Nga Gary Q. Kokalari
Kjo video tregon një impiant 2 miliard dollarësh të teknologjisë së lartë, që shërben për shkatërrimin e armëve kimike dhe që po ndërtohet nga qeveria amerikane në një zonë rurale në Kentucky, i vendosur 100 milje larg nga popullsia e madhe në Louisville. Departamenti i Mbrojtjes do të vendosë aty armë kimike, që si sasi, janë sa gjysma e sasisë që përllogaritet se është në Siri. Është një sfidë gjigande për Departamentin e Shtetit për shkak se konsiderohet një projekt shumë i rrezikshëm për t’u përmbyllur nga ushtria e Shteteve të Bashkuara, vendit më të fuqishëm, më të pasur dhe më të zhvilluar teknologjikisht në planet.
Tani, SHBA dhe Bashkimi Europian po mendojnë që të dërgojnë armët kimike siriane- sa dyfishi i sasisë së armëve kimike në impiantin e Kentucky- për t’u shkatërruar në Shqipëri. I njëjti vend që nuk mund të demontonte municione të thjeshta pa sjellë vdekjen e 26 personave në një shpërthim tragjik (Gërdeci), ndërkohë që autorët e këtij krimi bredhin ende lirshëm nëpër rrugë. Është i njëjti vend ky zyrtarët e lartë të qeverisë ndihmuan një tregtar hije të armëve (AEY) në një përpjekje për të mashtruar Departamentin e Shtetit për një kontratë 300 milion dollarë që synonte blerjen dhe shitjen e municioneve të vjetra kineze. Ndërkohë që autorët e këtij krimi në SHBA janë dënuar nga Departamenti i Drejtësisë dhe po kryejnë burgun, zyrtarët e qeverisë shqiptare, që komplotuan me ta, nuk janë thirrur as për t’u pyetur.
Presidenti Obama duhet të ketë turp nga vetja që po kërkon rrugë të tjera, ndërkohë që më shumë se 1 mijë njerëz, përfshi qindra fëmijë, u vranë nga Assad me armë të shkatërrimit në masë. Tani, pasi është manipuluar dhe mashtruar nga Putin, SHBA dhe BE po ndryshojnë krejt çështjen- përfshirë armët kimike- duke e fshehur atë nën rrogoz. Në këtë rast, rrogozi është Shqipëria, një vend i varfër dhe i prapambetur, i mbushur me skandale, tragjedi dhe korrupsion në përpjekjet e mëparshme për të demontuar armët. Dhe një vend që ka reputacion si një kosh i madh plehrash për gjithçka që nuk e do bota. Kjo skemë e pacipë e dërgimit të armëve vdekjeprurëse në Shqipëri është po kaq budallaqe sa e çmendur.
Shqipëria nuk ka ndonjë detyrim që të pranojë çdo kërkesë acaruese që bëhet nga SHBA dhe BE. Dhe kërkesa e qeverive perëndimore për të hedhur armët e shkatërrimit në masë në Shqipëri është po kaq sa imorale edhe e papërgjegjshme, për të mos folur pastaj për rrezikun që i kanoset sigurisë ndërkombëtare duke vendosur këto armë në një vend që disa e konsiderojnë se ka kufij porozë dhe një nivel zbatimi ligji shumë pak efektiv. Këtyre zyrtarëve perëndimorë duhet t’u vijë turp për këtë kërkesë, njësoj siç duhet të ndjehen që po e lënë Bashar al- Assad të dalë i pastër, pavarësisht vrasjeve në masë.