Nga: REXHEP QOSJA
Rexhep Qosja: Solidarizohem me grevistët, faji i BerishësShkrimtari i njohur nga Kosova, Rexhep Qosja bën qeverinë dhe kryeministrin Berisha përgjegjës për grevën e ish-të përndjekurve. Fatmira Nikolli e “Gazetës Shqiptare” i kërkoi zotit Qosja një intervistë dhe njeriu i letrave pranoi të thotë mendimin e tij për grevën nëpërmjet një opinioni.
Me shqetësim e shikoj grevën e ish-të burgosurve politikë në Tiranë dhe me shqetësim i dëgjoj lajmet për çka po ndodh në të dhe çka po ndodh rreth saj.
Duhet të jesh ndjenjërisht i topitur, shpirtërisht i shkretëruar dhe politikisht i verbër ta shikosh vetëdjegien e njerëzve me mënjanërinë provokuese me të cilën po e shikon qeveria shqiptare me Kryeministrin Sali Berisha në krye. Siç është fajtori kryesor për shumë vdekje e vrasje në vitin 1997; siç është fajtori kryesor për tragjedinë e Gërdecit; siç është fajtori kryesor për vrasjen e katër protestuesve në protestën e 21 janarit 2011, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka vendosur, duket, të jetë fajtori kryesor, në të vërtetë shkaktari kryesor, i tragjedisë shqiptare që po ndodh në grevën e ish-të burgosurve politikë që 24 ditë.
Ky njeri, që e qeveris Shqipërinë, në të vërtetë, që e sundon Shqipërinë, kur e kur, si e thotë vetë, me forcën e hekurt të ligjit, e shumë më shpesh me forcën e hekurt të Kanunit, me genjeshtra, me shantazhe, me kërcënime, me mashtrime, e me mjete të tjera parapolitike, tiranike e despotike, po i hedh sa po mundet benzinë grevës së ish-të burgosurve politikë.
E pamë në televizionet shqiptare se si para pak ditësh Kryesuesi i një mbledhjeje në Këshillin e Evropës ia ndërpreu fjalën këtij kryeministri të Shqipërisë. Dhe, ia ndërpreu sepse nuk donte që në atë institucion të Evropës të dëgjoheshin në heshtje gënjeshtrat e tij siç po dëgjohen në Tiranë. Në të vërtetë ishte kjo një fyerje që prej kryeministrit iu bë shtetit shqiptar e ngjashme me fyerjen që iu bë po prej tij në mbledhjen e NATO-s në Bukuresht para disa vitesh, kur i njëjti kryeministër i Shqipërisë u turr bajraktarçe të dilte në rreshtin e parë të shtetarëve të mbledhur në mbledhjen e NATO-s prej të cilit rresht e nxori një sigurues i mbledhjes edhe pse në atë rresht tashmë po qëndronte me të drejtë kryetari i atëhershëm i Shqipërisë, Bamir Topi.
Solidarizohem me ish-të burgosurit politikë që po bëjnë grevë në Tiranë. Por, megjithatë, do të doja t’u them atyre se me grevën dhe me vetëdjegiet nuk do ta zgjidhin çështjen më të madhe të Shqipërisë sot: çështjen 22-vjeçare të quajtur Sali Berisha. Mësuesja e madhe e jetës – historia, na mëson se popujt prej dhunëtarëve të tyre politikë e shtetërorë kurrë nuk janë çliruar duke u vetëdjegur, duke u vetëflijuar.
Jo. Populli shqiptar, sovrani i Shqipërisë, do të çlirohet prej dhunës së Sali Berishës jo me mjetet e tij të privuara prej çdo morali politik, social dhe kulturor, jo me dhunë, jo me vetëdjegie të qytetarëve si këto të ish – të burgosurve politikë, po me mjete të tjera të ligjshme demokratike: me demonstrata, që nuk do të ndalen pavarësisht prej plumbave me të cilët mund t’i presë ai, që nuk do të ndalen derisa të mos shkojë ai në vendin që edhe e pret: në harresën politike dhe historike.
Derisa numër gjithnjë e më i madh i shqiptarëve kudoqofshin ata dhe numër gjithnjë e më i madh i mediave në Evropë e dënojnë sjelljen politike dhe çnjerëzore të kryeministrit të Shqipërisë ndaj ish të burgosurve politikë dhe vetëdjegies së disave prej tyre, në Gjakovë dhe në Deçan, para katër ditësh, ai u prit siç nuk pritën më, vrasësit politikë në botë. Po, nuk ishte kjo hera e parë që një pjesë e klasës politike të Kosovës nuk kupton politikisht si duhet dhe nuk vlerëson historikisht si duhet se ç’po ndodh në Shqipëri.
Sikur të kuptonin politikisht si duhet dhe sikur të vlerësonin historikisht si duhet ç’po ndodh në Shqipëri, këta pjesëtarë të klasës politikekosovare nuk do ta nderonin me çmimin “Qytetar Nderi” i Deçanit një kryeministër politikën e të cilit do ta shënojnë jo vetëm sjelljet kundërkombëtare ndaj fatit të Kosovës deri në çlirimin e saj prej Serbisë, në qershor të vitit 1999, por edhe vetëdjegiet e qytetarëve të saj për shkak të politikës së tij dhunëtare dhe vrasjet e qytetarëve të saj prej politikës së saj vrastare.
* Titujt janë të redaksisë. Titulli i origjinalit: Vetëflijimi juaj s’e bën dhunëtarin që të ndërrojë politikën.
(EKSKLUZIVE GAZETA SHQIPTARE)