Lëreni të flasë me fëmijët!

0
21

Nga Mero Baze, 2 Tetor 2012

Ka një shqetësim në rritje lidhur me një diarre të përditshme politike, me të cilën Sali Berisha ndot klasa fëmijësh në shkollë, ku hyn për t’u vizatuar gogolin në formën e opozitës. Nisur nga një logjikë normale, ku fëmijët duhet të mbahen larg politikës, ku demokracia dhe respekti për opozitën duhet të kultivohen si pjesë e kulturës së një fëmije, apo dhe më tej akoma, ku imazhi i kryeministrit për fëmijët duhet të jetë ai i një njeriu të respektuar, është e pranueshme që gjestet e Sali Berishës të krijojnë shqetësim. Por të gjithë po ashtu jemi të qartë se nuk po operojmë në kushte të normalitetit.

Shqipëria nuk është një demokraci normale, por hibride- drejt rrëshqitjes në diktaturë, dhe kryeministri nuk e bazon profilin e tij mbi respektin që ka shoqëria ndaj tij, por mbi aftësinë që ai ka ta sundojë shoqërinë me çdo lloj mjeti. Në këto kushte, nuk ia vlen të shtiremi sikur jemi një shoqëri normale.

Duke qenë një anormalitet i bërë me vetëdije, dhe nga një njeri jo fort normal, sa më shumë t’ia përmendësh se kjo që po bën është gabim për atë, jo për kundërshtarin, ai aq më shumë do të këmbëngulë ta bëjë. Kështu që nuk kemi asnjë shans t’i shpëtojmë fëmijët nga ky problem. I vetmi shans që kemi është se si ta përdorim këtë problem për mirë në kujtesën e fëmijëve tanë.

Shpeshherë kur u tregojmë fëmijëve tanë për problemet që kemi pasur gjatë komunizmit apo gjatë tranzicionit, ata në vend që të trishtohen, qeshin. U duket aq e pabesueshme ajo që u themi, dhe ne jemi aq të pafuqishëm që t’ua ilustrojmë, sa të duket përpjekje e kotë të flasësh me ta për të shkuarën.

Në rastin konkret, kur këta fëmijë të rriten dhe të dëgjojnë për deformimet e demokracisë, për qeverisjen e korruptuar, për krimin që diktonte rrugës dhe të gjitha këto për shkak të manisë së një kryeministri për të qeverisur me familjen e vet dhe një tufë idiotësh përreth, ata do ta kenë shumë të vështirë ta sjellin në mendje ndonjë detaj.

Rasti i mirë është fakti që Sali Berisha ka filluar e troket klasë më klasë dhe u flet vetë nxënësve. Ashtu të hutuar nga vizitori i panjohur, ata lënë mënjanë lodrat e librat, heqin nga mendja imazhet e Playstation apo Nintendo-s, harrojnë një moment Harry Poter-in apo filmat me aventura, dhe shqyejnë sytë duke dëgjuar një burrë të gjatë, me hundë si Pinoku, me sy zgurdulluar dhe rrathë të zinj, që duket sikur ka dalë nga ndonjë sunduk i pluhurosur, që shikon në një pikë pa kuptim në fund të klasës dhe u flet për një njeri të lig, që ka dalë prej detit dhe kërkon t’i marrë karrigen këtij burrit prej malit.

Fëmijët, që kanë fatin të takojnë këtë njeri, nuk kanë për ta harruar kurrë. Ata deri sa të piqen do ta kenë shumë të ngulitur në mendje hallin e madh të këtij burri, që një burrë tjetër po i gjatë, i parruar, por me hundë më të vogël, kërkon t’i marrë karrigen dhe biles të bëjë dhe një gjë tjetër më të keqe duke penguar integrimin, një tjetër gjë e pakuptueshme për fëmijët, por që e përfytyrojnë si një pronë të xhaxhit kryeministër.

E gjithë kjo komedi që ndodh sot para syve tanë, dhe që shqetëson një pjesë normale të popullsisë, do të pasurojë fëmijërinë e një brezi të tërë me imazhin e këtij burri që u prish orën e mësimit, lodrat, lojën e futbollit, orarin e internetit apo filmave vizatimorë, dhe u flet për gjëra që nuk i kuptojnë çfarë janë në të vërtetë, por kuptojnë që janë halle të këtij burrit me hundë të madhe. Detaje të tilla fëmijët nuk i harrojnë kurrë.

Çdo fëmijë e ka në fëmijërinë e tij një burrë apo grua të tillë të lig, që nuk e lë të luajë, nuk e lë të mësojë, nuk e lë të argëtohet apo rritet si fëmijë, pavarësisht statusit që ka pasur. Ky brez ka fatin që “shtrigën e fëmijërisë” ta ketë kryeministër. Lëreni t’i takojë ata. Ta fiksojnë dhe ta mbajnë mend mirë kur të rriten dhe të kuptojnë çfarë marrëzish u ka thënë. Të paktën të bëhet qesharak kur këta fëmijë, bashkëmoshatarë të mbesave të tij, të jenë rritur. Së paku të mos përsëritet historia!