Marko Boçari ne revolucionin grek në aleancën shqiptaro – greke në luftë kundra pushtuesve osman

0
155

Në kujtim të rënies të kryetrimit të Çamërisë, Marko Boçarit

Marko Boçari, kryetrimi i Çamerise

Pregatiti Vesel Ahmeti

U mbushën 180 vjet që nga dita e rënies të kryetrimit shqiptar Marko Boçari nga krahina e Sulit të Çamërisë. Figura e tij shërbeu si frymëzim për të gjithë ata shkrimtarë, artistë e poetë që interesoheshin për ngjarjet e Ballkanit e në mënyrë të veçantë për revolucionin grek të viteve 1921-1829. Bëmat e kapidan Marko Boçarit në atë kohë kishin marrë dhenë jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë e në botë. Nuk kishte ditë që shtypi evropian pa le ai grek, që të mos shkruante për kolosin e Sulit.

Shrimtari i madh Hygoi, duke folur për ndikimin e revolucionit francez, e vendos Markon në radhët e Uashingtonit, Kostçukos, Boliverit, Pilegonit, Maninit, Lopezit, Xhon Braun dhe Garibaldinit. Ai është kudo- thotë Hygoi- ku ndizet e merr flakë e ardhmja. Ishin bëmat e Marko Boçarit ato që i dhanë frymëzim studiuesit gjerman Mendelson Bartholdit që thotë: “Marko Boçari ishte i pajisur me të gjitha virtytet që duhet të ketë një njeri. Këto virtyte zbukuroheshin nga një karakter i thjeshtë, shembulli i të cilit mund të gjendet vetëm te burrat e mëdhenj të Plutarkut.

“Për mua- thotë skrimtari i njohur anglez Stjefens Miltjalli- në Marathonë dhe Leonidha në Termopile nuk ishin më heroikë se Marko Boçari në Karpenish”. Ti mban në gjirin tënd eshtrat e gjeneralit më të madh dhe të qytetarit më të mirë të Greqisë, të Marko Boçarit, i cili në fushat e Karpenishit u ngrit më lart, madje edhe se Leonidha”, u shpreh pjesëmarrësi i revolucionit grek Thanas Polizoidhi duke iu drejtuar Mesallongjit. Greqia do të vajtojë për shumë kohë një nga miqtë dhe mbrojtësit më të zellshëm të saj”,-shkruan oficeri francez Rafenel që luftoi si vullnetar nën komandën e Marko Boçarit.

Dëgjoj betejën që mbush qytetin me zemrat që thërrasin :O hije e Boçarit, mbro grekët e pafat!- shkroi Hygoi kur i dhanë lajmin e vdekjes të kryetrimit. Akti i fundit i birit të madh të Shqipërisë u pasqyrua me forcë të madhe emocionale edhe nga arbëreshi i Italisë Eduardo Volio:”Marko Boçari nuk nguroi kur mori vesh se mundësia e fundit ishte që me sakrificën e ekzistencës së vet të siguronte dafinën e flijimit, e cila ishte një me lavdinë. Virtyti i tij është virtyti i yllit të mirë të shqiptarëve, gjenia ushtarake e Shqipërisë… Ai është heroi shqiptar i kohërave të reja, i cili me mendimet e tij, me veprat dhe shkencën e tij strategjike, dhe në ndërmarrjet e mëdha, rikrijon në mos riprodhon pikë për pikë, brumin e lavdishëm të paraardhësit të tij, të disa shekujve më parë “Gjergj Kastriotit”.

Vilhelm Myler na jep edhe këto vargje:… Ai! Marko Boçari! Suljotët nga na mbinë?! Një urim i tillë mëngjezi, te të përgjumurit arrin./ E zgjodhën e brofin në këmbë dhe si delet pa çoban/ Nëpër udhë marrin vrapin./ Me shoqshoqin ç’është ç’po ngjan?… Pyet natën. Ajo ç’pa le ta tregojë./Po se ç’ngjan këtë natë, dita a do ta besojë?/ Në fushën e Karpenishit njëqind trima, turq njëmijë,/kori vdekja sa agimi i fliste dritës të vijë./ Oh! dhe ty atje të gjetën Marko Boçar, Marko Boçar./Të njohën nga shpata jote, nga plagët që hape vetë./ Ashtu si pate premtuar, o Marko trimi me fletë!”

U frymëzuan piktorët nga vende të ndryshme të botës. Ata na kanë lënë shumë tabllo që kanë përjetësuar figurën e madhërishme të kryetrimit nga Çamëria. Ndër ta dallohet piktori i madh francez Delakrua.

Çamëriotit trim i ngritën këngë të fuqishme rapsodët që kanë ardhur me bukuri të pa shoqe deri në ditët tona, këngë që janë kënduar, këndohen e do të këndohen në shekuj.
“Medet për Vezir Alinë/,që kur s’dëgjoi Boçarinë/ të mblidhej me Bushatllinë,/për të bërë Shqipërinë/.Marko Boçari i tha:/ Dëgjomë Ali Pasha, po s’u bëmë me ata,/ Shqipëria për ne nuk ka,/ do grihemi lakra,/do këndojë qyqeja. “E sa e sa këngë të tjera në shqip e greqisht këndohen për kryetrimin në dasma e në lindje, në çdo vatër e sofër gëzimi, në prag betejash dhe pas fitoresh.

Marko lindi në Sul më 1790 nga një familje me lashtësi patriotike. I pari i tyre Gjon Boçari ka qenë një nga bashkëluftëtarët më besnikë të Skënderbeut që pas vdekjes tij, Donika e dërgoi atë në krahinën e Tragjazë, Dukat, Radhimë në mbrojtje të trojeve të saja të dhuruara nga i jati si prikë kur ajo u martua me heroin tonë Gjergj Kastrioti. Diku aty në Tragjas mbi një kodër, Gjon Boçari ndërtoi një kështjellë rënojat e së cilës ndodhen edhe sot e kësaj dite. Por edhe pasardhësit e tjerë të këtij fisi kanë luftëtarë, prijësa dhe udhëheqësa për liri e pavarësi. Gjyshi i Markos, Gjergj Boçari, ka qenë prijës i Sulit, Noti, Xhaja i tij kryekapedan i trimave, ndërsa i ati i tij Kiçua ka qenë një nga kapedanët më të shquar të Sulit.

Fatosi i vogël i Çamërisë, Markua,fëmijërinë e tij e kaloi në periudhën më të rëndë të luftës së Suljote kundër Ali Pashë Tepelenës. Pas disfatës së Suljote më 1803, at e bir së bashku me një grusht suljotë pasi luftuan edhe për disa javë të tjera në muret e një manastiri, çanë rrethimin dhe u hodhën në Korfuz.

Në vitin 1809 Marku hartoi një fjalor shqip – greqisht me 1700 fjalë, i bindur se edhe gjuha shqipe, e shkruar mirë, mund të shprehë gjithçka të bukur njerëzore, e mbi të gjitha do të mund të komunikonin lirshëm me fqinjët e tyre grekë. Ja se si e vlerëson historiani grek Titos Hochohallas:”Leksikografia greko -shqiptare në Greqi fillon me Marko Boçarin… Kjo vepër, pavarësisht nga rëndësia e shumanshme që ka për një luftëtar… na sjell një material shumë të çmuar për dialektologjinë shqiptare. I shkruar në fillim të shekullit XIX të… Leksiku vlen njëkohësisht edhe për vërejtje të ndryshme filologjike, shoqërore, bile edhe historike”. Ndërsa Çabej thotë:”Me një ndjenjë habije shohim ne sot se një njeri jo i penës,por i armës dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore – abstrakte, si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në veri e të tjerë si këto”.

Qëndrimi i Marko Boçarit në Europë, mësimet e mëdha të revolucionit francez dhe qënia e tij anëtar në shoqërinë e miqësisë Eteria për Ballkanin në luftë kundër ushtrisë osmane e ndihmuan Markon që të vihej mbi gjithë kryetarët e luftës për pavarësinë e Greqisë. Ai ishte zhveshur nga çdo ves skllavërije. Shkrimtari francez Lekretel e quan Markon “Spartak të tmerrshëm”. Ndërsa zonja Bouquerile para se të njihej me të e përfytyronte si të ish një sfinks.

Në vitin 1815 Markon e gjejmë pranë Ali Pashë Tepelenës të cilit i qëndroi besnik derisa e vranë në 1822. – Do të vish me ne i madhi Ali – i kishte thënë Markua atij – Por ai e kishte kundërshtuar me një jo! të prerë. Aso kohe ishin hapur fjalë nga agjentura turke dhe patrikana e Stambollit se gjoja Aliu do ta linte lëkurën në malet e Sulit dhe këto fjalë i kishin vajtur në vesh dhe Markos, prandaj edhe i tha: Ndëgjo i madhi Vezir: Mos u beso çfarë ke dëgjuar, se ja ku të kam, vetë i tretë ja, në krah të hedh dhe ezhdërha të bëhen ata pak njerëz që të kanë mbetur përpara çaj dhe në Sul të çoj, por eja se të duam. Por Aliu nuk pranoi. Ai kishte planin e tij. Por që nuk mundi ta realizojë. E vranë.

Marku ishte një luftëtar i paepur, që dinte vetëm të sulmonte.Ishte një strateg që me taktikën dhe strategjinë e tij, e kishte detyruar Sërasqerin e Janinës Vezirin e madh që të shtonte numrin e ushtarëve në vilajetin e Janinës nga 25 000 që ishin më 1821, në 45000 në 1822 dhe në 65 000 në 1823 duke ndrruar njërin pas tjetrit edhe 3 sërasqerë të vilajetit Pasho Beun, Rushit Pashën dhe Omer Vrijonin. Të parin e mbylli pothuaj në kampin e tij që ngriti në fushën e Janinës, të dytin e turpëruan edhe gratë duke ia ulur namin e gjeneralit të sprovuar siç flitej për të, ndërsa të tretin e shpartalloi në portat e Sulit sa nuk e zuri edhe vetë atë të gjallë. Megjithatë mizërija e ushtrisë osmane, ndihma e forcave angleze nga deti dhe tradhtia e disa krerëve grekë me në krye gjeneral Varnaqotin sollën pushtimin e dytë të Sulit. Markua në këtë kohë u hodh i tëri me revolucionin grek me krerët e të cilëve prej kohësh ai kishte organizuar aleancën shqiptaro – greke në luftë kundra pushtuesve. U bë shpirti, organizatori dhe mbrojtësi i vërtetë i Greqisë perëndimore që tradhtia e komandantëve të tyre kishte krijuar një çoroditje dhe amulli të paparë në radhët e ushtrisë që drejtonin ata.

Marko tashmë ishte bërë komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Greqisë Perëndimore me gradën e gjeneralit, gradë të cilën ai nuk e mbajti duke deklaruar solemnisht para krerëve të gjithë Greqisë se atë dhe diplomën për mbajtjen e saj mund t’ja japin vetëm bashkatdhetarët e vendit të tij, Shqipëria.

Në luftën për mbrojtjen e Mesallongjit, Marko Boçari e shpalosi flamurin e flijimit të tij. I bindur se nuk kishte rrugë tjetër, ai së bashku me 350 trima suljotë, u fut në kampin e armikut, vrau dhe preu sa i zuri krahu duke e shpartalluar gjithë atë mizëri ushtarësh të Qytahi Pashajt, por mbeti edhe vetë i vrarë;”Ndërmarrja madhështore kundra Greqisë perëndimore, thotë historiani gjerman Gervinua, u shkri si dëbora”.

Marko u ngrit në supet e trimave suliotë dhe u dërgua në Mesallongji ku u vendos në sallën e madhe të prefekturës për të bërë homazhet e nevojshme të këtij njeriu të madh. Në mbasdite u bë varrimi. Të gjithë banorët e vendit ishin veshur me të zeza, rrugët ishin shtruar me dafina e lule të freskëta. Kryetrimi mbahej në krah të kapedanëve grekë e shqiptarë. Kambanat binin përzishëm. Çdo gjysëm ore dëgjoheshin 33 të shtëna topash. Aq ishin edhe vitet që kishte jetuar heroi.

Para kortezhit ecnin robërit të lidhur në një litar dhe pas tyre kuajt e stolisur të pashallarëve të vrarë nga dora e Markos, me flamujt e kapur. Priftërinjve të Mesallongjit u printe peshkopi, që ecte ngadalë dhe me sytë për tokë. Trupi i kryetrimit i shtrirë në arkivol të punuar me dru are, mbahej në krahë të 12 luftëtarëve suljotë të veshur me kostume kombëtare. Trupit i vinin pas e motra dhe të afërmit, prefekti i Mesallongjit, Kost Metaksaj, i rrethuar nga kapedanët shqiptarë e grekë dhe populli i krahinës. Më në fund të vargut vinin kafshët e ngarkesës dhe 8 000 bagëti, të kapura edhe këto në kampet e armikut. Kaq shumë njerëz nuk ishin parë që nga kohëra që nuk mbaheshin mend në Epir. I gjithë kortezhi i përzishëm u kujtonte njerëzve kohët shumë të vjetra të paradave triumfale që bëheshin për nder të fituesit të betejave të rëndësishme, me të vetmin ndryshim se triumfuesi ishte i vdekur.

Respektin dhe mirënjohjen e thellë për kapedanin Marko Boçari, populli grek e ka shprehur në dhjetëra libra që i kushtohen veprës së tij. Ai i ka ngritur kapedanit një bust në qendër të Athinës. Edhe në Francë, emri i luftëtarit të madh shqiptar është përjetuar në pllakën përkujtimore të një rruge në Paris, që mban emrin e tij. Ndërsa ne shqiptarët… jemi kufizuar vetëm me vendosjen e një fotografi të tij në muzeun kombëtar.
Hollësira të tjera dhe më të plota do t’i gjeni në romanin historik “Legjendarët e Sulit” të Çamërisë që ka dalë në shitje.

http://www.albasoul.com/vjeter/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=789