Preç Zogaj, 24.11.2009
Ngado që të sillemi, cilat do qofshin pikëpamjet që kemi, çfarëdo akrobacish të bëjmë për të mbështetur këtë apo atë shpjegim të krizës, gjithnjë do të kthehemi te shkaku real dhe fillestar i saj: te hedhja poshtë prej KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, të kërkesës së dy komisionerëve të lartë për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa kuti të qarqeve Berat, Tiranë, Shkodër.
E kam parandier e shkruar qysh në verë: “rrëzimi në një mënyrë aq të paligjshme e një kërkese aq të ligjshme do të kishte pasoja”.
Do t’ia shihnim sherrin, në radhë të parë ata që e kanë kurdisur atë vepër të ngjashme me grushtin e shtetit nën togat e zeza. Vetëm një arsye tepër madhore, që nuk na është thënë kurrë, apo një gjendje e papërfytyrueshme e kutive mund të justifikonte si veprim impulsiv (kurrsesi si gjykim) vendimin që u mor.
Po, mund të ketë hallin e tij Edi Rama, mund të këtë humbur apo fituar opozita, mund të kenë fituar apo humbur Sali Berisha, mund të kenë qenë zgjedhjet e 28 Qershorit 2009-të më të mira se zgjedhjet e 3 Korrikut 2005-së, mund të jenë prishur nga brenda këto zgjedhje ndryshe nga ato të viteve 1996-të dhe 2001 që u prishën nga jashtë; mund të jenë të dëmshme protestat për heqjen e vizave, por mund të jenë edhe të dobishme për imazhin e Shqipërisë qytetare dhe demokratike…
Të gjitha këto “mund”, që mund të vijohen pa fund, janë dhe mbeten opinione, pikëpamje palësh, për të cilat mund të mos bien dakord sa të jetë jeta.
Kurse moszbatimi i neneve 136 dhe 138 nuk është pikëpamje, as opinion. Është akt, që nuk të krijon mundësi të lëvizësh. Po të ishte ai një vendim i formës së prerë i mbështetur në shqyrtimin e materialeve të gjetura në kuti, të gjithë duhej të heshtin edhe pse disa do të lumturoheshin e disa do të hidhëroheshin nga ky vendim. Por është një akt që thjesht u hedh drynin kutive, të vërtetës.
Në tërë historinë e botës, drejtësia s’ka qenë e s’është gjë tjetër, veçse kërkimi i së vërtetës, kudo ku ajo fshihet apo e fshehin. Si mund të paraqitet atëherë si drejtësi një akt i ngritur mbi dhunimin e ligjit dhe burgosjen e së vërtetës?
Ndërgjegjja politike dhe intelektuale demokratike vetëm fyhet dhe indinjohet nga ky lloj arbitrariteti. Nenet 136 dhe 138 nuk japin hapësirë për interpretim. Nuk është nevoja të jesh jurist për t’i zbatuar siç janë. Kanë qenë gur themeli i konsensusit. Në dhunimin e tyre, u shndërruan në gur themeli të konfliktit.
Me këtë akt KQZ dhe Kolegji Zgjedhor hodhën poshtë një investim të madh të partive politike kryesore për të gjetur gjuhën, cenuan bazat e konsensusit që çoi vendin në NATO, e katandisen konsensusin në bukë të thyer, e futen Kodin dhe ligjin në krizë, e ngritën politikën nga tryeza e dialogut, e kthyen nga kishte ardhur, e nxorën në rrugë, në përplasje të reja dhe në një konfliktualitet me të keq, që rikthehet në kushtet e zhvlerësimit të një konsensusi.
Në refuzimin me këtë kosto të lartë politike, morale dhe etike të kërkesës ligjore për hapjen e kutive është ngritur dhe vazhdon të fryhet pambarimisht legjenda e kutive.
Partia Demokratike, kryetari i saj Berisha, palë në konsensusin parazgjedhor me PS-në, nuk kanë thënë asnjë fjalë për dhunimin e neneve që kanë votuar vetë.
Pajtimi me shkeljen e ligjit e nuk ka asnjë lidhje me shprehjen e lirë të opinioneve, por është thjesht e qartë ikje nga shteti ligjor. Berisha ka deklaruar, me një të folur prej Bude, se hapja e kutive është ogurzezë, pa e shpjeguar pikëpamjen e tij. Ai flet në mënyrë të përgjithshme për “vendimet e gjykatës” dhe betohet parimisht se “nuk do të shkelë mbi to”. Askush nuk është kundër, përkundrazi.
Por kjo e folur e rrumbullakosur qëndron ende larg problematikës konkrete dhe krizës konkrete të marrëdhënieve shumicë-opozitë. Nga Kryeministri është pritur e pritet distancimi nga shkelja e neneve 136 dhe 138 dhe pastaj edhe një ofertë transparente për rifillimin e dialogut me PS-në.
Por protestat opozitare në një anë dhe qeveria në anën tjetër po rrinë ballë për ballë si skajet e një litari. Rreziku është i madh. E vërteta e kutive po sakrifikohet me çmimin e rëndë të atentatit ndaj ligjit. Politika po rrëshqet në mëkatin e madh të daljes nga shtrati i principeve. Që do të thotë të mos mblidhet më.
Në një libër të vetin, Mahatma Gandi, mbreti i rezistencës paqësore nëpërmjet mosbindjes civile të masave, ka përfshirë një listë të atyre që ai i konsideronte “shtatë mëkatet shoqërore”. Ja lista:
“Politika pa principe”
“Pasuria pa punë”
“Kënaqësia pa ndërgjegje”
“Njohja pa thelb”
‘Tregtia pa moral”
“Shkenca pa njerëzi”
“Adhurimi pa sakrificë”
Siç shihet, “Politika pa principe”, qëndron në krye të listës.
Po cili është principi i principeve të politikës?
Shumë faqe janë shkruar dhe shumë pikëpamje janë shkëmbyer nëpër shekuj edhe për këtë çështje. Me kohë është pranuar kjo përgjigje e thjeshtë: Ligji! Principi i politikës është ligji. Politologët nuk e dredhin në këtë pikë. Janë në një mendje. Kur shkelet ligji, shkelet principi i politikës. Nuk ka më lojë. Ka krizë. Si kjo që po jetojmë.