Nga Mero Baze
(Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi)
Zoti President,
Po të drejtohem jo vetëm në funksionin tuaj si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por mbi të gjitha si garant i kushtetutshmërisë në vend.
Ministria e Drejtësisë, përmes Zyrës së Përmbarimit, ka urdhëruar në datën 30 nëntor bllokimin e gjithë llogarive personale dhe të biznesit për shkak të një vendimi gjyqi, i cili është zhvilluar pa praninë time në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Bëhet fjalë për një gjyq që ka zhvilluar kundër meje gjyqtarja e apelit Zeqine Sollaku, dhe sipas vendimit që ka marrë po gjykata ku ajo punon, në ilegalitet, unë i detyrohem asaj 100 milionë lek të vjetra, për shkak të asaj që ajo e quan fyerje për shkak të detyrës nga gazeta Tema.
Sa për informim, kjo shtetase dhe njëkohësisht gjyqtare, ka paditur mua dhe gazetën Tema në vitin 2007 për një çështje, të cilën unë personalisht e kam fituar dhe kam dalë i pafajshëm në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Prej asaj kohë unë nuk kam asnjë njoftim për gjyq në apel. Nuk ekziston asnjë shkresë që të jem njoftuar unë personalisht ose të afërm të mi për një gjyq të tillë. I vetmi njoftim është ai që më kanë bërë bankat ditën e djeshme, të cilat më kanë vënë në dijeni të shkresës së Përmbarimit.
Shqetësimi i parë lidhet me faktin se Gjykata e Apelit në Tiranë ka zhvilluar një gjyq ilegal ndaj meje si gazetar, ku akuzuesja është vetë gjyqtare e Apelit të Tiranës dhe viktima jam unë dhe gazeta Tema, të cilët e kemi fituar këtë gjyq një herë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Një mungesë e tillë etike, e kësaj gjykatë ndaj meje si gazetar, justifikohet vetëm me motivimin politik të saj nga pushteti, i cili ka demonstruar së fundmi mbështetje për cilindo agresor ndaj meje, që nga ata që sulmojnë rrugëve fizikisht dhe deri tek ata që kalojnë ditën duke shtuar stivën e gjobave ndaj biznesit të medies ku unë punoj.
Është një fyerje e madhe për qytetarët në shekullin e 21 t’u zhvillosh gjyqe ilegale dhe t’i dënosh me gjoba të tilla, të cilat janë jashtë përfytyrimit për t’u përballuar nga një qytetar i thjeshtë. Ju kujtoj zoti President se shuma 100 milionë lekë, me të cilën kërkon të bëhet “zengjine” zonja Sollaku, është rroga ime e dhjetë viteve. Unë nuk e di mbi ç’baza kjo gjykatë ka vlerësuar se kjo zonjë është ndjerë kaq shumë e dëmtuar nga artikulli i një gazete, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë i ka dhënë pafajësinë gazetarit.
Së dyti, është e pamoralshme që gjyqi, përveçse ilegalisht, të zhvillohet në një gjykatë ku akuzuesja punon si gjyqtare. Nëse unë do të isha njoftuar për gjyqin, gjëja e parë që do të bëja do të ishte së paku zhvillimi i këtij gjyqi në një gjykatë tjetër të Apelit në Shqipëri. Marrja e vendimeve të tilla gjyqësore nga një gjykatë, në mungesë të akuzuarit dhe avokatit të tij, në mjediset e punës së gjyqtares që akuzon për arsye private, është e turpshme.
Së fundmi, do të desha ta shikonit këtë problem, jo vetëm si një përpjekje për t’i mbyllur gojën shtypit, por edhe si një përpjekje e ulët për të fituar mbështetje nga pushteti politik për gazetarët kritikë. Përpjekja për të izoluar e rrënuar juridikisht, financiarisht dhe fizikisht gazetarë kritikë me pushtetin, është një nga standardet më të ulëta dhe fyese për demokracinë shqiptare, e cila për fat të keq po shfaq shenjat e saj të frikshme dhe të neveritshme në pushtetin e drejtësisë, në krye të të cilit ju qëndroni.
Më lejoni zoti President t’iu shpreh keqardhjen time për këtë gjest të ulët të Gjykatës së Apelit të Tiranës, të cilin unë do ta kundërshtoj në rrugë ligjore deri në Gjykatën e Strasburgut. Por më e rëndësishme se e drejta ime, këtu mendoj se është degradimi i këtij trupi gjykues në gjobëvënës ordinerë ndaj medies në Shqipëri.