Pishtarë të vërtetë të demokracisë

0
48

Nga Artan Xh. Duka, 13 Tetor 2012

Grevistët e urisë janë vërtet pishtarë të demokracisë tek digjen në heshtjen e tyre solemne për të dhënë pak dritë një shoqërie që e gjendur kaq gjatë në tunelin e errët të tranzicionit poshtërues, ndruhet ende të hapë sytë. Me ta ndjehemi të gjithë krenar, njëkohësisht dhe bosh, teksa martirizimi i tyre është dëshmi tronditëse e mëkatit tonë të pafuqisë qytetare.

Këtu nuk bëhet fjalë për mirëqenien dhe dinjitetin e individëve të caktuar por për mirëqenien dhe dinjitetin e secilit prej nesh. Nëse i braktisim ata, kemi braktisur vetveten duke lejuar kësisoj vjedhjen e të ardhmes së fëmijëve tanë. Mes llokoçitjes pafund në llucën e kompromisit me heshtjen për pak mbijetesë për sot e nesër dhe rikthimit të dinjitetit dhe koshiencës qytetare për të gjithë dhe përgjithmonë, nuk duhet të ketë dilemë. Kjo grevë, sikurse Gërdeci, 1997, vjedhja e votës, 21 janari apo pazari me detin Jon, shkund një shoqëri nga themelet dhe nuk mundet të abstenojë kërrkush.

Nëse fajin e ka politika, fajin e kemi ne!

Ai vend tek Komuna e Parisit, që ditën e parë të grevës duhet të ishte i vogël. Jo për grevistët por për mijërat dhe qindra-mijërat e qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile që duhet tashmë të gëlonin atje duke mos pritur kushtrimet nga lart për solidaritet. Një mizëri njerëzish që e do bënin rrethimin policor të pavlerë dhe do i jepte dinjitet të gjithëve në këtë 100 vjetor të pavarësisë të një shteti të qytetarëve. Një solidaritet paqësor dhe civil larg çdo eksesi por i patundur në mbrojtjen e dinjitetit të atyre që janë atje por jo vetëm sepse drama e denigrimi në këtë vend sot nuk kursen më askënd.

Dy dekada postmonizëm dhe në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, është e pajustifikueshme për një shoqëri me aspirata perëndimore të mbetet nën ‘narkozën’ e abuzimit të pushtetit. Ajo duhet të kishte dalë prej kohësh dhe kjo grevë martire nuk duhet të jetë një zë në shkretëtirë. Përtej dasive të së shkuarës dhe të sotmes, duhet të bashkojë revolta për dinjitetin e qytetarit dhe respekti, qoftë dhe për kundërshtarin fisnik, ndryshe thjesht ‘ fajin e ka politika’ mbetet një alibi për një shoqëri që nuk gjen ende vetveten.

Filloi si protestë ekonomike por absurdi i pushtetit me karshillëkun dhe prepotencën e tij, e shndërroi në politike dhe tashmë zgjidhja duhet të jetë po e tillë. Të mos negociosh me ta nuk të bën demokratik dhe europian në një kohë që bëhen ujdira për ujërat me grekun, negociohet me serbët për hetime për krime imagjinare, flitet për Zotin mëshirëmadh në Himnin e Flamurit apo hidhen fishekzjarre butaforike për një integrim europian me ‘brekë nëpër këmbë’. Të mos negociosh me ta do të thotë të shpallësh të pavlerë dinjitetin e qytetarit dhe aspiratën demokratike për drejtësi dhe shtet ligjor të kujtdo që e sheh të nesërmen e fëmijëve në këtë vend.

Prioritet qytetare kësisoj duhet të jenë të qarta duke i dhënë fund për rrjedhojë edhe axhendave kokëposhtë të politikës së ditës. Për t’u dukur dhe për t’i thënë boll debateve shterpe rreth grevës dhe turrjes më pas për të parë telenovelën e radhës, pirë kafen e vazhduar me rutinën e mjerimit ndërkohë që për grevistët sekondi është i tepërt dhe zemra nuk mund të rrahë pafund. Është koha e ndërgjegjes dhe e respektit ndaj vetvetes sepse e ardhmja e fëmijëve nuk është mbijetesa poshtëruese që po u trashëgojmë por dinjiteti dhe shansi i mirëqenies për të gjithë që kjo grevë simbolizon.

Sfida e bashkimit opozitar

Drama e tyre është drama e jonë. Përballë një mazhorance që veç krijon probleme, opozita duhet të promovojë dhe monitorojë reagimin qytetar. Përtej humanizmit për shëndetin, më shumë duhet bërë për parandalimin e tragjedisë së rradhës. Përtej llogarive të vogla për protagonizëm, kjo grevë është apel për bashkim dhe veprim të koordinuar opozitar – PS dhe aleatët e saj, AK dhe FRD. Edhe nëse dikush thotë ‘Jo’, kjo nuk do të thotë se pala tjetër duhet të reshtë së provuari afrimin ndryshe tingëllon alibi. Interesi i qytetarit nuk emri i kryeministrit por qeverisja e vendit me mesazhin e parë të bashkëpunimit të dhënë që sot në opozitë.

Përtej egos individuale dhe asaj partiake, interesi qytetar prevalon. Me një mazhorancë të paskrupullt që tashmë i bën të gjitha, zgjedhjet e 2013 janë apriori të ‘humbura’ sepse ajo do t’i vjedhë edhe me maune ditën me diell nëse e nevojshme duke u rikthyer në pikën zero dhe zhgënjyer sërish. Opozita e ndarë veçse e lehtëson këtë proces. Edhe nëse opozita ‘fiton’, duke ditur natyrën e kësaj mazhorance që nuk lëshon pe për asgjë dhe askënd, fitorja do të jetë e paragjykuar padrejtësisht si ujdi me palën ikëse për imunitet për abuzimet e shkuara!

Por dhe nëse fitorja e opozitës vjen objektivisht dhe nuk preket, (mision i ‘pamundur’ jo se nuk i ka numrat porse mazhoranca i shtrembëron ato si të dojë), ajo do të qeverisë një vend post-qamet ku janë të panumërt ‘litarët përjashta’ – financat bosh, borxhi publik masiv, krimi i organizuar, pasuritë publike të tjetërsuara, kontrata 99 vjeçare dhe koncesione absurde pafund kombinuar këto me një qasje agresive të opozitës së re (që do të arrijë sërish më këtë ligj zgjedhor të marrë numër të madh vendesh në parlament), një prokuror të përgjithshëm dhe një president militant, një trupe gjyqësore de-fakto të zgjedhur me ‘pikatore’ etj.

Tek Komuna e Parisit

Një fitore si e Pirros nuk i vlen shoqërisë ndaj shanset që kjo të mos ndodhë rriten vetëm nëse opozita bashkohet dhe imponon zgjedhje të parakohshme përpara 2013 ose qeverisje teknike deri atëherë, pasuar më pas me një qeverisje të urtë që i hap udhë shpresës për dinjitet demokratik. Një shtet që vendos drejtësi përmes ndëshkimit të abuzimit të tranzicionit dhe konfiskimit të pasurisë së pamerituar të klasës së vjetër politike dhe që i hap udhë respektimit dhe rikthimit të pronës dhe vlerësimit të punës së ndershme dhe legale.

Për një shoqëri që konvergon në vlera dhe që në 100 vjetorin e pavarësisë përulet me respekt jo vetëm përballë monumentit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, heroit të luftës, punës dhe letrave, heroit shqiptar dhe Presidentëve Wilson, Clinton, Bush, Kryeministrit Blair që ‘folën’ shqip atëherë kur kishim nevojë për dorën e miqve por dhe veteranit të luftës dhe atij të disidentit martir. Një shoqëri ku do e shohim shoqi-shoqin në sy dhe do ndjehemi mirë kur të gjithë të ndjehen mirë.

Duke filluar sot me ish-të përndjekurit, është shansi historik që duke shprehur qoftë besnikërinë, respektin apo pendesën për sakrificat e kauzën e tyre, të dëshmojmë qytetari europiane. Sesa ‘etiketa’ europiane që veç krediton klasën e diskretituar politike që prodhon vetëm ‘verë të thartuar’ demokratike, kemi nevojë për integrim real drejt një Europe ku nëse dëshmojmë sot qytetari perëndimore, nuk kemi më nevojë të trokasim sepse dyert do t’i gjejmë të hapura. Është koha për qytetari, është koha për t’u dukur. Tek Komuna e Parisit.