Gjakmarrja: “Ndera e marrun nuk falet!”

0
110

NGA: KIÇO BLUSHI

Gjakmarrja: “Ndera e marrun nuk falet!”Për herë të parë në historinë 100-vjeçare të shoqërisë sonë me shtet të mëveçëm, më së shumti diktatorial e më së paku demokratik, përherë ama e ngjizur në deje me mbetje kanunore, tribale e anadollake, në një shoqëri ku Gjakmarrja mjerisht vazhdon të quhet jo vetëm nder, por edhe detyrim moral dhe jetik, ku “gjaku lahet vetëm me gjak”, pra jo me ndëshkimin e Ligjit të Shtetit të së Drejtës, ku, si dëshmon Motër Kristina Faber: “Kanuni gjallon ndër ne si një fe dytësore”, që do të thotë se Kanuni vepron më fuqishëm edhe se fetë, andaj para ca ditësh u mor një vendim historik, i cili duhet përshëndetur njëzëshëm: “Metropolia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës ka vendosur që të gjithë ata që vrasin për gjakmarrje, por edhe ata që vrasin, të shkishërohen”.

Ky dekret kishtar provon se shoqëria dhe shteti ynë kanë dështuar totalisht në detyrimin për të kuruar dhe për të zhdukur këtë plagë të rëndë shekullore që po merr përditë jetë njerëzish të pafajshëm, që po ngujon qindra familje, që po denatyron, kriminalizon dhe shfytyron mijëra fëmijë dhe duke i dhënë shoqërisë shqiptare një fytyrë sa barbare, aq edhe primitive. Në të vërtetë nuk mjaftojnë fjalët “ka dështuar”, pasi në këto 22 vjet me këtë biçim pluralizmi-anarkik “të institucionalizuar” tashmë në të gjithë hierarkinë e vlerave, shteti dhe organizmat e tij, të gjithë ne si “shoqëri civile”, n’daç edhe si qytetarë të ndërgjegjshëm të këtij vendi (sigurisht jo vetëm për shkak të indiferentizmit, por edhe të trashëgimisë), jemi përgjegjësit, shkaktarët, përçuesit dhe njëkohësisht edhe pësimtarët e Gjakmarrjes dhe të Kanunit,-teksa ndërkohë kërkojmë të futemi në Evropë …Nëse diktatura me dhunë e paralizoi Kanunin, rrënjët e tij nuk qenkëshin shkulur, deri sa liria i dha, fatkeqësisht, përmasa kombëtare kaq të frikshme e të pandalshme Gjakmarrjes, aq sa të detyrohen organizmat fetare, të vetmet deri tani, që synojnë të ndërhyjnë për të ndalur gjakderdhjen me “dekrete” të kësollojshme. Por a mund të shmangin “dekretet” kësodore fetare yryshin e Gjakmarrjes në vend të dekreteve, deri tani të munguara, shtetërore? Si shpjegohet që në këto vite me liri-demokraci nuk kemi dëgjuar asnjë nismë shtetërore dhe përse askush nga shtetarët dhe krerët partiakë të të gjitha krahëve nuk kanë tentuar as edhe njëherë të vetme të marrin askurrfarë përgjegjësie për këtë krim të pashembullt? Mos vallë shteti, qeveritë, partitë e krerët e tyre ndjehen të pafuqishëm përballë Kanunit dhe me apo pa dashje i janë dorëzuar kësisoj “fesë dytësore” e sipërore, Gjakmarrjes, ngujimit dhe vetëgjyqësisë, ngaqë Kanuni, direkt dhe indirekt ju mundëson një sundim me më pak telashe, ngaqë qytetarët janë të kapur nga frika e pashmangshme e “pagesës së gjakut”?

Tashmë askush nuk e vë në dyshim që dukuria e Gjakmarrjes ka shkuar tepër larg, jo vetëm duke ngujuar mijëra familje, por duke vrarë edhe fëmijë, edhe familjarë që nuk kanë asnjë lidhje e asnjë “detyrim për shpagim”…Habitërisht edhe në këtë shekull dëgjohen kësish “dijetarësh” që pa pikë droje dalin e mburrin Kanunin, si një vlerë e madhe kombëtare, duke e cilësuar si “Kushtetutën më të vjetër e më të vyer të Evropës”…Kanuni vërtet ka qenë njëfarë kushtetute, por ka qenë për një parashoqëri primitive, kur shteti nuk ekzistonte dhe kur organizimi dhe bashkëjetesa në komunitet, pas feudalizmit, ishte tejet i vështirë….Pikërisht kjo miopi, për të mos e quajtur ndryshe, është padyshim një nga arsyet e ringjalljes dhe të faktorizmit kaq të shpejtë të dokeve të haruara e të mykura të Kanunit.
***
Kanuni nuk mund të gjallojë as në shoqëritë parafeudale, fisnore, të botës së tretë, për shkak të globalizmit dhe të teknologjisë informative. Por ja që u gjallërua ndër ne që jetojmë në mes të civilizimit dhe Evropës, duke marrë përmasa të frikshme e të papërballueshme, si një ortek i cili përditë e më tepër po bëhet i vështirë të ndalet…Deri më tani nuk ka orvatje për ta ndalur, por ka ndër ne që si rrugëdalje kërkojnë, edhe me ndihmën e Bankës Botërore, sponsorizim për një referendum për Kanunin (që: “…gjaku duhet të merret vetëm tek vrasësi dje, jo tek anëtarët e tjerë të fisit”)…., pra për mënyrën se si duhet të kryhet gjakmarrja, gjë që do të thotë: gjakmarrja le të vazhdojë, por ama lipset të kryhet me rregulla, me Kanun!

Ka të tjerë që dalin e pohojnë se ka ardhur koha për një Kanun të ri, me gjasë më modern, më bashkëkohor që…”gjaku të lahet vetëm me gjakun e vrasësit”. Si një ilustrim tjetër i mjerimit tonë moral, e vetmja rezistencë që dëgjohet herë pas here është një lloj lutjeje që vjen nga bota mediatike: Gjakmarrja po na prish imazhin para botës, pasi sot po shkruhet shumë keq për këtë dukuri të shëmtuar, duke penguar modernitetin, integrimin dhe përfshirjen tonë të shpejtë në Evropë…Por a nuk është ky një tjetër cinizëm i shkallës së lartë i ngjashëm me propagandën: mos mbillni e mos trafikoni drogë ju lazaratas se na dëmtoni imazhin e na bëni dëm?

Besoj se është e panevojshme të provohet që as Kanuni dhe as rrjedhojat tragjike të tij nuk mund të shkulen me të tilla nisma “idealiste”, por me masa ligjore e veprime konkrete, jo vetëm të organeve qeveritare, por të mbarë shoqërisë….Në zonat ku është gjallëruar Kanuni dihet që ka prapambetje, varfëri dhe injorancë të theksuar e të trashëguar. Shoqëria demokratike i ka braktisur e lënë në fatin e vet të zi këta njerëz, pa bërë asnjë përpjekje për t’i iluminuar, zhvilluar, emancipuar, kulturuar, arsimuar, dmth evropianizuar këta banorë që vazhdojnë të jetojnë si tribu. Aq më tepër që edhe shembujt e drejtimit dhe përfaqësimit në këto humbella janë nga më negativet, aq sa edhe pajtuesit e gjaqeve, ashtu si jo pak OJF, janë diskredituar e paditur për shpërdorim e korrupsion, duke dërguar jashtë shtetit për strehim politik qytetarë që nuk kanë lidhje me Gjakmarrjen…

Në këto kushte, kur shteti dhe organizmat e tij, organet e Drejtësisë dhe të policisë, mediat dhe OJF-të, shkolla dhe morali i komunitetit ndihen jashtë loje, duhet vlerësuar si tepër fisnik vendimi i mësipërm i Kishës Katolike. Prandaj do të ishte e udhës që edhe krerët e komuniteteve të tjera, muslimane dhe ortodokse, nëse ndjejnë sadopak përgjegjësi për këtë shoqëri të traumatizuar të mos bëjnë vetëm ceremoni politiko-fetare në ditë kremtesh, duke u puthur me krerët e politikës, por t’i bashkohen “dekretit katolik”, duke i dhënë kështu qëllimit një dimension mbarëkombëtar e rrjedhimisht, edhe më ndikonjës. Fakti që Kryeministri Berisha doli menjëherë dhe tha se shumë shpejt do të hartohet një ligj (ndonëse me vonesë!) ku të sanksionohet dënimi me burgim të përjetshëm i atyre që kryejnë Gjakmarrje ( ndonëse jo pa qëllim ai “e ngatërroi” Gjakmarrjen me hakmarrjen, pasi, si verior, ai e njeh mjaft mirë Kanunin…), kjo, gjithsesi duhet kuptuar si një shenjë pozitive që jep shpresë se edhe politika do të futet do të përfshihet në një Kuvend të tillë mbarëkombëtar. As zgjedhjet për deputetë, as kongreset e partive, madje as ceremonitë që do të organizohen me shumë pompë për 100 vjetorin nuk do të kishin vlerën e një nisme të tillë e cila do të mund të frenonte, sadopak, gjakderdhjen!
***
“Kushdo që është i izoluar”, na kujton ne shqiptarëve murgesha Kristinë Faber, e cila i ka vënë vetes qëllim të lehtësojë familjet e ngujuara, “është edhe i traumatizuar. Shtëpia jote kthehet në burg dhe jashtë përgjon vdekja. Nuk ka zhvillim të njëjtë të të ngujuarve. Çdo i ngujuar ka historinë e tij traumatike dhe zhvillimi i fëmijëve dhe i të rinjve varet nga shumë, shumë faktorë. Në secilin rast frika nga vdekja, izolimi social, turpi, përjashtimi, varfërimi material si pasojë e izolimit nuk janë kushte të favorshme për një zhvillim të shëndoshë, të tërësishëm”.

Dihet se nëse në një shoqëri demokratike nuk jepet drejtësi qoftë edhe për një njeri të vetëm, atëherë presupozohet se në atë shoqëri nuk ka drejtësi, -ky është parimi universal i drejtësisë së një shteti të së Drejtës,- por ç’duhet të thuhet për një shoqëri që ka mbi njëmijë fëmijë të ngujuar që jetojnë me frikën e gjakut, të vdekjes, të terrorit? Për të ilustruar tablonë “e gjakut apo të nderës së pafalun që me çdo kusht duhet të merret”…. ja disa kronika të zeza nga shtypi: “…Para 6 vitesh Tones i vritet i shoqi duke i lënë 7 jetimë, 6 vajza dhe një djalë që sot janë 10-19 vjeç…Tone Bushi, nuk ka mundësi të kërkojë as të drejtën e mohuar të pensionit për fëmijët e saj. Në fshatin Mali i Jushit, Prekë Preka dhe gruaja e tij Lezja, jetojnë me dy nuset e djemve të vrarë dhe 7 jetimët e tyre. Violeta dhe Ardjana janë dy nuset, të cilave në një afat prej 1.5 vitesh u janë vrarë burrat, duke u lënë 7 jetimë. Jetimët rriten me ndjenjën e hakmarrjes. Kristiani, Paridi, Dimitrula, etj., ndonëse fëmijë, dinë të përdorin armën. Ata po rriten me idenë se duhet të vrasin për të marrë hakun e baballarëve të tyre. Në shtëpinë e tyre vetëm vajtohet dhe flitet për hakmarrje. Psikologjia e të marrurit gjak u rrënjoset fëmijëve që kanë probleme të tilla dhe i shoqëron ata gjithë kohës. Në fshatin Aliaj të komunës Bajzë në Malësinë e Madhe ka fëmijë të ngujuar që kur kanë lindur. I tillë është Ermenis Laçaj, i cili lindi dhe u bë njëzet muajsh i ngujuar pa e kuptuar këtë fenomen”.…

Ndërsa i ngujuari Skënder Xhani pohon: “Nëse nuk do të ishte Kanuni ligji ynë, unë do të dorëzohesha në polici pas asaj që ndodhi. Por unë nuk jam i sigurt për vete dhe për familjen time. Hasmi s’e njeh shtetin…”. Skënderi ka bindjen se edhe nëse do të shkonte për të kryer dënimin që i takonte sipas ligjeve, hasmi …do ta vriste menjëherë sapo të dilte në qoftë se nuk do ta kishte bërë këtë më parë mbi djemtë e tij”…

Aq e fortë është trysnia e marrjes së gjakut dhe e vënies së nderës së familjes, sa me Kanun gjaku i të vrarit mblidhej në një enë, taposej dhe vendosej mbi oxhak…Kur, pasi vepronin proceset kimike e kur gjaku fermentohej, ushtronte trysni dhe poçja a shishja thyhej, ose kur tapa shpërthente, kjo konsiderohej që gjaku po bënte thirrje urgjente për të marrë hak…E pra, a mos duhet që shoqëria jonë të presë një ditë të tillë të fatkobtë që ta kuptojmë domosdonë e marrjes së masave të gjithanshme e gjithëpërfshirëse për shuarjen përfundimtare të Kanunit?

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)