Ja sa duhet të paguash që të bëhesh mësues në Shqipëri

0
70

TemA, 15 Shtator 2012

Tregu i punës në Shqipëri është kthyer në katrahurë të vërtete. Shprehja “miku dhe leku” pëshpëritet nga çdo grupmoshë. Dhe me sa duket nuk është thjesht një shprehje, por është ana e një realiteti të zymtë.

Shumë nga ju mund ta dijë se sa kushton një vend pune në arsim. Pazaret politike dhe çmimet për të pasur një vend pune si mësues në Shqipëri janë të ndryshme.

Nëse mësuesi do të punësohet në një shkollë 9-vjeçare, tarifa është më e ulët se në shkollën e mesme. Ndërkohë që më shumë paguhet për shkollat e qendrës dhe më pak për ato të periferisë.

“Duhet të paguash para, të kesh lidhje politike, si dhe të gjesh personin që të jetë i besuari i atij që të merr në punë dhe t’i japë zarfin me para. Shifrat janë të ndryshme, por kryesisht paguhet 3 milionë lekë , 5 milionë lekë”, është shprehur për gazetën “Shqip” mësuesja me inicialet I.K, e cila punon prej 15 vitesh në Tiranë.

Në denoncimet në adresë të gazetës variojnë këto kosto për punësimin në shkollat e disa qyteteve:

Tiranë: 3 mijë- 5 mijë euro

Shkollat periferike: 2 milion- 2.5 milionë lekë

Cikli 9- vjeçar: 3.7 milionë lekë

Gjimnazet: mbi 6 milionë lekë.

Kukës: 0,5- 1 milionë lekë

Dibër: 1 milionë lekë të vjetra

Elbasan: 3 milionë lekë të vjetra

Lushnjë: 3- 5 milionë lekë

Fier: 3- 5 milionë

Berat: mbi 3 milionë

Shkodër: 3- 5 milionë

Lezhë: 3- 4 milionë

Vlorë: 1.5- 3.5 euro

Gjirokastër: 2- 5 milionë lekë

Durrës: 3- 5 milionë lekë

Korçë: 3 milionë lekë

Rroga mesatare e një mësuesi llogaritet tek 45 mijë lekë të reja, kështu që për të paguar koston e vendit të punës duhet të punojë të paktën një vit.

Në prononcimin për “Shqip”, zv. ministria e Arsimit Nora Malaj thotë se mitmarrja nuk denoncohet sepse në këtë rast dënohen të dyja palët, si ai që merr dhe ai që jep.

Sipas saj ky është viti i fundit që rekrutimi dhe punësimet bëhen nga drejtoritë arsimore. Vitin e ardhshëm mësuesit do të merren në punë nga bordi i shkollave dhe qeverisja vendore.