Paul Tedeschini rreth shkrimit “Tregoni respekt për kundërshtarin, zotërinj polemizues!”

0
54

(Koment rreth shkrimit te Z. Ardian Vehbiu te publikuem ne gazeten MAPO)

Kur flitet per GEGENISHTEN, duhet te flitet njilloj edhe per TOSKNISHTEN. Te dyja jane dege te nji gjuhe.
I ashtuquejtuni DREJTESHKRIM i vitit 1972 nuk asht ba me debate ne tavolinen e gjuhtarve (siç sugjeron ketu komentuesi “Arbreshi”), por asht vendose ne tavolinen e gjinokastritit Enver Hoxha, i cili luftoi intelektualt verior perfshi ketu edhe kulturen dhe gjuhen e tyne.

Shumica dermuese e intelektualve verior (shumica katolik me kulture europrendimore) ishte kundra komunizmit, sepse:

1) Se pari komunizmi si sistem ekonomik ishte falimentar (siç e vertetoi jeta)
2) Se dyti si sistem shoqnor ishte antidemokratik (siç e vertetoi jeta edhe kete).
3) Pose kesaj Enver Hoxha erdhi ne fuqi nga serbet, te cilet ishin dhe mbesin anmiqt shekullor te popullsise se Shqipnise Veriore perfshi Kosoven.

Keto tri arsye kryesore e bane Enver Hoxhen kundra veriut.
Per keto arsye Enver Hoxha i eleminoi si kundershtar politik te komunizmit intelektualt verior, keshtu do te zhdukte edhe mendimet dhe veprat e tyne. Kete gja e vazhdojne edhe sot akademiket e pregatitun nga Enver Hoxha.

Prandej, tashti qe ra komunizmi, duhet te ulen gjuhtaret e te dy krahve ne tavoline per te vendose rregullat e gjuhes shqipe e jo ala EnverHoxha, por ne menyre shkencore. Por e keqja asht se ne Akademi mbizotnojne perseri komunistat enverhoxhian.
Lufta per te vendose rregullat gjuhesore ne dobi te gjuhes shqipe do te jete e vazhdueshme dhe e gjate deri sa çdo gja te zeje vendin qe meriton.

12/10/2012 at 4:22 pm
http://www.mapo.al/2012/10/11/tregoni-respekt-per-kundershtarin-zoterinj-polemizues/

—————-

Tregoni respekt për kundërshtarin, zotërinj polemizues!

Ardian Vehbiu

Do të doja të polemizoj me shkrimin e z. Gjokë Vata botuar në MAPO-n e dt. 10 tetor 2012 (“Replikë me Ardian Vehbiun për gegnishten”), por nuk e kam të lehtë të shtyhem më tej një vargu jo-sh; meqë autori më vë në gojë gjëra që nuk më rezulton t’i kem thënë, për më tepër edhe duke mos më cituar saktë.

Kështu, unë nuk di të kem shkruar gjëkundi shkrime ‘antigegnisht’, as të kem fyer gjëkundi ‘gegnishten e tri të katërtave të popullsisë shqiptare’; unë asnjëherë nuk di të kem shkruar se ‘Gegërishtja është një para fallso e denjë të qëndrojë në një muzeum’ (ky pohim i fundit është edhe absurd në vetvete); sikurse nuk di të kem shkruar gjëkundi se ‘Gegërishtja është një zhargon katolik’.

Mëkati i autorit është se nuk u ofron ndonjë aparat pseudo-citateve të shumta që sjell, dhe me të cilat futet pastaj në polemikë më shumë rapsodike. Kjo nuk është serioze, madje do ta quaja haptazi shpifje në rrethana të tjera – dhe shpifja mund të demaskohet, por jo të përdoret si bazë për ta vazhduar debatin.

Është e drejta ime elementare, si drejtpërdrejt i prekur nga kjo zallahi, që t’i shoh të ankoruara citatet që më atribuohen; sikurse besoj është edhe e drejta e lexuesit, që të informohet saktë për premisat e çdo debati.

Pikëpamjet e mia për çështjet që e shqetësojnë z. Vata janë publike dhe lehtësisht të citueshme; përveç artikujve në mediat, të cilat kanë natyrë doemos publicistike, ato gjenden të artikuluara në dy librat e mi kushtuar çështjeve të sociolinguistikës, politikës gjuhësore dhe pragmatikës së ligjërimit publik: “Shqipja totalitare” dhe “Fraktalet e shqipes”, botuar të dy në gjerdanin Excipere, të Shtëpisë botuese “Çabej”.

Kushedi duhet t’i kujtoj z. Vata se kam qenë një nga të parët gjuhëtarë shqiptarë të Tiranës, pas vitit 1990, që kam ngritur menjëherë zërin kundër padrejtësisë kriminale që iu bë gegërishtes nga regjimi komunist totalitar; sikurse mund t’ia konfirmojë këtë edhe Arshi Pipa, i cili artikullin tim për këtë çështje, botuar më së pari te një revistë arbëreshe në Itali, e përfshiu menjëherë në revistën ‘Albanica.’ Por edhe ky akt i thjeshtë shfajësimi do të më bënte të dukesha si i akuzuari në këtë mes, duke i amplifikuar, sado tërthorazi, insinuatat dhe shtrembërimet.

Shkruan autori në polemikën e tanishme: “Martin Camaj përveçse shkrimtar e poet […], asht edhe nji nga gjuhtarët ma të zot shqiptar e autor i nji gramatike që, ngase hedhe shkencërisht poshtë standardin, as nuk përmendet kurrë.”

Vërtet. Por ndoshta duhet shtuar këtu edhe se, pikërisht këtë gramatikë të Camajt, kam qenë unë që e kam përkthyer në italishte, ku edhe është botuar nga Edizioni Brenner në vitin 1995 (“Grammatica albanese”, http://goo.gl/TIW5E); dhe është e përdorshme, sot e kësaj dite, prej studentëve italianë të gjuhës shqipe, duke u bërë edhe, njëkohësisht, pjesë e spikatur e bibliografisë albanologjike në italishte!

Më vjen keq që, për shkak të një shkrimi të pasur me insinuata, pasaktësi, shtrembërime dhe gënjeshtra, m’u desh të ulem dhe të flas për veten; do të dëshiroja që për mua të flasin gjërat që shkruaj, të cilat janë publike dhe lehtësisht të citueshme.

Do të dëshiroja edhe që ta çoja më tej këtë debat, meqë më duket me interes për të ardhmen e kulturës publike të shqiptarëve; por, për fat të keq, nuk mund ta bëj këtë me z. Vata, i cili nuk polemizon me mua, por me dordolecin që ka ndërtuar vetë.

Autorit dhe të tjerëve do t’u thoja kështu miqësisht: më jepni një nivel të denjë, të nderuar kolegë, ku të bisedojmë së bashku; më respektoni, që t’jua kthej respektin dhjetëfish, se ashtu edhe lexuesi do të na ishte mirënjohës.