Topi dekoron Grupimin “Dhjetor ’90” me Urdhrin “Nderi i Kombit”

0
22

22 Dhjetor 2010

Në ceremoni ishin të pranishëm anëtarë të Grupimit, ish-studentë dhe pedagogë pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore Shqiptare të viteve 1990-91

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi sot Grupimin “Dhjetor ‘90” me Urdhrin “Nderi i Kombit” në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Presidencës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm anëtarë të Grupimit, ish-studentë dhe pedagogë pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore Shqiptare të viteve 1990-91, deputetë aktualë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, familjarë të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “Para pak ditësh kemi përkujtuar së bashku 8 Dhjetorin, përvjetorin e njëzetë të fillimit të Lëvizjes Studentore Shqiptare, ditën kur shqiptarët, në saje të studentëve të Qytetit “Studenti”, morën frymë lirisht duke flakur njëherë e përgjithmonë vargonjtë e diktaturës gjysmëshekullore të proletariatit. 8 Dhjetori i vitit 1990 shënoi në historinë e Shqipërisë ditën e së vërtetës, çastin e ndarjes midis dy epokave – perëndimit njëherë e mirë të epokës së karakterizuar nga sundimi gjakatar dhe vëllavrasës i një pakice sunduese ndaj shumicës së denjë të popullit tonë dhe lindjes së një epoke të re, të lirë e demokratike, të çliruar nga lufta e klasave, vëllavrasjet dhe përndjekjeve të të gjithë atyre që guxuan të mendonin e të flisnin ndryshe nga kasta në pushtet.

Ndryshimi dhe revolta, të mbruajtura prej vitesh në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve shpërthyen në natën e paharruar të 8 Dhjetorit 1990 në Qytetin “Studenti” porsi një llavë vullkani që kishte katër dekada e ca që ziente brenda të gjithëve nesh. Lëvizja Studentore Shqiptare, ku ju keni qenë pjesëmarrës aktivë, arriti brenda pak ditëve jo vetëm të kristalizonte dhe kanalizonte kërkesat e saj të mirëfillta politike për lejimin e pluralizimit partiak dhe ndryshimin e sistemit, por edhe të ndërgjegjësonte pjesën më të madhe të shqiptarëve mbi nevojën e menjëhershme për ndryshim.

Pluralizmi i kërkuar dhe i fituar nga Lëvizja Studentore ishte ai i mirëfillti, sipas modelit të sprovuar perëndimor dhe jo ai “pluralizëm idesh” që kërkohej të vendosej artificialisht nga Partia e Punës në pushtet nëpërmjet shndërrimit të organizmave të ndryshme apo “levave të Partisë” në pseudo-subjekte elektorale. Të drejtat e njeriut dhe barazia njerëzore para ligjit, të kërkuara me forcë nga studentët dhe pedagogët në atë dhjetor të ftohtë e të lagësht të vitit ’90-të shërbyen si paraprijës të atyre standardeve dhe parimeve demokratike që na mundësuan sot të jemi anëtarë të NATO-s dhe të aspirojmë për t’u bërë edhe zyrtarisht pjesë e familjes së madhe evropiane.

Në atë Dhjetor të vitit 1990 nuk kishte emra të përveçëm, nuk kishte udhëheqës të sprovuar dhe ndjekës besnikë, nuk kishte gjeneralë dhe ushtarë të bindur, por kishte vetëm pjesëmarrës aktivë në atë Lëvizje që ktheu rrotën e historisë shqiptare në udhën e duhur. Kishte studentë dhe pedagogë, kishte intelektualë, punëtorë, të përndjekur dhe “me biografi të pastër”, kishte tiranas, shkodranë, vlonjatë, tropojanë, fierakë, lezhjanë e sarandiotë, madje edhe studentë nga Kosova – të gjithë të barabartë dhe të gatshëm për të bërë edhe sakrificën më sublime për fitimin e lirisë dhe demokracisë për të gjithë shqiptarët Këto ishin tiparet thelbësore që e karakterizuan Lëvizjen tuaj: bashkimi, barazia dhe vetëmohimi.

Ju arritët t’ia dilni mbanë, t’i dhuronit Shqipërisë jo vetëm pluralizmin, por edhe të parën parti politike të themeluar pas dekadash mbretërimi absolut të vetëm një partie, e cila nuk përfaqësonte kurrsesi interesat e mbarë popullit. Më pas ju e vazhduat Lëvizjen tuaj me Grevën e Urisë, e cila kulmoi me rrëzimin dhe çmitizimin e simbolit më të urryer të diktaturës komuniste dhe me ringjalljen e vlerave të vërteta që e kanë karakterizuar ngahera popullin tonë. Shumë prej jush vazhduan të japin kontributin e tyre në të mirë të këtij vendi: në politikë, në art, në shkencë, në drejtësi, në kulturë, në media.

Shumë të tjerë morën rrugën e mërgimit, ndoshta të zhgënjyer nga ritmi i ngadaltë i ndryshimeve dhe reformave të tranzicionit të zgjatur shqiptar. Por sot, mbas dy dekadash, ëndrra juaj dhe e mbarë popullit tonë për një Shqipëri evropiane, të lirë, të denjë dhe të barabartë me demokracitë e tjera perëndimorë është bërë realitet. Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO, duke dhënë kontributin e saj për paqen dhe qëndrueshmërinë jo vetëm në rajon, por anembanë botës. Shqiptarët, qysh para pak ditësh, kanë pasur një izolim të thellë, ndërsa sot janë plotësisht të lirë, të lëvizin të lirë, të ndjehen qytetarë të lirë, të atij kontinenti të vjetër, ku kanë qenë jo vetëm pjesë e një realiteti fiziko-gjeografik, por edhe e traditës së vjetër evropiane.

Të gjitha këto kanë ardhur në sajë të luftës, përpjekjeve dhe sakrificave tuaja të pamohueshme dhe për këtë do të gëzoni përjetësisht vlerësimin e historisë dhe mirënjohjen e mbarë popullit shqiptar. Duke ju përgëzuar të gjithëve ju: ish-studentë dhe pedagogë pjesëmarrës në fillimin e shndërrimeve demokratike, anëtarëve të Grupimit tuaj si dhe duke përfituar nga ky jubile i Lëvizjes Studentore Shqiptare, me cilësinë e Presidentit të Republikës kam vendosur të vlerësoj Grupimin “Dhjetori ’90” me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Më tej, Presidenti Topi shtoi: “Jo pa qëllim bëra një pauzë. Do të thoni ju, pse nuk ishte i përfshirë në fjalim. Ai nuk është i përfshirë në fjalim, sepse ai është gjithmonë i përfshirë në mendjen dhe zemrën tonë, në mendjen dhe zemrën tuaj. Ky është i paharrueshmi Azem Hajdari. Të gjithë e kemi njohur nga afër. Ka qenë njeri i aksionit, njeri i veprimit, njeri i mbrujtur fort me vetëmohim. Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë të futet nëpër fjalime, sepse ai është gjithmonë i përfshirë në ceremoni të tilla, dhe kush më shumë se sa ai, e kishte sot vendin qendror në këtë fjalë. Kjo qe arsyeja që unë e ndava më vete.

Edhe njëherë mirënjohje përjetë figurës së Azem Hajdarit!” Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit, në shenjë vlerësimi i dorëzoi Kryetarit këtij Grupimi, zotit Bislim Ahmetaj urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës me motivacionin: “Për kontribut madhor e vetëmohim të jashtëzakonshëm në vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, për shembjen e sistemit diktatorial e rrëzimin e simboleve të komunizmit, si dhe për ruajtjen me besnikëri e përçimin e vlerave demokratike e atdhetare”.

—————–

Presidenti Topi nderon grupimin “Dhjetor ’90”

QIK Tiranë, 22 dhjetor 2010

– Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi nderoi sot grupimin “Dhjetor ’90” me Urdhrin Nderi i Kombit në një ceremoni zyrtare. Kryetari i Shtetit shqiptar në shenjë vlerësimi i dorëzoi Kryetarit këtij Grupimi, Bislim Ahmetaj urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës me motivacionin: “Për kontribut madhor e vetëmohim të jashtëzakonshëm në vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, për shembjen e sistemit diktatorial e rrëzimin e simboleve të komunizmit, si dhe për ruajtjen me besnikëri e përçimin e vlerave demokratike e atdhetare“.

Presidenti Topi theksoi se të drejtat e njeriut dhe barazia njerëzore para ligjit, të kërkuara me forcë nga studentët dhe pedagogët në atë dhjetor të ftohtë e të lagësht të vitit ’90-të shërbyen si paraprijës të atyre standardeve dhe parimeve demokratike, që na mundësuan sot të jemi anëtarë të NATO-s dhe të aspirojmë për t’u bërë edhe zyrtarisht pjesë e familjes së madhe evropiane. Jashtë fjales se tij nuk mbeti ish lideri i dhjetorit Azem Hajdari për të cilin tha se ka qenë njeri i aksionit, njeri i veprimit, njeri i mbrujtur fort me vetëmohim.