Nga Anisa Xhani, 12 Tetor 2012
Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko janë tani më të sigurtë. Njëri në Greqi dhe tjetri në Itali, falë gatishmërisë së autoriteteve të vendeve fqinje për të financuar shërimin e tyre, pas interesimit të liderit të opozitës. Përballë interesit të tij për t’i mjekuar jashtë Shqipërisë qëndronin dy probleme. E para ishte sigurimi i financave dhe spitalit dhe e dyta kundërshtimi i qeverisë për të ndihmuar këtë operacion. Kjo e dyta u kthye në një makth të vërtetë, aq sa Ministri i Shëndetësisë kërcënoi nëpër dhëmbë se nuk do t’i lejonin të iknin jashtë pa lejen e tyre. Dhe në një farë mënyre u përpoqën të pengojnë deri në fund.
Gjergj Ndreca në spital
Gjergj Ndreca, i vetëm si në ambulancën e burgut
Ndërsa gjithçka u zgjidh nga ana logjistike, u gjet klinika dhe mjetet financiare nga ana e palës greke, u kthye në një problem pala shqiptare. Pavijoni nuk mori përsipër transportin e tij. Më tej as Spitali Nënë Tereza. Gjithçka vinte nga lart. Një telefonatë kishte bllokuar gjithçka. Sali Berisha, edhe duke ikur me antiplumb drejt Kosovës, e kishte mendjen të mbante të bllokuar Gjergj Ndrecën në Tiranë.
Dhe këtu u gjet një zgjidhje. Një shkodrane me histori të ngjashme me Gjergj Ndrecën iu bë atij engjëll shpëtues për këtë moment. Keti Bazhdari, biznesmenja shkodrane vjen nga një familje e persekutuar. Babai i saj është dënuar me 17 vite burg, i akuzuar si përkrahës i revolucionit hungarez në Shqipëri në tetor të vitit 1956, kur ai ishte ende fëmijë. U akuzua se shpërndau trakte pro Imre Nages dhe u dergj në burgje. Falë Zotit është ende gjallë dhe në liri dhe vajza e tij ia ka dalë të bëhet biznesmene konfeksionesh në Shkodër dhe nuk ka nevojë për lekët e Sali Berishës. Njësoj si i ati i saj, ajo po paguan faktin që është e persekutuar nga regjimi komunist, por mbështetëse e opozitës socialiste dhe në vend të dëmshpërblimeve pret çdo muaj tatimorë dhe gjoba nga Berisha.
Është kjo biografi e saj që e lidh fort me Gjergj Ndrecën, të vetëflijuarin e parë, i cili tronditi opinionin publik në Shqipëri. Ndërsa Edi Rama kishte folur me autoritet greke për një vend në një klinikë të kirurgjisë për djegiet, Ministria e Shëndetësisë refuzoi transportin tij. Keti e mori atë përsipër me një ambulancë private. Personeli shëndetësor u ndalua të asistonte Ndrecën pasi hipi në ambulancë. Skenat brenda ambulancës ishin të dhimbshme. Vetëm Ndreca me njeriun e afërt të tij dhe asnjë mjek. As në qeli nuk e kishin trajtuar aq mizorisht. Por sidoqoftë operacioni humanitar funksionoi. Autoambulanca private e transportoi atë në një klinikë të djegieve në Greqi, pasi u sigurua ndihma dhe mbulimi i shpenzimeve nga ana e palës greke me ndërhyrje të opozitës.
Lirak Bejko në flakë
Italianët, avion ambulancë për Lirak Bejkon
Me Lirak Bejkon historia ishte edhe më e vështirë. Përveç faktit që qeveria nuk donte ta shpëtonte, realisht as nuk kish as dëshirë të kërkonte ndihmë. Gjendja e tij e rënduar shëndetësore kërkonte një shërbim special: Një avion ambulancë. Shoqëritë e sigurimit në Shqipëri nuk guxuan të afrojnë ndihmë. Hija e frikshme e atij që mallkonte grevistët e vetëflijuar në Kuvend kish bërë punën e saj.
Edi Rama pati një bisede telefonike me ambasadorin italian, i cili shprehu menjëherë gatishmërinë për te ndihmuar. Është një rast i rrallë me këtë grevë, ku më të prekurit dhe të interesuarit janë ambasadorët se sa qeveritarët shqiptarë. Transporti u sigurua kështu nga qeveria italiane. Por në të njëjtën kohë Edi Rama u lidh dhe me administratën e guvernatorit Vendola ne rajonin e Puglia-s. Vendola, guvernatori i Puglia-s, por veçanërisht drejtuesit për shëndetësinë të këtij rajoni, siguruan urgjent mbulimin e të gjitha shpenzimeve për Lirakun pranë një prej qendrave më të specializuara për djegiet në Puglia, Centro Grandi Ustoniati Puglia.
Në të njëjtën kohë u gjet edhe një avion ambulancë, që në orën 14:45 u ul në aeroportin e Rinasit dhe nisi transportin e tij drejt vendit fqinj. Falë bashkëpunimit trepalësh mes ambasadës italiane në Tiranë, rajonit të Puglia-s dhe opozitës, u arrit që edhe pacienti Bejko të marrë nga pasditja e së premtes kurimin e nevojshëm dhe të specializuar në Itali.
Rikthim në pavijonin bosh
U riktheva në pavijonin ku qëndruan dy të vetëflijuarit dhe dukej se trishtimi kish mbetur korridoreve. Infermieret nuk guxonin të flisnin, por ndjeheshin të lehtësuara që ata kishin ikur në Itali. Shpëtuan ata, shpëtuam dhe ne, se na ngelën spiunët pas, thotë një prej tyre e nervozuar. Është një rast i rrallë distanca e qeverisë ndaj tyre. Bile dhe formaliteti i vizitës së Ministrit të Shëndetësisë, ishte më shumë në funksion të përçarjes, duke vizituar vetëm njërin, atë që Berisha shau më pak në parlament. Tani ata të dy janë në spitale më të mirë, mes mjekëve më profesionistë, por mbi të gjitha në vende të lira, ku askush nuk mban qëndrim politik ndaj plagëve të tyre. Kanë shkuar të gjymtuar aty ku kanë ëndërruar të ishin të rinj. Atëherë kur i mbyllën në burg, nga i cili nuk kanë dalë akoma.







