Nga Nexhmija tek Sali Berisha, dy tonalitetet e së njejtës së keqe

0
46

Nga Ardian Ndreca, 24 Shtator 2012

Prej vitesh kemi ndjekë në televizione e ndër gazeta Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë e nji seri kriminelash tjerë tue na e mësue historinë bashkëkohore, apo ma mirë me thanë tue na e interpretue atë simbas oreksit të tyne. Të gjithë kriminelat e komunizmit u plakën ndër shtëpiat e veta, pak metra larg viktimave dhe askush nuk shkoi me i mërzitë tue iu kërkue llogari. S’e kam fjalën për shqiptarët që vriten përditë edhe për nji vijë ujit, e kam fjalën për shtetin, për atë palo shtet që ka ndërtue biri në shpirt i Nexhmijes dhe i Ramizit, Sali Berisha.

Jo vetëm që askush nuk iu kërkoi llogari për krimet, por si njeni ashtu edhe tjetri, – grueja e diktatorit dhe hija e diktaturës, – patën paturpsinë me jetue gjatë dhe s’pushuen deri në fund të gjallesës së tyne tue falsifikue çdo cep të historisë shqiptare të 50 viteve të fundit, e cila i ka pa me duert e lyeme me gjak. Mund të themi me plot gojë se ligji në Republikën tonë nuk ka qenë asnjiherë në shtëpi të vet. Asnji gjykatës s’e ka marrë mundimin me e rihapë çështjen e transferimit të arit në vitet e fundit të diktaturës në Zvicër! E njejta gja edhe për vrasjet e shumta në kufi në fundin e viteve ’80. E pra vrasjeve dhe vjedhjeve masive nuk u kalon kurrë afati i hetimit!

Tek ne tiranët kanë gjetë garanci të pafundme e kjo asht arsyeja që tragjeditë tona përsëriten.

Ndërmjet Sali Berishës dhe Nexhmije Hoxhës pati deri në fund nji marrëveshje, nji pakt mossulmimi, posta e këtij pakti ishte që organet e drejtësisë të mos hetonin për aferat e pista të klanit Hoxha-Alia. Nga ana tjetër shtypi herë mbas here furnizohej me ndonji fotografi ku udhëheqësi superdemokrat Berisha paraqitej në rininë e tij prej provinciali të katapultuem në Tiranë, në raporte shumë konfidenciale me ajkën e bllokmenëve.

Sali Berisha për dy dekada ka mashtrue të burgosunit politikë, tue marrë votat dhe tue mos iu dhanë damshpërblimet; ka mashtrue pronarët tue iu marrë votat e tue mos iu dorzue pronat e ligjshme; ka mashtrue me çeshtjen e hapjes së dosjeve të Sigurimit tue qenë se ato janë nji garanci për politikën e tij të shantazheve; ka mashtrue me farsën e hetimit të masakrës së Tivarit; me vorrezat e të pushkatuemve rranzë malit të Dajtit; me çështjen çame e me dhjetra çeshtje tjera.

Sot gjithçka asht krejt e kotë: pronat janë tjetërsue përfundimisht dhe buxheti i shtetit nuk lejon kthimin e tyne në asnji lloj forme; ish të burgosunit – ata që nuk kanë vdekë zemërplasun tue pritë damshpërblimet – po burgosen rishtas; dosjet sa të jetë ai nuk do të hapen kurrë; viktimat e Tivarit po i tretë dheu pa asnji shpresë për me qenë të kujtuem të paktën me nji gur mbi vorr; çamët – deri sa të jetë aty Berisha dhe Idrizi – s’kanë me marrë as edhe nji lopatë dhé prej tokave dhe pasunive të tyne.

Mes Sali Berishës dhe Nexhmije Hoxhës nuk ka asnji dallim cilësor, pse në kushtet e demokracisë Berisha i ka shkaktue po aq mjerime vendit dhe shqiptarëve, sa i ka shkaktue regjimi i Enver Hoxhës në kushtet e diktaturës. Nesër, njerzit nuk do të bajnë asnji dallim të veçantë mes bashkëpuntorëve të Nexhmijes dhe besnikëve të Berishës.

Nexhmija dhe Saliu janë tonalitetet e së njejtës së keqe absolute që e ka mbërthye Shqipninë qysh prej vitit 1944.

Në qoftë se nuk ka mbërrijtë me i pushkatue shqiptarët siç bante Enver Hoxha – Sali Berisha iu ka dhanë armët dhe i ka shtie me u vra mes vedit; në qoftë se nuk ka mbërrijtë me i vra me pushkë – i ka hedhë në erë si në Gërdec; në qoftë se nuk ka mujtë me i çue në Burrel e në Spaç – i ka degdis me kërcënime përjashta; në qoftë se nuk ua ka konfiskue arin dhe shtëpijat – ua ka marrë me forcë tokat dhe mbi to ka ndërtue bizneset klanore; në qoftë se nuk ka mujtë me ua rrjepë pasuninë private – ka shitë pronat e shtetit e deri edhe territorin shtetnor; në qoftë se gjykatat e tija nuk kanë dënue të pafajshmit – ato s’kanë ngurrue me lirue kriminelat prej burgut; në qoftë se nuk ka mujtë me i dënue njerëzit për agjitacion e propagandë – ua ka ba të vështirë jetën mediave që janë rreshtue kundër politikës së tij dhe ka pushue prej pune deri të afërmit e tyne; në qoftë se nuk ka mujtë me i pengue shqiptarët me dalë jashtë shtetit – ka pengue me çdo mjet Shqipninë me hy në Europë.

Berisha asht nji despot oriental, nji burrec që mshehet mbas dritaresh të blindueme dhe nxjerr të tjerët me vra për të; asht nji individ pa atdhe dhe pa nderë, ai mbetet thellësisht primitiv dhe enverist në çdo akt të jetës së tij politike.

Vetëm nji herë bani gabimin me vu nji jo komunist në krye të Shtetit dhe u pendue aq shumë, sa që ia preu rrugën Jozefina Topallit, e cila, me të gjitha të metat që ka, asht lule në krahasim me atë pulçinelën që ban sikur komandon shtetin shqiptar.

E reja qëndron në faktin se në përceptimin e njerzve Berisha asht shumë ma i urryem se Nexhmije Hoxha, e cila me gjithë krimet që i randojnë mbi supe, sot jeton pa eskortë të armatosun dhe pa jelek antiplumb. Sot Berisha ka shumë ma pak garanci se Nexhmije Hoxha. Këtë gja ai e din krejt mirë. Shqiptarët e sotëm nuk janë ata të para 20 viteve; ata, të cilëve Neritan Ceka me shokë mund t’ua ndrronte marshimin prej Komitetit Qendror për në portin e Durrësit.

Sot shqiptarët nuk ikin ma përpara tiranisë. Prandaj cicërimat në kafazin e twitter-it janë foshnjore, njerëzit janë mërzitë me to dhe s’do të lejojnë që klasa e korruptueme politike t’i sakrifikojë për interesat e tyne për pushtet.