Qeveritarë shqiptarë blejnë vila në Greqi

0
71

Greqia është kthyer tashmë në një panair “second hand”, ku mallrat e përdorur shiten nga e keqja me çmime nën vlerën reale. Dera është e hapur për këdo që është gati të paguajë “cash”. Hektarë të tërë të Greqisë së Veriut po përpihen nga një pirateri e paqtë e rusëve dhe jo vetëm. Vila luksoze dhe resorte pushimi. Pas miliarderëve rus në listën vijnë emrat e qeveritarëve të lartë të Bullgarisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë

Nga Stavros Tzimas*, 17 Tetor 2012

Sikur të mos ishte për krizën, natyrisht asnjë grek, sado i çmendur, nuk do të shiste kurrë asnjë pëllëmbë tokë e pasuri të paluajtshme. Aq më pak me çmime qesharake, që nuk i afrohen kurrkund vlerës reale që kanë hapësirat turistike të gadishullit helen. E megjithatë, halli i mësoi që jo vetëm ta bëjnë një gjë të tillë, por edhe ta përtypin butë e t’i shohin anët pozitive. Të paktën sa kohë investojnë rusët, me të cilët i bashkon dashuria e madhe shekullore prej ortodoksësh fanatikë.

Por ama, pazaret e krizës nuk dinë të bëjnë kompromise. Dashur pa dashur idealet e grekëve, Greqia është kthyer tashmë në një panair “second hand”, ku mallrat e përdorur shiten nga e keqja me çmime nën vlerën reale. Dera është e hapur për këdo që është gati të paguajë “cash”. Dhe të tillë, nuk janë vetëm rusët. Ballkani është plot me zengjinë, të rinj e të vjetër.

Pas ishujve të vegjël, që kanë kohë që kanë dalë nëpër ankandet e botës, ishte radha e tokave dhe komplekseve turistikë buzë detit. Hektarë të tërë të Greqisë së Veriut po përpihen nga një pirateri e paqtë e rusëve dhe jo vetëm. Pas grosistëve të naftës dhe miliarderëve të Rusisë bikontinentale, në listën e blerësve luksozë të Greqisë, nuk mungojnë edhe emrat e qeveritarëve të lartë të Bullgarisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë.

Por, ndërsa të parët kanë nxituar ta shohin këtë punë si një investim në kohë, duke u bërë palë në zhvillimin e industrisë së turizmit, me blerjen e tokave buzë detit për ndërtime të komplekseve turistikë dhe përfshirjen në tendera të shitjes së hoteleve të mëdha ekzistuese, të dytët, më tepër sesa investimin, janë joshur nga ideja e luksit të të pasurit një shtëpi të dytë apo një vilë në kodrat e bleruara të bregdetit grek. Por ka kohë për çdo gjë…fundja, panairi është i hapur deri në një kohë të papërcaktuar….

Për këtë, grekët vetë duhet të psherëtijnë përpara se të flasin më tej. E megjithatë flasin. Fundja, dielli me shoshë nuk mbulohet dhe…pavarësisht se i lirë deri në dhimbje, ky nuk është dhe aq Panairi i Kotësive.

“Rusët po blejnë detin”, shkruante Stavros Tzimas, korrespondenti i veriut të Greqisë për të përditshmen “I Kathimerini”, një prej gazetave më të mëdha në vend (themeluar që prej vitit 1919).

Një artikull i shkurtër, që hedh dritë mbi atë se çfarë po ndodh në Greqinë veriore pas thellimit të krizës dhe valës së privatizimeve që kanë përfshirë vendin. Emra të hierarkisë së lartë ruse dhe përfaqësues të lartë të qeverive maqedonase, serbe, bullgare dhe asaj shqiptare. Gazetari i vjetër Stavros Tzimas është i drejtpërdrejtë dhe analitik, kur shkruan se “Duke përfituar nga kriza dhe privatizimet, kapitalistët rus, dhe jo vetëm, i kanë zgjatur kthetrat drejt sektorit turistik grek”. Pë ata vetë, ky është një investim i pastër në kohën e duhur. Pak a shumë një “carpe diem”. Për grekët, që i përgjigjen këtij kompromisi të detyruar nga kriza, në një farë mënyre kjo konsiderohet një “plaçkitje”. “Sipas të gjitha gjasave, shumë shpejt, vëmendja e ‘piratëve’ të krizës, mund të drejtohet për nga objektiva edhe më të mëdha…”, shkruan Tzimas.

* * *

Një ultranacionalist i bindur si Vladimir Zhirinovskij mund të ndihet më në fund i kënaqur. Profecia e shprehur nga vetë ai vetëm pak përpara kolapsit të Bashkimit sovjetik, sipas së cilës “dita në të cilën rusët do të lajnë çizmet e tyre në detet e ngrohta” ishte shumë e afërt, duket se po përmbushet. Dhe jo përmes armëve të perandorisë – që në ëndrrat e Carit shkonte nga Mesdheu në Oqeanin Indian – por përmes flukseve turistike.

Sipërmarrësi Sergej Fentorov, anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Moskës dhe ish-oficer i marinës, është tashmë pjesë e kësaj elite të privilegjuar dhe ofron shtëpi për pushime luksoze në gadishullin e Kasandrës (në juglindje të Selanikut). Përballë, gadishulli i Sithonias, me pamjen e tij të mrekullueshme mbi malin Athos, fsheh mes bukurive të tij edhe një vilë përrallore në mes të katër hektarëve kodra të mbuluara nga pishat, që i përket njeriut më të fuqishëm të Rusisë, pas Putin-it, Prokurorit të Përgjithshëm Juri Çajka.

Një numër gjithmonë e më i madh rusësh kanë nisur të blejnë një shtëpi të dytë në Halkidiki, në veri të Greqisë, ndërkohë që biznese të ndryshme ruse investojnë në tregun hotelerisë, turizmit dhe pronave të paluajtshme. Askush nuk di të thotë me saktësi se çfarë dhe sa kanë blerë deri më tani, por me sa duket, rusët kanë përvetësuar komplekse të mëdha hotelesh në Potidea dhe Psakoudia. Sakaq, rusët duken të gatshëm të marrin pjesë në një garën e fortë të një tenderi për një hotel shumë të madh në Gerakini. Po në të njëjtën zonë, kanë nisur prej kohësh punimet për ndërtimin e një hoteli gjigand me kapacitet 600 dhoma, në bashkëpunim me një shoqëri greke.

Përveç këtyre, një tjetër kompani ruse është e përfshirë në shitblerjen e një terreni prej 4200 hektarësh në Sithonia, ku pritet të ndërtohet një hotel me pesë yje. Në këtë mënyrë, kompanitë ruse që kanë nisur prej kohësh të investojnë në turizëm, pritet të kontrollojnë pothuajse të gjithë fluksin në rritje të turistëve që vijnë nga vendet e ish-bllokut sovjetik.

“Zakonisht ata ndjekin me shumë vëmendje marrëveshjet e mira për të blerë më pas me çmime më të ulëta se 30 për qind e vlerës reale”, shpjegon Gregori Tasios, president i sindikatës hoteliere të Halkidikisë. “Investojnë më së shumti në toka, në vilat e luksit dhe në hotele. Dhe kanë blerë deri më tani disa dhjetëra hotele e komplekse turistikë”.

“Nuk mendoj se ekziston ndonjë vend tjetër me të cilin Rusia të mund të ketë një raport tregtar më të mirë se kaq”, shpjegon Terentij Mecheryakov, anëtar i qeverisë lokale të Shën Petersburgut. Pikërisht për këtë rusët investojnë në sektorin imobiliar grek, dhe jo vetëm në Halkidiki.

Investitorët rusë interesohen edhe për ishujt, si Kreta, Korfuzi dhe Patmosi. Fondet e investimit ruse kanë blerë tashmë skuadrën e futbollit të Paok Salonicco, janë të interesuar për OSE, kompaninë kombëtare të hekurudhave, si dhe për blerjen – në kuadrin e procesit të privatizimit grek – e një porti në veri të Greqisë, në veçanti atë të Selanikut. Kjo lëvizje do t’iu kursente rusëve kalimin përmes ngushticës së Dardaneleve, që kontrollohet nga Turqia (edhe pse është në statusin e ujërave ndërkombëtare).

Sidoqoftë, “Perla e Egjeut verior” nuk tërheq pranë vetes vetëm rusët, të cilët, duhet thënë se kanë bërë investime të rëndësishme dhe janë gjithmonë e më prezentë në sektorin e turizmit. Edhe vende të tjera të Ballkanit janë të interesuara për blerjen e vilave dhe hoteleve të vegjël, si edhe për turistët që vazhdojnë ta vizitojnë Greqinë turistike, pavarësisht krizës.

Presidenti aktual bullgar, Rosen Plevneliev, për shembull, ka një vilë në Ouranopoli, ish-kryeministri maqedonas, Vlado Buçkovski, ka një në Neos Marmaras. Dhe jo vetëm kaq. Në zonat përreth nuk mungojnë as vilat e qeveritarëve të lartë shqiptarë që pasojnë më tej nga ato të përfaqësuesve të qeverisë serbe.

“Duhet të ndërgjegjësohemi, që këtu, në veri të Greqisë, turizmi dhe ekonomia, në përgjithësi mbijetojnë falë Ballkanit”, – përfundon një specialist i hotelerisë vendase./JAVA

Stavros Tzimas – “I Kathimerini”, Athinë – 22 shtator 2012