Kjo qeveri i ka hequr qafe qytetarët!

0
46

Nga Enton Palushi

Kur para pak ditësh, një nga gazetat britanike bëri një titull të madh se mbërriti dimri dhe acari, komentet e njerëzve në faqen e saj në internet ishin pak a shumë të tipit: E çfarë pastaj, dimri dhe acari vjen rregullisht këtu.

Këto janë lajmet tipike të medieve, vera me të nxehtin e llahtarshëm, vjeshta e dimri me reshjet e shumta. Çdo dimër në Angli, Gjermani e Poloni është kështu. Ka gjithmonë viktima, aksidente tragjike e të pastrehë që shuhen poshtë urave në acar. Ndaj anglezëve nuk u duket më lajm kjo punë e dimrit. Fati e ka dashur që Shqipëria të mos ketë reshje dëbore e acar në zonat me shumë banorë, pasi do ishte e sigurt që aksidentet e vdekjet do të ishin në një nivel shumë më të lartë se në vendet e Bashkimit Europian.

Por qeveria vazhdon ta përdorë sërish kartën e jetëve të humbura. Ka diçka që duhet saktësuar. Vërtet nuk mund të ketë jetë të humbura, por mund të ketë jetë të shkurtuara. Bilancet nuk do jenë kurrë të sakta. Reumatizma, azma, stresi e të tjera sëmundje e simptoma do ndikojnë në jetën e atyre njerëzve të përmbytur.

Qeveria shqiptare duket gjithashtu që po “ndjehet” mirë që përmbytjet po përhapen edhe në qytete të tjera përveç Shkodrës. Ministri i Punëve Publike e përdori këtë si justifikim për të larë duart nga përgjegjësitë e qeverisë. Kjo është një mënyrë e mirë e qeverisë për t’ia lënë të gjithë barrën e fajit natyrës. Ashtu siç ndodhi edhe në janar. Veçse nga mënyra se si po i hidhet faji kësaj herë natyrës, mund të kuptosh një kompleks faji të qeverisë për atë që ndodhi në janar e tani.

Një nga temat e debatit të këtyre ditëve megjithatë është se a duhet të reagojnë qytetarët ndaj kësaj qeverie që nuk është kujdesur për t’i bërë të sigurta e të urbanizuara zonat ku banojnë. E vërteta është se ata janë peng i një sistemi që është ngritur këto vite tranzicion, i një kontrate sociale të çuditshme dhe të mbrapshtë, ku shteti e qytetari i kanë ndarë që në fillim hesapet. Qytetari është lejuar të bëjë ç’të dojë në pronën e tij, e ndoshta edhe të tjerëve, kurse shteti ka vijuar punën e tij pa u shqetësuar shumë nga qytetarët për të bërë gjëra të mëdha: për t’u bërë superfuqi energjetike, për t’u bërë Miss Bota, për t’u bërë vendi i parë me prokurimet krejt elektronike etj. Edhe kur i kanë rënë ndonjëherë në qafë, mjeti për t’i shantazhuar ka qenë i lehtë: keni shkelur ligjet, na lini të qetë. Nuk është rastësi që kur u dhanë fondet për dëmshpërblimet, të gjithë mbetën të zhgënjyer. Është synimi i qeverisë për të lënë vendin pezull në duart e informalitetit. Ndaj kur vjen puna në situata të tilla, shteti shfaqet para qytetarëve si palë me ta, si një komshi fjalëmirë.

Nuk ka pamje më tragjike se ajo e dy kamionëve që shkojnë e hedhin ca zhavorr në Torovicë, ndërsa Berisha i vrenjtur i shikon nga afër. Ky është ilustrimi i shtetit që punon për anëtarësimin në NATO e për rrugë miliarda euroshe dhe lë një qytet të tërë në kërcënimin e një argjinature.

Kjo është mënyra se si punon kjo qeveri, që të gjithë i sheh si palë, si kundërshtarë. Të gjithë sipas saj janë me përgjegjësi të njëjta. Dhe Jozefina Topalli është simboli i kësaj mënyre të menduari e të punuari. Shiheni me sa krenari thotë që do e mund të opozitën, pas e pasur të qartë konceptin e opozitës. Duke harruar se opozita mundet vetëm njëherë, në zgjedhje të lira e të ndershme. Më pas të gjitha betejat e qeverisë janë me veten.