Plluq-plluq…

0
46

Alban Dega, Nju Jork, 04.12.2010

2 dhjetor 2010… Rrugët, shtëpitë, pasuritë e shumë lagje të Shkodrës janë përmbytur. Niveli i ujit sa vjen e lartësohet. Shkodra ka tri ditë që kërcënohet dhe rrezikohet seriozisht nga përmbytja e pestë në më pak se një vit. Kërcënohet jo vetëm pasuria, jo vetëm thesaret, jo vetëm trashëgimia e qytetit djep i qytetërimit ilirik – shqiptar.

Kërcënohet edhe jeta e fëmijëve, pleqve, grave shtatzëna… Rrezikohet vetë ekzistenca e qytetit. Rrezikohet jeta e një populli të tërë.
E njëjta ditë. 2 dhjetor 2010… Rrugët e sheshet kryesore të Athinës u përmbytën. Jo nga uji. Nga dhjetëra mijëra studentë grekë.

Ata protestonin kundër rritjes së pagesave për shkollim, kundër krizës që ka krijuar korrupsioni i kolegëve politikë të qeverisë së Berishës, me Karamanlisin në krye. Kërkonin një jetë e kushte më të mira studimi, jetese, siç veprojnë tash një vit prindërit dhe krejt populli, demosi grek.

Asnjërit prej tyre nuk i kërcënohej as jeta e as pasuria nga përmbytjet dhe forcat e verbra të natyrës, as nga neglizhenca e mosveprimi i qeverisë. Asnjërit. Të gjithë kërkonin të mos u rëndohej portofoli, kuleta e prindërve dhe e atyre vetë.

Si me komandë, si një repart i organizuar, me disiplinë e trimëri të pashoqe, me hap rreshtor e këngë në gojë mësynë forcat policore të armatosura deri në dhëmbë me armë zjarri, me gaz lotsjellës, me të gjitha mjetet kundër trazirave…

Asnjeri prej tyre nuk u shmang të bënte sehir si përplasej e çfarë do t’i ndodhte tjetrit, siç bëjmë ne shqiptarët që kërkojmë të nxjerrim nga zjarri gështenjat e pjekura me duart e tjetrit. Jo. Si një trup i vetëm, pa ua bërë tërt syri u sulen përpara drejt kordonëve policorë. Disa u gjakosën. Disa u rrezuan. Disa u arrestuan… Por asnjë nuk iu shmang fushës së betejës për të drejtat e tyre njerëzore.

Dy qytete. Dy përmbytje. Njëra natyrore. Tjetra njerëzore. Shikoja pamjet e djemve e vajzave, fëmijëve e pleqve, të burrave e grave të Shkodrës që aq shumë i ka dhënë qytetërimit e kulturës, historisë e civilizimit shqiptar. E ndjeva veten keq.

E ndjeva veten të qullosur, pa pantallona, pa brekë… lakuriq fare në mes të Kryeqytetit të Botës Nju Jork, nën rrezet e Diellit e nën Statujën e Lirisë tek shikoja si hiqnin pantallonat e dilnin në rroba plazhi, tek ngrinin fundet e ecnin të qullosur tamam si pula të lagura në lagështinë e detit të përmbytjeve e nën rrebeshin e shiut, në mes të dimrit për të dalë ose për të shkuar në shtëpitë e veta të përmbytura.

M’u kujtuan Oso Kuka e Vaso Pashë Shkodrani, Nora Hotit e Tringa e Grudës, Dede Gjo Luli e Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e Gjergj Fishta, Vasil Shanto e Arben Broci, Heronjtë e Vigut e Dëshmorët e 2 prillit… Përsëri “plluq…plluq… plluq… plluq” nëpër shi e neper detin pa fund e të pa anë të përmbytjeve të pesta. A thua çfarë presin!?

Me lindi vetvetiu pyetja sapo më dolën përsëri parasysh skenat e studentëve grekë, guximi, rregulli, trimëria e tyre në ekranet stërmëdha të “Times Square”… Kalimtarë të të gjitha ngjyrave, racave njerëzore, kombësive, kuptohet shumica dërmuese amerikane ndalonin. Shikonin dhe ecnin më të sigurtë, më të qetë në rrugët përreth..

” Plluq… plluq…plluq…plluq” Gjergj Kastriot Skënderbeu kur u kthye në Krujë iu drejtua popullit të saj me shprehjen lapidare: “Lirinë nuk ua solla unë. Lirinë e gjeta në mesin tuaj… !”

“Plluq… plluq…plluq … lluq” Një dite. Dy përmbytje. Dy pamje krejt të kundërta… Njëra: “plluq… plluq…” në Shkodrën, djepin e demokracisë shqiptare. Tjetra: “Liri… demokraci… liri … begati”.. Edhe në këto çaste, 5 e mëngjesit këtu në Nju Jork, kam mbrapa kushtrimin, vrullin e rinisë greke që përmbyti dje rrugët e djepit botëror të demokracisë. Po flet për to edhe “CNN”. Asnjë pipëtimë nga rrugët e Shkodrës së përmbytur. Është vështirë të kapesh plluq- plluqet!

Një mësim ky edhe për rininë e krejt popullin, jo vetëm të Shkodrës e Lezhës, por edhe të Durrësit e Korçës, të Konispolit e Bajram Currit… të mbarë Shqipërisë. Çdo popull, çdo njeri në Botë ka aq liri e demokraci, aq lumturi e begati… sa ç’lufton për to.