KRYEMINISTRI BLU BULL

0
74


Andrea Stefani

Ka ardhur ndoshta koha që kompania, e cila tregton pijen “Red Bull” ta ndryshojë markën tregtare në “Blu Bull”. Arsyeja? Sepse në pushtet është një Kryeministër që e urren ngjyrën e kuqe (red) dhe që aspiron të ngjyejë gjithçka në blu, në ngjyrën e partisë së tij. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha u shfaq si përherë në media, duke dhënë leksionin e darkës për shqiptarët, dhe kërkoi që protokolli i shtetit të korrektonte dekoret e Bashkisë së Tiranës për festat e fundvitit.

Përsëri pyesim: përse? Sepse Berishës nuk i pëlqen që dekoret të mbizotërohen nga ngjyra e kuqe. Episodi është për të qeshur, por tregon njëherazi bjerrje alarmante të qeverisjes sa kohë që Kryeministri, mes gjithë këtyre problemeve që kalon vendi, ja ka ngenë t’u turret dekoreve apo dritave të kuqe të Bashkisë së Tiranës me tërbimin e një demi blu që në gjuhën angleze, është “blu bull”.

* * *

Disa vite më parë, në prag të një panairi libri, pikërisht te Piramida e famshme që po debatohet të shkatërrohet apo jo, ndodhi një konflikt mes organizatorit të panairit (njeri i pushtetit të PD) dhe pronarit të një shtëpie botuese që anonte nga opozita. Konflikti ishte për ngjyrën e stendave. Botuesi i donte të kuqe stendat e tij. Por organizatori i panairit kundërshtonte. Atij nuk i shkonte fare ndër mend ta mallkonte ngjyrën e kuqe si tipike për prostitucionin e bulevardit “Pigal” në Paris. Jo, të tilla njohuri dhe lidhje të “sofistikuara” mund të bëjë vetëm Kryeministri Berisha. Kurse kundërshtimi i organizatorit të panairit të librit bazohej në “argumentin” se gjithë dekori i evenimentit, ishte bazuar në ngjyrën blu. Ngjyra e kuqe e stendës se botuesit opozitarë e prishte këtë harmoni.

S’ka rëndësi si u zgjidh ai konflikt, në thelb, banal. E rëndësishme dhe tragjike është se po e shohim tani të përsëritet në nivelet më të larta të qeverisjes. Është Kryeministri që merret me ngjyrat e dekorit të festave, si të merrej me një çështje të një rëndësie të veçantë. Dhe kur Kryeministri jep urdhra shumë më të prerë dhe të rreptë për “pemën e Vitit të Ri” sesa për masat që duheshin marrë për të parandaluar a minimizuar përmbytjet në Shkodër, problemi nuk është për t’u neglizhuar.

Kur jep urdhër që protokolli i shtetit të korrektojë dekoret e Bashkisë së Tiranës në mënyrë që bulevardi “Dëshmorët e Kombit” të mos ngjasuaka me një rrugë prostitucioni sikundër është bulevardi “Pigal” në Paris, Berisha të kujton, as më shumë dhe as më pak, por një sekretar të Partisë së Punës. Një tip i tillë e kishte detyrë t’i kushtonte kujdes stendës së emulacionit socialist, deri edhe ngjyrës së germave të parullave, në mënyrë që të shmanget ndonjë gabim ideologjik.

* * *

Por kush merr shumë seriozisht çështjet e vogla dhe pa asnjë vlerë, nuk mund të ketë aftësi që të vlerësojë seriozisht ato me peshë. A nuk e provuan këtë përmbytjet në Shkodër? A nuk u lanë në harresë, të paktën për më shumë se një vit, investime dhe masa që do kishin minimizuar përmbytjet dhe dëmet prej tyre? Prandaj pyesim: A është serioze për një Kryeministër, të merret me ngjyrat e dekorit të Tiranës, që është kompetencë e pushtetit lokal? Aq më tepër në një shtet ku thuhet se po ecet drejt decentralizmit të pushtetit. Po ç’dreq decentralizmi është ky, kur qeveria nuk e lejon bashkinë të dekorojë qytetin sipas shijes së saj! Gustoja dhe ngjyra, thoshin latinët, nuk diskutohen.

Atëherë përse i diskuton Berisha duke u maskuar me shqetësimin “atdhetar” se mos bulevardi i martirëve na shfaqet si rrugë prostitutash? Ka vetëm dy shpjegime. Njëri lidhet me faktin që Berisha do t’i vërë shkopinj nën rrota gjithçkaje që bën kundërshtari i tij, Edi Rama. Si me “Zogun e Zi” apo me qendrën e Tiranës. Por ndërsa për dy të parat “argumentet” kundër kishin një lloj sofistikimi sa për të trazuar një debat apo për të arritur një shkatërrim, ky i fundit i ngjyrës së kuqe, është vërtet, por vërtet shumë banal.

Po shohim se sikundër të gjithë pushtetarët e kohës nga ka dalë, Berisha i ka vënë telat e makinës së shtetit jo te puna për mbrothësi dhe shmangie katastrofash, por te propaganda. Ai ka ëndërr që gjithçka të jetë në blu, në ngjyrën e flamurit të partisë së tij dhe pushtetit të tij. Berisha ëndërron Shqipërinë blu, Shqipërinë moniste. Por a ka qenë Shqipëria blu ëndrra e shqiptarëve pas shembjes së Shqipërisë së kuqe? Apo Shqipëria ku asnjë ngjyrë nuk është e mallkuar?

Logjika e një ngjyre, pavarësisht se cila është ajo, mbetet një logjikë moniste që ndoshta ndonjë ditë, do të kërkojë që të nxirret jashtë ligjit, madje edhe jashtë spektrit që ka bërë Zoti apo natyra, ngjyra e kuqe. Edhe e kuqja e famshme e Onufrit. Edhe e kuqja tradicionale e Krishtlindjeve. Edhe e kuqja e “Vodafonit”. E kuqja e gjakut, e shalqirit, e qershive apo e mollëve. Madje, mund të kërkohet të ndalohet edhe romani i “Unë jam e kuqja”. Dhe, mos o Zot, ndonjë ditë mund t’i turret edhe të kuqes së flamurit tonë kombëtar! Sepse gjithçka mund të presësh nga një “blu bull”.