Arjan Th. Kallço
Ka kohë që shtypi shqiptar është mbushur me artikuj të pafund, me sulme dhe kundërsulme, që po nxjerrin në pah mllefin e madh të fshehur ndër vite. Vetëm pak ditë më parë në dy faqe gazete sulmi nuk ishte i njëanshëm, por i katëranshëm, apo e thënë me pak ironi një i vetëm kundër katër shkrimtarëve. Nuk po marr rolin e gjykatësit, por më ndodhi që isha në Tiranë dhe shkëmbeva disa fjalë me një mikun tim, letrar dhe ai. Nuk ka asnjë shpjegim kjo furtunë, për më tepër në këtë krizë totale shqiptare, natyrisht e ndikuar edhe nga shumë faktorë të tjerë që lidhen me fije të shumta dhe të padukshme konkurence të pandershme. Nuk ka kuptim që këto beteja të zhvillohen në këtë farsoji, me shkrime që në thelb nuk kanë aspak etikën e një njeriu të letrave, por janë modele fatkeqe të frymëzuara nga betejat që çdo ditë zhvillojnë politikanët shqiptarë në ekrane dhe gazeta, për të mos folur për maskaradën që zhvillohet në Parlament.
Po çfarë synohet me këto shkrime? Një zot e merr vesh pse shërret kanë përfshirë të gjitha qarqet letrare dhe ato letrare politike. Përplasje kulturash, vlerash apo histerizma të pakuptimta politike? Nëse do të ishte përplasje vlerash, hallall që më në fund do të lexonim pak kritikë, por janë sulme që na nxjerrin në pah sesa të thella paskan qënë punët dhe sa të tilla janë ende sot. Pra njeriu është qënia më e çuditshme dhe që edhe pse në kulturë duhet të kemi ballafaqim vlerash, nuk ndalemi dot para tundimeve për t’i asfiksuar kundërshtarët. Ndoshta konkursi i Ministrisë së Kulturës po troket dhe si gjithmonë shaj se duhet sharë, damkos se duhet damkosur, edhe sikur një pjesë e madhe të jenë të vërteta, por që tingëllojnë keq.
E kuptoj zemërimin e disa letrarëve dhe ndoshta kanë të drejtë për faktin sesi venë punët në çdo fundviti. Por që të mos përmbahen dot dhe t’i kapërcejnë të gjitha caqet, kjo është e pafalshme. Sa shumë xhelozi e fshehur në shpirt që shpërthen kështu papritur me të gjithë furinë e vet, duke e dëmtuar rëndë klimën dhe frymën e kritikës së vërtetë ndaj veprave letrare. Jemi mësuar edhe me këtë lloj tensioni që shpesh bëhet artificial dhe që synon larg. Më vjen keq që ky lloj spektakli i zbehtë ka vite që po zhvillohet nën petkun e lirisë që shkrimtarët kanë marrë në sajë të ndërimit të sistemeve, disa të verbuar krejtësisht nga demokracia. Po më parë si bënin? Megjithatë do të më vinte mirë sikur të ishte përplasje vlerash të brezave, ku të bëhej dallimi i letërsisë që u krijua në “diktaturë” dhe asaj që po krijohet në “demokraci”.
Në këtë pikë debatet do të kishin shumë vlera që do të lidheshin me vepra që nëse sot janë në majat e letërsisë mbarëkombëtare dhe pse jo edhe më gjerë. Pra duke mos patur asnjë mundësi që të përballemi me këto vlera, përballemi me fjalë burracakësh se kush je ti dhe kush jam unë. Historia e letërsisë sonë në këto dy dekada si pasojë e këtij lloji mllefi, doli e gjitha në dritë, por dolën edhe pas kuintave, prapaskenat dhe shumë marifete të tjera. A kemi nevojë për këto beteja? Unë mendoj se është e kotë të merresh me to, pasi nuk thonë asgjë tjetër, veç atë që do të thonë pasardhësit tanë kur edhe ata të “diskutojnë”, shpresoj që të ketë ndryshuar mentaliteti deri atëherë, për të kaluarën nën “shoqërinë e drejtë të demokracisë shqiptare”.
Uroj që edhe ata të mos nisen nga këto mllefe dhe nga këndvështrime të gabuara apo më keq akoma nga gjykime banale politke. Por historia e letërsisë botërore I ka të shumta rastet që lidhen me debate të tilla, edhe mes vetë shkrimtarëve që kanë qënë në kulmin e famës së tyre, bile që në momentin e shpalljes së kandidaturave për Nobel. Rasti më i freskët që na ofrojnë arkivat italiane flasin qartë se xhelozia dhe mllefi janë të pandara edhe me tre prej poetëve më në zë të Hermetizmit. Është viti i largët 1968, muaji shkurt kur poeti Xhuzepe Ungareti mbushi 80 vjet. Një dokumet tepër i veçantë nxjerr në pah “miqësinë” e madhe midis tre poetëve hermetikë italianë. Festojnë bashkë me ish kryeministrin Moro datëlindjen e babait të Hermetizmit, ose njërit prej frymëzuesve të tij.
Klima në dukje është tepër festive, shumë e përzemërt, por pas fshihet një hipokrizi që përpiqen ta kamuflojnë duke qënë në moshë të madhe. Të tre poetët përqafohen dhe puthen, pra kortezia nuk mungon, porn ë sytë e publikut, “miqtë tregohen më miq se dikur. Quazimodo që e merr fjalën i pari thotë : Është një shenjë e saktë e qytetërimit që qeveria italiane i bën homazh poezisë në një periudhë në të cilën njeriu është në krizë shpirtërore, sociale dhe sociologjike (pse ka krizë kapitalizmi?). E përcakton Ungaretin një mjeshtër të poezisë bashkëkohore… Çfarë i detyrohet letërsia italiane Ungaretit e ka thënë kritika. Brezat e rinj nuk mund ta harrojnë këtë emër të madh. Në mbyllje thekson faktin se Ungareti është miku im prej shumë kohësh dhe vëllai im në poezi. Montale është më i drejtpërdrejtë : “Ungareti shkroi Porti i varrosur në vitin 1916 dhe tash në moshën 80 vjeçare po shkruan poezi dashurie.
Është e rralë që një poet të vazhdojë të shkruajë në këtë moshë, por kjo nuk mungon edhe më parë tij. Hygoi i shkroi poezitë e tij më të mira në moshën 80 vjeçare. Që Ungareti të shkruajë për dashurinë është më befasuese, kjo tregon sesa i madh është vitaliteti i tij dhe besimi tek jeta dhe poezia”. Ungareti falenderon më parë poetët duke thënë : duke ardhur këtu treguan se midis poetëve ka një solidaritet jo vetëm njerëzor, por mes njerëzve që shpresojnë në një të ardhme ku poezia, liria, barazia njerëzore të triumfojnë. E parë në këtë prizëm, por edhe nga ata që nuk e kanë njohur historinë e vërtetë të tyre, do të habiteshin me këtë respekt të ndërsjelltë poetësh, por pot ë rrëmosh pak në histori ja se çfarë na del.
Në vjeshtën e vitit 1959 kur Quiazimodo mori Çmimin Nobel në Letërsi, Ungareti u tërbua fare dhe e përshkroi kolegun e vet një papagall dhe palaço. Gjithshtu tha se u bë profesor nga Musolini, ndërsa realisht u bë profesor në Konservatorin e Milanos në 1941 nga fama e tij. Nobelisti Montale kur u emërua senator i përjetshëm në vitin 1967, pati gjykimin e pamëshirshëm përsëri prej Ungaretit që shpërtheu : Monate senator/Ungareti bën dashuri. Montalja nga ana e tij e shpotiste, duke folur për Ungaretin si “maja më e lartë”.
Dashuria bashkon,urrejtja ndan.
Nga pozicioni ku ndodhen kupton se ku jane ne dashuri apo urrejtje.
Comments are closed.