Bota nuk ka nevojë për një president biznesmen

0
53

Arjan Th. Kallço

Ethet elektorale që kanë përfshirë Amrikën e largët, por sa të afërt për Shqipërinë, shpërthyen sot në mëngjes, me orën tonë, në debatin e parë midis dy kandidatëve. Qysh sot besoj se edhe tek ne do të komentohet gjatë në Media dueli i filluar në garën për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Natyrisht rreshtimi pro njërit prej kandidatëve do të jetë pjesë e lojës politike shqiptare, e cila ethet e saj elektorale i ka filluar herët. Por ndoshta prononcime të drejtpërdrejta të politikës shqiptare nuk do të ketë, kjo dihet tashmë qartë, dhe do të presin fituesin që më pas të dërgojnë urimet.

Opinionet do të shtrihen edhe më gjerë, në shtresat e ndryshme të shoqërisë, tek ne i ngjan më shumë një tifozllëku të ndarë mbi baza partiake ose pëlqimeve personale. Ka shumë shqiptarë që kanë pasaportën amerikane dhe sit ë gjithë qytetarët amerikanë, kanë të drejtën e tyre që të votojnë. Shumë syresh i shprehin hapur pëlqimet për kandidatin, të sigurtë se nuk ka asnjë lloj hakmarrje shtetërore amerikane që të nesërmen, nëse humbin, të pushohen nga puna. Verësimi i parë apo siç mund ta quajmë me gjuhën e informatikës, skarneri, nxori disa rezultate pas debatit, por nuk është rezultati përfundimtar që vulos gjithçka. Këndvështrimi i opinionistëve u shtri në disa aspekte, duke filluar që nga takimi e deri tek shpalosja e programeve përkatëse të kandidatëve.

Sipas shtypit amerikan në këtë debutim të parë dhe pikërisht sipas CCN, republikani është në avantazh për rreth 67% të zgjedhësve, ndërsa Obama në kuotën 25%. Argumenti për të cilin u ndalën për rreth 90 minuta ishte ekonomia dhe puna dhe natyrisht Obama do të ishte në pozicionet e tij mbrojtëse të punës së bërë në katër vjet dhe Romney në sulm për të kritikuar zgjedhjet e stafit të presidentit aktual. Kështu ndodh gjithmonë në fushata, kritikat vijnë nga opozitarët. Duhen edhe 34 ditë nga zgjedhjet, por deri në datën 6 nëntor ka edhe 4 debate të tjera dhe fati i zgjedhjeve nuk besoj se varet nga i pari.

Ndoshta edhe sondazhet janë vetëm një bllof paraelektoral i vetë amerikanëve që tashmë ruajnë një balancë në qeverisje midis presidentit, senatit dhe parlamentit. Megjithatë i kthehemi debatit, i cili filloi miqësor, një shtrëngim duarsh, me gratë respektive të pranishme dhe me disa batuta të presidentit aktual që lidhen me 20 vjetorin e martesës. Pika e sulmit filloi me shtresën e mesme që sipas kandidatit Romney është e shtypur, e varrosur, duke sjellë gafën e Bidenit në vigjilje të debatit.

Papunësia në Amerikë arrin shifrën 13 milionë qytetarë që nuk kanë punë dhe programi Romney synon pavarësinë ernergjtike, dyfishimin e shkëmbimeve tregtare, vijën e ashpër me Kinën, bilancin në ekuilibër, mbështetjen ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha. Obama, sipas tij, kërkon më shumë shpenzime, taksa dhe rregulla, por deficiti është dyfishuar. Borxhi i krijuar prej tij ëshët sa i të gjithë presidentëve së bashku. Nga ana e vet Obama theksoi se trashëgoi një borxh të madh dhe se ka bërë shumë, por është i ndërgjegjshëm që duhet bërë akoma më shumë dhe ka një plan të tij. Të dy kandidatët reaguan ndryshe edhe me një gjuhë tjetër, me gjuhën e trupit. Obama në mbrojtje, Romney i drejtohej shpesh kundërshtarit. Obama me shikim tek kamera, duke mos e marrë në konsideratë kundërshtarin. Obama i ulte sytë, Romney buzëqeshte dhe tundte kokën, duke mos ia ndarë sytë, dukej i sigurtë për veten.

Obama insistoi duke cituar Klintonin për një patriotizëm të ri tek shtresa e mesme. Obama me kravatë të kaltër, Romney të kuqe dhe të dy me nga një stemë në xhaketë, por kandidati me dimensione më të mëdha. Ngjyrat nuk tregojnë realisht përkatësinë politike si tek ne, pasi nuk ka dallime të tilla në Amrikë si në Europë. Në thelb ka dy filozofi : republikanët synojnë pakësimin e ndërhyrjeve të qeverisë federale, të taksave, të deficitit, të rregullave, ndërsa demokratët synojnë ndihmat e qeverisë që të promovojnë një ekonomi që t’i ndihmojë të gjithë qytetarët. Synimi i kandidatit ishte që t’i përmbyste sondazhet që e vendosin presidentin në krye në nivel kombëtar dhe në shumë shtete të cilat janë në mëdyshje.

Presidenti u ndje në ështirësi, u tregua shumë i kujdesshëm, nuk replikoi me faktet, bile edhe me ato skandale që lidhen me kandidatin, ndërsa Romney preferoi t’i përmendte disa të njerëzve të Obamës, pra preferoi një goditje nga poshtë. Lidhur me taksat Romney u shpreh se nuk do t’ua heqë taksat të pasurve, ndërsa Obama theksoi se miliarderi paguan vetëm 14% të tyre. Duke përfituar nga kujdesi i presidentit, kandidati e shpalli veten bipartisan, gati të ulet me demokratët që të punojnë bashkë që pas ditës së zgjedhjes. Në këtë pikë nuk shkoi më larg se vetë Obama katër vjet më parë kur e bëri për vete Amerikën dhe fitoi në zgjedhje. Tifozët përjashta u kërkonin debatuesve që Romeny “ta pushonte Obamën”, ndërsa demokratët kërkonin “të ecim përpara”.

Debate i ardhshëm është më 16 tetor në New Jork dhe 22 në Florida. Do të presim edhe debatet e tjera që të mund të japim një gjykim të drejtë lidhur me shanset se cili kandidat do të fitojë, por ka një gjykim që është tepër i akullt dhe që nuk kërkon shumë mend për ta kuptuar: republikanët konservatorë, të komanduar nga industria e luftës, të mbështetur tek shtresa e pasur që është e paktë në krahasim me pjesën tjetër amerikane dhe demokratët liberalë, me vëmendje tek shtresat e tjera, të pavarur nga interesat e luftës. Në këtë pikë një kandidat demokrat do ta pëlqeja para një republikani dhe ashtu si katër vjet më parë, nëse do të votoja në Amerikë, vota do të shkonte për progresin dhe për një shtet për të gjithë.