Shkrihet Spitali Ushtarak. Traumatologjia shkon tek Nënë Tereza, Ushtaraku në Zallher, pastrohet territori për spitalin privat

0
37

TemA Online, 15 Tetor 2012

Spitali Ushtarak pas 55 vitesh do të shkrihet për t’i liruar mjediset në favor të një spitali privat që gjendet pranë tij. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka përgatitur procedurën për të transferuar qendrën e traumatologjisë pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ndërsa Spitalin Ushtarak si institucion do ta zhvendosin në Zallher. ku mund të shërbejë sipas Ministrisë së Mbrojtjes për ushtarakët.

Spitali Ushtarak ka sot aktualisht në pronësi të vet një sipërfaqe 77.405 m2, me një kapacitet prej 230 shtretër dhe personel mjekësor e ndihmës prej 420 vetë, nga te cilët 124 mjekë dhe 296 infermiere, farmaciste, dentiste dhe personel ndihmës.

Transferimi i shërbimit të Traumatologjisë nga Spitali Ushtarak

Qendra Kombëtare e Traumatologjisë, që funksion pranë këtij spitali, sipas projektit të paraqitur nga Imami, do të transferohet pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” me arsyetimin se ajo është kthyer në një institucion të rëndësishëm të mjekësisë civile dhe duhet të ndahet nga Spitali Ushtarak.

Kjo qendër në fakt është e gjithë ajo që quhet Spitali Ushtarak. Me largimin e saj nga Spitali Ushtarak, ai boshatiset tërësisht dhe kthehet në një objekt i gatshëm për tu marrë në koncesion nga spitali privat, që është ngjitur me të. Argumentet që kanë paraqitur për ndarjen e Traumatologjisë janë të dobëta dhe të sajuara. Ato kanë të bëjnë me mungesën e fondeve, me paparashikueshmërinë e traumave, me problemet sociale dhe të sigurimit shëndetësor, me kontributin e buxhetit të shtetit dhe arsye të reformimit të brendshëm të skemës së shërbimit shëndetësor.

Shihet qartë se të gjitha arsyet janë të sajuara dhe kanë si prapavijë vetëm largimin e Traumatologjisë nga Spitali Ushtarak.

Ja rekomandimet për Qendrën Traumatologjike

1. Të përcaktohen qartë politikat shëndetësore të Politraumes, duke kaluar varësia administrative nga Ministria e Mbrojtjes në atë të Ministrisë së Shëndetësisë.

2. Politikat shëndetësore të Ministrisë se Mbrojtjes duhet të përqendrohen në rekomandimet e Brukselit (NATO) për rolin 2 dhe 3 të sigurimit shëndetësor të FA dhe detyrimeve si vend anëtar i NATO-s.

3. Personeli mjekësor i SUQU-se (i strukturës aktuale) të atashohet dhe të japë kontributin e eksperiencës së vet 20 vjeçare për menaxhimin e Politraumes, fenomen ky sa mjekësor, social, dhe aq i përafërt me kushtet e luftës dhe misionin e mjekësisë ushtarake në FA. Kjo realizohet me memorandum te përbashkët nderdikasterial.

4. Struktura shëndetësore e politraumes mendojmë se duhet të jetë e përfaqësuar me organizimin më të lartë edhe si qendër universitare për vështirësitë e menaxhimit financiar, administrativ, protokollet pedagogjike dhe standardet e përcaktuara nga OBSH.

5. Politikat shëndetësore të Politraumës të zgjidhen edhe në përputhje të plotë me projektin e organizimit të ndihmës mjekësore në vendngjarje sipas studimit për këtë qellim nga OBSH.

Dyshimet e besueshme

Një pjesë e madhe e Spitalit Ushtarak, sidomos territori i tij është sot nën administrimin e një spitali privat, i lidhur ngushtë me zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshi dhe njerëz të afërt të kryeministrit. Përpjekja për të larguar Traumatologjinë nga Spitali Ushtarak, e cila në fakt është veprimtaria thuajse e vetme e atij spitali, është një pastrim fushe për spitalin privat dhe një veprim tërësisht klientelist i Imamit në favor të ministres reale të Shëndetësisë në Shqipëri, Liri Berisha.