Xhamia e re, premtimi i Ramës dhe interesi publik

0
81

xhamia-e-tiranes-960x400Nga Petrit Qejvani16 tetor 2013

Në ditën e Kurban Bajramit, kryeministri Rama artikuloi më  qartë atë që tha para disa ditësh, kur mori vendimin për anulimin, apo më mirë për reduktimin e projektit të ndërtimit të xhamisë së re së bashku me një pallat tetëkatësh, si pjesë e kompleksit.

Me këtë vendim spekuloi boll opozita e sotme, e cila, që nga krerët e deri te avokatët dalëboje të saj, u përpoqën të argumentonin me këtë rast se kryeministri Rama ishte kundër xhamisë, pavarësisht se ai deklaroi heqjen e “bishtit” korruptiv  të projektit, një pallat tetëkatësh.

Ndërsa ditën e Kuraban Bajramit Rama i hoqi çdo mundësi te re spekulimi opozitës diversioniste kur tha se besimtarët myslimanë do kenë një xhami pa pallat dhe jo një pallat me xhami.

Siç është normale në Shqipëri, edhe një projekt teknik u shndërrua në një debat politik. Politizimi i skajshëm edhe i projekteve thjesht teknike, tregon shkallën e lartë të politizimit të shoqërisë sonë. Mendoj se kjo, veçanërisht kur ndodh me fenë, është ë rrezikshme.

Manipulimi për efekte politike me besimet dhe besimtarët, është i mbarsur me pasoja të paparashikueshme.

Avokatët e opozitës e sulmojnë Edi Ramën si njeri që nuk e mbajti fjalën para komunitetit mysliman, ndërsa u kishte premtuar ndërtimin e xhamisë, kur ishte kryetar bashkie dhe gjatë fushatës elektorale.

Por sot prej opozitës, më tepër se kryeministër që nuk e mban fjalën, Rama djallëzisht tentohet të paraqitet indirekt si armik i myslimanëve, duke qenë “ortodoks”. Dhe kjo akuzë nuk mund të jetë pa sensibilitete negative dhe e vë në pozitë jokomode Ramën moralisht. Prandaj, ditën e shënuar të Kurban Bajramit, ai e artikuloi fare qartë se xhamia e re do të ndërtohet dhe se qeveria, por dhe ai vetë familjarisht, do kontribuojnë edhe me fonde për ndërtimin e saj.

Nëse dy palët e interesuara direkt, Komuniteti Mysliman (më saktë krerët e tij) dhe qeveria kanë interesa reciproke në këtë rast, ne të tjerët, pjesa tjetër e shoqërisë, që përbën dhe maxhorancën, gjykojmë më asnjanësisht.

Duke pasur parasysh vendin e ndërtimit, në një park të gjelbër (nga të paktët në Tiranë), mendoj se kemi të bëjmë me një krim ambiental. Interesi qytetar e do që ai të ishte park dhe jo xhami, as kishë, as teqe.

Është e vërtetë që komuniteti mysliman është më i madhi në Shqipëri rreth, por kjo nuk do të thotë se ata përfaqësojnë po aq përqind të popullsisë. Sepse, si kudo, aq më tepër në Shqipëri, jo të gjithë qytetarët besojnë.

Shqiptarë janë populli më pak besimtar i Europës. Një anketim i një fondacioni amerikan, që merrej posaçërisht me këtë çështje, të bërë në Shqipëri dhe të publikuar disa muaj më parë në një të përditshme serioze, tregonte se nga kampioni i anketuar vetëm 14% e shqiptarëve besojnë dhe se, prej tyre, vetëm 4% janë praktikantë, domethënë frekuentojnë institucionet e kultit (kjo për të tre besimet së bashku).

Sigurisht kjo nuk do t’u pëlqejë krerëve të komuniteteve fetare, por kjo nuk ndryshon gjë. Po dhe nëse këtë anketim e marrim me rezervë (si çdo lloj sondazhi dhe anketimi), le ta çojmë në 20-30% të popullsisë që besojnë, kur edhe në Itali (qendra botërore  e katolicizmit) për shembull rreth 25% e popullsisë frekuentojnë kishat, apo në Francë ku kjo shifër arrin rreth 30%.

Sepse zbehja e ndjenjës fetare është një dukuri globale. Kurse te ne, për fat të mirë apo të keq, kjo zbehje është më e madhe edhe për shkak të historisë sonë të largët dhe të afërt (koha e komunizmit, që e ndaloi me ligj fenë).

Kombi shqiptar është ngritur sipas devizës “Atdhe dhe fe” dhe jo “Fe dhe atdhe”. Kjo është e vërtetë historike e imponuar nga ekzistenca e tre besimeve fetare, që e bënte të pamundur krijimin e kombit mbi baza të besimit fetar, pra sipas devizës “Fe dhe atdhe”.

Prandaj rilindësit e mëdhenj, mendje të ndritura si Naimi dhe Pashko Vasa do të thoshin të njëjtën gjë me forma të ndryshme. I pari do të shprehej: “Lëreni më nj’anë fenë\ Të shikojmë mëmëdhenë”, ndërsa i dyti do artikulonte thënien e famshme: “Feja e shqyptarit asht shqyptaria.”

Dhe nuk besoj se do ketë ndonjë (cilido qoftë ai) që do të guxojë t’i quajë ata ateistë apo kriptokomunistë. Aq më pak mund të tjetërsojë dhe “zbukurojë” kuptimin e këtyre shprehjeve pa ekuivok, as me pehlivanllëqe interpretimesh tekstore, kontekstore, altertekstore etj…

Si përfundim, për të evituar çdo keqkuptim lidhur me këtë çështje, si qytetar pajtohem me kryeministrin për domosdoshmërinë e ndërtimit të Xhamisë së Madhe, por nuk pajtohem me vendin e ndërtimit. Sigurisht që në qendër do të qe më mirë, por qendra e Tiranës nuk mban dot më asnjë ndërtim për shkak të mbingarkesës së betonit.

Lidhur me këtë problem kam shkruar në një të përditshme në muajin korrik ku nënvizoja se shoqëria civile (pa shpirt civil) dhe qytetarët duhet të mbështetnin një tufë ambientalistësh të vetmuar, që protestonin pikërisht për prerjen e pemëve në këtë vend, por pa e përmendur drejtpërdrejt xhaminë.

Sigurisht, krerët e komunitetit mysliman e kërkojnë xhaminë në qendër të Tiranës edhe për shkak se kisha ortodokse, para disa vitesh, është ndërtuar në qendër të Tiranës (bile mur më mur me Ministrinë e Mbrojtjes) dhe ky është një krim urbanistik.

Por kjo s’do të thotë që, meqë u gabua në një rast, të vazhdohet të gabohet përsëri. Sipas meje, trysnitë negative mbi qeveritë nga subjekte të ndryshme të çdo lloji janë të dëmshme. Dhe qeveritë nuk duhet të intimidohen nga këto.

Sa për rastin konkret mendoj se, duke qëndruar larg presioneve dhe intimidimit prej tyre, kryeministri, duke mbajtur njëherësh premtimin për ndërtimin e xhamisë së re, duhej të anulonte projektin tërësisht dhe, sipas kompetencave dhe ligjit duhet të dërgonte në gjykatë urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtij krimi ambiental si dhe të urdhëronte rehabilitimin e mjedisit të dëmtuar prej atyre që e shkaktuan masakrën, duke e risjellë në identitet. Që gjelbërimi të mos vritet nga marshimi i betonit.

Sepse më shumë gjelbërim do të thotë më shumë oksigjen, një jetë më e shëndetshme për të gjithë qytetarët: myslimanë, ortodoksë dhe katolikë.

Përpara se të besojmë (në fe, në politikë apo djall) na duhet të marrim frynë, na duhet ajër i pastër, oksigjen.

Tek e fundit, interesi i qytetarëve, interesi publik duhet të dominojë mbi interesin e çdo lloj komuniteti.