Nga na erdhi kjo fatkeqësi?!

0
38

Preç Zogaj, 07.12.2010

Të gjithë pyesin. Të gjithë duan të dinë. Nga na erdhi kjo fatkeqësi?! Qëkurse u ndërtuan kaskadat e lumit Drin, Shkodra nuk ka njohur një të tillë përmbytje. Deri ditën kur KESH-i e kishte pjesë të veten Ndërmarrjen e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, apo edhe gjatë periudhës transitore kur këto dy ndërmarrje u ndanë duke mbetur pjesë e një çatie shtetërore, nuk kishin ndodhur fatkeqësi të këtyre përmasave.

Historia e përmbytjeve të kohës së parahidrocentraleve u rikthye si një sinjal alarmi në fund të vitit 2009. Qeveria dhe shteti shqiptar e kaluan me “politikë” dhe me letrarizma atë fatkeqësi, në të cilën qindra-mijëra familje dolën me këpucë të kuqe, ndërsa një grusht zyrtarësh dhe sekserësh me siguri u bënë pasanikë duke shitur energji. Dhe kështu, pa u mbushur viti, në logjikën e hekurt të një ligjësie të epërme, fatkeqësia u përsërit në përmasa shumë më të mëdha këto ditë.

Nëse ka diçka prej perëndie në këtë goditje të dytë, ky është një ndëshkim për shpërfilljen dhe indiferencën e qeverisë ndaj sinjaleve të qarta që u dhanë në goditjen e parë. Kësaj radhe janë katërmbëdhjetë mijë hektarë tokë nën ujë. Katër ose pesë mijë më shumë se herën e parë. Harta e përmbytjes kësaj radhe ka përparuar ndjeshëm në qytet, duke rikthyer regjimin e dikurshëm të varkave.

Nuk diskutohet se përparësi e momentit është përballimi i fatkeqësisë, shpëtimi i jetëve, evakuimi dhe akomodimi i të rrezikuarve, furnizimi me ujë, ushqime, ilaçe e tjerë. Por pyetja “ç’po ndodh?!” rreh si çekan në mendjen e shumicës së shqiptarëve.

Ajo është shprehje e dëshirës dhe nevojës për të kuptuar, për të shpresuar. Njerëzit nuk mund ta jetojnë si një fatalitet idenë e rrezikut nga vërshimet, nga rrëshqitjet apo thatësira. Ja përse përgjigjet nuk mund të jepen shkel e shko, sa për të bërë paradën politike të radhës.

Përpara se të ngjiten në foltoret e politikës, ku nuk mund të mos ngjiten, këto përgjigje duhet të mbështeten në një hetim thellësisht profesional të shkaqeve të përmbytjes dhe në një ekspertizë po aq profesionale për masat që duhen marrë.

Unë nuk e di a i ka apo jo Këshilli i Sigurimit Kombëtar prerogativat për të ngritur një ekip profesionistësh të zotë që do të ndërmerrnin hetimin dhe ekspertizën në fjalë. Pa ta kishte të mundur ky Këshill, do të ishte mirë. Në pamundësi, hetimi dhe ekspertiza mund të bëhen edhe me asistencë ndërkombëtare, fjala vjen nën ombrellën e OSBE-së.

Gjithë problemi është se na duhet një gjë e saktë, pa e fshehur dhe njëkohësisht pa ekzagjeruar të vërtetën për arsye politike. E vërteta e qëruar është e vetmja mundësi reale për t’u korrigjuar.

Qeveria e dogji këtë mundësi vitin e kaluar dhe tani, edhe po të këtë dëshirën e mirë të verë gishtin në plagë, paragjykohet nga opozita. Opozita nga ana e saj paragjykohet nga qeveria sikur ajo kërkon të nxjerrë përfitime politike me fatkeqësinë.

Ky është rebusi që mund të kapërcehet ose me vetëdijen e bashkimit para një emergjence kombëtare – gjë që është e preferueshme, por pak e realizueshme në këtë periudhë – ose nga një instancë e tretë.

Përpjekja për të kuptuar “ç’po ndodh?!” ka nxjerrë në dritë disa pikëpyetje, për të cilat kërkohen shpjegime të hollësishme.

Duke filluar me elementaren: Cila është sasia e reshjeve që kanë rënë? Në ç’raport janë reshjet e fundit me reshjet mesatare nëpër vite sipas buletineve të ruajtura? A ka lëvizje të dukshme të fashës klimatike në vendin tonë, apo është po ajo e përhershmja me ndryshime të papërfillshme? Nëse rezulton se është rritur mesatarja e reshjeve, kjo duhet pasqyruar në ndryshimin e rregullores së vjetër për shkarkimet e hidrocentraleve.

Një shpjegim tjetër, shumë i rëndësishëm është ai që duhet të na tregojë sa është sasia e përmbytjeve që vjen nga shkarkimet e hidrocentraleve dhe sa është përmbytja që vjen nga liqeni i Shkodrës. Dje, para grupit parlamentar, Berisha përmendi si shkak të përmbytjeve vetëm liqenet dhe lumenjtë e vegjël malorë që nuk derdhen në kaskadën e Drinit.

Shkarkimet nuk i zuri në gojë. Meqenëse ujërat përzihen, askush nuk mund ta thotë me të shikuar se këto janë të liqenit, këto të hidrocentralit dhe këto të alpeve. Por është jashtë çdo dyshimi se përmbytja ka ardhur nga tria drejtimet. Të gjithë e dimë, ndërkaq, se shkarkimet nga Vau i Dejës ishin në origjinë të përmbytjeve të para në Bërdicë.

Prirja e qeverisë dhe kryeministrit për të minimizuar apo edhe përjashtuar fare rolin e shkarkimeve në zgjerimin e hartës së përmbytjes nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin dyshimet në lidhje me rolin që ka luajtur dhe vazhdon të luajë oreksi i KESH-it për të eksportuar energji në kurriz të një menaxhimi të kujdesshëm të ujërave të mbledhur në tre liqenet e kaskadës.

Ka të dhëna se ky lloj menaxhimi është zhvilluar në kufirin e delikat midis nevojës për të fituar para dhe rrezikut të përmbytjeve. Tërheqja për të fituar ka qenë më e madhe se frika e përmbytjeve. Ka diçka të ngjashme me Gërdecin në këtë histori, ku nxitimi për të fituar çon në injorimin e faktorëve të sigurisë.

Nuk ka arsye që për shumë ditë, ndërsa Fierza punon me kapacitet të plotë dhe gjendet disa metra nën kuotat maksimale, Komani dhe Vau i Dejës futen në stinën e shirave të mbushur pothuajse cip. Kjo histori meriton një hetim të hollësishëm. Banorët e zonave të përmbytura, por jo vetëm ata, meritojnë transparencë të plotë për këtë aspekt të problemit.

Një shpjegim me vete duhet dhënë për pengesat e reja apo “digat e fshehta” që janë krijuar përgjatë viteve të fundit në shtratin e lumit Drin, në shtratin e lumit Buna dhe aty ku bashkohen të dy këta lumenj.

Kushdo ka mundur t’i shohë para përmbytjeve, nëse është ndalur pak pranë urës së re të Bunës drejt Muriqanit, apo nëse i ka rënë rasti të shohë pyllin e algave përgjatë lumit Buna, të krijuar, sipas ekspertëve, kryesisht për shkak të ujërave të zeza.

Të gjitha këto të dhëna dhe të tjera që nuk po i rendisim këtu, janë të rëndësishme për të matur me saktësi se çfarë është e “qiellit” dhe çfarë është e “tokës”, apo thënë ndryshe, çfarë është e natyrës dhe çfarë është e administrimit në fatkeqësinë e përmbytjeve. Vetëm kështu mund të jemi të saktë dhe efikasë në betejën kundër përmbytjeve. Me një kusht tjetër. Administrimin duhet ta marrin në dorë ekspertët.

Nuk mund të lejohet që për arsye politike hidrocentralet dhe veprat e mëdha hidroteknike t’iu lihen në dorë njerëzve pa arsim përkatës. Nuk mund të injorohen profesionistët. Nga mesi i këtij viti, me iniciativën e Presidentëve të Shqipërisë dhe Malit të Zi u zhvillua në Mal të Zi një takim i ekspertëve më të mirë për të folur mbi menaxhimin e ujërave të liqenit të Shkodrës.

Nga Shqipëria nuk kishte asnjë deputet dhe asnjë zyrtar të fushës në këtë takim, edhe pse ishin ftuar. Ishte një prej rasteve të shumta që tregon statusin e dijes në Shqipërinë e sotme. Dija është e përjashtuar. Vendin e saj e ka zënë militantizmi dhe mediokriteti. Domethënë përmbytja.