Nga Mero Baze, 9 Tetor 2012
Gjithë faktorët politikë në vend, përfshi dhe “pakicën e florinjtë” të pushtetit, LSI, janë dakord që qeveria të ulet të negociojë me grevistët e urisë. Diplomatët më të rëndësishëm të Perëndimit, ai i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu kanë shkuar dhe janë ulur këmbëkryq me grevistët dhe kanë nxitur qeverinë të flasë me ta. Siç pritej, qeveria, jo vetëm që i injoron këto zëra, por me një gjest cinik kish zgjedhur njeriun më të shëndoshë të mundshëm të Ministrisë së Financave për tu treguar të drobiturve në grevë urie se as që ka ndërmend të flasë me ta. Edhe pse e maskuar si çështje financiare, në të vërtetë reagimi i qeverisë është në thelb një vendim i qartë politik. Problemi nuk qëndron tek qeveria, por personalisht tek Berisha. Me këtë grup të përndjekurish që kanë hyrë në grevë urie, Berisha nuk ka problem financiar, por problem personal dhe politik, të cilin nuk mund ta negociojë.
Së pari, ky grup të përndjekurish hyn tek ajo kategori të përndjekurish që Berishën e kanë akuzuar me fakte për denoncues në favor të Sigurimit të Shtetit. Zëdhënësi i kësaj greve, Skënder Tufa, është njeriu që ka intervistuar Hysen Shoshorin, i cili ka dëshmuar se Sali Berisha është njeriu që është përdorur nga Sigurimi i Shtetit për arrestimin e tij, pasi e ka akuzuar në një mbledhje të organizatës bazë të partisë së spitaleve se ka shpërndarë trakte kundër komunizmit. Si mund t’i kërkohet Sali Berishës tashmë të shkojë e të ulet këmbëkryq me shokët e Hysen Shoshorit, me ata që e kanë mbajtur deri në fund të jetës së tyre dhe kanë ndarë me të mosbesimin e thellë ndaj një ish- denoncuesi, që sot është kryeministër?
Kjo është një arsye e fortë personale dhe biografike që Berisha jo vetëm t’i qëndrojë larg asaj greve, por të mobilizojë langonjtë e vet, siç bëri më 21 janar, të deligjitimojnë sakrificën e tyre. Njësoj si më 21 janar, kur TV Klani shpiku një burrë me çadër dhe një djalë të ri që rrinte afër tij si atentator të Ziver Veizit, ashtu dhe dje i njëjti ekran, që reflekton prirjen denoncuese të armiqve njësoj si para komunizmit, akuzoi një ish- të burgosur se i ka vënë flakën Gjergj Ndrecës.
Së dyti, Berisha ka një arsye personale politike. Ky grup të përndjekurish, mes të cilëve dhe Gjergji, janë ata që i kanë bërë atij poshtërimin më të madh në liri, duke qenë kryeministër i vendit. Me një qese mielli hedhur mbi makinën e tij, ata kanë zbrazur mbi të gjithë zemërimin e ligjshëm të tyre për talljen që u ka bërë një ish- komunist idealeve të atyre që hynë në burgje për ideale lirie dhe fjalën e lirë. Të gjithë e dimë ç’bëri Berisha pas kësaj. Pushoi 20 policë nga puna, bleu një jelek të dytë antiplumb, me të cilin shkon dhe në shkolla para fëmijëve, dhe terrorizon tanimë gjithë Shqipërinë kur ecën rrugëve duke dhjetëfishuar rojet e gardës. Berisha nuk mund t’ua falë atyre këtë poshtërim, nga i cili ai ndjehet i zhburrëruar dhe i turpëruar më shumë se sa nga plagosja me kallashnikov.
Së treti, Berisha nuk mund tu japë këtij grupi ish- të burgosurish atributet e përfaqësuesve të të përndjekurve politikë, pasi rrezikon të humbasë kontrollin administrativ mbi ta. Berisha ka në varësi të tij Institutin e Rehabilitimit të të Përndjekurve, të cilin e drejtojnë ish- të persekutuar, të cilëve ai u përdor dobësitë e treguara para Sigurimit për t’i mbajtur në rresht. Shoqata të tjera të të persekutuarve, i ka futur nën kontroll duke i përdorur kundër njëri- tjetrit dhe duke i kontrolluar përmes abuzimit që i ka lejuar vetë të bëjnë në liri me fatin e tyre të dikurshëm. Dosjet e Sigurimit dhe dosjet e korrupsionit, janë ato që praktikisht mbajnë të heshtur dhe të përçarë ish- të përndjekurit politikë, që me zemër janë pranë Gjergj Ndrecës dhe me stomak pranë Sali Berishës. I qartë politikisht për këtë realitet, Sali Berisha as që ka për të denjuar të ulet një ditë këmbëkryq mes atyre që po dergjen në grevë urie dhe Ndrecës, që po dergjet i përzhitur në spital.
Fitorja e vetme deri tani është që Berisha nuk ia ka dalë t’i përdorë në ekstrem partizanët e tij brenda ish- të përndjekurve, për t’i ridenoncuar grevistët siç mund të kenë bërë dikur dje nga halli në qeli. Por mos u çudisni po e bëri dhe këtë. Urrejtja e tij ndaj atyre që janë në grevë urie, nuk është vetëm urrejtje klasore që buron nga statusi i ndryshëm që ka pasur dje dhe sot me ata. Ai është një konflikt që prek thelbin e ekzistencës së tij. Ata të burgosur janë dëshmitarë të bashkëpunimit të Sali Berishës me Sigurimin, janë frymëzues të betejës kundër tij si kryeministër dhe mbi të gjitha janë pjesa politikisht e papërdorshme prej tij mes ish -të persekutuarve dhe burgosurve politikë. Ndaj me ta s’ka për tu ulur kurrë për t’i parë në sy. Nuk ka aq fuqi sa ta bëjë, edhe sikur ta dijë se askush prej tyre nuk do ta pështyjë!