DINJITETI I HUMBUR I QYTETARIT VOTUES

0
40

Ne kohën e pluralizmit, ku është mundësuar deklarimi dhe votimi i lirë qytetari votues është para dilemave qe të votojë në mënyrë dinjitoze, duke mbrojtur dinjitetin e tij personal sipas parimeve njerëzore duke vlerësuar vlerat, apo të mbeshtesë interesat individuale dhe klaneve të ndryshme ku parim janë antivlerat

Dr. Nail Draga

Lajmi i publikuar ditë më parë në mediat kosovare së një qytetar kishte kërkuar të bëjë tregti me disa vota duke përcaktuar edhe çmimin ku një votë vlerësohej me 50 euro, ishte lajmi i ditës por jo befasi. Një dukuri e tillë nuk është e panjohur, por befasi ishte pikërisht qytetari i cili pati guxim që një ofertë të tillë ta bëj publike në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë të cilat janë caktuar të mbahen më 12 dhjetor të këtij viti. Andaj duhet falenderuar gjestin e qytetarit në fjalë i cili nuk ka qendruar i maskuar pas një dukurie e cila fatkeqësisht është bërë e zakonshme jo vetëm në Kosovë por kudo në vendet e dalura nga ish kampi socialist.

Nëse më parë për dukuri të tilla heshtej në periudhën e pluralizmit (nga viti 1990 e më pas) dukuria e korrupcionit politik është bërë çështje mode, sidomos për ata individ dhe subjekte politike që duan të jenë pjesë e pushtetit qoftë në nivelin lokal apo ate shtetëror. Dhe në ketë aspekt edhe ne shqiptarët nuk jemi përjashtim i kësaj dukurie të deformuar si të gjithë qytetarët e tjerë në Evropën Juglindore. Një dukuri e tillë mund të analizohet në shumë aspekte por përfundimi është së më humbjen e dinjitetit qytetari ka humbur pasurinë e tij elementare personale, e cila është vlerësuar në traditën tonë shekuj më radhë.

Nderimi i vlerave morale
Për të pasur të qartë kuptimin e fjalës “ dinjitet” kemi konsultuar Fjalorin e Gjuhës Shqipe, ku jepen dy shpjegime:

1. Tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi. Dinjiteti kombëtar. Dinjiteti i njeriut (i familjes, i ndërmarrjes, i institutit). Me (pa, plot) dinjitet. Ngre (ul, fyen, merr nëpër këmbë) dinjitetin. S’ka pikë dinjiteti. Flet (sillet) me dinjitet.

2. Cilësia e mirë a vlera e lartë e diçkaje që e bën atë të çmohet. Me dinjitet artistik. Vepër plot dinjitet.

Dhe janë pikërisht këto vlera të cilat qytetarin apo qytetaret e një vendi apo mjedisi i ka veçuar në të kaluarën dhe të tashmën për sjelljet dhe veprimet e ndryshme personale apo familjare. Andaj, nuk duhet të befasohemi kur degjojmë së për qytetarët, apo banorët e një vendi thuhet së janë dinjitoz, sepse me sjelljet dhe veprimet e tyre në situata të ndryshme kanë treguar vlera të larta morale.

Dhe një vetëdije e tillë është trasheguar brez pas brezi duke pasur ketë epitet dhe vlerësuar kudo në rrethet shoqërore. Por, një epitet i tillë nuk do të thot së është I përhershëm, sepse ai ndryshon, në sajë të rrethanave dhe situatave të ndryshme shoqërore. Pikërisht, këto dukuri kanë evoluar dhe janë manifestuar në mënyrë transparente në pluralizëm, sidomos kur kemi të bëjmë me zgjedhjet politike qofshin ata në nivelin lokal apo ate shtetëror.

Pluralizmi dhe dinjiteti i humbur

Me të drejtë bëhet pyetja, pse në rrethana të reja shoqërore, është zbehur, apo thënë drejtpërdrejt është humbur dinjiteti i qytetarit votues. Sepse është pikërisht qytetari votues ai i cili i ka kontribuar deformimit dhe manipulimit të votës së tij, e cila më fjalorin bashkëkohor quhet korrupcion politik. Është çështje tjetër së sa është numri i kësaj kategorie të qytetarëve, por është e padiskutueshme së pikërisht këto votues në shumë raste kanë vendosur për mandatet e fituara, e më të edhe të shumicës e cila do të qeverisë në pushtet.

Nuk ka dilemë së disa çështje kanë pasur evulimin e tyre spontan, sepse disa subjekte apo udhëheqës të tyre janë konsumuar e madje edhe komprimituar që dëshmohet më rënien e vazhdueshme të rejtingut të tyre personal por edhe subjekteve që përfaqësojnë, që dëshmohet me rezultatet e zgjedhjeve. Si shembull tipik i kësaj çështjeje mund të shërbejnë zgjedhjet lokale në komunën e Ulqinit(maj, tetor 2010).

Dhe në raste të tilla qytetari votues nuk mund të akuzohet nëse ai ka ndryshuar opcionin e tij politik, sepse është e drejt e tij personale dhe qytetare që të votojë ate që dëshiron, por çështja ka të bejë më ata që bëjnë tregti më vota, duke e shitur ate në forma të ndryshme. Andaj humbja e dinjitetit ka të bëj pikërisht më ketë kategori të qytetarëve e cila në shumë mjedise ka filluar të marrë përmasa shqetësuese.

Ne kohën e pluralizmit, ku është mundësuar deklarimi dhe votimi i lirë qytetari votues është para dilemave qe të votojë në mënyrë dinjitoze, duke mbrojtur dinjitetin e tij personal sipas parimeve njerëzore duke vlerësuar vlerat, apo të mbeshtesë interesat e ndryshme individuale dhe klaneve të ndryshme ku parim janë antivlerat.

Një konstatim i tillë nuk ka dilemë së meriton një analizë të veçantë sociologjike dhe psikologjike, sepse më ndryshimin e sistemeve shoqërore ka ndryshuar mentaliteti dhe qasja ndaj çështjeve të cilat janë preokupuese për qytetarët.

Sfidat e qytetarit

Në ato mjedise ku funksionon demokracia e vërtetë parlamentare, në spektrin politik vend parësor zëjnë vlerat që do të thot ata subjekte politike që kanë programe, kuadra, vizion të zhvillimit për të ardhmën. E kundërta ndodh më mjediset ku nuk funksionon demokracia praktike e aq më pak ajo në kuadër të subjekteve politike pjesëmarrëse në qeverisje. Sepse, këta vëçohen më interesa personale apo të klaneve të ndryshme, që është edhe qellimi kryesor i pjesëmarrjes në pushtet. Individet dhe subjektet e tilla nuk ka dilemë së janë pengesë e zhvillimeve në të tashmën dhe në të ardhmën.

Varësisht prej vendit është dëshmuar së sa më shumë të zgjasë periudha e tranzicionit pasojat për qytetarët do të jenë më të mëdha. Sepse depertimi i antivlerave në qeverisje paraqet virusin e pushtetit ku mediokrit dhe kuadrat e konsumuara bëjnë çmos për të ruajtur privilegjet e fituara si rezultat i manipulimit më elektoratin votues. Veprimet e tilla destruktive mund të kenë sukses të mashtrojnë qytetarët në një moment të caktuar, por jo edhe të ardhme sepse do të jenë pikërisht qytetarët me dinjitet që do të sfidojnë antivlerat.
Nëntor, 2010