të mos ja merrnim për ters nese i jepte pafajësinë agresorit tonë se ashtu kishte një hall. Dhe duket se tani e ka zgjidhur hallin. E njëjta gjykatë që kërkoi arrestimin e tij dhe e burgosi, e shpalli të pafajshëm. Ne viktimat tani duhet të pranojmë që nuk na ka rrahur njeri, por kemi parë një ëndërr të keqe dhe për këtë duhet ti kërkojmë ndjesë publikut.

Agresori ynë u bë idhulli i partisë në pushtet. Në gazetat e pushtetit dhe sidomos në gazetën kryesore simbol të Sali Berishës,qe boton grupi Klan, u botuan shkrime ku kërkohej eliminimi im fizik, ndërsa reklamat e Taçi Oil-it, u shfaqën në kokën e gazetës RD dhe çdo aktiviteti zyrtar të PD-së ose gruas së kryeministrit. Pushteti kishte gjetur agresorin e duhur kundër kritikëve të vet. Turpi vazhdoi dhe më tej. Pas një beteje të gjatë ligjore dhe të lodhshme për një nga ish aksionerët e RTV ALSAT, më në fund u arrit që atij ti njihej pjesa prej 70 për qind të aksioneve, por dhe kjo pati nje cmim. Televizioniju dha për një vit këtij biznesmeni pa paguar asnjë lek, me qëllim që të konsiderohej vit prove për të.

Televizioni u riformatua dhe u bë diçka më e rëndësishme se nje televizion. U bë burg për zërat kritik të pushtetit. Për herë të parë në historinë e medies shqiptare, qeveria arriti të përdor si vlerë faktin që një TV nuk e shikon askush, dhe nxiti lidhje të kontratave me këtë RTV të shumicës së gazetare kritik me qeverinë me rroga të majme me kusht që ata të mos shfaqeshin diku tjetër. Në një farë mënyre tani ata dhe falsin aty të shpëtojnë shpirtin dhe askush nuk i dëgjon, pra nuk bëjnë dëm. Në një farë mënyre i lidhi dhe ata me zinxhirë të florijtë në qafë, natyrisht duke paguar shtrenjtë sfumimin e zërit të tyre.

I njëjti model u ndoq për gati çdo gazetar jo konformist në Shqipëri. Kolegu Im Andi Bushati , Arjan Çani dhe Artur Zheji shfaqe tani në një betejë rraskapitëse gazetareske çdo natë në një TV që e shikon po ashtu vetëm pronari i TV ose ndonjë student që mendon se akoma në atë ekran jepen leksione falas apo ushtrime të zgjidhura. Edhe një TV që kish tentuar të ishte i hapur dhe i balancuar si Ora Neës, pa guxuar të prek gjëra shumë të rrezikshme, duket se shqetësoi regjimin mediatik, siç e quan Fatos Lubonja dhe Alfred Peza themeluesi dhe drejtuesi i Ora Neës, sot është një i papunë.

Rraskapitja e kolegëve të mi të talentuar në ekrane që nuk i shikon njeri dhe “newsletter”-ra që nuk i konsideron njeri, është kthyer në një profesion të paguar këto kohë. Në ekranet e shikuara vazhdojnë të shfaqen njerëz sterilë, nga ata që janë betuar të mos thonë e të mos bëjnë asgjë në jetën e tyre si gazetar, as ndonjë gabim dhe as ndonjë lajm. Janë thjeshtë punëtorë të medies. Në shtypin e shkruar komentatorët janë zëvendësuar me opinionist partish mediokër reporterët me zbardhës lajmesh dhe është zhdukur thuajse fare raca e “kolumnistëve”me autoritet ët cilët qyteti i pret të thonë fjalën e tyre. Tashmë ata që flasin dhe thonë gjëra të rëndësishme dhe me vlerë punojnë sa për të qetësuar shpirtin dhe paguhen shtrenjtë në ekrane që nuk shikohen, dhe ata që s’thonë asgjë i ke në gjithë ekranet e mëdha të vendit.

Kemi mbritur në ditën që Tv shërbejnë për të fshirë të shkuarën kriminale të pronarëve të tyre, ose ndonjë herë vulgaritetin e intelektit të tyre. Ndjej dhimbje për kolegët e mij, që nga shkrues fjalimesh për kryetarët e partive apo deputetë, tani janë kthyer në shkrues fjalimesh për pronarët e tyre të rëndomt që mendojnë se po u shfaqën në ekran, apo po dolën si koluminst në gazeta, do harrohet e shkuara e tyre herë si trafikant nafte, herë si trafikant droge, herë si trafikant hekuri apo trojesh publike për ndërtime. Kemi mbritur në ditën… që dy gazetat më të mëdha në vend kanë komentator Rezart Taçin…