Nga: MEGI AJTYRESA
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.
U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.
(Martin Camaj)
Ndërsa po lexoja sot këto vargje të Camajt, ndjeva dhimbje për qytetin tem.
Rrullat jo nga plakja por nga përdhosja e vazhdueshme që po i bëhet këtij qyteti të bëjnë të kesh neveri për këdo që e merr guximin ta permendi. Këtë dhuratë te Zotit njeriu e merr përsipër ta shkatërroje pa pikë mëshire duke ia vënë fajin vetë Zotit. Sa turp.
Nën buzëqeshjen klasike të neveritshme marrin përsipër të dalin e përveç të tjerash të flasin pa mendu, madje kur dëgjova fjalinë; – “kenkan mledh tan ujnat e Ballkanit me ardh n’Shkoder” kuptova përfundimisht se ku po jetojmë, se kush na drejton.
Po nuk kan faj këto Zotni se ndërkohë që bëjnë jetë pashallarësh larg këtij realiteti, shkojnë sa herë krijojnë tragjedi për të dhënë mend.
Po çfarë i duhen mendt e pushtetarëve të pamend fshatareve fisnike të Nënshkodrës? Po çfarë i duhen mendt e këtyre pushtetarëve të paskrupullt, qytetarëve të Shkodrës?
S’kanë çka t’i duhen se tash ujnat ia kanë marrë edhe pak pasuni që kishin, ia kanë marrë shpi e miradi e sot gjenden rrugëve këto “anëtarë të tragjedive natyrore” që po bëhen gati të përmujshme.
Po prapë Zoti e ka fajin, që na vuri në zonën ma të bukur të Shqipnisë, që na rrethoi me Bunën, Drinin e Kirin, na dhuroi liqenin e Shkodrës dhe bregun e detit.
Sa fajtor është Zoti!
Vetëm për diçka bëri “mirë”, që na dhuroi këto njerëz që në 20 vjet vetëm shkatërruan, vetëm përdhosen, vetëm ia morën frymën këtij qyteti.
Këto njerëz që përdorën me pafytyrësi dhimbjen e madhe të këtij qyteti, gërmun plagën që krijoj komunizmi për t’ia përdor përjetësisht, duke kriju një mendësi po aq të frikshme sa komunizmi. Këto mbajnë emrin demokrat, po se çfarë dijnë këto zotni mbi demokracinë një Zot e din.
Po diçka mesa duket e kanë harru këto pushtetarë se Shkodra nuk harron aq kollaj sa ju mendoni. Nuk ua fal këto tragjedi, herën e parë ia lamë fajin kohës, se kjo ndoll një herë në njëqind vjet, po tani nuk munden ma me ba të marrin se të tillë nuk janë.
Degjova Zv. ministrin e Ekonomisë, Transportit dhe Energjetikes ndërsa paturpësisht thoshte qe ne i kemi marrë masat, i kemi thenë banoreve të largohen. Po se si mund të largohen këto njerëz nga e vetmja gjë që kan? Kësaj pyetje aspak retorike zv. ministri duhet të ketë një përgjigje për t’i kthyer.
Mesa duket njerëzit e kanë kuptuar tashmë që shpresë më tek qeveria nuk mund të kenë, por vetëm të shpërndahen në kisha e xhamia që t’i luten Zotit për ditë me diell. Edhe sot kur po flisja në telefon me gjyshen më tha; – Nan jena ba me cu mesh sa her nxihet qilla, se n’dorë të Zotit kena met.
Ndërsa duhet të kishin një shpërblim për këto njerëz demokrat në shpirt, kjo qeveri i përgjigjet me tragjedi.
Pyetja është; A do mjaftohet Berisha duke bërë të njëjtat premtime çdo pak muaj?
A nuk u premtua në janarin e 2010-ës thellimi dhe sistemimi Bunës? Të njëjtën retorike dëgjova dhe sot.
Në rezolutën e seancës të jashtëzakonshme në janar 2010 u miratua se: – Qeveria të përparojë të gjitha projektet që i japin zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë parandalimit të fatkeqësive të ngjashme natyrore. Ju zoti kryeministër, çfarë prezumoni me afatgjatë, se nëse kemi të njëjtin koncept mbi afatgjatësinë nuk mund të jetë një tetë mujorësh.
Ky premtim u bë në janar 2010, ku në fakt janë dhënë vetëm 150 mije $ për të ngrit argjinaturat, një shifër kjo e papërfillshme, por edhe me investimin e tyre u fillua vetëm në muajin tetor.
E reja për njerëzit që i dëgjojnë nuk është fakti i përmbytjeve, se kjo pritej, por e reja është se si ka mundësi që këto pushtetarë të japin prapë të njëjtat argumente si një vit më parë. Nëse këto njerëz nuk kanë memorie, kanë regjistrime në media apo kudo qoftë që t’i kujtojnë vetes se sa të paskrupullt janë.
Një vit më parë thanë që Zoti desht? Po ca i kemi bërë ne Zotit, qe ai desht me ne.
Ktu ka vetëm një përgjigje, që nuk është Zoti po njeriu që nuk ka kuptu akoma se pse rri në karrige pushtetesh kur nuk ben asgja për njerëzit e vendit te tij.
Njerëz që nuk dijnë akoma se çfarë misioni kanë në këtë vend.
A nuk është turp t’i përgjigjeni Shkodrës kështu?
A ka shpërblim më të mirë për një qytet që i besoj këtyre njerëzve tash 20 vjet?
A keni dhimbje të tjera për ti fal?
Mesa duket mos pasja e dinjitetit sot është trend, por të paktën kur flitni për Shkodrën ulni kryt e kërkoni falje.
Ulni kryt në emër të besimit qe ju dha ky qytet.
Ulni krytë në emër të premtimit për demokraci, qe nuk ia dhatë kurrë.
Ulni kryte në emer të premtimeve.
Ulni kryt e kërkoni falje se ju e dini në “ndërgjegjen” tuj se keni pse ta bani.
Uluni me kamë në tokë e mos na flitni për arritjet e mëdha të qeverisë po hiqni ujin nga shtëpitë e njerëzve, se ndërsa ju flisni për miliona e miliarda investime, e nesërmja e Shkodrës është prapë frika se uji mbase nuk ndalet ma veç n’çati e n’sofer.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)