Klajd Kapinova
Këngëtarja e njohur e komunitetit shqiptaro-amerikanë Ardiana Mrijaj, prej shumë vitesh ka kënduar me cifteli këngë patriotike, me të cilat është mirëpritur shumë mirë nga publiku metropolitan.
Ajo ka lindur në New York, në një familje atdhetare, ku gjithnjë në shtëpinë e tyre është folur dhe flitet gjuha amtare shqipe, edhe pse të gjithë pjesëtarët jetojnë dhe punojnë prej shumë dekadash në metropolin e madh të New York-ut.
Ardiana, ka mësuar të flas gjuhën shqipe qysh fëmijë sëbashku me 2 motrat e veta dhe vëllain e saj.
Falë interesimit dhe dashurisë së përhershme për Atdheun e prindërve të saj, Ardiana, ka qenë e interesuar të mësojë më shumë nga historia, kultura dhe arti shqiptar i vendlindjes së prindërve të tyre.
Nuk është rastësi, që Ardiana këndon këngë shqipe dhe të tregon me pasion historinë e përmbajtjes së tyre, të mësuar nga prindërit dhe më shumë nga babai i saj, që është historiani Tomë Mrijaj.
Babai i saj, është aktivisti i shquar i komunitetit tonë, publicisti Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit, autor i njohur i disa librave me profil historik dhe një vatrist i palodhur i Federatës Panshqiptare “VATRA” (1912), duke qenë i pari i ri kosovar në Bordin e Vatrës dhe gazetës “DIELLI”, ku, ka aderuar (të cilat vërtetohen nga dokumentet historike) dhe më pas ka arritur të zgjidhet dhe drejtoj si kryetar degën e Vatrës Queens New York.
Ai edhe sot të flet me respekt për organizatën zëmadhe, artikujt dhe poezitë e botuar ne faqet e gazetës më të vjetër “Dielli”, duke shpalosur fotografi, gazeta të hershme, përmend me respekt emrat e shumë vatristëve veteranë, që sot nderohen dhe respektohen nga të gjithë.
Ai ishte një mik i pandarë i dy personaliteteve të njohura të botës shqiptare në Amerikë, Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarku (1914-2011) dhe Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në ShBA, intelektualit të shquar klerikut patriot Mons Dr. Zef Oroshi (1912-1989), për të cilin disa vite më parë ka shkruar një monografi shkencore dhe historike, që është mirëpritur nga lexuesit, në: Kosovë, Shqipëri, Australi, Gjermani, Zvicër dhe shumë shtete të Amerikës.
Ndërsa nëna e këngëtares Lisa Mrijaj, është nga Puka, një familje e njohur për tradita dhe respektimin e zakoneve shqiptare. Ajo prej shumë vitesh është një ndër gratë e rralla shqiptaro-amerikane, që kanë mundur të integrohen me dinjitet në organet e larta të shtetit amerikan.
Gjithnjë në shtepinë Mrijaj, është folur shqip, ka qenë dhe ruhet e ndezur dashuria për Atdheun, janë ruajtur zakonet dhe traditat shqiptare, veglat muzikore, si: ciftelia, lahuta, sharkia dhe shumë libra të At Gjergj Fishtës, Prof. Ernest Koliqit, Dom Ndfre Mjedës, Mons. Dr. Zef Oroshit, Prof. Arshi Pipës e shumë koleksione revistash, gazetash, fotografi historike etj., janë një stoli me sfond kuq e zi, që hijeshojnë në shtëpinë e tyre.
Në këtë ambient tipik shqiptar, ka hedhur shtat këngëtarja e mirënjohur e komunitetit shqiptaro-amerikanë Ardiana Mrijaj.
Ajo është një shembull shumë i mirë për breznitë e reja sot, që këndojnë në gjuhën shqipe, ndonëse janë lindur dhe rritur në diasporë.
Ardiana, është në gjendje të tregoi emrat e disa nga figurave kryesore të historisë së popullit tonë dhe njeh gjithashtu shumë mirë këngëtarët e muzikës popullore të trojeve etnike shqiptare, duke kënduar shpesh disa fragmente të këngëve të tyre.
Ajo adhuron këngëtarët e traditës së muzikës popullore dhe modern në trojet etnike shqiptare, si: Shkurte Fejza, Shyhrete Behlulin, Motrat Mustafa, Shqipe Kastratin, Merita Halilin, Fatime Sokolin, Fatmira Berqanin apo të muzikës së lehtë moderne, si: Adelina Ismaili, Gigi e shumë të tjerë.
Shumë vite më parë tek shfletoi disa albume fotografish, që ruhen në shtepinë Mrijaj në Yonkers New York, e sheh Ardianen të veshur me kostume shumëngjyrshe popullore nga zona e Kosovës, Shqipëria e Veriut (Mirdita, Puka, Shkodra), duke kënduar në shumë aktivitete kulturoro-artistike, të organizuar nga Qendra Kulturore “Nënë Tereza”, pranë Kishës Kaotlike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, në inagurimin e Kishës Katolike Shqiptare “Shën Palit” ne Detroit (MI), Organizata e Gruas Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”, Festivali i Talenteve të Reja në New York, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, përkujtimin e figurave historike, si: Kryengritja e Malësisë së Madhe e drejtuar nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli, Dita e Flamurit “28 Nëntor 1912”, aktivitetet e “Lidhjes së Prizrenit”, festimin e Pavarësisë së Kosovës në New York, dhe shumë evenimente të tjera kombëtare.
Në cdo festival të organizuar në New York, ka qënë e pranishme me ciftëlinë e saj, duke marrë pjesë me këngë kreshnike historike, si për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin, Të Lumen Nënë Tereza, Imzot Pjetër Bogdanin, Dedë Gjon Lulin, Isa Boletinin, Adem Jasharin etj.
klajdkapinova@yahoo.com