Nikollë Mrijaj (1911-1999) – intelektual, atdhetar e kuvendar i odave të burrave

0
62

Tomë Mrijaj, New York

Fillimi shek. XX dhe fundi i tij, në analet e historisë së popullit tonë, kanë mbetur si ngjarje të rëndësishme të zgjimit të ndërgjegjës kombëtare, plot luftra e përpjekje të pareshtura për liri dhe pavarësi.
Ishte viti 1911, kur më 6 Prill, nacionalistët shqiptarë, të udhëhequr nga trimi i maleve kreshnike të Hotit e Grudës Dedë Gjon Luli, në majë të Bratilës së Deçiqit, ngritën flamurin e Gjergj Kastriotit, pas një robërie të gjatë 5 shekullore të kolonizatorëve osmanë.
Ngjarjet vijnë njëra mbas tjetrës. Kështu dy vjet më vonë, më 1913, Dardania e lashtë (sot Kosova), shkëputet nga trungu amë dhe trojet etnike shqiptare, do të copëtohen padrejtësisht, kur fëmija Nikollë, sapo kishte mësuar fjalët e para në gjuhën e nënës.
Këto ndjenja të thella atdhetare, ai do t’i marrë qysh në djep nga prindërit e tij të dashur babai Preni, një intelektual i shquar i kohës dhe nëna e tij Liza, të cilët sëbashku, vinin nga familje me një taban të hershëm me tradita të pasura kombëtare.
Atdhedashuria, që u munduan prindërit e Nikollës të kultivojnë me pasion tek i biri u ngulit thellë, që nga fëmijëria e hershme dhe deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, nga nata e gjatë e sketerrës së pushtuesve serbosllavë.
Mirëpo, asnjëherë nuk duhet harruar, se kjo ishte karakteristikë e të gjithë viseve shqiptare, të zonave, ku, historia është vulosur përmes grykës së ngrohtë të pushkës.
Ditët do të kalojnë, duke ia lënë vendin muajve dhe vitëve, që në kohë të ndryshme të kalendarit, kanë të gdhendur me gërma të arta emërat e shumë figurave të shquara të Lugut të Drinit, një pjesë e të cilëve i përkasin me dinjitet edhe familjes Mrijaj, gjatë rrjedhave të historisë, mbasi aty është derdhur gjaku i fatosave të lirisë, ku, është shkruar me pushkë në dorë lavdia dhe qendresa e pamposhtur heroike e shqiptarëve.
Gjatë kësaj periudhe hedh shtat edhe i riu enërgjik Nikolla, që është dëshmitar i shumë ngjarjeve në Rrafshin e Dukagjnit e më gjerë, të cilat, i ka mësuar në odat e burrave, mbasi babai i tij e merrte gjithkund pranë vetës.
Klika e egër e Beogradit, gjithnjë kërkonte ç’kombëtarizimin e Kosovës, kthimin e saj në një shtëpi të dytë për kolonët ardhacakë serbë.
Si në vegim, tek shfletoj faqet e dhimbshme të shkruar për martirët dardanë, më parakalojnë imazhet e mbijeteses së popullit tim, që mbi gjakun e bijve më të denjë, ka shkruar epopenë e lavdishme të historisë së saj, duke e merituar me të drejtë epitetin ‘Kosova martire’.

Kryetar komune mbas tetë vitesh…

Ajo që dua të theksoi, qysh në fillim, është fakti apo përputhja historike e moshës me besimin, që kishin vendasit, për t’i dhënë gjyshit në fillim, në moshën 20-vjeçare dhe më pas babait tim, po në këtë moshë, detyrën e lartë të Kryetarit të Komunës së Zllakuqanit.
Kësisoj, në moshën 20-vjeçare, pas tetë vitesh të kalimit në amëshim të babait të tij Prenit, detyrën zyrtare të gjyshit tim e vijon i biri Nikollë Mrijaj, duke qenë një nder më të rinjtë, në drejtim të Komunës së Zllakuqanit.
Për të riun, kishin filluar hallet dhe problemet e komunitetit të tij. Ai në moshë të re, i kishte qëndruar gjithnjë pranë të atit, në odën e burrave dhe përcjellë me shumë vemëndje bashkbisedimet me miqtë e tij.
Kësisoj nga babai Preni, im atë Nikolla, mësoi sekretet e punës me popullin, se si duhet të sillej, komunikonte dhe të respektonte përherë votën e sovranit, shqetësimet, brengat dhe gëzimet e bashkëfshatarave të tij.
Tashmë jeta e kishte pjekur para kohe, duke e burrëruar dhe fisnikëruar gjithnjë këtë njeri zemërbujar.
Nikolla fëmijë, hapat e para të dijes, do t’i marrë në shkollën e Kishës në Zllakuqan. Asokohe dyert e shkollës së parë shqipe, i kishte hapur meshtari françeskan, martiri Atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1873-1929) në vitin 1889.
Si mësues të parë, që për herë të parë e mësoi në gjuhën e nënës abc-në, shkrim e këndim, ka qenë françeskani i kulturuar Atë David Pepaj O.F.M.
Në vitin 1917, gjatë kohës, që vepronte në Kishën e Zllakuqanit, Atë Davidi, mblodhi si bleta punëtore fëmijët e fshatrave, për t’u mësuar me pasion dhe dashuri rrezet e dijës, në gjuhën e bukur të nënës me shkrim, këndim dhe historinë e popullit shqiptar, duke vijuar udhën e diturisë për femijët në shkollë, nën shembullin e intelektualit të shquar Atë Shtjefën Gjeçovi O.F.M.
Për dëshirën e madhe, që kishte babai im për shkollën dhe librat, që i ruante si sytë e ballit, këto vlera apo thesare të çmuara kombtare, kur mbaronte vitin shkollor, flet edhe libri i botuar kohët e fundit, me titull: “Famullia e Zllakuqanit” (1997), shkruar dhe botuar në 100-vjetorin e themelimit të saj nga meshtari Don Lush Sopi.
Kështu babai im, i kishte dhuruar mbas shumë dekadave, në vitin 1997 (përafërsisht mbas 90 vjetëve), Bibliotekës së Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, një relike shumë të çmuar, të cilin e kishte ruajtur me përkujdesje. Është fjala për një libër, që ai kishte mësuar asokohe, i cili, mban titullin: “Historija shejte” (Për Shkolla të Para të Shqypnis, Shkalla e Parë, Botimi i Tretë).
Për më shumë, në librin monografik të famullisë, shkruhet: “Libri “Historija e Shejte për Shkolla të Para të Shqypniës”, që është përdorur për nxënësit në besim feje, gjatë vitëve 1916-1919, në shkollat shqipe me mjaft kujdes edhe sot e kësaj dite e ruan nxënësi i Patër David Pepës, Nikollë Mrijaj nga Pataqani.” (Don Lush Sopi, “Famullia e Zllakuqanit” (1997, f.69)
Falë zgjuarësisë, urtësisë, aftësive intelektuale dhe zotësisë, për t’i zgjidhur me kujdes hallet dhe shqetësimet e banorëve, ku, ai punoi me përkushtim, kujtoi se babai im gjatë jetës së tij, punoi si nëpunës në disa komuna, si: Zllakuqan, Gurrakoc, Istogu (Burimi) dhe Klinë.
Partia Komuniste Jugosllave e dënoi tre herë me burgim për shkak, se ai nuk iu bind asnjëherë urdhërave të tyre dhe për ketë disa herë ia morën librezën e partisë. Për herë të fundit, është dënuar, kur ai kryente detyrën e sekretarit dhe arkëtarit, në një sipërmarrje komunale të komunës së Klinës me drejtor asokohe Millan Bashanoviqi.
Baba im, asnjëherë nuk e deshti këtë librezë dhe bënë shumë mirë, që ia morën, për të mos ia kthyer më.
Sipas një shkrimi të gazetës “Politika” e Beogradit, të vitit 1939, shënohet, se një delegacion shqiptar nga Lugu i Drinit të kryesuar nga Patër Tomë Xhaja, sëbashku, me Nikollë Mrijaj, Adem Dushin (i cili, ishte deputet në Parlamentin e ish Jugosllavisë), Llesh Gjon Lleshi, Ukë Sahiti, Ukë Paloka, Mark Duhani, Mark Përgjoka dhe Mark Laska, u takuan në Beograd me Kryeministrin Dr. Vllatko Maçek. Ky delegacion, kishte ngritur zërin e protestës, kundër kolonizimit serb e malazias në këto treva dhe për reformën e përfolur agrare.
Procesi i gjatë e i gjërë i kolonizimit të trojeve shqiptare, mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918), kur nisi të formohet shteti jugosllav, filloi sërisht faza e kolonizmit me hapa të përshpejtuara agresive, nën maskën e të ashtëquajturës Reforma Agrare. (Jusuf Osmani, “Lënda arkivore për kolonizmin dhe reformën agrare në Kosovë”, 1996).
Sikurse dihet asokohe, qëllimi kryesor ishte të bëhet ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë së pastër të Kosovës.
Im atë, me bashkëvendasit dhe idealistët atdhetare asokohe, luftoi shumë, për të ruajtur vlerat e pastra kombëtare, të shprehura në shumë drejtime të aktivitetit të tij patriotik edhe kur ishte funksionar në zyrat e pushtetit lokal, kudo, ku, ai punoi me përkushtim gjatë gjithë kohës së tij.
Dihet se qysh nga viti 1912 në Kosovë, filloi zbatimi i projekteve raciste kundërshqipatare apo planeve sllavizuese hap pas hapi, për të bërë kësisoj realitet ëndrrën e Serbisë së Madhe, të projektuar nga Vaso Çubralloviç, Ilia Garashanini, e shumë shovinistë ekstremist të tjerë serb, që janë disa nga autorët e platformës së politikës serbe, për shfarosjen dhe fshirjen nga harta e Ballkanit të trojeve shqiptare dardane…

Nikollë Mrijaj e Adem Dushi takohen në Tiranë me Ministrin e Arsimit Prof. Ernest Koliqin

Nga fundi i vitit 1940, një delegacion nga Lugu i Drinit, i kryesuar nga babai im Nikollë Mrijaj, me mikun e tij të pandashëm në idealet kombëtare (aktivisti patriot ish kryetar i Komunës në Zllakuqan) Adem Dushi, me disa bashkëvendas të tjerë, si: Llesh Gjon Lleshi, Mark Duhani, Zef Cub Përnoka, Mark Përgjoka, Mark Lasken etj., u gjenden në Tiranë, në zyrën e Ministrit të Arsimit shkrimtarit Prof. Ernest Koliqit, ku, kërkuan gjatë bashkëbisedimit, që t’u dërgojnë sa më shpejt, që të jetë e mundur në Kosovë arsimtarë, për të mësuar shkrim e këndim, mbasi politika sllavizuese e Beogradit, për ç’kombëtarizimin e vendasve autokton ishte shumë e madhe.
Atdheu ynë, kishte shumë nevoj, që bijtë të vijonin të flisnin gjuhën shqipe, e cila gjendej gjithnjë përballë presionit dhe asimilimit të egër të gjuhës cirilike sllave.
Pas takimit shumë të rëndësishëm, menjëherë Prof. Ernest Koliqi, me cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe Arsimit, dërgoi Akademik Prof. Rexhep Krasniqin, Mati Logoreci, Prof. Ahmet Gashi, sëbashku me shumë profesorë dhe arsimtarë të tjerë nga qyteti i Shkodrës dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, që iu përgjigjen njëzëri thirrjes kombëtare të Ministrit.
Mendohet, se të kësaj periudhe janë edhe hapja e mbi 200 shkollave në gjuhën shqipe në Kosovë, ku, dominon shumë kontributi i intelektualëve nga qyteti i Shkodrës.
Sot, mbas shumë dekadave, duke rikujtuar ngjarje dhe data nga mesi i shek. XX, natyrshëm lind pyetja e drejtë:
Cili ishte shkaku i udhëtimit të delegacionit nga Lugu i Drinit për në kryeqytetin e shtetit amë në vjeshtën e vitit 1940!?
Para disa viteve zbardha dhe botova në organet e shtypit në vendlindje dhe diasporë një tregim të Prof. Dr. Rexhep Krasniqit, rrëfyer në zyrën e Komitetit “Shqipnia e Lirë” në Manhattan New York.
Kështu në vitin 1982, pas përfundimit me sukses të Kogresit III të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1982), ku, u zgjodh kryesia e re, dhe unë u zgjodha Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes III të Prizrenit në mërgim, me zyrat e saj qendrore në New York, SHBA.
Edhe para Kongresit në fjalë dhe më pas sëbashku me Kryetarin e Lidhjes III të Prizrenit, aktivistin e palodhur të çështjes kombëtare, pinjollin e familjes së Ukë Sadik Ramë Gjurgjevikut të famshëm, Ismet Berisha, rregullisht dy herë në javë, jemi këshilluar me Profesor Krasniqin, në zyrën e mirënjohur të Komitetit “Shqipnia e Lirë”, për mirëvatjen e punës së organizatës patriotike gjithëkombëtare.
Kësaj radhë, ndryshe nga rastet e tjera, personaliteti i shquar Prof. Krasniqi, u ngrit në këmbë dhe me shumë ngrohtësi më uroj detyrën e re, mbasi isha më i riu emigrant nga Kosova, që kisha arritur të nderohem në këtë mision fisnik, në shërbim të kombit dhe Atdheut tim të dashur.
Gjatë bisedës së ngrohtë dhe miqësore të zhvilluar atë ditë, ndër të tjera, më tha, se:
“Mbiemëri Mrijaj, më kujton një kohë kujtimesh të kaluara plot nostalgji. Si sot e kam parasysh, ardhjen e një delegacioni nga Kosova në Tiranë.
Asokohe, unë gjendesha në zyrën e Ministritit të Arsimit dhe Kulturës Prof. Ernest Koliqit. Ministri, pjesën e madhe të kohës qëndronte në këmbë. Ai ecte i qetë dhe bisedonte me miqtë, që i kishte në zyrë.
Profesori, kishte shumë dëshirë të sodiste natyrën e bukur në dritare, në kohën me diell apo kur fillonte rënia e flokëve të para të dëborës…, duke medituar dhe marrë përherë frymëzim, për shkrimet, veprat e tij letrare dhe kritike. Ishte shumë i ndjeshëm, ndaj nënës natyre…
Ai, po vështronte me endje një grup njërëzish të panjohur malësorë, të veshur me kostume shumëngjyrëshe kombëtare, që gjendeshin në oborrin e Ministrisë. Disi papritur, Ministri, kthehet nga unë dhe më thotë: “I shikon ato njerëz atje në oborr, të lutem shumë, shko takohu përzemërsisht dhe pyeti nga janë dhe për çfarë po presin!?”
Menjëherë u gjenda para tyre, ku në bisedë e sipër më treguan, se ishte një delegacion i ardhur nga Kosova dhe presin të takohen me Ministrin e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj. Mbasi u ktheva në zyrë, e njoftova Ministrin Prof. Koliqin, të cilit i thashë, se ata ishin një delagacion i përzgjdhur burrash të mirënjohur nga Lugu i Drinit Kosovë.
Pasi më dëgjoi me vëmendje, sërisht me tha: “Të lutëm shumë Rexhep, thuaju të porsardhurve, nëse kanë mundësi, që të vijnë të gjithë për një vizitë në zyrën time, se kam shumë dëshirë t’i takoi dhe të zhvilloi bisedë me ato burra fisnik nga Kosova. Unë e kam dashur dhe e dua shumë Kosovën, sepse ka nxjerrë trima të njohur të pushkës dhe pendës.
Delegacioni i Lugut të Drinit, pranoi me shumë kënaqësi të takohet me Ministrin e Kulturës. Ai, pasi u uroi mirëseardhjen në zyrën e tij, i ftoi të uleshin. Profesori, njihte shumë mirë traditat shqiptare dhe zakonet e trevave të ndryshme të Kosovës, ç’ka la një përshtypje shumë të mirë tek delegacioni.”
Shkrimtari i shquar, i pyeti një nga një për emërin e çdo përfaqsuesi nga Kosova dhe më pas u zhvillua një bisedë e ngrohtë dhe mbrësëlënëse, e cila u ruajt thellë në kujtesën e çdo anëtari të delegacionit.
Në bisedë e sipër, Ministri ishte i interesuar të dinte, si ishte gjendja e arsimit dhe shkollave shqipe në Kosovë dhe në krahinën nga ata kishin ardhur. Delegacioni i bëri Ministriti të Kulturës një panoramë, mbi gjendjen e mjeruar të arsimit në Kosovë, mungesën totale të shkollave dhe mësimdhënesve në gjuhën shqipe…
Tek flisnin, duke përshkruar gjendjen e shkollave dhe arsimit, Prof. Koliqi (i cili, po i dëgjonte me shumë vemendje dhe dhimbje), filloi të skuqej, për situatën e rëndë, ku, serbët e kishin lënë arsimin dhe shkollën shqipe në Dardani…
“Këtë përshtypje shumë të mirë, ato ma pohuan mua, kur i përcolla deri tek hoteli i qytetit. Para se të largohen nga zyra, Ministri Prof. Koliqi, u tha, që të qëndrojnë si mysafirë të nderuar në Tiranë. Ai i sqaroj të pranishmit, se Ministri i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj, nuk është sot këtu, sepse ka udhëtuar për një punë me shumë rëndësi në qytetin e Shkodrës. Ju sado që të rrini në Shqipëri, i keni të gjithë shpenzimet e paguara nga Ministria.”, tregon Prof. Krasniqi.
Mbasi i përcolli të gjithë pjesëtarët e delegacionit nga Kosova, Akademiku Prof. Rexhep Krasniqi (1906-1998), u kthye në zyre tek Prof. Koliqi, ku, menjëherë u zhvillua kjo bisedë interesante:
“I nderuari Krasniqi, i dëgjuat me kujdes si ishte gjendja e arsimit në Kosovë?! Unë pohova, se gjendja e shkollave është në një nivel të lartë analfabetizmi, mbasi Serbia, asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për të shkolluar fëmijët dhe rininë tonë.
Që nga ky moment z. Krasniqi, ju jeni i ngarkuar me një detyrë të re apo mision fisnik shumë të rëndësishme, si Komisar i Lartë i Shkollave Shqipe në Kosovë (Ministër)…
Ishte një gëzim i madh për mua. Gjatë asaj vjeshte e dimëri, udhëtuam në Kosovë disa herë, për t’u njohur për sëafërmi me gjendjen e arsimit dhe përgatitur në të ardhmen për vitin shkollor…”
I zhytur thellë në kujtime të shkuara Drejtori i Arsimit të Mesëm, pranë Ministrisë së Arsimit në Shqipëri Prof. Krasniqi, ktheu vështrimin sërisht nga unë dhe më tha:
“Më kujtohet shumë mirë ky mbiemër Mrijaj. Si tani e kam parasysh atë burrë, në krye të delegacionit nga Kosova Nikollë Mrijajn, një kosovar i pashëm dhe fisnik në shpirt, i cili, sikurse mësova nga antarët e delegacionit, ai ishte i nderuar dhe respektuar nga të gjithë dhe gëzonte autoritet, si: në Kosovë, Mirditë, Shkodër etj…”
Mbasi e lashë të fliste për disa çaste, me modesti i thashë, se burri që ju përshkruat me shumë respekt është babai im.
Ish n/Kryetar i Lidhjes II të Prizrenit (në Prizren Kosovë), Profesor Krasniqi, i cili, më dëgjoi me shumë vemendje dhe habi, u ngrit menjëherë në këmbë nga vendi, ku, ishte ulur m’u afrua dhe me një buzëqeshje çiltërsie, më përqafoi ngrohtësisht, duke më uruar në të njëjtën kohë për detyrën e re, si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së III të Prizrenit (1962), mbas përfundimit të punimeve të Kongresi III (New York, 1982), që u mbajt në diasporë…
Para se të largohem nga zyra e Akademikut të parë shqiptar (që ka marrë gradën Akademik, për çështjen e Kosovës dhe posaçërisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në Universitetin e Vjenës (Austri), shënimi im T.M.) Prof. Rexhep Krasniqit, i thashë, se babai im këto ditë vjen nga Kosova, për vizitë dhe do t’a sjell patjetër, që të takohet me ju.
Personalitetit të shquar të diasporës shqiptare Profesor Krasniqit, i qeshën sytë dhe pashë se ishte shumë i gëzuar nga lajmi që i dhashë. Ai më tha, se ka shumë dëshirë të takohet me babain tim (Nikollë Mrijaj), sepse ruan kujtime për kohë të shkuara dhe për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, nën pushtimin mizor të kolonizatorëve serb.
Mbas pak ditësh mbërriti babai im në Amerikë. Ditën e tretë u gjenda në zyrën e ish Ministrit të Arsimit në Shqipëri Profesor Rexhep Krasniqit. Porsa hymë brenda, Profesori i buzëqeshur, u ngrit në këmbë dhe përqafoi mikun e vjetër, ku, i tha babait, se: “Të vetmin ndryshim në ju e shoh nga ajo ditë e largët vetëm në zbardhjen e flokëve…”
Në bisedë e sipër, ish drejtori i Gjimnazit të Parë të Shkollës në Gjuhën Shqipe në Prishtinë, gjakovari Profesor Krasniqi, shtoi: “Ardhja e juaj ishte dita më e madhe e gëzimit dhe karrierës time. Tashmë vdes me gëzimin, se i shërbeva Kosovës time nga e cila kam ardhur edhe unë…”
Ai, ishte një kundërkomunist e kundërserb i vendosur. Kështu, më sa më ka treguar edhe ai vetë, se në vitin 1956, thirret nga Ministria e Jashtme Amerikane, për të marrë pjesë në riorganizimin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”.
Për më shumë, për herë të pare, atë ditë, mësova se Prof. Krasniqi vjen nga familja e famshme e patriotit të madh Bajram Currit. Mbas bisedës së ngrohtë, Profesori, më dha adresën e restorantit në Flashing (Queens, NY), ku, na ftoi në darkë…

Një darkë e paharruar

Rreth orës 7:00 të darkës, me babain tim dhe Kryetarin e Lidhjes së Prizrenit Ismet Ukë Berishën, u gjendëm në vendin e caktuar. Por sa hymë brenda, pamë se kishin ardhur para nesh dhe gjendeshin në restorant, burrat e mëdhenj, si lisat e bjeshkëve tona: Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku dhe Prof. Rexhep Krasniqi, ndërsa pak kohë më vonë erdhi mes nesh edhe meshtari i dashur i komunitetit tonë, patrioti dhe lideri shpirtëror, themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë, shkrimtari Mons. Dr. Zef Oroshi.
Bisedat e personaliteteve të botës shqiptare në diasporë, ishin shumë interesante, sidomos për mua, që isha më i riu në këtë kuvend burrash të shquar, të komunitetit shqiptaro-amerikanë.
Babai im, ndjehej si në shtëpinë e vet, mes miqve të tij të dashur. Kanë qenë momentet më të bukura të jetës së tij, të cilat, i përmendte me nostalgji, sa herë që binte biseda, për çdo njerin prej tyre. Pyetje të ndryshme për Kosovën, iu drejtuan babait atë natë të paharruar…
Mons. Oroshi, ishte shumë i përqendruar në përgjigjet e babait dhe përshkrimet e tij. Ai i tha, se i dukej si fytyrë e njohur, që e kishte parë dikund në Kosovë, duke sjellë detaje.
“Më kujtohet, vijoi Mons. Oroshi, se kur u arratisa nga Shqipëria dhe dola në Kosovë, më quan në Spitalin e Mitrovicës, mbasi kisha marrë një plagë në fyt, në përpjekje për t’i shpëtuar forcave komuniste të ndjekjes së Sigurimit. Mbas dy ditësh, pashë pranë krevatit tim, një frat dhe dy burra të veshur me veshje tradicionale popullore vendase. Njëri nga ata dy burrat, më duket keni qenë ju Nikollë!?”
Babai, u mundua të risjellë në kujtesë këtë episode dhe mbas disa minutash i tha, se i kujtohet shumë mirë ky rast. Kishim dëgjuar asokohe, se një meshtar katolik ishte arratisur nga Mirdita, i cili, gjatë udhëtimit kishte marrë një plagë dhe na thanë se gjendet në Spitalin e Mitrovicës.
Im atë shtoi, se sëbashku me Pader Tomën dhe Mark Përgjokën, u nisëm për t’a vizituar meshtarin e plagosur në spital. Babai, u gëzua shumë, që ai prifti, që kishin vizituar dikur në qendrën shëndetsore të Mitrovicës, kishte shpëtuar dhe sot është mik e kumbarë i nderuar dhe respektuar i familjes tonë.
Kur e pyetën babain, për delegacionin nga Kosova në Tiranë, ai tregoi në detaje qëllimin e vizitës me Ministrinë e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj.
“Ardhja dhe koha e qëndrimit të Italisë fashiste, për Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare, ishte shpëtim nga kthetrat kolonizuese të sllavizmit serb.
Tashmë, kufiri shqiptaro-shqiptarë ishte i hapur dhe shqiptarët, për herë të parë, që nga koha e ardhjes së pushtuesve serbë ishin të bashkuar në një shtet të vetëm etnik. Por nga ana e tjetër, në Kosovë, me partinë fashiste, filluan të rekrutohen shumë personalitete shqiptare.
Njeriu, që i rekrutonte ishte Pashuk Bibë Mirakaj, i vëllai i Kolë Bibës. Më vonë, Pashuku, mori edhe hapa të tjerë, ku, filluan menjëherë ankesat e popullatës së vendit.
Në zyrën time, vinin çdo ditë shumë ankesa pakënaqësie. Unë duke e ditur, se Pashuku kishte marrëdhënie shumë të mira me Gjokë Domgjonin, një mbrëmje sëbashku me Llesh Gjolleshin dhe Adem Dushin, shkuam në shtëpinë e Gjokës, ku, i treguam për ankesat e vendasve, ndaj Pashukut. Gjoka, mu drejtua mua si një mik i shtëpisë. Nikollë mirë se keni ardhur! Ju e njihni shumë mirë Pashukun. E vetmja rrugë, për t’i ndalur hovin atij, është që ju të shkoni në Tiranë, tek i vëllai Kola. Gjatë rrugës e diskutuam me Ademin, i cili, ra dakord, që të organizohemi me disa burra të zgjedhur të vendit për atë udhëtim.
Ademi, ishte një njeri bujar. Ai ishte shumë i pasur dhe e donte shumë vendin dhe banorët, për hir të së cilëve u rikthye nga emigracioni i largët (Siria) në vendlindje. Si humanist, patriot dhe një njeri shumë i njohur në odat e burrave, i mori përsipër shpenzimet e udhëtimit.
Nga ana e tjetër, atij i interesonte të dinte më shumë për shtetin amë, kryeqytetin e vendit, politikën, ekonominë, kulturën, traditat e njërëzve dhe zonave, që ai nuk i kishte shkelur më parë. U bashkuam në ditën e caktuar 8 vetë dhe dy shoferët, që i kishte caktuar Ademi, për të drejtuar makinat ushtarake, të përshtatshme për zonat malore, me të cilat, do të bëhej udhëtimi deri në Tiranë.
Sa mbërritëm në kryeqytet, ndodhi ajo që tha sot Akademik Profesor Dr. Rexhep Krasniqi, në zyrën e tij. Ne po prisnim në oborr, kur erdhi Prof. Krasniqi, na takoi dhe na ftoi të takohemi me Ministrin e Kulturës Koliqin, i cili, kishte shprehur dëshirën të takohej me delegacionin tonë. Në fund të takimin të ngrohtë dhe tepër miqsorë, ai na premtoi, se viti i ardhshëm do të jetë një vit i mbarë, për arsimin në Kosovë. Dhe ashtu ndodhi. Profesor Koliqi e mbajti fjalën…
Të nesermen, në hotel na njoftuan, se Ministri i Mbrendshëm ishte kthyer nga Shkodra dhe na pret. Kështu në mirëkuptim me të tjerët u vendos, që unë, Adem Dushi dhe Llesh Gjon Lleshi të shkojmë në zyrën e tij.
Sa hymë Brenda, Ministri, na priti me shumë përzemërsi. Unë fillova për t’i treguar, për qëllimin e udhëtimit dhe vizitës, por Kola, më ndaloi pa e kryer bisedën. Ai, na tha: “Delegacioni i juaj, ka marrë emër të mirë. Në faqet e gazetave, sot shkruhet, se një delegacion nga Lugu i Drinit (Kosovë), u takua me Ministrin e Kulturës dhe Arsimit Prof. Ernest Koliqin, ku, kërkonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe…”
Shqetësimet, që më thatë mua për Pashukun, mos i diskutoni më, se kjo punë është e kryer. Unë, do të flas menjëherë me Pashukun, për ankesat mëse të drejta tuajat… Por, unë e di, se ju keni dëshirë me vizitu Kapidanin e Mirditës Gjon Markagjonin, në kullën e tij në Shkodër. Unë u jap përcjellësin dhe e lajmëroi Kapidanin, që t’u pret ju si delegacion. Kështu u plotësua edhe një dëshirë e madhe e jona…”


Nikollë Mrijaj (1911-1999) –
intelektual, atdhetar e kuvendar i odave të burrave

Tomë Mrijaj, New York

PJESA II

Im atë, në kujtime e mia

Im atë, edhe gjatë periudhës së vitit 1945 dhe në vitet në vijim, ndihmoi gjithnjë në mënyrë të fshehur lëvizjet nacionaliste në Kosovë, që luftonin për bashkimin e të gjithë trojeve etnike, në një shtet të vetëm dhe lirimin e Kosovës nga pushtuesit shekullorë serb.
Kështu me radhë, ai do të ndihmojë në luftën e njohur të Drenices dhe në veçanti çetën nacionaliste të udhëhequr nga trimi i Kosovës Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku, Prof. Ymer Berisha e sokoleshen shkodrane Marie Shllaku. Gjithashtu, ai i erdhi në ndihmë popullatës së vendit. Ndue Përlleshin e kishte bashkëvendas, shokë të fëmijërisë dhe rinisë.
Në Beograd, kur im atë, ishte me shërbim ushtarak në garden e Krajl Aleksandrit ishte edhe Ndue Përlleshi. Babai, punonte ato ditë në një depo armësh, ku, i kishte dhuruar Ndout një revolver, të cilën e mbajti si kujtim tërë jetën.
Edhe kur ndeshte brigada apo çeta të ndjekjes sllavo-komuniste në mal, im atë, i kishte orientuar partizanët në drejtime të rrejshme, në mënyrë, që të mos ballafaqohen me çetat e maleve plot nacionalistë liridashës, të kryesuar nga Ndue Përlleshi etj., të cilët, vepronin me shumicë asokohe në të gjithë Kosovën, në luftë kundër komunizmit dhe pushtimit kolonial serb.
Në vitet e pleqërisë, ky burrë i madh e i urtë, i mirënjohur në shumë kuvende burrash (në trevat e Kosovës), kishte pasë fatin e mirë të marrë pjesë në shumë momente delikate dhe të rëndësishme të pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave në zonën e tij e më larg, falë përvojës për t’u marrë me njerëz dhe kuvenduar shtruar me të gjithë.
Babai, njihte shumë mirë “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, historinë e fisme të Derës së madhe të Kapidanëve të Mirditës, me të cilët familjarisht gjithnjë kanë ruajtur ndër shekuj miqësinë, që vijon deri në ditët tona në Kosovë dhe diasporë.
“Nikollë Mrijajn e donin dhe e nderonin të gjithë, si një burrë atdhetar, familjar i përkshtuar, njeri me vizione të kjarta kombëtare dhe që botës shqiptare i dha bijtë e bijat, që do të ndjekin rrugën e të atit me nder dhe me faqe të bardhë…”, vlerëson studiuesi Mr. Jetish Kadishani në librin monografik: “Ndue Përlleshi–Trimi i Dukagjinit” (Shtëpia Botuese “Drenusha”, Prishtinë, 2009, f.302)
I paisur me këto virtyte të moçme dhe fisnike shqiptare, im atë, la një emër të mirë në të gjithë trevën e vet dhe në tërësi në Kosovë, ku, kishte shumë miq dhe dashamirë, me të cilët kishte bashkëpunuar për çështjen e shenjtë kombëtare.
Vdekja e papritur në moshë të re e nënës time, goditi rëndë familjen tonë, sidomos mua që i kisha kaluar 2 vjeç dhe motrën e vogël Marien, e cila sapo kishte mbushur 3 javë, që kishte ardhur në jëtë.
Falë kujdesit të përkushtuar të gjyshës dhe të gjithë antarëve të tjerë të familjes, mundem të rriteshim me dashuri, pa e ndjerë mungesën e nënës sonë të dashur.
Shumë herë këtu në emigracion, jam prerë në kujtime të hershme, mbushur plot nostalgji të thellë për familjen: nënën, babain, vëllain, motrat, të afërmit shtëpinë dhe vendlindjen.
Çdo gur, rrugicë e mahallës, shokët e shoqet e fëmijërisë sime, më kanë bërë që të ndjej afër rininë e hershme, duke përkujtuar ato vite, që na burrëruan shumë shpejt, dhe asnjëherë nuk më janë shlyer nga kujtesa.
Fëmijëria dhe disa vite të rinisë në Kosovë, më kanë lënë mbresa të thella. Ato janë të mbarsur me ngjarje të bukura dhe nganjëherë edhe të hidhura, sepse në Atdheun tim sundonte nata e gjatë e kolonizatorëve barbar serb, që u mundua me të gjithë mënyrat dhe format të asimilojë popullin tim në vendlindje.
Emigracioni ynë, në vitet e mëvonshme të rinisë, ka qenë i imponuar nga gjendja e rëndë ekonomike dhe përndjekjet sistematike të klikës sllave.
Sikurse mijëra të rinj dhe të reja të popullit tim, disa situata të rënda i kam kaluar edhe unë (dhe për këtë arsye), sikurse të tjerë bashkëkombas, ruajmë kujtime plot plagë në shpirt dhe rikujtojmë me nostalgji të madhe Atdheun, mbasi jemi detyruar të braktisim tokën e martirëve të dashur dardane, duke mos e harruar asnjëherë, se nga kam ardhur dhe ku jam lindur dhe rritur…
Kur mendoj sot, mbas shumë dekadave kujdesin e vijueshëm të familjes dhe të afërmve të mi, prehem në mendime të thella historike, tek shfletoj herë mbas here vitet e shkuara, se si nënat dhe baballarët e mijëra fëmijëve, të rinjve shqiptarë, kanë bërë gjithçka pozitive dhe me vlerë, që kanë mundur për t’i dhënë lumturi, buzëqeshje, jetë të qetë, fëmijëve të tyre, që ishin edhe lulja e Atdheut tonë të shtrenjtë.
Përpjekjet e tyre titanike, kanë qenë mbinjerëzore, duke pasur parasysh sundimin e egër serbo-sllav, për një shekull mbi vatrat tona, që janë larë më gjak bijsh më të mirë ndër shekuj.
Unë, sikurse shumë fëmijë dhe të rinjë kosovarë, u jemi mirënjohës dhe përulemi me shumë respekt para mundit dhe sakrificave të panumërta, që kanë treguar gjithnjë për ne prindërit tanë të dashur, si në vendlindje ashtu edhe kur jemi vendosur përfundimisht në dhe të huaj përtej Oqeanit Atlantik, që për ne dhe popullin shqiptar u bë Atdheu i Dytë, shpresa dhe shpëtimi ynë, në momentet më të vështira të eksodit biblik nga vatrat tona stërgjyshore, duke na sjellë një herë e përgjithmonë, lirinë dhe dhuruar më pas Pavarësinë, falë meritës së SHBA-së dhe Presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush, për shpëtimin tonë.
Këto ditë, kur nisa të hedh në kartën e bardhë vitet e së kaluarës, të cilat i kisha dëgjuar me qindra herë nga im atë, në biseda miqësore me miq e të afërm për gjyshin e tij Nikollë Mrijën e Parë (1838-1907), babain e tij intelektualin e shquar Pren Nikollë Mrijën (1889-1923), për marrëdhëniet e tyre me burra të njohur, luftrat dhe sakrificat e njëpasnjëshme, që ka përjetuar vendi i ynë e sidomos lidhjet dhe bashkëpunimi i pandërprerë me klerin katolik të vendit, ku, sëbashkut u bënë si shpëtimi i trevës sonë nga asimilimi dhe ndoshta edhe zhdukja nga trualli i të parëve autokton.
Marrëdhëniet e mira dhe frytshmëria e bashkëpunimit të ndërsjelltë, vinte nga sinçeriteti i pastër, midis meshtarëve dhe familjes time, e cila ka vijuar për shumë brezni pandërprerje. Ajo është forcuar dhe zgjeruar në kohë dhe rrethana të ndryshme historike, kur vendi kishte shumë nevoj për këtë frytshmëri ndërveprimi reciprok.
Nuk isha më shumë se 3 vjeç, kur axha ose vëllai, me urdhërin e babës më sillnin në mbrëmje tek Komuna e Zllakuqanit, ku, punonte çdo ditë në zyrë im atë. Sa fillonte të binte nata, im atë, më merrte për dore e herë në krah, ku shkonim tek konaku i Kishës së Zllakuqanit.
Babai, ishte një besimtar shumë i devotshëm dhe kishte një adhurim të veçantë për Shën Nikollën (ku, ai luste me miq e shokë ne shtëpi ditën e Shën Kollit), mbasi këtë emër shumë popullor e gëzonte ai vetë (qysh në ditën e pagëzimit) dhe në shumë brezni disa nga të parët e familjes dhe të tjerët, më vonë, që do të vijnë në familjen time të re. Por, nuk ishte vetëm kjo arsyeja, që babai kishte dëshirë të shkonte rregullisht në konakun e Kishës.
Asokohe, kur unë isha ende fëmijë dhe fillova të rritëm në vitet në vijim, e kam ende të freskët në kujtesë, se shërbimet në Kishën (me një histori të lavdishme të Zllakuqanit), plot devocion dhe përvujtëri, i kryente meshtari me kombësi kroate (nga Bosnja) Patër Tomë Xhaja O.F.M. (1886-1955).
Si në një vegim drite e kam parasysh portretin e klerikut të Shën Françeskut, të veshur thjeshtë me zhgun dhe konopin karakterstik, sikurse të gjithë pjesëtarët e tjerë të Urdhërit më të vjetër, që ka vepruar në trojet tona (qysh nga shekulli XIII dhe deri më sot, shënimi im T.M.), kanë qenë pjesë e pandarë e grigjës dhe popullit arbëror-shqiptar, të cilit i shërbyen me përkushtim ndër shekuj.
Sandalet prej lëkure, me zhgunin (petkun e tyre), përvujtëria e përhershme, thjeshtësia dhe komunikimi i afërt me njërëzit, dituria e thellë dhe e gjerë, që vinte nga shkollat klasike dhe bashkëkohore të kohës, i bënë këto heronj shembullor të përvuajtur apo Misionar të Shën Françeskut, njerëzit më të dashur të popullit tonë (kryesisht malësive tona), ku, ato shërbyen, nën shembullin e përvujtërisë së vijueshme të Jezu Krishtit, Zot e Njeri, nën moton klasike shumëshekullore dje dhe sot: “Lutu dhe Puno”.
Patër Toma, ishte një misionar i përkushtuar, që gëzonte nderim dhe respekt të veçantë nga të gjithë grupmoshat në Kishë, ku, ai vepronte me dashuri e devocion dhe përtej saj, saqe shpesh vinin nga zona të tjera, për t’a dëgjuar në meshë dhe bashkëbiseduar me të, mbas procesionit fetar.
Ky bir i denjë i Shën Franceskut, kishte një trup mesatar, të shëndetshëm, buzagaz dhe shumë karizmatik nga natyra.
Duke qenë i qeshur e i sjellshëm deri në përvujtëri dhe modesti shembullore, ai ka bërë, që të admirohet nga shqiptarët padallim feje, krahinë dhe ideje.
Sipas historianëve të kohës sonë, thuhet me të drejtë me përshkrime, se ka qenë pikërisht kjo (modeli i një kroati të shqiptarizuar) një nga arsyet, që shumë shqiptarë të besimeve të tjera të mos e dinin me saktësi origjinën e tij etnike, sepse ai njihte dhe fliste shumë mirë gjuhën shqipe, traditat, zakonet, historinë e krahinës dhe më gjerë, duke qenë një arbëror i mirë e i dashur për të gjithë ne.
Gjithashtu, në konakun e Kishës, shërbente një kroate shumë e edukuar dhe përkushtuar Kishës, e cila quhej Anna. Të gjithë e donin, sepse ishte një motër nderi e respektuar. Ajo për një kohë të gjatë, ka shërbyer me devocion, në mirëmbajtjen e Kishës dhe qelës. Motër Anna, ishte një kuzhiniere shumë e mirë.
Patër Toma dhe gjellëbërsja motër Anna, mbanin gjithmonë ëmbëlsira në qelë, si: bakllavë, tollumba dhe ëmbëlsira të tjera, që i kishin blerë nga ëmbëltoret e famshme në qytetin e Pejës, për të qerasur të ftuarit dhe për më shumë fëmijët e prindërve, që vinin për t’a takuar meshtarin.
Pasi ngopesha, duke ngrënë gjellë të shijshme dhe në fund ëmbëlsira të mira, në odën e pritjes së mysafirëve të priftit, shpesh më zinte gjumi dhe në këllapi si një muzikë më vinin në veshë zërat e babait tim dhe Patër Tomës, tek bisedonin deri në orët e vona të natës, për tema të ndryshme të kohës.
Disa herë gjumin e natës, ma prishnin tik-taket e nallanave (sandale) prej drurit, që kishte veshur motër Anna, tek ecte me kujdes, për t’u sjellë kafe, verë dhe raki Patër Tomës dhe babait tim.
Gjatë rrugës për në shtëpi, në errësirën e natës, qentë e vështirë afroheshin pranë nesh. Babai, nuk përdorte shkop për t’i trembur, por u nxirrte atyre plisin e bardhë, që e kishte hequr nga koka dhe ato largoheshin mënjëherë.
Takimet e babait tim me fratin ishin të shpeshta dhe shumë herë qëndronim në konakun e Patër Tomës deri në orët e vona, ku këto shkëmbenin mendime dhe ide me fratin kroat të shqiptarizuar Patër Tomë Xhajën O.F.M.
Më kujtohet një natë, kur unë isha duke fjetur në krahët e babait tim. Nga dremitja, më zgjuan bisedat e para të panjohura, ku, në fakt më vonë mësova, se kishte qenë patrulla e policisë, të cilët e pyesnin babën, se ku kishte qenë në orët e vona të natës.
Babai, me qetësi u përgjigjet policëve, se sapo kishte mbyllur zyrën e punës. Atij i kishte ardhur keq të më zgjonte mua nga gjumi, që më kishte zënë në ato momente qetësie.
Të nesermën në mëngjez e pyes babain, se kush kishin qenë njerëzit, që flisnin në gjuhë të huaj dhe të ndalën në rrugë mbrëmë. Ato biri im ishin policët, mu përgjigj ai.
Im atë, ktheu kokën nga unë dhe m’u drejtua me shumë seriozitet, duke më thënë: “Biri im! Mos i trego askujt, se unë shkoj në Kishë dhe takohem me fratin. Nëse do të marrë vesht shteti, se unë jam një besimtar i devotshëm dhe mik i mirë i Patër Tomës, do të më burgosin…”
Edhe pse isha fëmijë, i thashë, se kurrë nuk do të flas me asnjë njeri për këtë gjë.
Kushdo e di se fëmja, ka një kujtesë të admirueshëm, sepse rikujton me detaje shumë gjëra të fëmijërisë dhe familjes së tij, por mbi të gjithë prindërit e dashur si nënën dhe babën.
Më kujtohet si sot, se nga ajo natë, babai në orët e vona të natës sëbashku me mua, herë në krah dhe herë më hidhte mbi shpinë, nuk binte më rrugës kryesore, por kalonte buzë lumit Drin ose nga Përroi i Ranavicës dhe buzë malit…
Shumë vonë e mësova, se këtë ndryshim udhëtimi të pazakonshëm babai e kishte bërë, që të mos takohej me policët, gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi nga konaku i Kishës.
Patër Toma, ka shërbyer si një misionar i përkushtuar për 27 vite me radhë (1927-1954). Edhe mua si fëmijë, më erdhi keq për largimin e françeskanit të përvuajtur Patër Tomë Xhaja O.F.M., që ishte një meshtarë shëmbullor e i palodhur në vreshtën e Zotit.
Unë e ndjeva mungesën e tij, sepse ai më donte shumë. Me dhimbje, mësova lajmin e hidhur të kalimit në jetën e amshuar, të Patër Tomë Xhajës O.F.M. në vitin 1955. Ai kishte ndërruar jetë, kur kishte dalë në pension, (në moshë të thyer), në katundin kroat Goricë.
Asnjëherë, nuk do të hiqet nga kujtesa e banorëve vendas të Zllakuqanit, përkushtimi i madh i tij ndaj popullit shqiptar, duke qenë një meshtar i dashur, ndonesë kishte lindur dhe rritur në Kroaci.
Frati e ndjente vetën gjithnjë si një arbëror dhe fliste me shumë respekt për popullin dhe traditat e mira shqiptare ndër shekuj. Për punën apo misionin e tij të frytshëm dhe bashkëpunimin me banorët vendas, flitej asokohe gjithnjë në odat e burrave në Lugun e Drinit…
Unë, në moshën madhore, në odat e kuvendeve të burrave, mësova mbi takimet e babait tim me Patër Tomën, të cilat, kishin patur rëndësi, për situatën dhe rrethanat politike të trazuara të kohës në Kosovë e më gjërë.
Më kujtohet sërisht një rast shumëdomethënës dhe tepër patriotik i fratit kroato-shqiptar.
Një ditë pranvere, babai im, ishte duke u treguar bashkëkombasve të tij, kur një njeri e pyeti: “Pse Patër Tomë Xhaja O.F.M. nuk e pranoj ndihmën financiare të serbit Ars Peroviqit, mbasi ai kishte shprehur vullnetarisht dëshirën, që të ndërtoi Kishën e re në Zllakuqan, me shpenzimet e veta!?”
Babai, u tha të pranishmëve këto fjalë: “Erdhi një ditë Tush Paloka, në zyrën time, tek Kumuna e Zllakuqanit dhe më tha, se baba Ukë, kërkon një takim me shpejtësi me ju, mbasi nuk premton koha, se çështja është shumë serioze dhe delikate. Pa e përfunduar Tushi fjalën, u ngrita e i thashë. Mos është sëmurë!? Jo më tha. U nisëm menjëherë me Tushin, për t’u takuar me Ukë Palokën në kullën e tij. Të gjithë e dijnë, se Uka ka qenë Kryetar i Komunës së Gurrakocit, në kohën kur babai im (Pren Nikollë Mrijaj) ishte Kryetar i Komunës në Zllakuqan dhe njëherazi mik i ngushtë i familjes.
Pa hezituar (mbasi ishte tepër i shqetësuar), duke njohur shumë mirë mentalitetin dhe dhelpërinë e serbit, me një frymë Uka më tregoi, se dje, kur isha duke udhëtuar me kalë në fushë, para derës së oborrit shoh serbin Ars Peroviqin, i cili, më thotë tekstualisht: “Palokë! Ndalu pak të pijmë nga një kafe. U ndala dhe në bisedë e sipër, bashkëbiseduesi më tha, se kam menduar të marrë përsipër ndërtimin e Kishës së re të Zllakuqanit, mbasi shkoj shumë kohë dhe e ndjej edhe unë si detyrim (si kryqali që jam) t’a ndihmoj ndërtimin e saj…
Uka e kuptoi hollë hilen apo “zemërgjërësinë” dhe prapaskenën djallëzore të serbit. Ai, me qetësi e durim burri të mençur, mbasi e dëgjon deri në fund planin “bamirës” të Arsit, me gjakftohtësi dhe zgjuarësi diplomacie, i thotë drejtpërdrejtë: “Shumë falëminderit Arso!”
Mirëpo, tregtari serb Peroviq, sërisht me një padurim, që e karakterizonte, vijon të këmbngulë në inisiativën e tij, duke shtuar, se: “Kam dëshirë, që frati i Kishës së Zllakuqanit Patër Tomë Xhaja, mbasi të mbaroi ndërtimi i Kishës së re, me shpenzimet e mia, të vendos në një pllakë të posaçme emërin tim: “Kjo Kishë, është ndërtuar me kontributin e Ars Peroviqit”. Arsi, ndër të tjera shton edhe arsyen e ndërtimit të objektit kishtar, për besimtarët e krishterë, se: “Kryqi ndihmon kryqin!”
Uka, i kishte thënë babait tim, që t’i thotë fratit: “Në asnjë mënyrë të mos pranojë ndihmen e Arsit, mbasi ai ka një qëllim të keq, me një prapavijë të rrezikshme për të ardhmen e Kishës autoktone dardane.”
Çështja ishte tepër serioze. Duhet gjetur një mënyrë, “që mishi të piqet e helli të mos digjet”, sikurse thotë populli, për të mos e zemëruar Arsin, i cili, mund të lajmëroi pushtetin serb, që sundonte asokohe në Kosovë. Ishte koha për të marrë një vendim të kujdeshëm dhe tepër të rendësishëm.
Trathtia serbe, mund të thotë një ditë, se kanë prova historike, mbasi objekti i kultit, i ndërtuar shumë vite më parë, është kishë ortodokse e ngritur mbi një truall serb dhe mbishkrimi në pllakën e saj me emërin e Ars Peroviqit, tregon se ndërtesa kishtare është ngritur nga një pjesëtar i popullit serb, për t’i shërbyer komunitetit të tij, por që shqiptarët e kanë marrë me forcë atë, duke e kthyer në kishë katolike.
Kjo situatë e rrezikshme, ishte një thikë me dy mpresa, ku, Arsi kërkonte t’a fuste me djallëzi Kishën dhe popullin autokton në Zllakuqan.
Babai, i shqetësuar shumë asokohe, u tha bashkëvendasve, se shkova menjëherë tek Patër Toma e i tregova me hollësi, për planin djallëzor të Arsit.
Të njëjtin mendim kishte edhe frati, duke iu bashkuar zërit të kundërshtimit me vendosmëri, por me durim dhe diplomaci, që çështja të zgjidhet me urti dhe largpamësi, pa fyer qëllimin “fisnik” të tregtarit serb Peroviqit.
Frati i zgjuar i thotë babës, dua që në takim me Arsin të jeni edhe ju Nikollë aty si një dëshmitar i historisë…
Nuk vonoi shumë dhe një ditë Arsi erdhi tek Kisha e Zllakuqanit. Frati, dërgoi në Komunë një njeri (korrierin), të njoftoi babain tim, që të shkoj sa më shpejt tek Kisha, për një punë me shumë rëndësi.
Babai im, kujton: “Frati e kishte pritur Arsin me bujari, sipas traditës shqiptare, ku, po bisedonin e pinin të ulur në tavolinë. Kur u afrova Arsi, mu drejtua edhe mua, duke më thënë: ‘Me vjen mirë, që erdhet edhe ju zoti Nikollë! Ka disa ditë, që mendoj për ndërtimin e Kishës tuaj, së cilës i shkoj shumë kohë pa u ndërtuar dhe si kryqali që jam, kam shprehur gatishmërinë, që me mundsitë e mia financiare t’a ndërtoj këtë kishë.’”
Por, Patër Tomë Xhaja O.F.M., mbasi e dëgjoi me shumë vëmendje dhe respekt propozimin e Arsit (kur ai mbaroi fjalën e tij), me urti burri dhe zgjuarësi kroati, ngriti gotën e rakisë dhe ua drejtoi miqve në tryezë, dhe me shikimin nga mysafiri serb, tha këto fjalë: “Shumë falëminderit, për bujarinë tuaj mik Arso! Ne po vuajmë tash sa kohë, për t’i bashkuar mjetet financiare, e falëminderit Zotit, se para disa muajve shteti austriak, na ka financuar për ndërtimin e Kishës. Si gjithmonë katolikët shqiptarë, kanë qënë nën përkujdesin e Perandorisë së Austro-Hungarisë. Edhe kësaj radhe, më pranë nesh me zemër dhe bujari kristiane, na dha ndihmë financiare Austro-Hungaria. Ne, po presim sa të përmirësohet koha dhe të gjithë sëbashku, me besimtarët e devotshëm do të fillojmë pa humbur kohë punën, për ndërtimin e Kishës së re.
Nga ana e tjetër, zoti Arso edhe ju u falënderojmë shumë. Do të ishte shumë mirë për banorët e Lugu të Drinit, nëse ju na ndihmoni bujarisht, për të ndihmuar disa familje të varfëra, që kanë shumë nevojë. E unë si udhëheqës shpirtëror i besimtarëve dhe Kishës, përveç falënderimeve do të lutem, që Zoti t’ua prijë mbarë ju dhe familjes.
Arsi, mbasi e dëgjoi, se kush do të ndihmoi ndërtimin e Kishës në Zllakuqan dhe kërkesën e fratit, për të ndihmuar familjet në nevojë, ai ngrihet në këmbë dhe largohet pa thënë asnjë fjalë.
Dështoi kështu plani serb, për të përvetsuar Kishën dhe historinë e saj autoktone, me rrënjë të thella iliro-dardane.”
Kujtimet për të kaluarën, nuk kanë të sosur. Ato burojnë natyrshëm, sapo nis të flas me shokë, të afërm dhe dashamirë, me telefon në vendlindje, apo në biseda të drejtpërdrejta me miq në New York e gjetkë, për ngjarje të ndryshme historike.
Një tjetër episod historik, më vjen nga kujtesa e ngjarjeve të jetuara në vendlindje.
Një ditë të bukur pranvere, vjen për vizitë një mik i hershëm në kullën tonë, i mirënjohuri asokohe Zef Paloka.
Nëna histori, tregon me prova dhe fakte, se Palokajt e Gurrakocit, gjithnjë janë shquar si familje e fortë, në rezistencën heroike dhe qëndresë stoike me armë në dorë, ndaj pushtimeve të huaja, ku, më sëshumti i janë kundërvënë me gjoks anmiqve shekullorë si atij otoman dhe sllav. Ata me vendosmëri, kanë ruajtur të paprekur asimilimin e fesë së krishterë dhe identitetin e pastër arbëror.
Gjatë bisedës, miku i porsa-ardhur i tha babait tim, se: “Ka shumë kohë, që nuk po vjen për vizitë në krahinën e Podgurit” (në katundin tonë Gurrakoc).
Im atë dhe Zef Paloka si bashkëmoshatarë dhe shokë të ngushtë (në kohën e Krajl Aleksandrit të ish-Jugosllavisë), kanë kryer shërbimin ushtarak në Beograd.
Gjyshja, menjëherë përgatitë darkën dhe e sjellë atë në sofër. Biseda midis dy shokëve të ngushtë, fillon dhe vijon shtruar, duke rrok çdo temë të ditës dhe ato që i shqetsojnin shqiptarët asokohe.
Në bisedë e sipër, Zefi, duke qenë shumë i shqetsuar, për ngjarjen që po rrëfente, i hedh një vështrim babait tim, që ishte i përqendruar tek tregimi i fjalëve të mikut dhe vijon: “Serbët, i kanë ndërtuar shumë bukur varrezat e komunitetit të tyre. Ato janë ndërtuar me estetikë, të rrethuar dhe stolisur me gur mermeri, të latuar me shumë kujdes. Çdo i ndjerë, ka banesën e tij të amshimit, me foto dhe me shkronja të kjarta, në pllakën kryesore.
Më vjen keq, i dashtun mik Nikollë, por na duhet të pranojmë se e kundërta, paraqitet gjendja e mjeruar e varrezave tona, që janë të vjetra dhe autoktone. Ne i fusim të gjithë ato që kalojnë në amshim në varreza kolektive. Varrezat, ku, prehën të parët dhe të afërmit tanë, janë të pasistemuara, pa planimetri, rrugë për kalimtarët, sikurse i ka komuniteti serb…
Por ajo, që më shqetson me tepër, është se pothuajse në çdo gur, në respekt të të vdekurve, serbët ardhacakë, kanë shkruar emrin, mbiemrin, datën e lindjes dhe të vdekjes, thua se ato kanë lindur në Kosovë. Unë e di shumë mirë edhe se kur kanë ardhur shumë prej pjesëtarëve të këtyre familjeve serbe, që sot prehen në këto varreza.
I dashtun mik Nikollë! E them me siguri të plotë, se gati 80% të të vdekurve dhe varrosurve këtu i mbaj mend qysh fëmijë, se kur kanë ardhur dhe ku kanë jetuar në zonat tona. Habitem, pse ato nuk e kanë shkruar në pllakën e njerëzve apo të afërmve të tyre, me saktësi se kur kanë ardhur dhe pothuajse të gjitha datat e tyre të ardhjes lëvizin nga 10 deri në 20 vjet përpara, thua se ato janë nga 100 apo 120 vjeç.”
Dy burrat, që po bashkëbisedonin deri në orët e vona të natës, i kishin kuptuar dhelpëritë e serbëve, që gjithçka e bënin me paramendim, për t’i shërbyer tezës së vjetër, se ato ‘janë autokton në tokat arbërore dhe jo ardhcak’, sikurse deshmojnë faktet kryeneçe të dokumenteve historike, që ruhen me kujdes në arkivat e Europës dhe ato shqiptare.
Babai, mbasi e dëgjoi me shumë vëmendje shqtësimin e drejtë të bashkëbiseduesit, i tha:
“Zef, është mirë që të vish sa më shpesh, sikurse baballarët tanë, kanë vizituar shpesh njeri-tjetrin, mbasi ne jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve pozitive dhe negative, që i ka përjetuar mbi trupin e vet Kosova dhe krahina e jonë. Rezistenca dhe mbijetesa, kundër çdo pushtuesi të huaj ndër shekuj, dhe ndihma e të madhit Zot, krahas disa shteteve mike, na kanë shpëtuar pa u shkrirë si komb.”
Në bisedë e sipër, me mikun e shtëpisë Zefin, babai, kujton një ngjarje shumë interesante, që ka ndodhur në ato vite të vështira në Kosovë.
Kështu ai rrëfen me dhimbje: “Isha në komunën e Burimit (Istogut), atë ditë kur ndodhi rasti, në ditën e tregut (pazarit), ku, kisha dalë për të blerë diçka për familje.
Atë ditë, u hap fjala, se disa burra të njohur shqiptarë kishin përdhunar gratë e serbëve, të cilat gjoja, po shkonin në tregun e madh dhe shumë të mirënjohur të ditës së enjte në qytezën e Burimit.
Ky ishte një kurth dhe provokim i hapur i serbëve, për të keqtrajtuar deri për vdekje burrat shqiptarë, për një krim, që se kishin menduar e jo më ta bënin, sikurse mashtruan serbët manjakë.
Atë ditë u alarmua vendi dhe menjëherë milicia serbe e mirëorganizuar (në këtë kurth të kurdisur) nga serbët, kishin arrestuar në shtëpitë e tyre burrat më të shquar të krahinës…
Mbas disa ditëve, në një bisedë, që kisha në zyrën time me Ruzha Rajçeviq, ra fjala për ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në tregun e madh.
Ajo u tregua shumë e sinçertë me mua dhe pohoj fjalët:
“Nikollë! Unë kam besim të plotë në ty. Nese ju, se mbani fjalën, për çfarë do të tregoi tani, na shkon koka që të dyve. Atë turp, që t’i ke dëgjuar, se demek e paskan bërë shqiptarët, në të vërtetë nuk është ashtu. Atë e kanë bërë bashkëkombasit e mi serb. Turpin në fjalë e kanë bërë burrat e shkinave, të cilët, janë veshur me rroba tradicionale shqiptare dhe kanë dalë në mes të rrugës e i kanë “përdhunuar” me qef gratë e tyre.
Kjo ngjarje, është përgatitur me hollësi deri në detajet më të imëta, sëbashku me milicinë në zyrat e tyre. Në gjithë atë krim të kurdisur, nuk ndërhyri askush, sepse milicia ishte bashkëfajtore në këtë turp të zakonshëm, për palën serbe.
Më vjen shumë keq, për ata burra të ndërshëm shqiptar, që u munduan t’i përlyenin në një turp, që se kishin berë kurrë, duke i stërmunduar në dajak papushim për një kohë të gjatë dhe disa prej tyre vdiqën… ”
Pas largimit të Pader Tomës në Kishën e Zllakuqanit, në vitin 1954, erdhi për t’a zevendësuar meshtari Dom Pjetër Berisha (1912-). Ai ishte me një shtat të gjatë, i pashëm, fjalëurtë, i kujdeshëm në veshmbathje, i qetë, për nga natyra dhe shumë serioz, në detyrën si bari shpirtëror pranë grigjës së vet, që e donte dhe respektone shumë.
Sikurse Pader Toma, vite më vonë mësova, se ky meshtar i përkushtuar për Fe, Atdhe dhe Përparim, për qendrimet e tij nacionaliste kundërserbe, kishte kaluar disa vite të privimit të lirisë civile dhe fetare, duke vuajtur me dinjitet shqiptari në burgjet e tmerrshme të ish Jugosllavisë.
Si gjithnjë im atë vijoi traditën e familjes tonë, duke ruajtur të pashkëputur lidhjet miqësore me meshtarët, që kanë shërbyer me përkushtim shembullor, në kishat katolike të zonës tonë.
Im atë, takohej me meshtarët në qelet e tyre në orët e vona të natës, pa rënë në sy të bashkëvendasve dhe spiunëve, që informonin milicinë serbe, për çdo veprim të tij dhe bashkëfshatarëve të tjerë, që ruanin lidhjet e ngushta më klerin katolik asokohe.
Meqenëse babai ishte funksionar i lartë në pushtetin lokal, ai nuk duhej të shkonte në Kishë, sepse feja nuk shikohej me sy të mirë nga sistemi komunist jugosllav. Po nga ana e tjetër, im atë asnjëherë se harroi traditën e katragjyshit, gjyshit dhe babait të tij të dashur.
Ai ishte një besimtar i devotshëm (kujtoi se fëmijët e pagëzuar në Kishë, kanë emra të njohur, si: Pren, Tomë, Marie, etj.) i dhimbshëm, bujar, duke ndihmuar me sa kishte mundësi Kishën dhe meshtarët, me ndihma materiale dhe financiare, për të mbijetuar ndaj rrëbeshit të egër sllavo-komunist.
Nikolla, u largua nga kjo jetë plot histori të trazuar, duke parë më në fund lirinë e ëndërruar prej kohësh nga të parët e tij.
Viti 1999, ka hyrë në historinë e popullit kreshnik të Kosovës, si data e lirisë së shqipes në vendin e shqiponjave.
Ai vdiq i qetë, se fëmijët, nipat dhe mbesat e tij, tashmë do të flasin e shkruajnë gjuhën shqipe (ndonëse një pjesë jeton dhe punon në SHBA dhe Evropë, shënimi im T.M.), se serbët, nuk do t’i qendrojnë më mbi krye si çekan. Ata, doket dhe zakonet e të parëve, do t’i ruajnë dhe pasurojnë jo në mënyrë të fshehur, por hapur dhe do të mburren se janë vijues të të parëve të tyre dardanë…