TemA, 1 Tetor 2012
Opozita denoncon një aferë gjigande të Imamit, raportuar më parë në gazetën Tema. Mijëra raketa anti-tank, të blera nga Imami, pa pasur nevojë. Mendohet se ato shkuan në zonat në konflikt
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka vijuar sot denoncimin e aferave të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
Braçe ka akuzuar sot Imamin për një aferë të rëndë, për të cilën ka shkruar disa herë edhe gazeta Tema.
Braçe tha se janë dy kontrata prej miliona dollarë për blerje raketash nga Mali i Zi.
Ashtu siç ka raportuar Tema, raketat janë blerë pa pasur nevojë për to. Por dyshimet janë se ato janë kontrabanduar për në zona në konflikt.
“Ky është dokumenti, nuk është “sekret” siç e shihni, dhe konfirmon qartësisht këtë fakt.
Vetëm emri është i Shqipërisë në transaksion, i ofruar bujarisht, ‘miqësisht’ u tha më parë, në mes të këtij pazari sllav.
Bëhet fjalë për mallra të Ushtrisë Jugosllave të administruara nga Ushtria Malazeze e të vëna në dispozicion të kompanisë Montenegro Defence Industry, dega e Jugoimportit serb.
10. 000 RAKETA DORE ANTI-TANK 64MM RBR M-80 “ZOLJA”.
E gjithë çështja ka paqartësi të rënda.
Ka dy kontrata tregtare:
Njëra për 10.000 raketa “Zolja”;
Tjetra për 10.000 raketa “Zolja”; 600 granathedhës dore anti-tank RPG-7; shtimje PG-7 për RPG-7.
Njëra me vlerë 1.200.000 USD;
Tjetra me vlerë 1.713.00 USD.
Njëra e lidhur me kompaninë Zahen Limited;
Tjetra e lidhur me kompaninë Moon Storm Enterprises.
Por të dyja të përfaqësuara nga i njëjti njeri.
AKSHE deklaron se i gjithë transaksioni nuk është realizuar.
Por një tjetër autoritet malazez e deklaron si eksport të kryer në drejtim të Shqipërisë.
Pikërisht për të gjitha këto paqartësi kërkohet përgjigje dhe hetim ndaj Ministrisë se Mbrojtjes dhe vetë Arben Imamit,” tha Braçe.
“Duhet të përgjigjet dhe sqarojë publikisht:
Përse Shqipëria përzihet dhe ndyhet në tregtinë e armatimit që nuk e disponon?
Përse marrëdhënia e Ministrisë së Mbrojtjes me kompanitë serbe arrin deri këtu, në përfshirjen në transaksione të armatimit të Ushtrisë Serbe?
Ta bëj sot!
Nuk është përgjigjur asnjë ditë, duhet të përgjigjet sot, politikisht, juridikisht, penalisht në fund.
Nuk mund të fshihet më.
Koha e komunizmit kur çdo gjë, duke përfshirë dhe krimet e tij ishin “sekret” e nuk ndahej me publikun, ka mbaruar, ka vdekur.
Jetojmë në demokraci, tipari themelor i një shteti në demokraci është transparenca dhe njohja e ndarja me publikun e vendimmarrjes, politike, ekonomike, juridike, ushtarake.
I kemi kapur mat dhe në flagrancë, në veprime haptazi antikombëtare, antikushtetuese dhe korruptive.”