27 nentor 2009
Pro dhe kundër opozitës.
Flasin analistët Ylli MANJANI, Mero BAZE, Afrim KRASNIQI, Preç ZOGAJ, Artan LAME, Erl MURATI, Blendi FEVZIU, Henri ÇILI, Enton ABILEKAJ, Selim BELORTAJA, Blendi GONXHJA:
A duhet opozita në Kuvend?
Ylli MANJANI: Kutitë, Rama i kërkon për disertacion?
Nuk ka asnjë dyshim që protestat paqësore që e zhvillon çdo opozitë e një vendi demokratik janë legjitime. Nga ky parim nuk ka përse të bëjë përjashtim protesta e opozitës shqiptare. Siç kam sqaruar edhe në okazione të tjera publike, kam mendimin se arsyeja e protestës është disi e turbullt dhe jo fort korrekte. Eshtë e turbullt sepse ende nuk e di se çfarë kërkohet, hapja e kutive, hetimi i zgjedhjeve, zgjedhje të parakohshme, rrëzimi i Berishës apo çfarë saktësisht. Rama thotë se kërkon të hapen kutitë por nuk kërkon ndryshimin e rezultatit, atëherë për çfarë do ti hapë kutitë për dizertacion??? Të gjithë kemi kuptuar se kërkohet diçka ndërmjet këtyre termave, por ende jo shumë e qartë. Nga ana tjetër arsyet që paraqiten (ashtu si ato formulohen) nuk janë korrekte sepse Edi Rama dha konsensus për çdo gjë që ndodhi në zgjedhjet që sapo kaluam.
Konsensusi më i fundit që dha ishte miratimi i rezultatit përfundimar në KQZ me 7 vota pro (pra edhe anëtarët e PS-së votuan pro), edhe pse KQZ kishte refuzuar më parë të rinumëronte kutitë në kundërshtim me sa parashikonte kodi zgjedhor. Nga kjo pikëpamje, them se nuk është korrekte të kontestosh një rezultat që e ke miratuar vetë. Sidoqoftë, gjithmonë triumfon parimi që Opozita ka të drejtë të protestojë edhe kur është e paqartë edhe kur është jo korrekte. Ky parim merr vlera të veçanta në rastin shqiptar, po të mendosh se Berisha protestonte me armë për çështje shumë më koti fare dhe shumë më i paqartë se Rama sot dh si hyri gjemb në këmbë. Nga ana tjetër kjo protestë e opozitës po tregon se sa “të kalbura” i paska pasë fijet qeveria e zotit Berisha, reagimi i të cilit ishte dhe mbetet tërësisht jo proporcional dhe shumë i ç’ekuilibruar për një kryeministër të një vendi demokratik.
Zoti Berisha po tregon se nuk arrin dot të gjeje ekuilibrin e nevojshëm për të zgjidhur krizën e dialogut politik, duke na sjellë në vëmendje ditët e mbrapshta të viteve të qeverisjes së parë të tij. Ai po kërkon të “struket” në zgjidhjet e dështuara të tipit policesk dhe të dhunshëm të qeverisjes së tij të viteve ‘92-’97. Nëse do të vazhdojë kështu, pra me kërcënime dhe me dhunim të të drejtave të opozitës, atëherë opozitës i lind e drejta për të radikalizuar edhe më tej sjelljen e saj deri sa Berisha të largohet. E parë në këtë këndvështrim, Berisha po e legjitimon Ramën në qëndrimet e deritanishme që siç thashë janë të turbullta dhe jo korrekte. Ka edhe një këndvështrim tjetër të situatës aktuale politike të pas zgjedhjeve që është shumë më shqetësues sesa thjesht sjellja politike e Ramës dhe Berishës.
Ajo që ka ndodhur në fakt është një ripolarizim i tejskajshëm politik i shoqërisë dhe një kthim i frikshëm tek militantizmi politik. Kjo situatë në fakt u shkon për shtat kryetarëve të partive të mëdha të cilët me sjelljet e tyre “legjitimojnë” njëri-tjetrin sa herë ata janë në hall. Sot është Rama në “hall” dhe për pasojë Berisha e mban gjallë duke e sharë. Kur ishte Berisha në “hall” për ngjarjet e Gërdecit në mënyrë të dukshme e mbajti Rama. Kjo situatë sigurisht që nuk është e mirë për mendimin normal të njerëzve jo militantë, por që mendojnë. Në këtë kuptim demokracia jonë ka bërë hapa mbrapa. Sa për çështjen e parlamentit, unë besoj tek ajo që thashë se demokracia jonë ka bërë hapa mbrapa për shkak të sjelljes politike të Berishës dhe të Ramës në krye të partive të tyre. Hyrja ose jo në Parlament e opozitës është vetëm një tregues i krizës së demokracisë në vend. Në parim kur opozita merr vendimin për të mos hyrë në parlament të lind dyshimi të mendosh se diçka e rëndë ka ndodhur në vend.
Por kur mendoj se vendimi për të mos hyrë në parlament u diktua nga Rama në kundërshtim me vendimet zyrtare të forumeve të PS, atëherë parimi është i kompromentuar. Në këto kushte jam i prirur të besoj se demokracia jonë humbet me shumë nga moshyrja në parlament sesa nga e kundërta. Duke mos hyrë në parlament, qeveria e zotit Berisha po kalon ligje anti demokratike pa asnjë kontroll. Nga ana tjetër Rama zyrtarisht e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve kështu siç është dhe nuk ka kuptim krijimi i një kostoje kaq të rëndë për demokracinë. Në këto kushte mendoj se opozita duhet të jetë në parlament, në radhë të parë për të bërë transparencën e këtyre ligjeve, sigurisht pa hequr dorë nga kërkesa për hetimin e zgjedhjeve. Opozita mund të kondicionojë pjesmarrjen në votime ligjesh me hetimin e zgjedhjeve, por jo duke mos hyrë në parlament. Kështu do ti jepte më shumë legjitimitet edhe protestave.
Mero BAZE: Opozita të qëndrojë, zhvillim historik.
Nëse ka një zhvillim pozitiv pas 28 Qershorit në Shqipëri, është vendimi historik i opozitës për të qëndruar jashtë parlamentit derisa shumica të bindet të jap fund historisë së zgjedhjeve të manipuluara në Shqipëri. Për të kuptuar rëndësinë e këtij vendimi, përfytyroni për një moment opsionin tjetër, që opozita t’i ishte bindur mekanizmit grabitqar të zgjedhjeve se ku do të kishte përfunduar tani. Tani nuk do merreshim me betejën për zgjedhje të lira, por me betejën mes Ramës dhe dy “Benëve” të PS, se kush ishte më i gjatë. Tani në rrugë nuk do kishte 100 mijë njerëz dinjitozë që kanë tronditur qetësinë mendore dhe politike të Sali Berishës, por 100 mijë njerëz të trembur nga revanshi stalinist i tij.
Nëse opozita nuk do të kishte qëndruar siç po qëndron ne do të ishim tashmë shoqëria më pa dinjitet e Evropës, pasi do të toleronim dimensionin kryesor që ndan vendet perëndimore nga republikat islamike, lirinë për të votuar. Për këtë arsye, opozita i ka dhënë dinjitet Shqipërisë dhe ka forcuar identitetin evropian të saj. Pa këtë qëndresës të opozitës, ne nuk do të kishim mundësi as të shikonim këtë shfaqje skizofrenike të kryeministrit. Shikoni se ç’po bën. Pasi i hoqi me fjalë dhe policë tokën një pronari të ligjshëm në qendër të Tiranës, (se realisht nuk ja heq dot) tashmë i është lëshuar një biznesmeni tjetër, dhe akuzon Edi Ramën se i ka shitur lirë rreth një mijë metra tokë. Këtë e thotë njeriu, i cili vet, ka lobuar bashkë me vajzën e tij, për atë vendim të Këshillit Bashkiak, vet ka thirrur këshilltarët e tij në Bashki dhe i ka urdhëruar të votojnë.
Për më tepër këtë e thotë një njeri, që e ka pasur pronë të tij Taëanin. Për të gjithë ata që nuk e dinë, duhet mësuar se Partia Demokratike ka qenë pronare e lokalit Taiëan deri në vitin 1997, përfituar nga veprimtaritë e saj ekonomike me kompaninë “Shqiponja”. Në ditët e Prillit 1997, kur demokratët besonin se Sali Berisha ishte i rrezikuar nga plumbat dhe pa lek në xhep, ai firmoste me kokën ulur poshtë dritares, se mos e zinte ndonjë plumb, shitjen e lokalit Taëan për 6 mijë dollarë. Fiks për 6 mijë dollarë. Dokumenti përvëlues gjendet ende në zyrat e PD-së, dhe mban firmën e ndihmësit kryesor të Sali Berishës, Genc Pollo. Gjithë sipërfaqja e Taiwanit prej disa mijëra metra katror, është vlerësuar 200 mijë dollarë dhe blerësi i ka paraqitur Sali Berishës një deklaratë ku thotë se 194 mijë dollarë i ka harxhuar për studime gjeologjike dhe gjeofizike dhe i premton se 6 mijë dollarët e tjerë do t’ia jap dikur PD.
Kështu pra ky njeri që ka shitur gjithë Tawanin pa asnjë lek, (natyrisht duke mbushur xhepat e tij) tani del ulëret, pse po prapë ai dhe vajza e tij lobuan që të legalizohej një punim shtesë në këtë lokal në vitin 2005. Ky destabilizim i tij mendor, dhe ky revansh i tij stalinist nuk do ishte testuar kurrë, sikur opozita t’i hapte rrugë manipulimit të zgjedhjeve prej tij. Për këtë arsye gjesti i opozitës, ka për të hyrë në historinë e Shqipërisë, si vendimi më evropian, më properëndimor dhe më dinjitoz për identitetin politik të shoqërisë shqiptare. Kurrë nuk kemi pasur shansin të bëhemi 100 mijë shqiptarë bashkë për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. Ky është dhe një evoluim i madh për opozitën shqiptare e cila në vitin 1996 arrinte të nxirrte mijëra njerëz në shesh për lekët e humbura tek Sudja dhe Xhaferi, kurse sot po del në rrugë për liritë e humbura, tek piramida politike e Sali Berishës.
Afrim KRASNIQI: Bojkoti, strategji e gabuar e Ramës.
Personalisht, nisur edhe nga përvoja negative e tranzicionit shqiptar, kam qenë e jam kundër bojkotit politik. Ky qëndrim nuk e cenon të drejtën e kujtdo për bojkot, por ka të bënë me të drejtën tonë qytetare për të pasur stabilitet dhe një kulturë demokratike të krahasueshme dhe të denja për vendet e bashkësisë evropiane. Tej preferencës personale, mendoj se vendimi i opozitës parlamentare për protesta civile dhe për bojkot parlamentar përbën një nga vendimet më të rëndësishme dhe më me risk politik që mund të marrë një forcë politike në një sistem parlamentar. Një parti e madhe e bojkoton parlamentin për shkak të një rrethane, një kushti dhe një synimi politik, të pranuar nga vetë sistemi politik. Kjo është praktikë demokratike, zhvillim normal dhe i justifikueshëm.
Nëse rrethana, kushti dhe synimi janë jashtë sistemit politik ose kundërvënës ndaj tij, atëherë bojkoti mund të cenojë parimet demokratike, normalitetin demokratik dhe kështu, të bëhet i pajustifikueshëm. Në rastin konkret opozita ka prezantuar vetëm pjesën e parë të projektit: bojkot parlamentar në shenjë proteste për administrimin e zgjedhjeve të qershorit. Vetë bojkoti 1, 2 apo 6 mujor mund të mjaftojë për arritjen e këtij qëllimi, pra për krijimin e klimës së mosbesimit dhe dyshimeve të thella në legjitimitetin e zgjedhjeve. Por nëse bojkoti zgjat pafundësisht, dhe më tej përdoret jo vetëm për qëllimin e tij primar, mjet proteste politike, por si mjet për refuzimin e parlamentit dhe institucioneve politike atëherë pasojat dhe natyra e tij mund të jetë kundraproduktive dhe cenim të demokracisë.
Në këtë skenar, opozita do të përballej me presionin dhe kritikën në rritje brenda vendit dhe sidomos nga institucionet e shtetet perëndimore, gjë që mund të shkojë kundër qëllimeve të vetë bojkotit. Sfida më e madhe e PS do të jetë pikërisht ndërgjegjësimi i saj për pikën, momentin, kufirin që ndan natyrën demokratike me atë kundërproduktive të bojkotit. Nëse ajo nuk e kap këtë moment dhe kalon kufirin që e ndan atë, atëherë jo vetëm do të ketë rrjedhje brenda grupit politik e parlamentar socialist, por edhe e gjithë aksioni i saj politik mund të kthehet në kapital politik për mazhorancën dhe fushatën e saj denigruese e izoluese diplomatike ndaj opozitës. Në këtë kontekst, bojkoti parlamentar dhe protesta civile e opozitës nuk janë dy aksione plotësuese, por dy aksione paralele që mund të mbijetojnë dhe të japin rezultate pozitive edhe nëse zhvillohen të pavarura nga njëra tjetra.
Bojkoti është akt politik, sensibilizues, kurse protesta është formë demokratike, por edhe provokuese ndaj mazhorancës dhe sistemit politik. Nëse opozita ndjek pafundësisht rrugën demokratike të protestës dhe të bojkotit, atëherë risku në bllok, mund të sjellë pasoja në bllok, të cilat jo domosdoshmërisht do të jenë në favor të saj. Nëse ajo ndan dy aksionet, psh, duke e praktikuar bojkotin vetëm për një periudhë kohore, kurse protestën pa një kufi kohor, atëherë rezultatet e saj mund të jenë shumë më pozitive në raport me qëllimet politike në vend dhe me atë të partneritetit ndërkombëtar. Qytetarët kanë votuar dhe institucionet kanë konfirmuar 66 mandate parlamentare të opozitës, të cilat janë të tilla vetëm nëse përdoren në jetën parlamentare. Detyrimi i këtyre deputetëve nuk është vetëm partiak e politik (përpara strukturave të partisë), por edhe ligjor (detyrimi kushtetues) dhe moral (përpara qytetarëve votues e abstenues). Kapërcimi i këtij kufiri mund të ketë kosto të lartë politike, kurse protesta civile, për sa kohë është me forma demokratike, mund të jetë edhe më e efektshme nëse është protestë ndaj shumicës, jo ndaj sistemit politik, pra institucionit të parlamentit si produkt formal e ligjor i vullnetit të popullit.
Së fundi por gjithashtu thelbësore, bojkoti dhe protesta e opozitës nuk duhet parë e shkëputur nga reagimet e mazhorancës. Ne kemi fatin e keq që në traditën tonë politike reagimet dhe reflektimet vijnë shumë vonë, në momentet e fundit, kur edhe mund të mos kenë më vlerë. Mazhoranca ka përgjegjësinë dhe detyrën politike e kushtetuese të ofrojë mjete institucionale e politike kompromisi e dialogu, jo e kundërta, ta provokojë përshkallëzimin e tyre. Kjo ofertë nuk mund të jetë me kërcënime e kundramitingje, por me nisma konkrete ligjore e politike, me ndërmjetësim presidencial ose jo, për të gjetur një zgjidhje që nuk mund të jetë zgjidhje vetëm për 50% e votuesve (pro-qeveritarë), por edhe për 50% të votuesve (pro-opozitarë). Përderisa dy palët nuk reflektojnë, nuk reagojnë me mjete institucionale dhe politike, dy palët po hyjnë në një garë të rrezikshme force, me kosto për vendin dhe me pasoja për të dy palët dhe për vetë vendin.
Preç ZOGAJ: Protesta po pret qeverinë.
Populli ka dy mënyra për të dhënë mesazhe të mëdha.. E para, nëpërmjet zgjedhjeve demokratike. E dyta, nëpërmjet grumbullimeve, manifestimeve dhe marshimeve të protestës, që duhet të kenë një arsye të fortë dhe madhësi të caktuar për t’u kualifikuar si popullore. Protesta e 20 nëntorit 2009 në bulevardin “Dëshmorët e kombit” ishte e tillë. Po të flasim me gjuhën e Tukevilit, do të thoshim se kishte madhësinë dhe kompaktësinë e nevojshme për të qenë një instancë e lartë e zërit sovran. Në të vërtetë, një protestë kaq e madhe, i zuri disi në befasi qeverinë dhe madje edhe vetë opozitën që e thirri. Qeveria u kap në indiferencën dhe vetëkënaqësinë e syrit që ka zënë perde. Opozita “u kap” në dyshimin e vjetër se qytetarët nuk ngrihen për votën. Protesta i kapërceu këto pritje dhe u ngrit si Leviathani i qytetarisë në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.
Tani Shqipëria gdhihet e ngryset me të. Të gjithë duhet t’i bëjnë hesapet me të. Edhe qeveria që e ka kundër. Edhe opozita që e ka në favor. Opozita është thirrur në kauzë ta ushqejë, drejtojë dhe udhëheqë drejt suksesit. Në këtë rast, megjithëse e ka të qartë se lumi i protestës ushqehet me “prurjet” e larmishme të pakënaqësisë popullore, opozita është e shtrënguar të mbahet pikësëpari dhe deri në fund pas levës së hetimit të zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive. Beteja për kutitë ruan karakterin politik të protestës dhe justifikon ndërkohë natyrën e kërkesave dhe synimeve të saj. Nga tjetër, dhe kjo është më rëndësishmja, qeveria është thirrur në kauzë të lexojë drejt mesazhet e protestës dhe të reagojë me përgjegjësinë dhe urtësinë e palës që ka pushtetin. Për momentin kryeministri Berisha po u kthen në stilin e tij reston e kërcënimit disa folësve opozitarë; po flet me Ramën dhe shumë pak, për të mos thënë aspak, me vete protestën. Është një qasje që po të jetë qëndrim, do të sjellë pasoja, si çdo qëndrim i gabuar në situata të tilla. Pse? Sepse ngrihet mbi mohimin e protestës.
Dhe protesta që mohohet, vetëm përsërit vetveten në përmasa më të mëdha nesër pasnesër. Kryeministrin e vendit mund ta pengojë sedra apo arsye të tjera të dëgjojë shefin e opozitës së tij, gjë që nuk është kurrë e këshillueshme. Por ai nuk ka asnjë alibi të bëjë shurdhin ndaj kërkesave që shqiptohen nga një korale njerëzore qindramijëshe. Një “mbret i pjacës”, siç ka qenë në opozitë Berisha, diçka di nga zanati. Pas 20 nëntorit ai nuk mund t’i kërkojë opozitës të kthehet pa kushte në Kuvend, siç ka bërë gjatë gjithë vjeshtës. Edhe po të “urdhërohet” nga qielli, opozita nuk e bën dot pa bërë harakiri, gjë që sigurisht askush nuk e ka ndërmend dhe askujt nuk do ti leverdiste. Ndërkohë, Berisha nuk mund të mos shohë në vërshimin e njerëzve drejt shesheve të protestës një Shqipëri që ka dalë ” telef” nga zgjedhjet. Është një situatë vibruese, ideale për të “prodhuar” protestues. Që do të shtohen, ose do të kthehen në shtëpi në vartësi të përgjigjes që do të marrin nga qeveria.
Artan LAME: Pas 20-vjetësh, jemi në rrugë me të njëjtat kërkesa.
Përtej kurthit të luftës dhe debatit të shifrave, jo po ishin kaq apo aq pjesëmarrës; përtej emocioneve të të momentit që janë të natyrshme gjatë një proteste publike, për më tepër kur ajo përfshin një masë kaq të madhe njerëzish; përtej mobilizimit të kaq shumë strukturave, të njërës palë për të angazhuar sa më shumë njerëz dhe, të palës tjetër për t’i penguar ata; përtej qindra fjalimeve e kundërfjalimeve, prononcimeve e konferencave të shtypit, i thashë më tha, i themi na thonë; përtej lumit të bojës dhe maleve me letër gazete ku u analizua gjithshka çdo moment, pra nga e gjithë kjo zallamahi e stërmadhe, ajo që pas ca kohe do të mbetet në librin e historisë, e shumta do të jetë një rresht: “Në nëntor të vitit 2009, shqiptarët dolën në rrugë për fjalën e lirë”.
Dhe ata që do ta lexojnë këtë rresht, do thonë me vete: Po a nuk e kishin zgjidhur shqiptarët këtë punën e fjalës së lirë në vitin 2005, apo edhe më përpara në vitin 1997, apo edhe më përpara akoma në vitin 1990? Personalisht ndjehem i trishtuar nga e gjithë kjo që po ndodh, nga fakti që edhe 20 vjet pasi dolëm në rrugë për fjalën e lirë, të gjendemi sërisht në rrugë me të njëtat parrulla të para 20 vjetëve. Në këta 20 vjet kemi ndryshuar gjithshka, kemi ndërruar nja 15 qeveri, janë formuar e ndërruar nja 60 parti, po shkëmbehet një brez i tërë njerëzor, të gjitha u ndërruan, me përjashtim të një njeriu të vetëm që vazhdon të mbetet bllokuesi i përhershëm i ecjes përpara të shoqërisë shqiptare.
E keqja e madhe, nuk është se ai ka 20 vjet që ka bllokuar vetëm partinë e tij, por nëpërmjet këtij bllokimi, është e gjithë shoqëria shqiptare që nuk po ja del të mbyllë një shekull të historisë së saj, për t’i hyrë shekullit të ri. Në një vend si ky i yni, ku institucionet janë të importuara dhe jo të lindura si nevojë e brendshme e zhvillimit të shoqërisë, kur çdo problem real është zgjidhur dhe zgjidhet me SMS nëpër klube, Parlamenti, përtej fasadës, nuk ka asnjë vlerë reale. Ca më shumë, kjo thellohet nga lufta që me vetëdije i bëhet seriozitetit dhe peshës reale të këtij institucioni. Në një ambjent të tillë, e gjithë kjo “hyrë mos hyrë në parlament”, nuk ka realisht asnjë lidhje me rëndësimë dhe seriozitetin që do të duhej të kishte një sallë hijerëndë në të cilën mblidhen 140 burra të zgjedhur midis 3 milion e gjysëm shqiptarëve dhe që do betoheshin prej vërteti mbi kushtetutë dhe flamur, për të bërë ndonjë punë që t’ua kujtojë historia për mirë.
Dhe së fundi, ndërsa unë përpiqem të përzgjedh fjalët që po shkruaj, limoj një frazë këtu e ndërroj një fjalë atje, kontrolloj shenjat e pikëzimit dhe zbus termat që kur njerëzit të më lexojnë, pavarësisht nëse do jenë dakord me mua apo jo, të paktën të mbeten të qetë se kanë lexuar diçka normale, sakaq më mbërrin nga televizori një përrua fjalësh të frikshme plot shkumë e gurë. Po flet Kryeministri i vendit tim, ai që pas Presidentit të Republikës, i bie të jetë babai nr. 2 i Kombit, ndërsa këtu po flet për dhëmbë, dhëmballë, darë nallbanësh, patkonj, punistë, të bërë nënash, baballarësh, motrash, grash të para e të dyta, desh me lesh, ashikë e të tjerë terma që shqiptarët normalë nuk i përdorin më që nga koha e Ali pashait. Ndërsa Anila në redaksi pret që unë t’i dërgoj prononcime e teorira për Shqipërinë e shekullit XXI.
Erl MURATI: Hapja e kutive, një precedent i rrezikshëm.
Mitingu i opozitës ishte në rradhë të parë një demonstrim force dhe gjuha skandaloze – shokuese e kryeministrit mbrëmë në parlament, tregon që në një farë mënyrë protesta e arriti qëllimin. Ajo arriti të zgjojë vëmendjen jo vetëm të opinionit publik, por edhe të lidershipit të PD-së. Paradoksalisht, kryeministri nuk bëri gjë tjetër dje, veçse rriti në mënyrë të panevojshme aksionet e PS-së në bursën politike. Në vetvete, vendimi i Edi Ramës për protesta të pandërprera është një tentativë për të mbajtur gjallë shpirtin opozitar në një moment jo të mirë, siç është humbja e zgjedhjeve parlamentare nga një parti e cila ndenji 4 vite në opozitë.
Nga ana tjetër, mendoj se as vetë Edi Rama nuk beson se kutitë e votimit do të hapen ndonjëherë. Kutitë mund të hapeshin nëse do të kishte prova për manipulim, por të gjithë komisionerët e PS-së, e theksoj – komisionerët e opozitës në të gjitha nivelet i kanë firmosur si të rregullta procesverbalet e rezultatit të zgjedhjeve. Në këto kushte, hapja e kutive do të ishte një precedent i rrezikshëm, pasi në çdo palë zgjedhje pala humbëse mund të shkaktonte një kaos pambarim duke kërkuar hapje kutish. Pas 2 vitesh kemi zgjedhjet vendore: e imagjinoni dot një situatë ku çdo kandidat humbës në qindra komunat e bashkitë që ka Shqipëria, të kërkojë rihapjen e kutive?! Kjo nuk do të kishte sens. E kam thënë edhe herë tjetër: në një vend demokratik, sovrani nuk është populli, por ligji. Dhe përderisa ligjërisht PS-ja është humbëse e zgjedhjeve parlamentare, çdo aksion i mëpasshëm nga institucionet do të ishte një non-sens juridik. Por, kjo nuk do të thotë aspak që opozita që humbi zgjedhjet s’duhet të protestojë. Eshtë normalë të ndodhë kështu, përderisa ka 20 vjet që ndodh kështu.
Blendi FEVZIU: Opozita është e paqartë se çdo të bëjë.
Personalisht jam krejtësisht në favor të protestave të opozitës dhe të çdo grupimi tjetër që mund të ndikojë në shoqëri: sindikata, shoqata, grupime. Protesta është një element i rëndësishëm i demokracisë. Protestat mund dhe duhet të vazhdojnë. Ato duhet të bëhen gjithnjë e më origjinale për t’i dhënë më shumë frymëmarrje opozitës dhe për t’i mësuar shqiptarët që të protestojnë, për t’ju hequr atyre frikën nga shteti, që e trashëgojnë prej viteve të komunizmit. Protesta në demokraci është më shumë se sa e rëndësishme, por çdo degradim i protestës në një manifestim dhune është i patolerueshëm. çdo protestë që përfundon në dhunë, nuk është më protestë, por cënim i rendit kushtetues të një vendi. Gjithsesi, opozita nuk ka shfaqur ndonjë shenjë dhune dhe kjo është për t’u përshëndetur.
Problemi qëndron se opozita ka vendosur një afat 10 ditor që unë nuk do të doja ta quaj ultimatum. Pas çdo ultimatumi, vjen lufta dhe s’besoj se opozita ka pasur parasysh këtë gjë. Por opozita nuk po thotë se si do të shkojë më tej. Ç’do të ndodhë pas kësaj proteste; pas asaj tjetrës, asaj të tretës, të katërtës apo të pestës. Natyrisht detyra e çdo opozite është të vijë në pushtet dhe t’i zerë vendin qeverisë që është në fuqi. Nuk ka asnjë dyshim se ka vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet në një sistem demokratik: zgjedhjet! Në këtë rast, bëhet fjalë për zgjedhjet e parakohshme sepse ato të rradhës pritet të zhvillohen në qershor të vitit 2013 dhe opozita duket qartë se nuk do të presë ato. Problemi i paqartë i të gjithë kësaj është se si do të vijë opozita në pushtet, si do ta rrëzojë ajo koalicionin qeverisës dhe si do të provokojë zgjedhje të parakohshme.
Mazhoranca ka 74 vota në parlament dhe ndryshimet kushtetuese të aprovuara nga të dyja palët i japin Kryeministrit një stabilitet që nuk e ka pasur dy vjet më parë. Nga ana tjetër, pothuaj gjithë partnerët ndërkombëtarë që mund të ushtronin presion mbi qeverinë, po bëjnë të kundërtën, po kërkojnë hyrjen e opozitës në Parlament. Pra, ajo që duhet kuptuar është se si do të veprojë opozita në muajt në vijim. Sa për mungesën e opozitës në Parlament unë jam krejtësisht kundër. Më duket absurde çdo deklaratë që justifikon ndenjien e opozitës jashtë parlamentit. Opozita është votuar për të shkuar në Parlament dhe për të mbrojtur interesat e votuesve të saj. Ajo është votuar për të bërë opozitë dhe këtë nuk po e bën. Buxheti kaloi pa opozitën; vendime të rëndësishme po merren pa praninë e saj dhe kjo është me kosto për demokracinë. Opozita ka një tempull që është parlamenti dhe nuk bëhet me konferenca shtypi.
PS duhet të shkojë në Parlament dhe atje, ose edhe atje, të koordinojë hapat për më tej. Ajo mund të jetë në Parlament dhe të protestojë njëkohësisht, të shkallëzojë mjetet demokratike dhe të tjerë. Por qëndrimi jashtë është i pajustifikueshëm. Nëse opozita nuk është në parlament për buxhetin, nëse nuk është në parlament kur votohen ligje të rëndësishme për integrimin, si është ky i diskriminimit (Ligje që kalojnë edhe me 71 vota); nëse opozita nuk ëhstë në Parlament kur diskutohet pyetësori për statusin e vendit kandidat apo liberalizimi i vizave, atëherë përse Shqipëria ka votuar për një opozitë? Mendoj se opozita duhet të hyjë në parlament dhe të bëjë atje një opozitë sa më të ashpër, sa më të strukturuar politikisht, siç fatkeqësisht nuk e bëri dot katër vitet e shkuara.
Henri ÇILI: Bojkoti i opozitës më duket i pa arsyeshëm.
Një protestë është për tu mirëpritur si një shprehje e vullnetit të popullit për një temë të caktuar. Mendoj se janë dy tema së bashku në cështjen e protestës së opozotës, ajo e hapjes së kutive të 28 qershorit dhe e pakënaqësisë ndaj qeverisë. Lidhur me temën e parë, apriori kutitë nuk kanë pse të të mos hapen me kusht që ky preces të jetë i ndarë nga cështja e mbyllur e rezultateve te 28 qershorit, të cilat tashmë kanë një humbës dhe një fitues të qartë. Ky është sistemi, këto janë rregullat e lojës të ndërtuara nga të dyja palët, këto janë institucionet e shtetit tonë, me miratimin e palëve dhe ky është rezultati i kësaj procedure. Ndryshe zgjedhjet nuk do të përfundonin kurrë, ndryshe nuk do të kishte procese juridike të fundme.
Demokracia është njëkohësisht një diskutim i hapur por dhe një veprim i mbyllur në një kohë të caktuar, në një afat të caktuar. Në funksion të transparencës dhe të përmirësimit të zgjedhjeve të ardhshme është e qartë që duhet që kutitë të hapen për të parë funksinomin e procesit tonë zgjedhor në zemër të sistemit dhe për të bërë nesër ato mekanizma garantimi për të mos patur asnjë lloj kontestimi. Një dialog qeveri opozitë duhet hapur lidhur me këtë problem. Bojkoti i opozitës më duket i paarsyeshëm dhe me pasoja të rendë për vetë atë dhe për vendin. Në vend që Rama të mbante përgjegjësi për humbjen e opozitës në zgjedhje sikurse kishte premtuar ia po bën një bojkot për të legjitimuar jashtë përgjegjësisë së tij humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Është e drejtë e tij dhe e PS-së ta bëjnë këtë.
Ka një konsensues të gjithë aktorëve lokale dhe ndërkombëtare, të institucioneve të ngritura nga të dyja palët, që zgjedhjet e 28 qershorit ishte zgjedhje të standardeve dhe që problemet nuk prekën rezultatin. Ndaj diskutimi politik mbi zgjedhjet mund të vijojë, ai juridik është i mbyllur. Kam frikë se me këtë bojkot po futemi në një fazë ku gjithkujt që humb zgjedhjet do ti lindë e drejta nga ky precendent që në vend ta mbajë përgjegjësi për humbjen të thotë “zgjedhjet u vodhën”. Ky tip – bojkot nuk e ndih demokracinë, është një bojkot që duhet të jetë në përgjegjësinë e atyre që e bëjnë.
Enton ABILEKAJ: Opozita ka qëllime të dyshimta në kërkesat e veta.
Protesta e opozites bazohet ne nje kerkese te parefuzuesshme, por po shkon drejt nje kerkese te papranueshme – zgjedhjet e parakohshme. madje mund te thuhet që përvec këkesës fillestare që është e drejtë, edhe backgroundi, edhe precipitimi nuk janë të drejta. backgroundi sepse të gjithë e kanë degjuar Ramën në 28 qershor kur tha qe zgjedhjet plotësuan standartet, të gjjithë e kanë degjuar më 28 korrik kur tha që bojkoti nuk është pjesë e politikës së PS dhe të gjithë e dëgjuan në 29 gusht kur bojkotin e shndërroi në të vetmen kartë të politikës së tij.
Këto qëndrime të kundërta nxisin dyshimin në qëllimin e protestës dhe qëndrimeve të tjera të PS. Nëse ps dotë kishte hyrë në kuvend dhe do të kërkonte hapjen e kutive dhe hetimin e zgjedhjeve, mund të largohej nga parlamenti pa e akuzuar askush për krijimin e nje situate artificiale rqë bllokimit të institucioneve që të gjithë i quajnë legjitime. Te gjithe do te merreshin sot me refuzimin e > pajustifikueshem të maxhorancës për të hapur kutitë, por sot po merren me PS që bllokon dhe kërkon zgjedhje të parakohshme ne një terren krejt të papërshtatshëm për këtë.
Selim BELORTAJA: “Protesta” parlamentare-rruga që sugjerojnë rrethanat.
Ja dhe protesta u bë. Natyrisht nuk ishte ajo që prisnin organizatorët e saj. As e madhe, as e vrullshme, ca më pak pastaj ..”e zjarrtë”- siç ka qef ta avokatojë ..avokati. Por sidomos ajo mbeti fund e krye e paqartë. Nga nisja në deri në mbërritje. Mos më thoni që s’kemi ende një mbrritje, se ku e pashë unë mbrritjen, se seria e protestave masive sapo ka filluar, e se kjo që ne pamë ishte vetëm “ceremonia e hapjes” dhe se protesta të tjera gjigande do të përfshijnë vendin duke e përshkuar atë shesh më shesh e qytet më qytet, pak a shumë si punë tornadoje.
Vetë protesta e javës së kaluar më dëshmon se një skenar i tillë nuk ekziston në botën reale. Se ideja e lëvizjes spontane, të vetëdijshme e të vetvetishme të qytetarëve ndaj qeverisë as që duket gjëkund. Në se kemi diçka, ajo gjendet vetëm në mendjet e në planet individuale të pak eksponentëve të klubit tonë opozitar. Le t’i referohemi vetë protestës. Ajo që na çon në këtë përfundim nuk është as infrastruktura teknologjike e saj, as numuri i pjesmarrësve në çadra ato net, as parullat e banderolat, as repertori i fjalëve dhe folësve në tribunë. Ajo që na bind se protesta nuk është sot rruga e duhur e suksesit politik opozitar është diçka tjetër: protestës i mungoi vetë shpirti i protestës.
As organizimi i kujdesshëm teknik dhe mobilizimi organizativ i stafit të zotit Rama nuk mund ta fshihte dot këtë: në bulevardin e madh pamë një program dhe mizanskenë, por kurressi nuk pamë ndonjë shpirt proteste. Faktet për këtë janë disa. Një proteste i mungon shpirti kur ajo nuk arrin të ndikojë shpirtërisht asnjë nga njerëzit që kalojnë aty pranë në punë të tyre, kur vija ndarëse mes njerëzve të “grupit protestues” dhe qyteraëve që nxitojnë për në punë a në kafe është krejt e prerë, kur protesta qëndrore nuk shoqërohet me asnjë pikë nervozizmi në rrethe të tjera, etj. et. Fakte që tregojnë mungesën e shpirtit mund të rendisim plot mbi sa pamë.
Duket pra që një lëvizje e tillë nuk qëndron në këmbët e veta. Pse? Piksëpari sepse nuk është realiste. Nuk buron nga rrethana e shtysa të qëna e të ndjera nga ana e njerëzve. Me këtë nuk po them e as dua të them se njerëzit nuk kanë halle, se nuk ka varfëri, se nuk ka papunësi, pabarazi, padrejtësi. Po ta thosha këtë, atëhere “jo-realisti” do të isha vetë. Të gjitha janë prezente në një masë më të madhe a më të vogël. Nuk mund të them as që protesta ishte jo-legjitime. Një zhvillim dhe një skenar i tillë për mua është legjitim, krejt i pajtueshëm me normat e shkruara a të pashkruara që lejon reagimi demokratik opozitar. Ligjërisht pra, mund të jemi krejt në rregull.
Pika ku s’jemi në rregull është pikërisht shpërdormi i këtij mjeti legjitim, përmes hedhjes së papjekur të tij në sheshe e rrugë. Është njëlloj sikur një muri ti vesh një tullë ende të papjekur nga furra. Por ajo që e bën edhe më të qartë jo-realizmin e rrugës së “protestës masive” është përdorimi ekskluziv i saj. Sikur të ishte rruga e fundit, dhe mjeti i fundit që ka mbetur. Ndërkohë që edhe protestuesi më i largët i Hasit a Devollit mund të pyesë. Mirë mua më nxorre nga shtëpia e më ftove të gdhij ca net në sheshin e ftohtë, por a është kjo rruga e vetme që ju ka mbetur?
A nuk nxorrëm ne pak më parë një ekip aq të pasur deputetësh. A s’thatë atëhere që të gjithë ata tok përbënin mjetin më efikas dhe skuadrën fituese për opozitën. Që zgjedhja e tyre do ta dërmonte padyshim mazhorancën e sotme. A s ‘na thatë që zëri i një deputeti të tillë kumbon e vepron sa dhjetra mijra zëra bashkë që e kanë zgjedhur? Zëri i një deputeti është zëri i 30-40 mijë vetëëve. Ç’ma mbani atëhere fshehur gjithë këtë potencial sa qindramijra zëra e merreni me katër a pesë mijë hallexhinj nga rrethet?
Edhe më e vështirë do të bëhet situata në se zgjedhësi i thjeshtë i Gramshit a Devollit do të kërkojnë shjegime shtesë dhe krejt konkrete. Mos o zot sikur të mendohen e të pysein një çast vehten: ç’do të thotë tamam tamam thirrja “hapni kutitë”. Dhe në fundit, si mund t’i ndryshojë kjo vërtet jetët e tyre?
Blendi GONXHJA: Askush nuk e dërgon dot opozitën me dhunë në parlament, sikurse është me një kosto të jashtëzakonshme ideja që të nxirret me dhunë pozita në rrugë.
Mendoj se kërkesa për një hetim të mundshëm të zgjedhjeve, ose të aspekteve të caktuara brenda zgjedhjeve, është një e drejtë e padiskutueshme e partive politike, aq më shumë e partive të opozitës, aq më shumë e vetë PS-së. Ndonëse unë i mbahem mendimit, bindjes dhe qëndrimit tim, të bërë shpesh edhe publik, se rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare u përcaktua shumë muaj përpara datës së votimit, e se faktor vendimtar për këtë rezultat ishte strategjia e zgjedhur nga opozita, dhe se këto zgjedhje do ishin si një e një që bëjnë dy të fituara nga e majta nëse të gjithë faktorët e së majtës do gjenin rrugën e bashkimit, kjo nuk mund ta paragjykojë bindjen e atyre që e mendojnë këtë histori ndryshe nga unë.
E meqë në këtë rast unë përfaqësoj vetëm veten, pra nuk kam as tagër e as mundësi të posedoj informacion të gjerë e të detajuar mbi mënyrën sesi janë zhvilluar skenarët parazgjedhorë e ato të procesit zgjedhor që u finalizua me rezultatet, sot të kontestuara rëndë, të 28 qershorit, e gjej të udhës të pranoj edhe hipotezën se ndoshta mendimet, bindjet dhe qëndrimet e mia ngrihen mbi inventarin e një pjese të vogël, të pamjaftueshme, të së tërës e për rrjedhojë mund të mos jenë më të drejtat. Kësisoj marr të mirëqenë pretendimin e asaj pjese të zgjedhësve të cilët së bashku me liderët e tyre politikë pretendojnë sot me forcë një hetim të zgjedhjeve parlamentare, në një, disa ose në shumë zona elektorale. Sipas këtij kandari mundet që edhe ata të kenë të drejtë, e mundet që unë ta kem gabim.
Pra mundet që bashkimi i së majtës të ketë qenë i pamundur për arsye që unë si njoh apo që zgjedhjet të jenë humbur sepse ka pasur parregullsi e jo si rezultat i vullnetit të sovranit. Këtyre hipotezave i shtohen edhe pretendimet e para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor të shumë partive të vogla, apo aq më fort pretendimet e LSI-së për parregullsi skandaloze në kurriz të saj. Pra thënë këto, mundet që pretendimet të qëndrojnë, që do të thotë se mundet qe t’ia vlejë barra qeranë që një hetim tërësor të sqarojë dhe zbardhë gjithçka. Lidhur me këtë, unë nuk e konceptoj dot se përse PD ose qeverisja merr e bëhet palë kur thotë se: -ne nuk i hapim kutitë! Ata duhet të mos shprehen për kutitë ose për fatin e tyre, sepse kutitë i hap ose i mbyll arbitri, institucionet përkatëse, KQZ, kolegji zgjedhor e pastaj gjykatat. Pra apeli dhe kërkesa duhet të shkojnë në adresën e duhur, dhe jo në Kryeministri ose aq më keq të mbeten rrugëve, pa zot. Këtu merret me mend që lind pyetja: -Presidenti ynë, a ka gjë në dorë dhe a do marrë përsipër të frymëzojë një arbitrim të drejtë e të shpejtë?
Unë nuk jam jurist, nuk flas dot si i tillë, e nuk më intereson pozicioni juridik i çështjes, ndaj unë preferoj të besoj se aty ku ka një kontestim është më mirë që të ketë një sqarim, një transparencë absolute, një verifikim që do ndriçonte çdo cep të errët.
A duhet bërë beteja në rrugë apo në parlament? Do preferoja që vendi im të ishte një vend normal, me një klasë politike normale e me një demokraci funksionale në mënyrë që të mos ulnim kokën nga turpi para fqinjëve e para botës evropiane, sikurse bëjmë këtu e mbi 60 vjet ne shqiptarët. Por nëse gjuha konfliktuale, mosmarrëveshja ekstreme, sjellja e rrugës do zhvendosej brenda sallës së parlamentit unë nuk besoj se do ndryshonte dot gjë realisht. Kemi të bëjmë me një qëndrim shumë këmbëngulës të opozitës, që kërkon të mos hyjë në parlament pa një hetim të zgjedhjeve deri edhe me hapje të kutive të votimit.
Unë do isha i mendimit që duhen konsumuar të tëra potencialet e mundshme, çdo opsion i mundshëm, që të gjendej dialogu dhe të hapej një spirale kompromisi. Askush nuk e dërgon dot opozitën me dhunë në parlament, sikurse është me një kosto të jashtëzakonshme ideja që të nxirret me dhunë pozita në rrugë. Shqipëria nuk ka më kohë për të përjetuar një tjetër vit 0, ekonomia, shoqëria jonë nuk mund të lejojnë më të kthehemi mbrapa. Duhet të shikojmë përpara, duhet gjetur marrëveshja mes faktorëve politikë, e secili faktor duhet të lërë diçka të shtrenjtë kurban për të investuar për një erë të re politike në një Shqipëri të re.
Referuar nga Ballkan Web/ G.SH.