Panorama, 07 Dhjetor 2010
Këto janë fjalët e Mark Tomës, njërit prej mijëra banorëve që kanë përjetuar tmerrin e këtyre ditëve, që duket se nuk po marrin fund në Shkodër. Ai është shpërngulur nga lagjja Livadhe prej 6 ditësh sot, por nuk e di ende se kur do të kthehet pas dhe se çfarë do të gjejë aty.
“U jam gëzuar atyre bagëtive që kam pasur dhe mendoj se kanë shpëtuar, por që tani nuk di se ku janë. Ju në qendër nuk e kuptoni se për ne atje në Livadhe, bagëtitë janë gjithçka, janë jeta për ne. Ju habiteni se ne e kemi mendjen tek ato. Por unë nëse nuk kam bagëti atje, nuk kam me se të jetoj”. Familja Toma është evakuuar nga lagjja periferike, që me datë 1 dhjetor.
Ai bashkë me dy fëmijët dhe gruan ka lënë shtëpinë e tij në Livadhe, të detyruar nga uji, i cili kishte hyrë në shtëpinë e tij në mbi 1 metër. “Kam parë me sytë e mi sesi televizori notonte në ujë. Kam parë gjithë pajisjet e shtëpisë të shkatërruara. Nuk më ka mbetur asgjë. Nuk e di si jam gjallë akoma. Por njeriu qenka shumë i fortë dhe nuk vdes kollaj”, shprehet Toma.
Shtëpia e re, në konviktin e Pyjores
Familja e tij është evakuuar dhe ndodhet në konviktin e shkollës Pyjore, i cili është përcaktuar nga Shtabi i Emergjencës si një nga pikat ku do të vendosen banorët, që i shpëtojnë zonave të përmbytura. Tashmë në këtë konvikt janë strehuar rreth 200 persona. Toma tregon se shumica e banorëve të zonës së tij janë vendosur në këtë konvikt ose në konviktet e shkollave të tjera. “Unë, të gjithë njerëzit e mi i kam në zonat e përmbytura të Livadheve, ndaj dhe nuk kishim ku të shkonim e na vendosen këtu”.
Rrjedha e jetës së Mark Tomës tashmë ka ndryshuar plotësisht. Ai nuk është i vetëm. Numërohen më shumë se 1800 shtëpi të përmbytura e mijëra persona të evakuuar. Toma, gjatë gjithë kohës nuk bën gjë tjetër vetëm pi cigare. Sa mbaron njërën, ai ndez tjetrën. Tymi i cigares i bashkohet trishtimit të fytyrës së tij.
“Kam punuar tërë vitin me gruan dhe fëmijët, por uji na i ka marrë të tëra prodhimet. Jena këtu vetëm me teshat e trupit. Ne jemi mësuar me premtime qeverish, që nuk mbahen. Edhe këtë herë kam frikë se vetëm fjalë janë”, thotë ai. Nga ana tjetër është i kënaqur me mënyrën sesi janë sistemuar në këtë konvikt, pasi ndryshe, siç thotë vetë, nuk do të kishin ditur se ku të fusnin kokën.
Paja e së bijës
Më tej, Marku tregon se në dhomat ku janë vendosur janë kushte normale për të jetuar në një situatë të tillë, ku fjala e vetme ka qenë mbijetesa e njerëzve. Mensa e konviktit i plotëson dhe nevojat e tyre për ushqim. “Njerëzit na kanë qëndruar shumë afër. Këtu na thonë se kemi çdo gjë të paguar”, sqaron Toma. Megjithatë, mendjen e ka te paja e shkatërruar e së bijës, të cilën ai mendonte ta martonte në pranverë.
“Kur e kujtoj se nuk do t’i gjej më, më duket se do të më kapë ndonjë gjë, më duket se do të vdes. Kush do të na i risjellë ato gjëra? Çdo gjë është shkatërruar. Mos me e gëzu pajën e vajzës është një gjë e rëndë për prindin, i cili e ka rritur me mund e me sakrifica dhe ka menduar ta martojë”. Por krahas pajës së vajzës, një peng tjetër i familjes Toma është edhe dëmtimi nga përmbytja e disa fotove të familjes, të cilat ata i ruanin me një kujdes të veçantë.
“Më është shkatërruar gjithçka. Kam pasur kujtimet më të bukura të të parëve e të fëmijëve. I kam ruajtur tërë këto vite, por që tashmë mbeten vetëm kujtime”. Që nga dita e largimit, Marku nuk ka mundur dot të rikthehet e të kontrollojë në banesën e tij. Shtëpia është e mbuluar nga uji dhe nuk mund të hyhet brenda saj. Ashtu si dhe mijëra familjarë të tjerë, 60-vjeçari pret me ankth tërheqjen e ujit. Duke shpresuar se brenda shtëpisë së tij të ketë mbetur ndonjë relike nga një e kaluar jo shumë e largët, por e vetëm 6 ditëve më parë, para se uji i liqenit t’i përmbyste.