Andi Kananaj, 30 Shtator 2012
Sikur Haxhi Qamilin ta kisha komshi dhe të më bezdiste vetëm në ashensor si shumë të tjerë rregullisht, do bëja si do bëja duke numëruar katet pa folur. Nuk do të prekesha nga rimishërimi i tij në një pronar toke në Shijak, Farkë apo dhe në periferi të Tiranës (që tani është pagëzuar si Komuna e Parisit) e aq më keq, të hidhja ndonjë rresht për të. Edhe nëse Esat Pashë Toptani do të merrte tokat dhe do t’i ankohej çdo ditë të zotit (të tij) tek emisioni i Robert Papës për komunizmin, tërr s’do të ma bënte telekomanda, që për sa më përket, ekziston vetëm që të bëjë “butafourin” virtual të çdo idioti televiziv. Nëse Xhafer Deva do të ishte prapë mes nesh, e këtë herë jo me misionin e masakrës në emër të Hitlerit, por duke fituar bukën si roje institucionesh, do mjaftohesha me një coprifuoco për të.
Por nëse do të ngjallej si botues që sillte librin e Fyhrerit, do të fillonte të më bezdiste. Edhe e kuqja e këtij libri do të më linte shije të keqe. Gjë që po ndodh në një përmasë qesharake në fakt, gjithsesi të mjaftueshme për të besuar se shpirti i kriminelit është rikthyer me një trup të ri. Deri këtu, Zot i madh (i tyre), përsëri më mbetet veç të qahem pa ia shprehur frikën time një njeriu me dy pare mend, meqënëse s’ke si ta ftillosh një mendim kur të duhet të argumentosh se dikush është ringjallur. Po Darvini? Po serioziteti i të qenit sy hapur edhe kur të tjerët dëgjojnë horoskopin? Për fat të keq, askush nuk të beson edhe kur e di me siguri, e jo më kur ngre hipoteza. Arsye pse po i shtoj ca doza letrare dyshimit tim legjitim.
…
Haxhi Qamili, si Kryeministri, më ka ardhur në majë të hundës
Saliu, ky njohës i mirë i frikës njerëzore, ndërsa hedh në veprim teorinë se bijtë e baballarëve janë përsëri në pushtet e se Blloku i dikurshëm po bën kërdinë me tregti dhe pushime në Antalia, lë si padashur në hije të kaluarën e vet kur shërbente si matës pulsi dhe koordinues aortash i atyre etërve. Edhe sot, kur disiplinon nga nevoja dhe urgjenca zhurmat e Tiranës, e bën me besnikëri, bazuar në të njëjtën shpërndarje gjeografike të vlerave. Gjumë të ëmbël bllokmenë. Mund të jetë rastësi? Ç’rëndësi ka? Fakti që Sala president theu embargon dhe çoi naftë për Millosheviçin është rastësi po aq e rrezikshme.
Por për këtë nuk flet njeri, si të ishte histori fantazmash. Rastësi e rrezikshme është që Berisha ishte kundër takimit në Rambuje, por edhe kjo histori është mbuluar me sipar prestigjatorësh. Ndërkohë që për Bregoviçin dhe çelsin e Tiranës memoria kolektive kishte tjetër trajektore. Tam-tamët për ta dëgjohen ende. E pabesueshme se si muzika u bë me vrasëse se benzina që lëviz me kilometra grykat e topave; se si sol bemoli i daulleve ishte më kriminal se ndihma që iu dha kamionit me ushtarë që përparonte për të përdhunuar e vrarë në fshatrat e Bosnjës. Mungonte veç të çonte Gazideden t’i jepte një dorë nga pas.
Fazlliçi humbi mes faqeve të tatimeve. Nuk u fol më për këtë sekser ballkanik. Shteti ligjor? Je në terezi? Jo po si në Paris! 50 milionë euro të deklaruara në një vit. Sa banane do të ketë shitur vallë? Sa banane hamë ne si popull? Sa të tilla duhet të hash që të kthehesh me meritokraci në kohën e majmunëve?
Firmat pa fund të Fazlliçit, plus një lidhje tregtie perverse me kunatin e Lulit. Një kunat i kunatit që vjen në dasëm për t’u vjedhur atyre që mund ta mbrojnë veten vetëm me memorie, se shteti ua ka varur me kohë. Pastaj shitja e Albpetrolit bashkë me sovranitetin e nëntokës, matja kopile e metrave në kufirin me Greqinë, moskoordinimi me Kosovën për energjinë… I njëjti njeri si koincidencë ciklike, monoton si vampir i së premtes 13.
…
Haxhi Qamili si metaforë dhe Berisha që zbërthen metaforën në kohë dhe në hapësirë
Po të ishte ende gjallë sot Haxhi Qamili, me siguri do të kishte ndërruar gjuhë. Do të fliste për integrim evropian. Si të gjithë. Sa më shumë ta bënte aq më pak do ta besonte. Njëlloj si Kryeministri i sotëm, ai do të poziciononte ushtarët e tij në pika strategjike. Këtë do ta bënte që të sigurohej se të gjithë do ta donin babën e ngadalshëm. Mundet që edhe t’i pagëzonte Gert-Bogdanë nëse do ta shihte të arsyeshme. Kjo për të mos prishur ritmin rraskapitës dy kafe – një cinare të PD-së.
Si hileqar i motit, do të niste dhurata nëpër Evropë. Aty do të qahej sa të mundej se Princ Vidi nuk e donte integrimin e Shqipërisë. Në Shijak nuk do ta besonte njeri, por do ta shihnin si njeriun e tyre duke performuar kësisoj besim. Kjo do ta çonte Haxhiun në drejtimin që ka vajtur çdo Kryeministër i këtij vendi, në ngasjen sadiste për ta keqësuar situatën. Nëse do të varej prej tij, do të bënte krejt të kundërtën e të nevojshmes. E për këtë do të ndihej krenar. Të vetët do t’ia vlerësonin forcën në atë pikë sa gjithçka tjetër do të dukej e pakuptimtë.
Në fakt Haxhi Qamili nuk e pati të gjatë, gjë që nuk i dha asnjëherë mundësinë të çohej në nivelet e Kryeministrit të sotëm. Ndoshta kjo e bëri të rilindte, këtë herë diku tjetër anagrafikisht, e prapë nga prindër të panjohur për publikun. Të pamëshirshëm dhe të qartë, siç mund të jenë vetëm ata që kanë patur dy jetë për të jetuar. Aq sa të vjen natyrshëm të mendosh se ndoshta nuk kanë vdekur vërtetë. Ndoshta nuk vdesin kurrë.
…
Herën e fundit që mendova për punët e të përtejmes, kam qenë 10 vjeç. Tre javë më vonë vdiq Enver Hoxha. Pas këtij episodi të them të drejtën, e kam patur të vështirë të besoj në të përjetshmen. Herkulin po e po, por edhe Jezusin e kam parë me dyshimin e arsyeshëm se ndoshta ringjallja e tij ishte një mënyrë për të krijuar shpresën. Fakti nëse u ngrit apo jo në këmbë ishte i parëndësishëm. Kjo mënyrë të menduari rizgjohet sa herë më del përpara Sala. Nëse ai ka vdekur njëherë dhe di si të ringjallet, e ardhmja e këtij kombi është automatikisht në pikëpyetje. Ndoshta nuk duhet të presim të vdesë Kryeministri. Duhet ta çmemorizojmë politikisht me votë dhe më pas ta harrojmë, siç kemi harruar gjithmonë. Këtë herë duhet ta bëjmë përfundimisht, e të zgjohemi më në fund pas 100 vjetësh vetmi mu në zemër të kontinentit.