Benzi i blinduar i Berishës dhe “dasmat e vdekjet”

0
134


Mero Baze, 03.12.2010

Kryeministri Berisha pranoi dje mungesën e vizionit në buxhetin e vitit 2011 dhe provoi se në fillim të vitit të kaluar ishte tallur me qytetarët e Shkodrës. Një ditë më parë ai foli me egërsi kundër opozitës për mungesën e festës në Tiranë, ndërsa dje foli me egërsi për përkujtimin e vdekjeve prej saj.

Me psikologjinë e njeriut që tërhiqet vetëm nga dasmat dhe vdekjet, si ato gratë e ngeshme të fshatrave të thella që bëjnë dhe vajtojcën dhe krushkën në dasma, Berisha ishte dje në ditën e makthit nga vdekjet. Ai drejtoi një lutje për Ministrinë e Financave, për të ndryshuar prioritetet e buxhetit dhe për të planifikuar thellimin e Lumit Bunë.

Një vit më parë Berisha u premtoi shkodranëve se viti 2010 do të ishte viti i thellimit dhe pastrimit të Bunës dhe bile theksoi se do ta kthente atë në qendrën turistike më të fortë të rajonit. Mirë që nuk hodhi asnjë lopatë zhavorr gjithë vitin, por as para 15 ditëve, kur çoi buxhetin në Kuvend, nuk u kujtua për mashtrimin publik që u kishte bërë atyre qytetarëve.

U desh të ri-përmbytej Shkodra, që Berisha të kujtohej dhe për mungesën e përgjegjësisë për Shkodrën, dhe për mungesën e vizionit për të.

Dje ai kërkoi që buxheti të ribëhet dhe të planifikohet thellimi i Bunës. A thua kjo është zgjidhja? Kush është ky njeri që e di se çfarë duhet dhe si duhet të financohet brenda një mbasdite?

As Enver Hoxha me gjithë megalomaninë dhe brutalitetin e vet, nuk ka guxuar që për një mbasdite të vendosë për mënyrën se si duhet të përballohet një fenomen natyror që përsëritet në formën e një rregulli mbi një zonë të tërë.

Së pari, zoti Berisha kishte dje rastin jo të vendoste çfarë do bëhej sipas tij, por të prokuronte, në daç me VKM, një projekt kompleks për sistemimin e Liqenit, Bunës dhe Luginës së Drinit, për t’i dhënë Shkodrës një perspektivë të re dhe për ta shpëtuar përfundimisht nga paniku i përmbytjes. Një projekt kushton shumë më pak se sa një gënjeshtër nga ato që lëshon përditë Berisha.

Dhe për këtë kam një sugjerim konkret. Berisha të anulojë vendimin e qeverisë për blerjen e një Benzi të blinduar për shërbimet qeveritare, i cili kap shifrën rreth 700 milionë. Me aq pare bëhet një projekt serioz për Liqenin, Bunën dhe Drinin dhe ne kemi në dorë pastaj një dokument profesional që duhet financuar për të shpëtuar Shkodrën.

Ky gjest do të ishte më bindës për qytetarët e Shkodrës se hakërrimat e tij kundër opozitës që i kujton papërgjegjshmërinë në qeverisjen e vendit.
Së dyti, Berisha duhet të jetë transparent me Shkodrën për atë çfarë duhet të ndryshojë në buxhet.

Mund të ndodhë që ai të marrë disa fadroma të ndërtuesve të Familjes dhe të bëjë sikur punon disa ditë në Bunë duke futur në xhep sërish miliona, por Shkodra nuk do atë. Shkodra ka nevojë për një projekt që ta shikojë me sy dhe pastaj për një plan financimi të tij që duhet të jetë realist. Vetëm kjo e zgjidh problemin në Shkodër. Hakërrima e Sali Berishës për t’u mbyllur gojën kritikëve që i kujtojnë atij papërgjegjësitë, vetëm sa rrisin dëshpërimin.

Së treti, Berisha mendon se viktimat e tij janë pronë e tij dhe ato s’mund t’i prekë askush. Kjo logjikë nekrofile që shoqëron gjithë karrierën e tij, tani po kthehet në identitet. Ai ulërin t’i përmendësh viktimat e Gërdecit, jo se i dhimbsen ata, por se tmerrohet nga shkaktari i vërtetë i asaj fatkeqësie, që e ka në shtëpi.

Ai tmerrohet t’i përmendësh njerëzit që vriten duke rënë nga autobusi, jo se i dhimbsen ata, por se njerëzit i kujtojnë mashtrimet me rrugët dhe klientët mashtrues të Familjes së tij.

Ai tmerrohet t’i përmendësh katër foshnjat e Sukthit, jo se i dhimbsen ata, por se ata me shpirtrat e tyre të shuar në errësirë nxjerrin në dritë falsitetin dhe gënjeshtrat e këtij njeriu. Dje ulërinte për Shkodrën si i marrë që s’ka viktima.

Ulërinte dhe ishte gati që dhe atë foshnjën e mjerë tre- muajshe të vdekur, ta quante të gjallë, ose të vrarë nga opozita. Problemi që ka Shkodra është më shumë se sa një viktimë njerëzore.

Problemi që ai qytet po përjeton, tashmë nga gënjeshtrat e Sali Berishës, është se nuk po vdes një, 4, apo 26 vetë, por një qytet i tërë po bëhet i pabanueshëm për shkak të tij. Dhe me logjikën e Berishës ne tani nuk duhet të përmendim Shkodrën, se ajo s’ka vdekur akoma.

Ky degradim mendor i këtij njeriu që është në krye të shtetit, po i ngjan nga ora në orë një grumbulli makthesh që përkthehet në qeverisje spontane, pa plan, pa vizion dhe pa transparencë. Është inercia e njeriut që nuk ka një plan të vetin, por ndjek planin që i vënë përpara klientët e Familjes dhe imponimin që i bëjnë fatkeqësitë natyrore. Është një kryeministër që i harxhon lekët për dasma ose për vdekje. Si në një restorant të zymtë fshati.