Si u rekrutua Sali Berisha spiun i UDB jugosllave dhe udhëtimi i fshehtë në Beograd. Pse shkonte ai tek hoteli ku ishte akomoduar Liliana Hoxha në Paris? Dyshimet se Sali Berisha ishte pjesë e rrjetit të doktorëve që helmonte udhëheqësit komunistë me metoda të sofistikuara. Pse Enver Hoxha nuk e pranoi kurrë Sali Berishën si mjek të parë personal në Bllok dhe dyshimet për lidhjet e tij me UDB jugosllave? Kush ishin lëvizjet e Sali Berishës në 20 Shkurt të vitit 1991 dhe çfarë porosish i dha Ramiz Alia kur e thirri në zyrë. A ishte Sali Berisha pro rrëzimit të bustit dhe si arriti ky njeri të përvetësonte veprën e popullit të Tiranës, çka shënoi ndarjen nga diktatura. Çfarë ndodhte brenda Bllokut, kur regjimi ishte në grahmat e fundit? Këto dhe të tjera pyetje marrin përgjigje nga Robert Papa, një nga protagonistët e ngjarjeve të 20 Shkurtit ’91 dhe njeri i afërt i Sali Berishës në fillimin e viteve ’90. Papa flet edhe për misionin e Sali Berishës në Francë, debatin për hapjen e dosjeve, spiunët e UDB në Tiranë, raportet me SHBA etj.
– Z. Papa, ka një mister dhe mjegullnajë sa i takon lëvizjeve dhe veprimtarisë së Sali Berishës ditën e 20 Shkurtit 1991, kur populli i Tiranës rrëzoi monumentin e Enver Hoxhës, çka shënoi edhe ndarjen nga diktatura më e egër në Evropë. Çfarë dini ju për lëvizjet e Sali Berishës ditën e rrëzimit të bustit?
PD, taktikisht nuk i interesonte rrëzimi i bustit. Shoqëria shqiptare ishte shumë e ndarë. Berisha kishte qenë komunist fanatik, dhe nuk ka mundësi të mos e kishte adhuruar Enverin, të cilit kishte ëndërruar t’i shërbente si doktor në Bllok, por nuk kishte arritur dot. E kishte penguar biografia e së shoqes. Sipas burimeve arkivore, akuzohen si agjentë të UDB, i ati dhe e ëma e saj. Më saktë të OZNA-s jugosllave. Këtë e ka deklaruar edhe Nexhmije Hoxha. Unë kam dëshmi okulare. Atë ditë një shofer i RTSH (po i them thjeshtë Xhota, e ka marrë Berishën me benz. Kanë hipur te ura që lidh SHQUP-in me Piramidën, dhe janë drejtuar nga Presidenca. Pra, te Ramiz Alia. Mua kjo më ka habitur. Shoferi, i cili ka punuar me mua për një kohë të gjatë pas ‘92-it, më ka treguar se “një doktor i Hysni Kapos, Abazi, kur e ka parë Berishën e ka sharë dhe ka tentuar, ose e ka goditur me çantën e tij duke i thënë: U bëre ti! Berisha ka hyrë nga dera e pasme. Doktori i ka thënë shoferit se: “Ky është intrigant, por po ka arritur deri këtu, ky do i zërë vendin këtij (Ramizit).
– A keni të dhëna të tjera për lëvizjet e Berishës dhe cilat ishin kontaktet e para me të?
Kjo ishte e dhëna e parë se Berisha ka shkuar te Ramiz Alia, pas hedhjes së bustit.
Ndërkohë, kam hasur pamjet filmike të FIATI-t të famshëm. Në orën 10 ka pasur një aktivitet të Komunitetit Mysliman te Pallati i Kulturës, dhe aty Berisha ka shkuar me FIAT. Se ku ka shkuar pastaj, mbetet enigmë!? Intervistën e parë televizive, një orë, Berisha e ka dhënë për mua, për emisionin ‘FOKUS nga Robert Papa” në 12 dhjetor 1995. E kam telefonuar Berishën të shtunën duke i thënë se është 5 vjetori i PD-së, dhe doja një intervistë për “Fokus”. Unë isha kthyer nga SHBA, ku kisha përfunduar një studim një vjeçar për menaxhim TV, sponsorizuar nga State Department. Berisha, fillimisht, nuk ka pranuar. Ka nxjerrë një pretekst jo bindës.
Ne ishim miq dhe unë flisja rregullisht në telefon çdo ditë. “Si të duash, kam thënë, unë po bëj një speciale për Xhon Lenon. Kam dëshmitar presidentin e UFO-s, sot deputet, Astrit Veliaj, i cili sapo kishte marrë një Isuzu me dy vende. Ai kishte një telefon radio. Pra, si celularët sot. Kemi qenë diku te Bulevardi. Unë kam telefonuar shtëpinë time dhe më kanë thënë se ka marrë presidenti në telefon, ose një nga Presidenca. Kam telefonuar Berishën dhe ai më ka thënë: Robert , dakord, m’i bjerë pyetjet t’i shikoj. Astriti i UFO-s, sot deputet i PD-së është dëshmitarë se si i kam bërë disa pyetje duke i shkruar me laps në makinën e tij. Kam shkuar te Presidenca. A duhej t’ia bëja pyetjet me shkrim? Unë duhej të realizoja intervistën. Mendova që t’i bëja disa pyetja të pa thëna befas të nesërmen. Te dera i kam telefonuar Berishës, duke i thënë se jam te dera. U habit se me çfarë po flisja. Telefonat radio ishin diçka e panjohur. Ja kam lënë pyetjet dhe kam dalë.
Të nesërmen ai ishte te vila e Enver Hoxhës në Dajt. Këshilltarja e tij për shtypin, Aida Shehu, përzgjodhi si kameraman Pali Kuken dhe jemi nisur për Dajt. Vila e Enverit kishte të njëjtin dekor, ushtarë të gardës me dhjetëra si te filmi i Sillos. Brenda orendi të stilit sovjetik si hotelet e para viteve 90-të. Berisha kishte marrë me vete edhe daktilografisten për të shtypur gjithë përgjigjet. Erdhi gjithë vrull, pasi na la disa minuta ta presim. M’u duk sikur erdhi Enveri. Ishte energjik. U përshëndetëm. Fillojmë tha me një zë thuajse urdhërues. Prit i thashë, ti je President i Shqipërinë, por president i “Fokus” jam unë. Dhe unë them fillojmë. Ka ulur zërin dhe ka qeshur. Unë doja ta ulja që të fliste me këmbë në tokë, sepse ai e kishte zakon që bërtiste. Për të ngrohur mjedisin i kam thënë: Doktor, unë të kam ardhur në shtëpinë tënde, në fakt kjo është shtëpia e Enverit, dhe na duhet të na gostitësh. Miku pritet me një gotë raki në shtëpi. Berisha ka ndalur dhe tha: Lil, sill nga një raki për miqtë. Kaq desha.
Tani ishim të barabartë. Aida Shehu me Pali Kuken kishin rregulluar ndërkohë mizaskenën. Berishës, një kolltuk dysh të madh, kurse për mua kishin vënë një karrige anash për të mbajtur mikrofonin si dordolec dhe jashtë kameras, kurse Aida do ulej ballas me Berishën me letrat e shtypura para tij për të parë përgjigjet e shtypura. Unë kam hequr karrigen dhe u kam thënë: Unë do ulem ballas me presidentin në të njëjtin kolltuk, se doni apo s’doni ju ‘Fokus” është emisioni më i mirë në Ballkan. Është apo jo! S’është doktor?! Po, ka thënë Berisha. Kështu u zhvillua intervista dhe Berisha ka folur shumë mirë dhe ka dalë intervista e tij më e arritur. Para se të fillonim i kam thënë: “Doktor do flasësh me ton të ulët sikur bisedon më mua, e jo si në miting. Ka pranuar.
Disa herë e kam ndërprerë gjatë intervistës. Nuk qe e lehtë ta ndërprisje. Gjatë intervistës ka ngatërruar datën e themelimit të PD. Lapsus, mbase. Në një rast unë e kam befasuar se i ka bërë disa pyetje që nuk i kishte te pyetjet që i kisha dhënë më parë. Më ka parë në sy dhe është përgjigjur duke thënë: Pashkon e konsideroj tradhëtar. Pasi ka parë se ra në grackë, tha e konsideroj tradhëtar të parimeve të demokracisë. Po ta vini re në intervistë nuk ka asgjë për hedhjen e bustit të Enverit, nuk e mbaj mend a e kam shkruar këtë pyetje apo e ka hequr ai. Nuk e mbaj mend, por ai nuk ka dashur të flasë për bustin. Pamjet në FIAT- unë i kam dhënë në “FOKUS” para 3 vitesh, por pa thënë kush është brenda. Kush e ka njohur e ka parë. Shoferi ishte Kujtimi. Makina ishte nga Ministria e Brendshme.
– Çfarë donte Sali Berisha në makinën e dyshimtë dhe më pas në zyrën e Ramiz Alisë?
Ai udhëtonte ato ditë me FIAT. Ishte FIATI I PD-së, ose ka dalë nga KQ i PPSh ku ka folur. Ndërsa ata merrnin vendimin të hapnin zjarr, ai ka shkuar te sheshi. Pse nuk iu bashkua popullit? Pse nuk iu tha tërhiquni? Janë enigma. Ai ishte politikan amator asokohe. Por ishte karrierist. Donte të fitonte. Dhe Enverin e kishte pasur idhull. Këtë e mendoj tani. Sepse e ka kopjuar në çdo detaj.
– Ju keni folur edhe për një bisedë të pazbardhur midis Sali Berishës dhe Ramiz Alisë. Cili mendoni se i ka kërkuar tjetrit siguri për të shpëtuar kokën dhe çfarë planesh mund të jenë thurur në zyrën e Ramiz Alisë?
Më ka thënë se: “Më ka thirrur Ramizi kur hidhej busti. Dridhej i frikësuar. Aman shpëtoni kokën time dhe bëni çfarë të doni. Berisha më ka thënë e ka mbetur i shtangur. Unë nuk siguroj dot kokën time se jam veç një kryetar partie”. Pastaj më ka treguar se atë ditë ka shkuar te mbledhja e KQPPSh dhe ka folur siç flet ai. Të gjithë kundër, sipas tij vetëm Spiro Dede e mbrojti. Shoku Sali ka të drejtë. Haxhi Lleshi ka vënë dorën në revolver. Kur kam dalë nga salla i kam bërë hapat më të mëdha se ai, edhe mund të qëllonte. Pra, kjo është e vërteta, Berisha atë ditë që hidhej busti ka qenë te Ramiz Alia, ka qenë në mbledhjen e KQ të PPSH dhe ka shëtitur me FIAT afër bustit. Në një analizë u them: Ai për çdo gjë kishte lidhje direkte me Ramiz Alinë. Kjo qe normale. Kishte autoritet dhe siguri të hynte në mbledhje të KQ të PPSH, dhe për inspektim ka parë me FIAT se çfarë ndodhte në shesh.
– Si protagonist i atyre ngjarjeve dhe si njeriu i vetëm që ka fotografuar rrëzimin e bustit, ngjarja e 20 Shkurtit ishte një akt i organizuar nga udhëheqja e PPSH, apo një shpërthim i natyrshëm i qytetarëve?
Në shesh kanë fotografuar edhe të tjerë. Por fotot e mija dolën në mediat e huaja. Unë atë ditë kam qenë te studentët me Gust Dajën, shokun tim, dhe kur kemi zbritur te Liceu afër TV, policët nisën të gjuanin me shkopinj. Një shkop më ka kapur edhe mua në shpatull. Polici më ka njohur se unë isha komentator futbolli në radio. O Bert, më fal, më ka thënë. Kemi qeshur të dy. Po mua më gjete në gjithë këtë turmë i kamë thënë!? Nga aty kemi dalë te posta, kishim një shok, sot është konsull në Bari. Aty kemi kapur një gëzhojë automatiku, pra nuk gjuhej me fishekë manovër. Nga aty, dikush me një motor më ka hipur prapa, dhe jam gjendur pas bustit, te reklamat, nga 1.45. Ndërkohë, kam qenë me shokun e shkollës Lulzim Keta. Ishin para reklamave. Nuk i shikonim as qentë kundër atyre që tentonin të hidhnin bustin.
– Çfarë roli luajti Sigurimi i Shtetit në ngjarjet e 20 Shkurtit?
Këtë pyetje bëjuani atyre të Sigurimit. Ata e kanë bërë të qajë Ramiz Alinë më 21 Shkurt te Ministria e Brendshme. Është çuar Fadil Cani dhe i ka thënë: Enverin e tërhoqën zvarrë të vdekur si bust, kurse ty do të tërheqin zvarrë së gjalli. Sigurimi deshte gjak se do humbiste pushtetin. Është folur se kishte porosi, që ata me pardesy të bardha të ruheshin me çdo kusht.
– Si qëndron e vërteta e fotografimit të rrëzimit të bustit dhe si përfunduan fotografitë në duart e mediave të huaja? Besnik Mustafaj pretendon se i ka bërë vetë fotografitë.
Dikush ka hedhur një koperton biçiklete te koka e ‘Dulles’, ndërkohë nga ana e Estradës ka ardhur Besnik Mustafaj me një pallto të zezë a blu, dhe me jakën e ngritur që të mos dallohej. Kishte një aparat të vogël të zi. “Bert, më ka thënë, merr bëj foto se mua po më gjurmon një sigurims, kur të mbarosh çoje aparatin te shtëpia ime, jam te kati i 5-të, do jetë gruaja ime dhe ma tregoi me dorë pallatin pas Piazza afër Florës”. I kërkova ku ta shtypja se nuk kisha bërë foto ndonjëherë. Niku iku. Busti nuk kishte rënë ende. Nëse ai do kishte bërë disa foto para se të ma jepte mua aparatin, mund të kishte kapur kalin e Skënderbeut nga poshtë, por jo rënien e bustit. Unë kaq desha. U shkëputa nga rruga. Kalova rrugën dhe jam shtrirë te pjesa me bar poshtë këmbëve të bustit për ta kapur mirë. Kaq deshi turma, kur më pa që unë kalova rrugën dhe askush s’më preku, u lëshuan të gjithë. Busti po lëkundej. Unë fotografoja pa ditur a e kisha në kuadrat. Ishin emocione të mëdha. Pranë kam pasur Ilir Kallajxhiun, Agim Poçarin dhe Lulzim Ketën. Një djalosh trup madh më ka hipur mbi shpatulla të tij dhe kam fotografuar çdo gjë, aq sa poza kishte filmi. Nja 20. Aq afër ishim, sa busti kur ra, mund të na kishte zënë poshtë.
Pas kësaj, kemi shkuar me Lul Ketën, kemi hipur te pallati Nikut dhe ia kemi dhenë aparatin të shoqes së tij. Kur kemi zbritur, në një klub të vogël të Bardh Buzit, Bujar Shehu, nipi i Dine Shehut, ka porositur tre bidonë me verë duke u dhënë verë të gjithëve kalimtarëve me rastin e “Heqjes së qelbësirës”. Pas disa ditësh, Besniku më ka thënë se fotot e tua kanë dalë në median e huaj. E kishte çuar filmin në një ambasadë të huaj. Pra, edhe Niku ka meritë se ndryshe filli do kish mbetur këtu. Kishim frikë ta lanim këtu.
– Shumë shpejt ju u bëtë mjaft popullor në fillim të viteve ’90 me emisionin “Fokus”. Ç’mund të na thoni tjetër për prapaskenat dhe intrigat brenda Bllokut?
Do flas një herë tjetër. Unë kam pasur akses te arkivat, në çdo skutë dhe kam mësuar shumë gjëra. Kam lexuar ditare, letra, spiunime edhe orgjirat e Bllokut. Mehmet Shehu, ndër të tjera shkruante se në orën 12.00 në KQ nis ora e orgjive… Ose nje letër që Hekuran Isai i shkruante shokut Enver: Një oficer sigurimi thotë se ka parë Teme Sejkon diku në Tiranë. Hoxha i përgjigjej me një shënim: “Mesa dyket (Fan Noli shkruante dyket) ose je çmendur ti, ose është çmendur oficeri. Të hapet varri i Teme Sejkos. Nga kasetat e shumta të arkivave, ajo që më ka zhgënjyer është mbledhja në KQ kur do lejohej PD. Aty Rita Marko pyet se kush është ky Sali Berisha që ka shkuar atje. Ndërhyn Ramiz Alia: Atë e kemi çuar ne dhe po punon shumë mirë. Kurse Xhelil Gjoni thotë: Ai erdhi te unë dhe unë e çova te shoku Ramiz, po punon mirë. Ky ka qenë zhgënjimi i parë, e kam ditur që në 1995, e dinte edhe Aida Shehu, dhe montazhieri Andon Beqari. Nuk e di a i ka thënë Aida, Berishës, atë çfarë dëgjuam? Mbase jo, se në të kundërt mbase nuk do isha gjallë. Ku i dihet, nuk duhen ditur shumë gjëra, por Zoti na ka shpëtuar.
Mbas emisionit të parë të “Fokus” me arkivat më 22 shkurt 1995, të hënën, po shkonim në Kinostudio për të parë arkivin me një Toyota. Unë, dikush nga Presidenca dhe Aida Shehu, sa kemi hyrë në kryqëzim te VEFA, ka ndodhur një shpërthim i madh. Mbase qëlluam rastësisht, por shpërthimi ndodhi sa hymë ne në kryqëzim. Unë mbeta brenda në makinë. Nuk hapej dera nga presioni. Hyri një si flakë e kuqe dhe tym i bardhë. Aida u gjakos. Ajo doli me shoferin, unë mbeta brenda. Pastaj nuk e di se si kam parë veten të rrëzuar për tokë, jam mbushur me xhama në kokë dhe jam gjakos pak te dora. Kisha mbetur përtokë në mes të rrugës. Ka ardhur dikush me një pallto si bezhë dhe ai më ka marrë e më ka hequr. Ndërkohë, aty ku isha unë i shtrirë ka rënë nga lart motori i makinës ku qe futur tritoli. Zoti na shpëtoi. Por unë nuk e lashë “Fokus-in” e vazhdova. Dhe për hir të së vërtetës, kam pasur mbrojtje nga shteti. Por, nuk qe e lehtë, çdo ditë me ankthin se mos ndodhte diçka.
– Enver Hoxha, mendoni se e projektoi Ramiz Alinë si pasardhës për të mbajtur në këmbë regjimin, apo pas “eleminimit” të Mehmet Shehut nuk kishte tjetër të besuar?
Hoxha iu ka thënë Liljana Hoxhës dhe Sokol Hoxhës, më gjeni një djalë të ri. Dhe ata i kanë thënë për Mehmet Elezin dhe Hoxha ka nënqeshur. Nuk ka pranuar dhe mesa duket Nexhmija ka rekomanduar për Alinë, me të cilin ajo ka pasur një aferë.
– Keni folur për një rivalitet midis Berishës, Pashkos, Hajdarit dhe Kadaresë në vitet ’90 në SHBA. Si arriti Sali Berisha t’i hijezonte dhe nxirrte jashtë loje këto tre pesha të rënda?
Berisha ishte energjik, dinak, manipulator, mbase edhe qejfli femrash, pra me vetitë për burrë shteti. Pashko ishte pijanec, kurse Kadareja i mefshtë për politikë. Ata i hante lehtë Berisha. Hajdari ishte i papjekur për kohën, dhe mesa duket i dinte diçka. Berisha mbështetej nga gruaja e Sofokli Lazrit, pra kishte informacion dhe si ish-doktor i Hysni Kapos ishte në lojë. Ka mundësi që në Francë të jetë kontaktuar edhe nga shërbimet amerikane, përmes atyre franceze dhe jugosllave. Unë e di, përshembull se Berisha ka shkuar në një rast me makinë nga Beogradi drejt Francës. Kanë qenë duke vdekur në një aksident. Shofer ishte Kujtim Hysenaj, ambasadori në Beograd. Kujtim më ke shpëtuar jetën, do thoshte ai… Berisha futej kudo, as e diskutoj se e kanë peshkuar agjenturat e huaja. Normale, për të rrëzuar regjimin, ka pasur guxim. Mbase ka gisht edhe në helmimin e Hoxhës, bravo po ka pasur gisht bashkë me Kalon. Por për llogari të kujt?
– Po thoni se Berisha kishte misione dhe role të shumëfishta?
Ky është problem? Ai ishte pjesë e policisë sekrete të Alisë? Më ka habitur lidhja e tij me Halit Bajramin, diversantin e bandës së Xhevdet Mustafës; ai që i doli në gjyq Kadri Azbiut. Loja shumë e ndyrë… Berisha ishte një komunist karrierist dhe mjeshtër i prapaskenave. Makiavelist dhe me personalitet dominant. Kadarenë e kishte frikë për nga personaliteti, por Kadareja nuk kishte hyrë në labirintet e Bllokut. Berisha dinte shumë nga Blloku, dhe kishte mbështetjen e Drita Haritos. Në Paris ai shkonte pa problem në hotel ku rrinte Liljana Hoxha, pasi kishte mbështetjen e saj. Ajo e kishte bashkëpunëtor.
– I dyshimtë mbetet specializimi i Berishës në Francë. Ka dyshime se është ngarkuar me një mision për të spiunuar Kadri Hazbiun. Cili është mendimi juaj?
Jo i dyshimtë. Ai që mjek dhe karrierist, ishte komunist, sekretar partie, pra do shkonte në specializim. Byroja donte doktorë të mirë për jetët e tyre. A e ka spiunuar Kadri Hazbiun? Këtë s’e kam dëgjuar. Por, ai bënte çdo gjë që ta arrinte lart.
– Dosjet e sigurimit të shtetit vijojnë të turbullojnë prej 23 vitesh politikën shqiptare. Të gjithë çirren dhe janë dakord që të hapen, por askush nuk e mbështet në të vërtetë një nismë të tillë. Pse nuk hapen dosjet?
Po të hapen dosjet, do kishte drama! Por dosjet dihen. Berisha, Meksi dhe Gazidede i kanë ditur bashkë me ata me dosje në politikë. Unë di, po jo sa ata. Ajo ishte kohë e keqe, dhe shumë janë bërë spiunë me presion, por ne duhet ta dimë kush na drejtonte. Tani është vonë, dosjet e inteligjencës janë djegur.
– Ç’mund të na thoni për sigurimsat e shtetit në politikën shqiptare?
Sigurim i shtetit ka qenë një organizatë okulte, ata se shesin kurrë njëri-tjetrin, por mos i merrni për budallenj. Kanë qenë profesionistë dhe i kanë shërbyer shtetit të asaj kohe.
-Shpesh është folur për rekrutimin e shumë politikanëve shqiptarë nga UDB jugosllave. Kohë më parë u raportua se edhe Millosheviçi kishte me dhjetëra spiunë në Shqipëri. Cili është mendimi juaj?
Kjo ka ndodhur gjithmonë. Nuk bëhesh dot ministër sot po nuk ke përkrahje nga Beogradi, apo Athina… Ose po nuk ke lidhje me KQPPSh apo…
-Si i shikoni marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe SHBA? A ka një krisje pas refuzimit të armëve kimike?
Amerika e shikon Shqipërinë për qindra vjet, ndaj si Berisha dhe Rama janë pika të vogla në politikën amerikane, por ne jemi tokë e ndikimit amerikan dhe jo atij rus. Diçka ka ndodhur, më i forti i botës nuk para ka qejf t’i thonë JO! Por e di, se ne jemi aleatët e tij përjetë. Për amerikanët nuk kanë rendësi emrat e përveçëm në politikën tonë. Ata duhet të pranojnë se diplomacia e tyre në Tiranë, u mund nga ajo sovjetike. S’ka as kuptim dhe është turp, nuk duhej t’i thonin kurrë Jo Amerikës. Por, fakti që SHBA nuk e lejoi Berishën të bëjë trazira më 20 Shkurt, tregon se kjo status quo iu pëlqen. Ne jemi me fat se kemi Amerikën nga krahu ynë. A është Rama nga krahu amerikan? Do e shikojmë. Lus Zotin të mos na zhgënjejë edhe ai si Berisha.
– A po e fiton mazhoranca betejën me korrupsionin dhe si e vlerësoni deklaratat e forta të Moore dhe Kerry?
Dikur Hollbruk më thoshte në Uashington në 1997: “Ju keni mentalitetin e bakshishit nga perandoria osmane, pra korrupsioni është pjesë e kulturës në Ballkan. Kishte të drejte. Unë nuk besoj kurrë se do zhduket korrupsioni në Shqipëri. Një popull që quan të aftë një doganier se ka bërë pare, s’ka se si e fiton këtë beteje. Pse nuk çohet Berisha në prokurori për përfitimet e shumta?
Intervistoi: Adriatik Doçi