…po bllokqentë a kanë ndonjë faj

0
53


Nga Kiço Blushi

Në këto 20 vjet në demokraci nuk kanë lënë kusur pa bërë kundër funksionimit normal të demokracisë ish bllokqentë, këta dumbabistë profesionistë të Bllokut që dijnë të mëkojnë me lavdi të paqënë dhe urrejtje të ndërsjllë jo vetëm diktatorët, po edhe pasuesit autokratë të tranzicionit. Sistemet kanë ndërruar, ndërsa ndikimi i zyrtarëve bllokqenë është forcuar. Zor se ka mbetur ndonjë ish komunist fanatik, i tjetërsuar në demokrat pa bërë karrierë në nivelet më të larta…Sot bllokqentë quhen këshilltarë, militanë, qëndrestarë, analistë, etj, por funksioni i tyre ka mbetur po ai: të mbjellin urrejtje, përçarje, grindje, rrënim, përmbytje, vjedhje, sherre…”Rroftë mbreti, poshtë mbreti!”

Kjo formulë e lashtë e kameleonëve, përndryshe e bllokqenëve, u ka dhënë atyre kulmin e fuqisë, suksesit, pasurisë, yrryshit e tahmasë mediatike. Ashtu si osmanët shpërblyen me prona e tituj të konvertuarit dhe mercenarët, ashtu vlerësohen edhe sot ata zyrtarë që gjynahet e vjetra i lanë në sahanë të rinj për të kryer konvertim-pagëzimin “në emër të liri-demokracisë”, ashtu si dje “në emër të diktaturës së proletarjatit”. Një bllokqen i rinovuar është më i rreziksjellës e më i papërballueshëm se një skllav i çliruar, pasi një ish i burgosur i gëzohet lirisë, shikon përpara, ndërsa një ish bllokqen kërkon të japë prova, nëpërmjet baltës, pse jo edhe krimeve, se do të jetë akoma më besnik e më fanatik ndaj padronit të ri. Bllokqentë e konvertuar nuk shkaktojnë vetëm ndotje verbale, por morale. Janë këta që e bëjnë perspektivën të errët, pasi vetëm kështu mund të mbijetojnë gjatë.

Duket sikur koha e bllokmenëve ka vdekur. Por jo, ajo është tjetërsuar. Blloku ka ndërruar formë, ka ndërruar vend, ka ndërruar emrat dhe sjelljen; ka ndërruar ngjyrë dhe formë, por jo përmbajtjen. Karroca është po ajo, përsëri ecën nëpër gropa, buzë greminës, pavarësisht nga ndërrimi i kuajve.Tash bllokqenëria është pluraliste, “demokratike”, veprimtari e lirë në një treg të lirë ku qentë që lehin e kafshojnë më shumë shpërblehen me prona, poste e pasuri. Në çdo parti ata që i lëpihen kryetarit e bëhen kamikazë janë më të preferuarit. Gjuha e bllokqenëve është gjuhë zyrtare, gjuhë standarte: lehje, sharrje, shpifje, urrejtje, mosmarrëveshje. Ndërsa Blloku bënte zap partinë dhe popullin nëpërmjet bllokqenve, sot kryetarët e partisë-shtet të njëjtën gjë e realizojnë lehtësisht me ndihmën e partiqenve të kudondodhur. Këta na mbajnë peng, këta na lenë në ngërç, këta e vdjerin shpresën dhe besimin, pavarësisht nga sistemet dhe emrat e kryetarëve. Korrupsionin e mbjellin dhe e firmosin ata që vjeljet t’i bëjë Familja pa vënë kurrkund “firmë”…

Në se do të bësh prokopi sot duhet të zëvendësosh fjalën pragmatizëm me: bllokqenëri, marrëveshje me mosmarrëveshje, mirëkuptim me sherr dhe grindje…Kjo mendësi që është bërë sunduese e drejtuese ka rrënuar shoqërinë shqiptare, më keq se përmbytjet e Shkodrës, pasi mënyra e vetme qeverisëse është: si e si të drejtosh bllokqenërisht. “Ky popull kështu e do, t’i bësh…që të të thotë babë!”….Pushtetin sot e kanë në duar administratorët pa din e pa iman, pa turp, pa frikë nga Fjala, nga ndëshkimi, ca më pak përgjegjësia. Të sillesh bllokqenërisht do të thotë të bësh politikë, je burrë i zoti kur i shtyp kokën të dobëtit, kur poshtëron kundërshtarin, kur rrëmben atë që nuk të takon, kur nuk veshë, sy, tru e moral, sepse të gjitha këto shqisa dhe të drejta i ka vetëm Ai, shefi i madh. Ky është modeli që ka krijuar Berisha dhe jo vetëm.

Mjaftojnë diskutimet në Kuvend, mbledhjet e qeverisë, sherret nëpër këshillat bashkiake, reagimet e pista të anonimëve në internet, debatet televizive, fjalërimet e zëdhënësve, etj, për të kuptuar se sa shumë është përhapur kjo epidemi bllokqenërore ndër ne…Adhurimi i një bllokqeni të djeshëm për Enverin është i njëjtë me adhurimin e sotëm pa kushte për Saliun,- dukuria gjithsesi jo vetëm në planin psikologjik mbetet e njëjtë: qeni i Bllokut dhe qeni i partisë kurrë nuk e kafshon të zotin sa kohë ky është në pushtet, por ama po ra nga kali, edhe kali do të pushkatohet, si në diktaturë kali i gjeneral Dumes. Ata që dje e shihnin në gojë me adhurim Nanon, sot të njëjtën gjë bëjnë me Berishën e nesër po kështu do të sillen me atë që do të zerë vendin e tyre. Prandaj edhe në folklorin e nesërm rrezik t’u këndohet fëmijëve kënga ‘u rritsh e m’u bëfsh një bllokqen, o bir!’ Se, ç’ndryshim ka, tekefundit, një bllokqen nga një partiqen?

Të jesh sot një partiqen, do të thotë të jesh i suksesshëm, VIP, i pasur, i pushtetshëm, i paprekshëm, “me ne”, “një nga ne”…Sot nuk bën dot karrierë në asnjë parti, nuk punësohesh në qeveri, nëpër Bashkira e institucione “të pavarura”, nuk bëhesh as deputet, aq më pak ministër, gjykatës i lartë dhe as akademik, nuk merr tendera e tituj, as pension special pa dhënë prova publike se je shndërruar në një lehës besnik, pra, nëse nuk bën gam-gam e ham-ham nëpër media në mbrojtje të kryetarit të Familjes. Kësisoj a nuk janë futur partitë në Bllok? A nuk kanë partitë e mëdha një Sulo Gradec? A nuk ndikojnë në emërim-shkarkimet e administratës gratë e udhëheqësve bashkë me fëmijët e tyre njëlloj si ata të ish Bllokut? E pra, ç’ndryshim ka një bllokqen i djeshëm nga një Lepur i sotëm, dmth nga një partiqen? Ja përse profesioni i bllokqenit sot për sot, njëlloj si ai i mercenarit dje, në kohën e Dumbabës, është më i paguari, më i kushtueshmi, më i lakmuari!

Koha e bllokqenëve nuk paska ikur! Një malësor i mençur ka thënë: “Në diktaturë na shtinë lepurin në bark, në demokraci na hoqën lepurin, po na shtinë qenin”. Ja përse me hijet e bllokmenëve të djeshëm, si në një lojë me fantazma, vazhdojnë të luajnë politikisht krerët e sotëm për t’u shtirur kundër, kinse demokratë të thekur, antikomunistë të tërbuar, të papajtueshëm me diktaturën. Nga kjo kërleshje me maska, lehje e shpifsharje nëpër ekrane, ku të gjithë dalin të ndotur dhe kurrkush nuk ka faj, bllokqenët besojnë e kujtojnë se do të dalin nesër më të larë, më të ndritur, pse jo edhe më të pasur…

Duke nëmur “armiqtë e kryetarit”, ish bllokqenët jo vetëm që kënaqin instiktin e skllavit të djeshëm, të denatyruar, por trimat pas beteje besojnë se kësisoj do të fitojnë kartën e besimit e të ndershmërisë, atë kartë që e bën një rezilzi të pajiset me pushtet, me post, me merita, me para, me prona dhe, natyrisht, me lavdi. Historikisht mercenarët, ose, thënë ndryshe, me gjuhën e kohës, bllokqentë e politikës janë ata që i kanë bërë gropën të ardhmes dhe prosperitetit tonë ndër shekuj për interesa vetiake, për përfitime të pamerituara; sa herë kombi ka qënë në zgrip të një halli, ata janë bërë edhe më të pasur, edhe më të fuqishëm. Administrata jonë tradicionalisht nuk ka pas qënë kurrë as civile, as profesioniste, as kombëtare, por mercenare.

Në të gjitha sistemet partitë e kanë rrëmbushur administratën me partiqenër “besnikë” që bëjnë kërdi mbi interesat dhe pasuritë publike për të ikur, pas beteje, “në drejtim të paditur” duke tradhtuar edhe vendin, edhe edhe të zonë…Ne mbetëm më të fundit në rreshtimin e BE-së për shkak të politikës së partiqenërve të transformuar suksesivisht në bllokmenë të rinj. Këtë, besoj, e kupton edhe një sylesh. Ja përse Kuvendi, parlamentarizmi, demokracia, Drejtësia, pluralizmi, partitë, mjedisi, pesha e Fjalës, si dhe morali shoqëror që përcakton ç’është e mirë e ç’është e keqe, kanë rrëshqitur teposhtë: se kanë rënë në duart e në gojën e bllokqenërve transvestitë!

Blloku si territor tash është bërë vendi i qejfit ku rinia shijon pijet e shtrenjta, seksin, muzikën amerikane, limontinë, “kodrat pas bregut”…Por një gjë ka mbetur, mesa duket, e pandryshuar: qeverisja dhe administrimi i punëve publike nëpërmjet bllokqenëve. Deri dje këta rrinin në hije, vërdalloseshin nëpër salete rezidencash qeveritare, aty lëpiheshin, shkërbëheshin moralisht, shkruanin fjalimet e bllokmenëve, ishin më shumë se këshilltarë, bëheshin “të shtëpisë”, të domosdoshëm, të pranishëm, të palodhur, të përkushtuar, të pazevendësueshëm…

E paskësaj zinin ndonjë punë të mirë, mernin apartament 3+1 pa kaluar në torturën e lagjes, dilnin jashtë shtetit, spiunonin njëritjetrin, pështynin, villnin e qeshnin e qanin si ta lypte humori i çastit i bllokmenit. Kurse sot marin pushtet të pakufizuar e të pakontrolluar, prona, tendera, fuqi dhe famë. Sot Blloku ka ndërruar emër, quhet Familje. Bllokqentë e sotëm nuk ngurojnë të venë nën hyqmin e Familjes kombin, shtetin, pushtetet, partinë, Gjyqësorin…Për hir të këtij “funksioni” dumbabistët janë të gatshëm të pshurrin edhe në pjatën e armikut të kllasës, mjaft që t’i hyjnë në zemër “komandatit”, gruas e fëmijëve të tij…

Ai që kapërxen pragun e Bllok-Familjes është më fatlumi; kush del në fotografi me një kapo të Familjes, njëlloj si dje, e mban atë në portofol, e vendos në zyrë, në ballë të shtëpisë, për të provuar se ai,- më në fund!- ka arritur stadin më të lartë e më të nderuar të shoqërisë: është graduar bllokqen, dmth një nga më të besuarit e Familje-partisë. Një foto me udhëheqësin të bën më të sigurtë, më të privilegjuar e më të mbrojtur se një sekretar partie i ndërmarrjes, i periferisë a i provincës. A nuk ndodh edhe sot po kështu? Kush ka një foto me Berishën, le të bëjë një provë: nëse e ndalon polici i trafikut për kundërvajtje, në vend të patentës, le t’i tregojë foton me Berishën që të shohë si do ta nderojë polici i gjorë.

Të izoluar, bllokmenët drejtonin vendin duke u ushqyer me thashethemet dhe informatat e bllokqenëve, të cilët, përveç shërbimeve të tjera, e bindnin udhëheqjen, se populli në drejtimin e tyre ishte më i lumturi në botë, se jetonte samëska mirë, se dashuria për ta ishte e pamatë, e zjarrtë, “sa malet”…Edhe sot nuk janë sondazhet, statistikat, shifrat ekonomike, përqindja e rritjes ekonomike, niveli i pagave e pensioneve, i spitaleve e shkollave, etj. ato që masin standardin e jetesës, po janë lajlelulet e gatitura në “kuzhinën” e propogandës së këshilltarëve bllokqenë. Po ta shikosh me këtë sy funksionin e bllokqenëve e kupton se Blloku dhe bllokmenët nuk do të kishin sunduar aq gjatë e nuk do të kishin pas bërë gjithë ato prapësi e paudhësi pa ndihmën e këshilltarëve-bllokqenër. Themeli mbi të cilin ngrihej Blloku, në të vërtetë ishin bllokqentë, ashtu si themeli i partive sot janë partiqentë…

Pa bllokqenër asnjë lloj Blloku nuk do të mbetej më këmbë, pasi do të shkërmoqej më lehtë edhe se një “tigër” prej rëre…Prandaj është gabim i pafalshëm, -ndoshta për këtë arsye demokracinë e quajmë “të brishtë”,- që nuk u zbuluan, nuk u identifikuan, nuk u mënjanuan e nuk u ndëshkuan të paktën moralisht bllokqentë e djeshëm, që kështu t’u pritej rruga e suksesit dhe e aksesit partiqenërve të sotëm rrënimtarë. Një demokraci nuk mund të funksionojë normalisht e të marrë frymë lirisht sa kohë ajo nuk është çliruar jo vetëm nga bllokmenët, por edhe nga hordhia e bllokqenërve!