Nga Arben Manaj, 28 Shtator 2012
Shëmti po se po, por edhe e dënueshme, jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht është dhe duhet të jetë kjo që bën kryeministri me fëmijët dhe nxënësit e shkollave në Shqipëri. Në emër të disa viteve të tjera pushtet në dimrin e thellë politik, por edhe fizik të jetës së tij, ky njeri i raportuar, por pa u vërtetuar ende se trajtohet mendërisht, po merr në qafë psikologjisht të ardhmen e këtij vendi, fëmijët e saj.
A thua nuk mjaftojnë tmerret, dhuna psikike dhe traumat që i shkaktoi etja dhe ethet e tij për pushtet gjatë këtyre dy dekadave, me ata që sot janë 22 vjeçarë plus- minus, por aktualisht po sakaton të bijtë e shekullit të ri!
Është e tepërt të përmend se ky brez 20 vjeçarësh është rritur në mungesën totale të rendit, në dhunën dhe shembujt e mungesës së ligjit, të djegieve, të rrëmujave sociale dhe politike, të kallashëve dhe dhunës verbale të iniciuar në shumicën dërmuese të rasteve brenda ose jashtë institucioneve, pikërisht dhe kryesisht nga ky njeri.
Vetëm ‘97-ta do ishte e mjaftueshme që ky njeri të izolohej për atë vragë psikologjike dhe dëmin që i ka shkaktuar vizonit dhe modelit të mbijetesës për një brez të varfër financiarisht dhe të pamjaftueshëm nga ana arsimore dhe me defekte të mëdha në standarde qytetarie, të cilat kanë qenë pasojë më shumë sesa shkaku i një rendi të ri politik në versionin më të egër dhe më absurd të aplikuar në vendet ish komuniste.
Këto pasoja ndihen sot në mungesën e frikshme të përgjegjësisë qytetare dhe prevalencën e gjithëgjendur të transgresionit tek një brez, që jo vetëm nuk e respekton shumë ligjin, por as ia ka frikën ndëshkimit që ai mund të parashikoj.
Një brez që në një masë të konsiderueshme si model mbijetese ka atë të rrugës së shkurtër përmes rrugëve të pandershme.
Dhe askush nuk mund të përgënjeshtrojë se ky brez është rritur nën dhunën verbale dhe atë të rrugës në Shqipërinë që ka drejtuar Sali Berisha si President e Kryeministër, por edhe si opozitar aktiv i rrugës së rrugës.
Një vit përpara zgjedhjeve “make or break” për të ardhmen e tij politike, ai është vërsulur me tërë arrogancën e qëllimtë dhe pashpirtësisht dhe skandalozisht minorenëve nën sytë dhe veshët e atyre që paguhen nga taksapaguesit për mirërritjen e fëmijëve, të ardhmes së çdo shoqërie.
Në asnjë vend demokratik dhe normal nuk lejohet propaganda elektorale për fëmijët, të cilët gjithsesi nuk votojnë, dhe kanë se me ç’duhet të merren. Në çdo vend dhe shoqëri normale mbrohet kjo kategori, të cilët nuk kanë pavarësinë e duhur mendore dhe psikologjike për t’ju nënshtruar dhe amortizuar presioneve të këtilla, në këtë moshë, si ajo që po ndodh me gogolin e fëmijëve shqiptarë.
Në këto shoqëri edhe kur këta arrestohen si minorenë, shoqërohen me një të rritur për t’i mbrojtur për shkak të zhvillimit mendor të paformuar sa duhet.
Këto ditë në Angli është çuar tërë shteti dhe shoqëria dhe media në mbrojtje të një 16 vjeçare, e cila e rënë në dashuri me mësuesin e saj të matematikës e së bashku janë larguar nga Anglia dhe janë gjetur në Bordo të Francës. Mësuesi i saj u arrestua për shkak të kësaj marrëdhënie me një të mitur, e cila gjykohet se nuk ka logjiken e adultit.
Ndërsa në Shqipëri plaku Mere po lemeris fëmijët dhe u bën presion që ata ti bëjnë presion prindërve të tyre në emër të së ardhmes evropiane!!!
Ku është OSBE-ja që toleron sjellje të tilla nga politika dhe një fushatë të pastër elektorale pa nisur ende zyrtarisht. Apo kot flas edhe unë! OSBE-ja….e birrës dhe kërnackave…
Ku është UNICEF-i që duhet të monitorojë abuzimet me fëmijët në çdo vend të botës?!
Ku janë O, ja Q-të që financohen me fonde ndërkombëtare në shumicë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Po prindërit dhe mësuesit që lejojnë që një i Marrë të marros fëmijët dhe nxënësit e tyre!
Kjo “pedofili” politike duhet të marrë fund sa më shpejt dhe të dënohet siç dënohet çdo abuzim me fëmijët në çdo vend normal të botës. Në mos ligjërisht, apo moralisht, ka edhe një mundësi tjetër; me votën e prindërve, motrave dhe vëllezërve më të rritur të të pafajshmëve më absolut të Shqipërisë.