Greva e vdekjes dhe udhëkryqi i moralit tonë

0
48

Agron TUFA, 14.10.2012

1. “Agron nja dy fjalë për këta grevistët që po vetëdigjen?? kshu kot sa për të na sqaruar edhe ne që nuk kuptojmë gjë. Lirak”. Ky ka qenë një mezash-koment, që më drejtohej personalisht në fund të një shkrimit tim këto ditë, kur greva e 15-20 të ngujuarve, ish të burgosur politikë, kishte shënuar edhe episodin e dytë të tentativës për vetëdjegie. Nuk besoj se nënshkrimi “Lirak” nënkupton të “vetëdjegurin e dytë”, Lirak Bejkon, sepse, siç dihet, në gjendjen e njeriut të dëmtuar që ndodhet në kushtet e mjekimit, askush nuk ia ka ngenë të mendojë se çfarë mendon akcili njeri apo akcili zyrtar për gjestin e tij publik, aq më tepër t`i shkruajë me ironi dhe aq më tepër mua konkretisht.

Thjesht anonimi ka parapëlqyer të shkaktojë “efekt”, duke nënshkruar me emrin “Lirak”, që të aludojë direkt një situatë kontekstuale, e cila, e përkthyer në një gjuhë më të kapshme, apelon kështu: “Shihni çfarë amoralizmi: ndërsa ish të përndjekurit flijohen e digjen për drejtësi dhe dinjitet në mes të Tiranës, shumëkush si ti, jeni mbështjellë me heshtje të turpshme, shkruani për lloj-lloj temash dhe keni frikë të thoni “dy fjalë” për ata që “vetëdigjen”.

Nuk është vetëm ky mesazh me nënshkrime anonime, që kam marrë në forma të ndryshme: janë disa “lirakë” që ëndërrojnë të fshehur pas emrave, që dikush të kallet në “flakë” dhe ata të ngrohen në këtë spektakël. Dhe sigurisht, “dy fjalë” dhe unë do t`i them këtu, jo se dikush, hapur apo fshehur, ndikon bindshëm që unë të flas, por sepse në thelb, gjithë këto ditë të grevës, si shumë qytetarë të ndjeshëm, pavarësisht bindjeve të tyre, jam i përfshirë edhe unë në këtë situatë të sikletshme, me shumë enigma e pikëpyetje.

2. Reagimi publik i çdo njeriu në lidhje me aktet publike, përfshi dhe grevën që vijon, bëhet në përputhje me bindjen dhe botëkuptimin e tij. Botëkuptimi im kulturor, moral e religjioz nuk e pranon idenë e vetëvrasjes dhe çdo formë të saj. Kam formuar bindjen se “çdo gjëje në këtë botë i gjendet ilaçi, përveç derës së vdekjes, e cila, pasi mbyllet, i përjashton përfundimisht të gjitha ndërhyrjet”. Nga pikëpamja religjioze u bashkohem të gjitha atyre doktrinave që e quajnë vetëvrasjen mëkatin më të madh ndaj Krijuesit, sikundër nënkupton akti i shkatërrimit të “kunorës së Krijimit”.

3. Ka dhe një vështirësi tjetër në “prononcimin” tim për grevën e urisë së tashme. Grevën e urisë si mjet proteste të vetëflijimit politik e ka përdorur për herë të parë në burgun e Burrelit Xhevat Korça në vitin 1949, i cili kërkoi, deri në shuarje të plotë, drejtësi nga regjimi komunist. Ky burrë shteti e patriot, nuk ktheu nga rruga e tij e sakrifikimit as me ndërhyrjen e Pater Pjetër Mëshkallës dhe Gjergj Kokoshit, derisa u vetëfik për një kauzë të mprehtë, siç ka qenë në të gjitha kohërat nevoja e njeriut për drejtësi. Me sa di unë, nuk ka pasur vetëflijim tjetër në burgjet komuniste pas këtij rasti.

Pas rënies së komunizmit, grevat e urisë së ish të përndjekurve janë bërë në forma individuale e në grupe, por për fat të trishtuar, në vend që të ndihmonin kauzën e tyre gjithnjë të drejtë, kanë përfunduar, përveçse pa vetëflijime, edhe me dëmtimin serioz të unitetit që duhet të kishte kjo klasë. Mandej me përçarjen dhe skizmën e pandalshme që ndodhi më vonë, ky front i madh që përbën, përveç shumicës dërrmuese të votave të së djathtës, edhe simbolin e dinjitetit tonë njerëzor e kombëtar, u përça, siç e dimë, pikë e pesë nga diversioni i partive të mëdha politike, siç vazhdon, pa dyshim, edhe sot e gjithë ditën.

Ja një ngjarje e thjeshtë. Një ditë pranvere të këtij viti, më njoftuan se në korridorin e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është shtrirë një ish i përndjekur (një prej grevistëve të tashëm). U mundova t`i shpjegoj se të drejtën për grevë mund ta zhvendoste, së paku në oborr, por jo në ambiente pune. Ishte e kotë. Përkundrazi, ai më tha, se “së shpejti këtu do të mblidhen edhe të tjerët, që ndodhen tek Lulishte 1 Maji”. E pashë vetë që kjo mund të ndodhte. Një punëtore pastrimi, që punonte edhe në disa lokale përballë Institutit, më tha: “Sapo kthehem nga lokali përballë, nga doli ky që është shtrirë këtu. Pak më parë ishte i ulur në një tavolinë me deputetin Saimir Tahiri dhe Kurt Kolën.

Kanë dhe një tjetër si punë korrieri që vate-vjen nga lulishtja ku janë mbledhur disa të tjerë dhe çon e sjell lajme. Po deshe, ik e shihe, në s`beson”. Shkova, pashë, kuptova: në tavolinë ishin, siç më tha pastruesja. U trishtova shumë nga kjo kurdisje alla-kioskë. Ktheva dhe i thashë grevistit të shtrirë: “Nuk do të bëj asnjë përpjekje të të nxjerr apo të të mbush mendjen të dalësh, por, po deshe, shko dhe lajmëroji dy zotërinjtë me të cilët para 10 minutash ishe në tavolinë. Thuaju se që nga hyrja në lokal, përfshi dhe bisedat që bëtë, janë të gjitha të filmuara.

Do jemi të detyruar t`i japim për transmetim, meqë do të na pezulloni aktivitetin në ambiente pune. Nuk paragjykojmë grevën, por nxitjen, mënyrën dhe motivimin përtej jush”. “Nuk është e vërtetë”, – reagoi ashpër grevisti. “Ju kanë shpifur spiunat!”. “Dakord, ta shohim, por do të jetë vonë kur të transmetohet”, – thashë dhe hyra brenda. Pas pesë minutash më thanë se “grevisti” qe larguar. Nuk erdhi më askush. Dua që këtë episod t`ia kujtoj po atij “grevistit” të tashëm, me kokë të lidhur me rrip.

4. Tingëllon e çuditshme “vetëdjegia” e grevistëve për kërkesa ekonomike, pa u përpjekur të arrijnë një besatim të përgjithshëm mesvedit, me shtresën aq të gjerë që duhet të përfaqësonin, por që mjerisht as nuk e përfaqësojnë, e as nuk po përkrahen. Sepse, që të mbronin një kauzë të të gjithë shtresës dhe me besatimin e të gjithëve, duhet ta përfaqësonin atë më së miri, jo si aventurë provokuese e shantazhuese me frymëzim të dyshimtë e sidomos me kalkulime të kontekstit politik. Prandaj nuk mund të ndalohet kurrsesi dhe e drejta për interpretim konjuktural politik me përkimin e këtyre “vetëdjegieve” deri dy orë para nënshkrimit në Bruksel të Marrëveshjes për kandidimin e Shqipërisë në BE. Kauza e klasës së të përndjekurve politikë duhet të mbetet e pastër nga çdo njollë e dyshim, sepse përndryshe ajo rrezikon të instalojë mbi krejt shtresën e gjerë viktimizimin e dyfishtë: kësaj here, imazhin e përdorimit politik të të interesuarve në një krizë kauze përpara zgjedhjeve.

5. Përse vallë shtresa e të përndjekurve politikë, qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë nuk e mbështetën grevën e një grupi, edhe pas tentativave të tyre të “vetëflijimit”? Përse nuk e beson këtë as im atë dhe ish të persekutuarit e tjerë të familjes sime, miqtë e shumtë dhe figura të tjera të njohura, nga ish të dënuar të thjeshtë deri tek figura të rëndësishme publike, që përjetuan represionin komunist? Çfarë i pengon ata, që kanë treguar në mos më shumë kurajë gjatë Kalvarit, së paku aq sa “grevistët” e tashëm, t`u bashkohen atyre, t`u japin peshë, kredo, kauzë dhe të përmbysin rrënjësisht kulturën e talljes, që dy partitë e mëdha politike, kush më shumë e kush më pak, kanë ushtruar mbi vuajtjet e tyre? Mos kanë vuajtur më pak? Mos e kanë më të pakët kurajon?

Mos nuk janë aq sa duhet burra? Mos janë më pak të qartë e të ndjeshëm? Mos janë më shumë të indoktrinuar nga demagogjia? Mos u është trashur nervi qytetar nga privilegjet? Mos janë më pak largpamës? Po qytetarët e tjerë? Sepse nuk duhet të jesh me doemos i persekutuar për të ndjerë tërë dramën e luajtur gjithë këto vite në kurriz të tyre nga klasa politike postkomuniste! Mua nuk më del kështu. Tash për tash po dëgjojmë ta ngrenë zërin vetëm deputetët e opozitës, madje pikërisht ata zëra, të cilët përgjatë gjithë këtyre dy dekadave kanë shpallur me histeri nga foltorja, në gazeta e në studio, se “qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë borxh të paguajnë një faturë të rëndë për krimet e një kohe dhe të një sistemi tjetër”. Kush të dojë i gjen këto prononcime publike edhe tani, thjesht, konfrontojini me panegjirikët e sotëm në përkrahje të po asaj çështjeje, të cilën, përpos se kurrë nuk e kanë votuar, e kanë anatemuar me të gjitha mënyrat. Kur hipokrizia përbën vertebrën e demagogjisë, mendoj se ndjeshmëria jonë duhet të përzgjedhë ballafaqimin dhe jo kujtesën e peshkut.

6. Mendoj dhe kam krijuar nga përvoja një bindje të thellë e të trishtuar (siç është dhe realiteti i dhjetëra mijëra ish të persekutuarve që i mbijetuan diktaturës), se për ta mjedisi ynë shoqëror, shteti me institucionet e tij, politika postkomuniste, jo vetëm nuk arriti ta integronte këtë shtresë, por me indiferencën dhe arrogancën e saj i ka lënë gjysmake aksionet, i është shmangur detyrimeve elementare, në radhë të parë morale, mandej ekonomike. Nëse përmendim qeverinë e parë të PD-së, kur në politikën e drejtpërdrejtë dhe në qeverisje gjendej një konstelacion relativisht i fuqishëm i përfaqësuesve të të persekutuarve, nëse për disa prej çështjeve të tyre të rehabilitimit pati një strategji dhe dukej, se me kalimin e kohës gjërat po shkonin në rrugë të mbarë, atëherë pas riardhjes së të djathtës në pushtet më 2005, e mandej prapë më 2009 (të mos harrojmë, me votat dërrmuese të kësaj shtrese), pamja ndryshoi: në falangën e djathtë nuk u pa më asnjë për be nga kjo shtresë që u dha votat.

Dhe mospërfaqësimi i tyre në parlament, në komisionet parlamentare, në administratën publike, pikërisht aty ku merren vendimet për interesat e kësaj shtrese, ka krijuar pakënaqësi të mëdha, mosbesim e dyshime në sinqeritetin e të djathtës, deri në një tëhuajësim e pështjellim të këtij elektorati, të cilit, siç po e shohim, po i turren turma demagogësh politikë për të përftuar sa më shumë me premtime të bujshme, për t`i tërhequr mandej ata drejt një zhgënjimi të ri. Çështja e ish të persekutuarve është banalizuar, duke e reduktuar atë vetëm në një plan pazari matrapazësh: lekë, lekë, lekë! Sado të rëndësishme qofshin lekët, unë nuk mendoj se ky është kryeproblemi.

Sepse koha e kaluar e persekutimit të tyre dhe ajo që kalon në “lirinë” që u kemi servirur është e mbushur me fyerje esenciale: vërtet ata ndonjëherë shenjohen në përkujtimore të ndryshme me simbole të “nderit qytetar”, por sa vlerë ka ky “nder” kur më përpara u është dhënë persekutorëve të tyre? Vërtet u lidhet njëfarë pensioni i vakët, por çfarë ngushëllimi përbën kjo përballë pensioneve të majme të ish-persekutorëve të tyre, me aranit çelat e pafund? Vërtet ndërmerren gjithë përtesë e zvarritje ligje për “dëmshpërblimin” e tyre, por çfarë peshe ngre kjo përballë pasurimit të shfrenuar të ish-sekretarëve të partisë apo ish-oficerëve të Sigurimit dhe organikave të dhunës së ish-burgjeve apo personelit të Degës së Punëve të Brendshme?

Ende sot, shumica e kësaj shtrese nuk janë të aftë të blejnë një banesë. Ende sot në metastazat e ish-kampeve të internimit nëpër fshatrat e Shqipërisë, ata dhe pasardhësit e tyre kanë mbetur në kohën zero, nëpër kolibe e kasolle gjysmë me kallama e gjysmë me tulla si peng i përzishëm i një kohe që nuk i lëshon. Ende sot rriten breza fëmijësh skamnorë në këto vrima të zeza provincash të atdheut. Kush është kujtuar për ta ndonjëherë? Shtypi dhe biznesi i tij nuk i honeps, sepse janë jashtë kohe, jashtë interesi, jashtë konjukturave. Narrativa e tyre nuk dëgjohet dhe ata duhet të vdesin bars me kujtimet e tyre brengosëse, sepse valvolat e kujtesës së bëmave komuniste shkarkohen e përmbytin bujarisht gazetat e studiot tona, duke na e paraqitur këtë kujtesë të turpshme si bëma heroike, epos, epope.

“Damka e turpit” të tyre vazhdon të kujtohet, siç ka qenë në komunizëm në tekstet shkollore, dhe ata janë të detyruar të bredhin rrugëve e shesheve që mbajnë emrat e vrasësve të baballarëve e gjyshërve të tyre, të shkojnë në shkolla e institucione që mbajnë po këta emra vrasësish dhe në darkë, në ekran vazhdon nostalgjia me mitet e po këtyre vrasësve në metrazhe pafund filmash socrealistë. Punën e tyre e kemi përvetësuar. Ata nuk kanë pjesë në atdheun tonë. Atdheun e kemi ndarë, kujt tokë, kujt pallate, kujt ish-fabrika e uzina, kujt kazerma e reparte ushtarake, kujt miniera e kujt tjetër riviera bregdetare. Ata nuk meritojnë hise e pjesë, megjithëse hektarë sa të ha syri janë përftuar prej moçalishtesh me djersën, gjakun dhe kockat e tyre; megjithëse minierat, aeroportet, kanalet, uzinat e oxhaqet, qytete të tëra e blloqe masive banesazh janë ngritur me thonjtë e tyre nën kërbaçin e atyre që tash i kanë privatizuar.

Ata nuk kanë lekë t`i çojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla e universitete të mira brenda vendit, sepse u kërkohen nëpërmjet sekretarëve mijëra euro, bash prej atyre ish-persekutorëve që fëmijët i shkollojnë nëpër kolegjet dhe universitetet më të kushtueshme të Europës dhe Amerikës. Ata janë përjashtuar të kenë pjesë në këtë atdhe të shpërfytyruar, për të cilin u flijuan dje dhe po flijohen sot me zhelet e varfërisë. Ata duhen përkëdhelur dhe u duhet premtuar me një gjuhë të ngjashme, si ëndrrat e tyre, vetëm për aq kohë, sa zgjat fushata elektorale e radhës. Mandej mund ta përdorësh cinizmin sa e si të duash. Nuk ka drejtësi, nuk ka ndjeshmëri, nuk ka ndershmëri! Ata përzihen prej pune! Pa motiv.

Me pretekste reformash, reduktimesh, krizash, për t`u zëvendësuar me bij ish-komunistësh, siç ndodhi me tetë drejtues prej tyre qershorin e këtij viti. Ajme! Kjo përditshmëri nuk i ngjan aspak çmimit të flijimit të tyre. Ngushëllohuni, u thonë, me “fjalën e lirë” që ua dha demokracia! Jo fjalën e lirë, por fjalën e zhvleftësuar u kemi lënë në dorë. Sigurisht, jo për t`iu drejtuar kujt, por për monolog, të gjatë, të errët, mllefosës, sidomos kur ndeshin në rrugë ish-xhelatin me kollare, kur hyjnë dhe gjejnë në zyra noterie e avokatie ish-hetuesët, ish-prokurorët, ish-gjyqtarët e tyre. Ne i kemi përjashtuar me apo pavetëdije, duke i ndarë me mure të errëta e të tejdukshme, me mure që nuk u ngritën sot e menjëherë, por ngadalshëm, nga pak e përditë dhe që vazhdojnë të lartohen edhe sot, duke përsosur pakthyeshëm Moskuptimin tonë.

7. Pavarësisht se si është greva e sotme e ish të përndjekurve – përfaqësuese apo jo, shantazhuese, konjukturale, e përdorur, dramë apo farsë, show me regjizorë e suflerë prapa kunitave apo “teatër mizorie” dhe pavarësisht se në të shumica dërrmuese e kësaj shtrese refuzon të luajë, ne të gjithë nuk mund të abstragojmë dot nga roli që kemi secili, kush më shumë e kush më pak. Pavarësisht të gjithave pra (përfshi këtu edhe paqartësinë time subjektive), ne nuk i shmangemi dot asnjëri kompleksit të thellë të fajësisë përballë tyre, e sidomos, përtej tyre. Ekziston një çështje e madhe e pazgjidhur në mes, që fillon me politikën, shtetin dhe institucionet e tij, shoqërinë dhe institucionet e saj dhe kjo çështje është drejtësia që nuk u vendos për këtë klasë.

Sepse edhe pas rënies së komunizmit, deklasimi (de-klasimi – përjashtimi nga klasa sunduese) i tyre u ruajt dhe u mbajt në ato diferenca siç ka qenë më parë, në shumëçka e ngjashme nga po ajo mendësi e praktikë, në thelb, e trashëguar nga komunizmi. Borxhi, së paku moral ndaj tyre parakuptonte, më së pari, t`u pastrohej zhuli shpifës i propagandës totalitare dhe ligjeve të shtetit komunist që i dënoi, t`u bëhej me dije qytetarëve shqiptarë dhe brezave çfarë dhe si ka ngjarë në të vërtetë me njeriun, me jetën e njeriut prej se i hodhën prangat midis familjes, punës, shoqërisë, derisa e kthyen të thyer e të tmerruar me fantazmat e qelive dhe kampeve; t`u bëhej e mundur familjeve të tyre gjetja e eshtrave të të vrarëve, vendet e pushkatimit; të përkujtoheshin emrat e tyre në forma qoftë edhe të thjeshta të kujtesës kolektive; të hapeshin dosjet e spiunëve, dëshmitarëve dhe sidomos, rekrutuesve të tyre dhe, natyrisht, t`u bëhej pak vend në përditshmërinë tonë, që ta hidhnin dhe ata hapin me ne, me të njëjtin ritëm, me të njëjtin qëllim, me të njëjtën aspiratë për të nesërmen e atdheut të përbashkët. Të bëhej pra, diç e tillë, e përafërt, me atë që kanë bërë ndaj kësaj shtrese shoqëritë ish-komuniste të Europës Qendrore e Lindore.

Pavarësisht gjykimeve e paragjykimeve të grevës së tashme të një grupi individësh (brenda të cilëve, nuk e vë në dyshim, ka njerëz që përfaqësojnë pastërtisht Çështjen, që në vetvete qëndron), duhet ndërhyrë. Instrumentet e një shteti modern e demokratik, Parlamenti, Presidenti, Kryeministri, politikanë e intelektualë duhet të gjejnë një formë dialogu e ndërmjetësimi, para se dyert e kësaj mundësie, vullnetshëm apo pavullnetshëm, qoftë dhe njërit prej tyre, t`i mbyllë vdekja. Sepse vdekja ka tjetër peshë dhe hija e saj është e paparashikueshme. E pazotërueshme.