Fushata nis me xhepat bosh, deputetët nuk kanë marrë pagat e dy muajve

0
20

TemA, 22 Janar 2013

Fushata elektorale ka startuar me xhepat bosh për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Turret e tyre elektorale në këtë fillim viti mund të konsiderohen të varfra, pasi që prej nëntorit ata nuk kanë marrë asnjë lek nga paga mujore, raporton Ora News. Në llogaritë bankare të 140 të zgjedhurve të popullit nuk ka kaluar ende asnjë pjesë e detyrimit që ka shteti, në këtë rast Ministria e Financave.

Këtë fakt e kanë konfirmuar vetë të interesuarit, pra deputetët që kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosmarrjen e pagës prej dy muajsh. Bëhet fjalë për pagën e nëntorit dhe të dhjetorit, por edhe për detyrime të tjera financiare që ka Kuvendi ndaj tyre si të zgjedhur.

Ndërsa pagat janë vonuar as që bëhet fjalë që deputetët të kenë marrë paratë e dietave të shërbimeve që kanë një vonesë më të gjatë. Po ashtu sipas informacioneve që ka siguruar Ora News edhe fondet për karburant janë bllokuar, duke vështirësuar situatën financiare të fushatës së të zgjedhurve të popullit.

Pas pagave në fillim të janarit për administratën, duket se kriza ka prekur edhe institucionin ligjbërës të vendit, që duke filluar nga kryetarja e deri tek deputeti më i fundit duhet të gjejnë mënyra alternative personale për të mbuluar shpenzimet e tyre, qoftë edhe ato elektorale që kanë nisur të shpeshtohen.

Sipas të dhënave nga administrata kjo situatë ka ardhur për shkak se fondi i pagave për Kuvendin ende nuk ka kaluar nga institucionet financiare të vendit.