Berisha: Perdja e Hekurt po bie tani

0
37


Nga Enver Robelli, Tages Anzeiger

Shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, premton se vendi i tij do të luftojë kundër çdo keqpërdorimi ndaj lirisë së lëvizjes pa viza. Një bashkim me Kosovën as që është në diskutim.

Para dy dekadash nisi rënia e rrëzimit komunist. Por vendi juaj është ende fëmija problematik i komunitetit ndërkombëtar. Cili është vlerësimi juaj?

Para 20 vitesh, Shqipëria ishte vendi i tretë më i varfër në të gjithë botën, ne ishim përpara një kolapsi, papunësia arrinte në nivelin 80 përqind, të ardhurat për frymë ishin 200 dollarë.

Atyre pak turistëve që vinin në Shqipëri gjatë sundimit komunist, u shkurtoheshin flokët në aeroportin e Tiranës për t’iu përshtatur modelit komunist. Prerjet e flokëve sipas modeleve hipie, ishin një tabu. Këto kohëra të errëta i kemi lënë pas nesh. Këtë vit 3.5 milionë turistë kaluan pushimet në Shqipëri.

Ne kemi shënuar një rritje të eksportit në nivelin e 60 përqindëve. Thuajse gjysma e 3.2 milionëve shqiptarëve tashmë janë të lidhur me internetin- para 5 vitesh, kur Partia ime Demokratike mori pushtetin, ishin vetëm 5 përqind. Para njëzet vitesh, Shqipëria ishte një gulag i Mesdheut, sot vendi ynë është anëtar i NATO-s.

Pavarësisht këtij progresi, BE i ka refuzuar Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Akuzat e ngritura nga Brukseli janë të rënda: institucionet demokratike mezi funksionojnë, drejtësia nuk është e pavarur.

Puna e parlamentit është bllokuar prej disa muajsh për shkak se opozita socialiste nuk pajtohej me humbjen në zgjedhjet e vitit të shkuar.

Por e vërteta është se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë më të lirat që pas rënies së komunizmit. Ky është edhe mendimi i vëzhguesve ndërkombëtarë. Në progres- raportin e fundit të Bashkimit Europian, vlerësohet lufta jonë kundër korrupsionit dhe forcimi i drejtësisë. Në këtë fushë mbetet ende shumë për t’u bërë. Ne i marrim seriozisht kritikat nga Brukseli. Njëkohësisht BE na ka shpërblyer për përpjekjet tona për të bërë reforma: nga dhjetori qytetarët tanë do të lejohen të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Shengen. Shqipëria po përjeton tani rënien e Perdes së Hekurt.

Mbi të gjitha shtetet e mëdha të BE kanë pranuar heqjen e vizave pa ndonjë dëshirë të madhe. Frika për keqpërdorimin e tyre është e madhe. A kërcënohet Europa Perëndimore tani nga një valë shqiptarësh?

Jo. Ka kaluar koha kur bashkëatdhetarët e mi rrëmbenin anije të ndryshkuara për të shkuar në Itali.

Qeveria ime është zotuar ndaj të gjitha shteteve të zonës Shengen për të luftuar në mënyrë konsekuente kundër keqpërdorimit të këtij regjimi.

Momentalisht në të gjithë vendin po vazhdon një fushatë informative në lidhje me lirinë e vizave. Që prej vitit 2006, në ujërat tona nuk lejohet të lundrojnë më skafe. Kjo masë vazhdon të jetë ende në fuqi. Përpara ndalimit të tyre, trafikantët e qenieve njerëzore kanë çuar drejt vdekjes rreth 400 persona. Më pas ne nuk kemi asnjë viktimë të vetme.

Në politikën e jashtme Shqipëria është përpara sfidave të reja. Në Beograd janë shtuar zërat që kërkojnë ndarjen e Kosovës. Në Kosovë është shtuar numri i atyre që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. A i mbështesni ju përpjekje të tilla?

Jo. Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: me pavarësinë e Kosovës janë përcaktuar përfundimisht kufijtë në Ballkan. Shumica dërrmuese e shqiptarëve në rajon mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne do të bashkohemi nën Komunitetin Europian. Atëherë nuk do të ketë nevojë për ndryshim kufijsh. Unë jam lindur pranë kufirit me Kosovë dhe prej shumë kohësh kam besuar në idenë e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare. Sot them: ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë fqinjët, në mënyrë që kufijtë të humbasin kuptimin dhe njerëzit të mund të lëvizin lirshëm.

Kreu serb i shtetit, Boris Tadiç, ka bërë thirrje për një kompromis historik mes shqiptarëve dhe serbëve. Në qarqet diplomatike kjo përkthehet si një kërkesë për ndarjen e Kosovës.

Ne duam përfundimisht të përmirësojmë marrëdhëniet me Serbinë që kanë qenë të ngarkuara historikisht. Unë e pres së shpejti presidentin Tadiç në Tiranë, do të jetë vizita e parë e një politikani të rangut të lartë të Beogradit. Por ndryshimi i kufijve nuk do të jetë në asnjë mënyrë temë bisedimesh. Kush mendon se me bashkimin e pjesës së mbetur të Kosovës Shqipërisë, zgjidhet çështja shqiptare, gabohet ose kërkon të nxisë konflikte. Grupet e popullsisë shqiptare jetojnë në Jug të Serbisë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Veçanërisht qeveria maqedonase duhet t’i trajtojë në mënyrë të barabartë qytetarët shqiptarë. Vizatimi i kufijve të ri do na largonte nga Europa dhe në 20 vitet e ardhshme do na duhej të varrosim ambiciet për BE-në.

Qeveria juaj po ndërton rrugë të reja që mundësojnë një komunikim më të mirë të shqiptarëve në Ballkan. A mund të lindë nga kjo një Shqipëri e Madhe?

Me ndërtimin e autostradës së re nga qyteti port i Durrësit deri në kufirin me Kosovën duam të inkurajojmë zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit. Një ditë edhe ekonomia serbe do të përfitojë nga kjo.