A mund të jetë kaq i “paditur” Dr. Plasari?

1
32

Bardhi Sejdarasi, 07.12.2010

Nuk do të kisha as dëshirën më të vogël të ulesha dhe të shkruaja këtë shkrim, të cilin në fakt duhet ta kisha botuar të paktën një vit e ca më parë, kohë kur si sekretar i Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, isha ftuar në “Ministerial Conference on Information Instrastructure for Science, Education and Culture”, të organizuar nga qeveria e Republikës së Sllovenisë, në datat 11-12 nëntor 2009. Në këtë konferencë merrnin pjesë përfaqësuesit e Bullgarisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Palën shqiptare e përfaqësonte MTKRS-ja, me zonjushën Joli Eleni Gjovreku.

Pse duhen këto hollësi?
Sepse drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Dr. Aurel Plasari, në një konferencë për shtyp apo në një letër dërguar SHISH-it, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kryeministrit, është prononcuar publikisht, duke u shprehur se “një serb dhe një slloven kanë sulmuar publikisht atë dhe Bibliotekën Kombëtare”, duke iu referuar pikërisht një zanafille që lidhet edhe me këtë konferencën e mësipërme.

Në fakt ka një histori, të cilën, për fat të keq duhet ta kishin zhbiriluar gazetarët. Dr. Plasari ka të drejtë kur i shkruan kryeredaktorit të “Shqipit” për këtë, por jo në sensin me të cilin ai orientohet.

Historia
Në konferencën që përmenda, Vojka Volk, ministër i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha se BE-ja ka projekte konkrete për këto vende. Ai përmendi për këtë vitin 2012 kur do të hiqen të gjitha pengesat për shkollat mes vendeve të rajonit dhe foli për një bibliotekë rajonale, që do të shkëmbente informacion pa kufij mes vendeve tona dhe që i referohej projektit COBISS.Net.

Përfaqësuesja e divizionit të edukimit të lartë në UNESCO, Stamaka Uvaliç-Trumbiç, e pranishme në këtë konferencë, tha se UNESCO e mbështeste këtë projekt dhe vlerësoi aderimin e katër universiteteve në projektin e mësipërm. 537 biblioteka të Sllovenisë ishin lidhur deri në nëntorin e vitit të kaluar në rrjetin COBISS. Maqedonia ka mbështetur të gjitha bibliotekat të lidhen në rrjetin COBISS dhe ka 750 mijë rekorde në këtë rrjet. 112 biblioteka të Serbisë janë lidhur me këtë rrjet duke filluar nga viti 2003 dhe jo më përpara.

Bullgaria ka rreth 3500 biblioteka të përgjithshme dhe 2500 biblioteka të tjera dhe ka investuar 10 milionë euro për sistemin e informacionit në rrjetin COBISS. Bosnjë-Hercegovina ka 36 biblioteka në rrjetin COBISS etj., etj. Shqipëria, sipas informacioneve që unë kam, ka 51 biblioteka të përgjithshme me rreth 2,3 milionë rekorde, por nuk është e lidhur në këtë sistem.

Këto shifra dhe të dhëna eksplicite jam i bindur se i njeh edhe drejtori ynë i BK.
Por ka edhe më shumë informacion se kaq.

Në tetor të 2005-s, COBISS ka qenë në Shqipëri, në zyrat e z. Plasari, duku u takuar dhe prezantuar projektin me vartësit e tij (tashmë të pushuar nga puna). Më 15 nëntor të vitit 2005, dy përfaqësues të lartë të qeverisë së Shqipërisë kanë vizituar Ministrinë e Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Sllovenisë dhe kanë shprehur interes për implementimin e këtij projekti në Shqipëri.

Në konferencën ndërkombëtare të COBISS të vitit 2005, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të MTKRS-së, UPT, UT etj., Biblioteka Kombëtare ka fshirë pjesëmarrësit e saj në “minutën e fundit”.
Më 14 mars 2006, drejtori i BK, z. Plasari, është ftuar të marrë pjesë në takimin e drejtorëve të bibliotekave rajonale kombëtare, por nuk i është përgjigjur ftesës.

Më 17-18 mars 2006, UNESCO organizoi konferencën “Organizing information on research potential and the results of research activities”, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të MASH-it dhe të universiteteve shqiptare, por jo BKSH-ja.

Më 15 qershor 2007, mes MASH-it dhe IZUM është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit për të mbështetur kërkimin dhe veprimtaritë mësimore në Shqipëri, marrëveshje e cila siguronte ngritjen e sistemit të informacionit kërkimor mbështetur në aplikacionin E-Cris software dhe sipas modelit të sistemeve të ngjashme në Europë, si dhe zbatimin e sistemit COBISS për automatizimin e bibliotekave universitare në Shqipëri e lidhjen me rrjetin COBISS.Net. (A di gjë Plasari për këtë marrëveshje zyrtare?!)

Më 6 mars 2009, në Universitetin e Ljubljanës konkurruan 24 kandidatë nga Shqipëria për master në biblioekonomi dhe fituan të drejtën 17 prej tyre. Gjatë vitit 2009, projekti COBISS ka financuar në total 372 700 euro për pajisjen me kompjuterë të 10 bibliotekave publike, të BSHUPT, blerjen e librave për 10 biblioteka të tjera, bashkëfinancimin për 17 studentë pasuniversitarë për nivelin master shkencor (e më tej edhe për doktoraturë për disa prej tyre), financimin e përkthimit në shqip të manualit COMARC dhe të standardeve ndërkombëtare të ISBD.

Në shkurt të këtij viti, z. Ilir Meta, si ministër i Jashtëm, gjatë vizitës në Slloveni, ka thirrur ambasadorin shqiptar në Ljubljanë dhe i ka kërkuar të koordinojë këtë projekt (a do ta thërrasë Prokuroria e Përgjithshme z. Meta pas kërkesës së Plasarit?!)

Më 21 maj 2010, z. Plasari është takuar me drejtorin e këtij projekti dhe i ka komunikuar se “për shkak të legjislacionit shqiptar, ai nuk kishte autoritet për të nënshkruar një marrëveshje me IZUM, për projektin COBISS” (pra Plasari nuk paska qenë kundër serbëve(?!) – Ku janë deri tani serbët?

Me ftesë të UNESCO-s, më 21 dhe 22 maj 2010, drejtori i IZUM dhe ai i Agjencisë Sllovene të Kërkimeve janë takuar në Tiranë me ministrin Myqerem Tafaj në “Expert Meeting and Ministerial Round Table Strengthening Scientific Research and Higher Education. From Bilateral to pan-European Cooperation” dhe kanë marrë miratimin e ministrit shqiptar, i cili ka kërkuar përfundimin e marrëveshjes së lartpërmendur. (Ministri Tafaj këtu është, mund të pyetet edhe nga z. Plasari)

Dhe e fundit, më 5 korrik 2010, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shqiptare për Kërkime, Teknologji dhe Inovacion, pranon zyrtarisht ofertën për të marrë pjesë në zbatimin e E-Cris (Current Research Information System) në kuadër të projektit COBISS.Net dhe për këtë një përfaqësues trajnohet në Slloveni. Jo në Serbi!

A duhet t’i dijë këto z. Plasari?
Mbase edhe jo, por ama duhet të dijë se përpara se të dërgojë letër në SHISH për kërcënim nga serbët dhe ta quajë COBISS organizatë të dyshimtë, duhet të pyesë: Pse konferenca në Tiranë u mbështet nga Akademia e Shkencave dhe Shoqata e Bibliotekarëve, pasi sipas ligjit Nr. 8576, dt. 3.02.2000, kryetari i Shoqatës së Bibliotekarëve (neni 14) bën pjesë në Këshillin Kombëtar të Bibliotekave (pranë Ministrisë së Kulturës), ku bën pjesë dhe dr. Plasari? Dhe ai mund ta kundërshtonte organizimin e konferencës në këtë organizëm!

Në këtë kuadër, z. Plasari duhet t’i referohet edhe nenit 25 të ligjit “Për Bibliotekat në RSH” (pika 2) që i mbështet të gjitha financimet nga burime të ndryshme. Por një pyetje na lind edhe ne, meqë iu referuam këtij ligji: mbështetur në nenin 27, pika 6 – çfarë pune bën Biblioteka Kombëtare si qendër e krijimit dhe e mirëmbajtjes së katalogut përmbledhës kombëtar?

“Atentati më i shëmtuar në 90 vitet e fundit”, e quan Plasari kërkesën për të qenë pjesë e rrjetit COBISS edhe Biblioteka Kombëtare Shqiptare dhe çudia është se në sinkron me të edhe Sali Bashota në Kosovë thotë të njëjtën gjë, thuajse të kishin qenë në një tavolinë? A ka diçka tjetër këtu? Unë nuk mund ta di këtë tani. Tani që po heton SHISH-i dhe Prokuroria e Përgjithshme dhe nuk duhet të flasin për të mos penguar hetimet. Por do të kemi kohë për këtë!

1 COMMENT

  1. Dua te pergezoj shume gazetarin Bardhi Sejdarasi per kete artikull,. Te gjithe cka thote ai jane shume te verteta. Une kam njerezit e mi qe punojne ne Bibloteken Kombetare, dhe pervec kesaj jam edhe lexues. Nivelet dhe standartet qe ofron kjo Bibloteke jane shume per te deshiruar, dhe as mund t’u afrohen standarteve te Biblotekave ne vendet e tjera te Evropes dhe Ballkanit.
    Mund te them qe sallat e leximit ne kat te pare dhe ne kat te dyte jane per turp te zotit… shkoni t’i shihni vete… sallat jane pa ngrohje dhe ne dimer duhet te durosh te ftohtin dhe ne vere te durosh te nxehtin… kam qene vete ne gusht dhe shtator per te lexuar dhe kam ikur se nuk mund te durohej i nxehti pervelues atje… pra ne kete bibloteke mungon me minimalja le pastaj te flasim per te tjerat… dhe prandaj besoj se gjithcka qe pohon gazetari ketu eshte shume e vertete… dhe e keqja e kesaj bibloteke qendron te drejtuesit e saj qe jane njerez servile te pushteteve dhe nuk kane asnje vizion per institucionin dhe stafin e tyre.
    Bravo Z.Sejdarasi… te pergezoj per guximin dhe faktet e tua mese te verteta

Comments are closed.