Është Klanore!

0
60

Nga Mero Baze, 25 Shtator 2012

Nuk është korruptuar vetëm ligji, por dhe direktiva! Vendimi politik për t’i shpërndarë fondet shtetërore të reklamave tek mediat proqeveritare, është një aspekt i korrupsionit. Aspekti i dytë i tij është se kjo direktivë në kundërshtim me ligjin, është korruptuar. Brenda familjes së medies shtetërore, Klani Frangaj ka korruptuar dhe direktivën e qeverisë dhe ka reflektuar gjithë mëritë dhe komplekset e tij ndaj ish- mbështetësve të Berishës në opozitë, kur Frangaj kalonte nga shtrati i Ilir Metës tek i Fatos Nanos brenda natës.

Nga rreth 10 milion dollarë të dhëna për shpërndarje kompanive, rreth 6 milion prej tyre i ka marrë Promo Shpk e Frangajt, dhe kjo nuk është se i ka shërbyer “direktivës” së Berishës për tu dhënë pare mediave qeveritare. Përveç Sokol Olldashit, që ka treguar ndjeshmëri politike ndaj gazetës RD, dhe njëkohësisht ka guxuar për këtë arsye të shkelë ligjin më rëndë se të tjerët, Klani Frangaj ka deformuar dhe vetë qëllimin e Berishës, duke marrë thuajse gjithçka për vete.

Unë duhet të ndalem pak sërish tek TV Shijak, i cili nga viti 1997 deri në vitin 2005 ishte një medie e pakompromis opozitare, në mbështetje të Berishës. Ato rrethana nuk kanë për tu përsëritur më dhe kësisoj biografia e atij televizioni nuk besoj se do të ketë të ngjashëm. Aty spikerët kanë dhënë lajmet që u diktonte Berisha në telefon, duke qëruar hesape me hasmit e tij, ndërkohë që tek dera i prisnin njerëz me pistoletë në dorë për shkak të Berishës.

Aty kanë shkuar djem dhe vajza të rinj gati si mish për top, aty ku nuk hynte dot policia dhe opozita për të reflektuar qëndresën e opozitës. Aty Ilir Meta ka dërguar 200 policë në një natë t’i sekuestronin pajisjet e televizionit se kështu dëshironte Aleksandër Frangaj. Aty Sali Berisha nxirrte nga studioja me një telefonatë çdo njeri që nuk i pëlqente atij, gruas, djalit apo vajzës, duke e parë nga rehatllëku i shtëpisë. Aty ishte një fole e sinqertë dhe e paditur opozitarësh që besonin se Berisha nuk ishte hajdut, por ishte i rrëzuar nga pushteti për defekte të kohës.

Dhe hakmarrja më e madhe e pushtetit të Berishës ka rënë mbi ta. Ndërsa Tema e ka kërkuar vetë betejën me Berishën dhe i ka dalë përballë duke e marrë vetë atë vendim, pa i dhënë shkak Berisha, por qeverisja e Berishës, Shijak TV, i cili ka qenë tetë vite në betejë për të mbrojtur Berishën në opozitë, ka 7 vite që është shuar dalëngadalë, jo vetëm pa asnjë ndihmë, por i persekutuar më keq sikur të ishte një TV opozitar. Edhe Fahri Balliu me një gazetë me 100 kopje si fletërrufe ka marrë 100 mijë dollarë nga Sokol Olldashi dhe mijëra të tjera nga Basha, Nishani, Goreja e Imami, dhe TV Shijak thuajse nuk ka marrë asnjë.

Kryearsyeja është se Frangajt që morën në dorë paratë e Berishës vazhdojnë ta shikojnë atë si një TV që u bën hije tek Berisha se u kujton kohët e vjetra, ato kohë që Berisha tashmë i urren dhe vetë. Brenda shumicës pro-qeveritare të medies, nuk është se Panorama, e cila është gazeta më e madhe në versionin print, të ketë marrë reklama më shumë se Koha Jonë, e cila prodhohet vetëm për t’i çuar dy kopje Berishës dhe dy kopje Sandrit. Brenda mediave pro-qeveritare nuk është e vërtetë se Scan TV (ish ATN1), apo TV e tjera kanë marrë pare sa ABC, të cilin e shikon po ashtu Sandri, Sonila dhe Berisha.

Pra, nuk bëhet fjalë që qeveria ka injoruar median e pavarur dhe sidomos Top Channel-in, në raport në Klan, por dhe brenda sinorëve të tyre ata kanë dëshmuar se janë të korruptuar. Në thelb nuk kemi të bëjmë me një shtet partiak, por një klan të korruptuar në pushtet. Do të ishte gjysma e së keqes që direktiva e Berishës, që gjithë paret tu jepen mediave pro-qeveritare, të ishte zbatuar. Në ato kushte do ishim në standardin e një shteti partiak, ku funksionon vullneti i një njeriu. Në të vërtetë është më keq. Jemi në kushtet e një pushteti, i cili nuk ka fuqi të kontrollojë as direktivën e vet, pasi Klani Frangaj, i cili ka marrë paret për median pro-qeveritare, i ka çuar thuajse të gjitha në shtëpinë e vet. Nuk është një ndarje politike fondesh, por një ndarje klanore!

Kjo është edhe më e pistë, edhe më vulgare, edhe më primitive. Siç mund të jetë një pushtet të pafytyrësh.