TemA, 22 Shtator 2012
Inxhinieri i sulmuar nga kryebashkiaku
Refuzimi i shumës prej 25 milionë lekësh të vjetra , i ka kushtuar karrigen kokës inxhinierit kuksian Muhamet Dalaçi. Dhe kjo gjë ka ndodhur në një sallë gjyqi. Sipas inxhinierit, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, i cili e goditi në gjyq, ka tentuar ta fusë atë në një skemë korruptive për të vjedhur para nga buxheti.
Gazeta “Shekulli” ka nxjerrë në pah materialet e deponimit të inxhinierit para oficerit të Policisë Gjyqësore në Kukës.
Sipas inxhinierit, ai ka kryer një projekt shkolle dhe për këtë ka marrë pagesën. Por pak kohë më vonë ka gjetur në llogarinë e tij bankare 25 milion lekë të vjetra, të justifikuara me një projekt shkolle. Por duke qenë së inxhinieri e ka marrë pagesën, ka refuzuar që këtë shumë t’ia dorëzojë kryetarit të Bashkisë, duke u përdorur kështu si mashë për të tërhequr para nga buxheti në mënyrë të parregullt.
Për më tepër inxhinieri thotë se kryetari i Bashkisë, në rrugë informale, i ka kërkuar jo shumën që i ka hedhur në bankë, por dyfishin e saj, 51 milion lekë. Inxhinieri ka lajmëruar Ministrinë e Financave për këtë çështje duke u kërkuar që të marrin paratë në buxhet. Pasi është detyruar të njoftojë zyrtarisht Drejtorin e Përgjithshëm të Thesarit, Eduard Ypi, më pas dhe ministrin e Arsimit, Myqerem Tafajn, ai nuk ka marrë ndonjë përgjigje, kështu që ka kërkuar që shuma e hedhur në llogarinë e tij të mbetet e bllokuar.
Ndërkohë që ka vazhduar të kërcënohet nga Halilaj që t’i paguante shumën. Tani çështja ka mbetur në dyert e gjykatës.







