Nga Tema, TCH
Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, deklaroi dje në Tiranë se duhet gjetur një zgjidhje, në mënyrë që opozita të kthehet në Kuvend. Ai tha se kriza politike do të ketë ndikim në përgjigjen që do të japë KE në lidhje me aplikimin e Shqipërisë.
“Ndoshta ju e dëgjuat që unë thashë se, për sa i përket pyetësorit, të gjitha forcat në Shqipëri duhet të ndihmojnë. Dhe kur themi të gjitha forcat, duhet të kuptojmë edhe parlamenti. Dhe për këtë arsye, në mënyrë që parlamenti të ndihmojë dhe të kontribuojë ashtu siç bëmë edhe me parlamentin në Malin e Zi, nevojitet apo lipset që opozita të jetë në parlament.
Në një demokraci, debati politik, diskutimet politike mund të bëhen vetëm në parlament dhe jo në rrugë. Përndryshe do të kemi një ndikim në opinionin që do të përgatisim ne, dhe për këtë do të shikojmë funksionimin e demokracisë, parlamentin dhe do të shohim, nëse ai funksionon. Prandaj, duhet gjendur mënyra që shumë shpejt opozita të kthehet në parlament. Pra, unë po inkurajoj që të ketë dialog mes pozitës dhe opozitës dhe që të gjendet zgjidhje, në mënyrë që opozita të kthehet në parlament për të kontribuar në këtë debat”, – tha Mirel.
Holanda: Shqipëria në BE? Nuk na joshni
Holanda është një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që vazhdon të shprehë rezerva ndaj Shqipërisë.
Pas miratimit formal nga vendet anëtare për t’i kaluar për shqyrtim Komisionit kërkesën e Tiranës për statusin kandidat, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme holandeze ka deklaruar se Shqipëria nuk është ende joshëse për të përfituar paraprakisht avantazhe nga Bashkimi Evropian.
I pyetur nga “Top Channel” për situatën politike në vend dhe protestën e opozitës, zyrtari evropian nuk dha asnjë koment për këtë të fundit, por shprehu vetëm një qëndrim të përgjithshëm për situatën.
“Në Shqipëri ka dilema të vështira politike. Reformat kane ngecur. Kritike paraqitet reforma gjyqësore dhe procesi zgjedhor. Politika shqiptare nuk ka asgjë të re që të na joshë për t’u dhënë besimin paraprak dhe neve na duhet që t’u referohemi veprave që realizohen e jo synimeve për të qenë pjesë e BE dhe kjo s’ka të bëjë fare me NATO-n”, – nënvizon zyrtari holandez.
“Ju duhet të bëni reformën zgjedhore dhe të garantoni pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Politika e jashtme e Holandës do t’i shohë me kujdes këto dy çështje për rastin e Shqipërisë”, – përfundoi qëndrimin e tij përfaqësuesi i lartë i Ministrisë së Jashtme holandeze.
Vetë ministri i Jashtëm holandez pati deklaruar për “Top Channel” se ishte raporti i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 28 qershorit ai që i hapi rrugën votës pozitive në Këshillin e Bashkimit Evropian.
Por, ne momentin kur Komisioni po shqyrton aplikimin e Shqipërisë për t’ua kaluar sërish çështjen vendeve anëtare për të dhënë pëlqimin përfundimtar, sipas deklaratës se mësipërme të zyrtarit të lartë të Ministrisë se Jashtme holandeze, vendi i tij vazhdon të ketë rezerva mbi politikën dhe ecurinë e Shqipërisë në reforma të rëndësishme.