Statuti me 10 cilësitë për të qënë poet i vërtetë

0
61

Arjan Th. Kallço

Tek shfletoja gazetat on line, më kapi syri këtë titull dhe më ngjalli kureshtje të madhe, pasi mendova se ishin rregulla që i kishin studiuar dhe sondazhuar në dashamirës të letërsisë. Por nuk ishte e vërtetë, pasi ishin shkruar nëpër ditarët e dashamirësve të letërsisë në internet. Natyrisht kjo do parë si një shaka apo humor në këto ditë para festave të fundvitit, por që po t’i shohën dhe lexosh me vëmendje, historia e letërsisë, qoftë dhe letërsia jonë, kanë plot raste që e bëjnë mëse të vërtetë këtë lloj statuti të poetit. Më duket se ndikimi i numërit dhjetë nuk i shpëton edhe poetëve.

Do të ishte me interes që shembujt të merreshin edhe nga letërsia jonë dhe të shohim më pas sesa këto ligjësi i bashkojnë poetët në botë. Mund të shkojmë edhe më tej duke e diskutuar mes nesh dhe më pas ta quajmë dekalogu i një poeti të vërtetë, statuti i të gjithë njerëzve që i bashkon ideali i madh i jetës, i poetëve. Shembujt janë marrë nga Letërsia italiane dhe uroj që t’i njihni këta poetë që të kuptoni me shembuj konkretë thellësinë e cilësivë të poetit. Besoj se janë cilësi që nuk mund t’i marrësh të mirëqëna, por mbi bazën e tyre qëndron dhe duhet parë si factor kryesor përvoja e gjatë botërore apo kombëtare në këtë rast e letrësisë italiane.

1. Poeti duhet të ketë pësuar një dramë ose diçka të tillë, p.sh Paskoli brenda dy vjetësh humbi nënën dhe babën.
2. Poeti duhet të shohë në gjithçka, diçka të shëmtuar. P.sh Paskoli këngën e mrekullueshme të bilbilit e krahason me një këngë mortore.
3. Poeti ia del mbanë që ta bëjë një poezi, në dukje e lumtur, të trishtë dhe makabre. Një poezi dedikuar nënës, ilustron parashikimin se çfarë do t’i ndodhë poetit pas vdekjes dhe nëna e tij lutet para zotit.
4. Poeti duhet të ndjejë dhe të provojë të pamundurën. Të ndiesh aromën e luleshtrydhjeve tek jansemini.
5. Poeti duhet të jetë pesimist. A nuk janë të tillë shumica?
6. Poeti arrin të dallojë në çdo gjë pak shëmti. Leopardi e shikon të shtunën si ditën më të bukur, por më pas e konsideron të keqe, pasi parandjek të dielën dhe më pas dita e hënë që të shoqëron në punë.
7. Poeti duhet të jetë gjithmonë kundër të gjithëve. Leopardi kur të gjithë argëtohen, bredh i vetëm në fshat. Të njëjtën gjë bën edhe Petrarka, por në fushat e shkreta që të mos e shohin, sepse është i dashuruar.
8. Poetët nuk janë të lidhur me askënd ose të paktën do të ndodhë diçka që ta ndajë edhe nga njeriu që vërtet e do. Leopardi vdiq në moshë fare të re prej tuberkulozit.
9. Poeti duhet të mendojë gjithmonë dhe vetëm për vdekjen.
10. Nëse je poet e vë re që në fillim. Poetëve iu pëlqen studimi.