Buxheti qeveritar në gjendje të vështirë, shkurtohen shpenzimet

0
57

Shekulli. 20.09.2012

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë është ezauruar i gjithë kufiri vjetor i huamarrjes së brendshme.

Gjatë periudhës janar-gusht, qeveria ka marrë në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët 18.45 miliardë lekë borxh, ose 99.67 për qind të gjithë planit vjetor.

Duke qenë në këtë situatë qeveria po vihet në vështirësi për të mbajtur treguesit e buxhetit brenda kufijve ligjor të vendosur nga parlamenti.

Në total kufiri i borxhit të ri që mund të marrë qeveria përgjatë vitit 2012 është 41.1 miliardë lekë, por pjesa tjetër është huamarrje e jashtme, e përcaktuar me ligj vetëm për financimin e projekteve të huaja kryesisht nga donatorët dhe bankat e zhvillimit. Përmbushja e kufirit ligjor të huamarrjes i imponon qeverisë një menaxhim të shtrënguar të buxhetit për ta mbajtur këtë tregues në kontroll.

Masat e para kanë filluar që muajin e kaluar, kur qeveria miratoi një vendim për disiplinimin e shpenzimeve, që ndalonte një sërë zërash shpenzimesh për administratën që nga trajnimet dhe deri tek shpenzimet për telefona celularë.

Por kur kanë mbetur dhe katër muaj deri nga përfundimi i vitit buxhetor, kjo situatë mund të krijojë shqetësime edhe për biznesin pasi ekspertët druhen se nevoja për të mbajtur borxhin e brendshëm brenda kufijve ligjorë mund ta detyrojë Qeverinë të shtyjë pagesat për kompanitë që kryejnë punë publike, një fenomen tashmë i njohur vitet e fundit.

Të ardhurat 121 milionë USD me pak

Në tetë muajt e parë të vitit plani fillestar i të ardhurave në buxhet është rrëzuar me mbi 12.1 miliardë lekë ose 121 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës janar – gusht, qeveria ka mbledhur në buxhet rreth 218.8 miliardë lekë nga 230.9 miliardë që ishte parashikuar.

Shifrat tregojnë se ky mosrealizim vjen në pjesën dërrmuese nga të ardhurat tatimore, deficiti i të cilave për këtë periudhë është 10.8 miliardë lekë.

Por teksa të ardhurat janë dukshëm nën planin, kjo nuk ndodh me shpenzimet. Për tetë mujorin shpenzimet e përgjithshme të qeverisë ishin 241 miliardë lekë, vetëm 3.3 miliardë më pak se parashikimi.

Mosrealizimi i të ardhurave dhe ritmi i lartë i shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor, të jetë për tetë muajt e parë rreth 165 për qind e planit. Qeveria po e mban pezull rishikimin e buxhetit për shkak të privatizimeve në proces. Nëse tenderi i mistershëm i ‘Albpetrol’ do të përfundojë me sukses, atëherë Qeveria mund të dalë me skenarë të tjerë financiarë, jo vetëm për 2012-ën, por siç po paralajmërohet jo zyrtarisht edhe për vitin e ardhshëm elektoral.

/Përgatiti: E.L/